7.5 C
Tirana
E mërkurë, 4 Dhjetor 2024
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

PARATHËNIA E LIBRIT “IKONA E MËSUESISË, LEONIDHA DHRAMI”

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Uebdizajner & Grafikdizajner

Nga Qatip Mara

Nuk e dija që do të vinte një ditë që për Ty, i shumëçmuari, miku im, Leonidha, të rrëfeja në kohën e shkuar. Të kisha më shumë se shok e mik, na bashkonte shumëçka, ndiheshim mirë e të plotësuar në shoqëroinë e njëri tjetrit; edhe kur ndodheshim mijëra kilometra larg, na mjaftonte zëri dhe figura e njëri tjetrit në camer, për t’u mbushur me freski dhe energji për vijimin e ditës…Por rrugët e jetës kështu qënkan, mik i dashur, këputen një ditë në mes…dhe aty ku nisin e rrjedhin kujtimet e lëna pas…nis koha e përjetësisë…

Keni ikur lartë në Qiell, kolegu e miku im i shtrenjtë, fisniku i paharruar, Leonidha Dhrami. Keni lënë pas shumë dhimbje e lot, mall e kujtime, një det me dashuri, që tallazitet në zemrat e tona, në zemrat e atyre që të deshën dhe i deshe, deri në frymën tënde të fundit,..

Nuk na besohet, por është e vërtetë dhe nuk nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të rrojmë për të të kujtuar, për t’u çmallur me ty, me anë të këtyre kujtimeve e mbresave jetësore, që po mundohem t’i hedh modestisht në këtë libër.

Akoma nuk më besohet, se jeni larguar fizikisht nga jeta, që e doje shumë. Kam biseduar vazhdimisht me kujtimet tona të punës pedagogjike e kujtimet familjare. Ke qenë dhe mbetesh një model, nga i cili, jo vetëm unë, që të kisha aq shumë për zemër, por gjithëkush që të njihte sado pak, mund të mësonte nga jeta jote, nga vlerat e shumta që ti i kishe me shumicë dhe ta iluminonin çdo hap e çast të jetës.

Në endrra shpesh takohem, çmallem dhe kur zgjohem trishtohem, se e ndjej shumë mungesën tënde, por kujtimet e shumta që kemi më nxitën të shkruaj librin “Ikona e Mësuesisë Leonidha Dhrami”. Nga brigjet e Atlantikut lindor të SHBA, të përfytyroj çdo ditë sikur do takohemi për të shkuar në shkollë, si dikur në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Ishin stinë të arta, moshë ëndrrash e vizionesh të bukura, që megjithë vështirësitë e një kohe të pakohë, më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë. Do t’i ruaj, miku im, si thesare shpirti e kujtese, deri sat ë jemë gjallë në këtë jetë…

Nipi jonë i shtrenjtë Kristian Ardi Leonidha  Dhrami  të kujton me shumë dashuri dhe ekzistenca e tij është frymëzimi im që fillova të kërkoja nga kolegë e ish nxënës kujtime, ese, vjersha për mësuesin e talentuaar Leonidha Dhrami. Nuk e mendoja se do më ikje nga jeta në 5 tetor 2023. Ishim bashkë me pushime në Himarë në gusht 2022. Ishim bashkë në vizitën e fundit në vendlindjen e bukur Qeparo. Bisedat tona ishin të panumërta dhe premtuam se do të takoheshim përësëri. Por Zoti të zgjodhi e të mori me vete, si engëll mirësie, lart në Qiell…

Me kolegun e talentuar, ikonën e Mësuesisë, Leonidha Dhrami, kam punuar disa dekada të viteve ’70 të shekullit të kaluar, në shkollat e qytetit minator Selenicë Vlorë… Që ditët e para, gjeta ngrohtësinë e mësuesit të gjuhës shqipe e letërsisë, Leonidha Dhrami, i cili ishte mësues me përvojë pedagogjike, që zbatonte disiplinën në punë me korrektësi, ishte shumë i thjeshtë, modest e dashamirës.

E kisha parë e dëgjuar që në vitin 1970, kur ai ishte drejtor-inspektor në shkollat e zonës të Koculit dhe unë isha mësues në Armen. E dëgjoja në seminaret e kabinetit pedagogjik të rrethit Vlorë, kur diskutonte me shumë aftësi pedagogjike, me një oratori të mahnitshme, duke e shprehur qartë dhe me forcë emocionale gjuhën e bukur shqipe.

Në shkollën 8 vjeçare e Re, në godinën e vjetër të gjimnazit “H. Beqari”, kur hyja në klasat që bëja mësim lëndën e histories, e gjeja dërrasën e zezë të mbushur me një shkrim të bukur estetik, që të qetësonte syrin, sikur shikoje një pikturë të bukur. Ishte bukurshkrim i mahnitshëm, i shkruar nga dora e artë jote, miku im i përjetshëm Leonidha Dhrami. Të gjithë nxënësit mrekulloheshin nga performanca shembullore e mësuesit Leonidha Dhrami, i cili me veshjet estetike e kulturën e komunikimit miqësor e prindëror me nxënësit kishte fituar admirimin e komunitetit mësues-nxënës -prindër.

Në muret e vjetra të godinës së vjetër, ai krijoi kabinetin e gjuhës e të letërsisë. Me shkrimin e tij të hishëm, me një kalografi mrekullore dhe fotot e Rilindasve të Mëdhenj të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ky mësues pasionant pasuroi me bazë mësimore-didaktike proçesin e mësimdhënjes e mësimnxënjes të lëndëve gjuhë shqipe e letërsi. E shikoja që ngjitej mbi bankat e vjetra, duke montuar në faqet e kabinetit stenda me xham me vlera njohje për nxënësit e shkollës. E shikoja shpesh përkulur në tavolinën e punës të kabinetit, duke korigjuar me shumë vemendje e korrektësi gramatikore fletoret e hartimit të nxënësve, mbushur me shënime sqaruese.

Në mbledhjet e kolektivit pedagogjik, zeri i tij, i ngrotë, kumbues, me një açent të ëmbël jugor, sikur elektrizonte sallën e mbledhjes, ku me qartësinë e mendimeve, me elekuencën dhe oratorinë e fjalës së tij të mençur, në parashtrimin e problemeve të proçesit kompleks të mësimdhënjes e mësimnxënjes, që nga nxënësit mesatar e sidomos nga ata të “vështirë”, si në frekuentim e përvetësimin e programit mësimor, imazhi i tij shkëlqente dhe ishte bërë model për të gjithë, mësues, nxënës e prindër.

Në kohën e lirë bisedoja miqësisht me shumë dashamirësi. Unë isha beqar, banoja në pallatin e punëtorëve të NFP Selenicë dhe isha me fat që kisha kolegun e talentuar Leonidha Dhrami. Shpesh më këshillonte për të bërë hapa të sigurtë, për të zgjedhur bashkshorten e jetës. U lidhëm shumë shpirtërisht. Bisedonim me shumë besim tek njeri tjetri. Ishin vitet e thellimit të luftës së klasave në letërsi e në arte. Guxonim e i thoshnim me sinqeritet të vërtetat e diktaturës komuniste, që na survejonte e përgjonte edhe në gjumë. Shpesh shikoheshim sy më sy dhe kuptoheshim pa folur. Ai ishte me inuitë të hollë, kuptonte çdo gjest të mimikës sime dhe përkthente çdo sinjal heshtjeje, pasi në ato rrethana, fjala ishte e detyruar të mbytej në thellësi të shpirtërave të tallazitur…

Unë i tregoja ndëshkimin që kisha pësuar nga diktatura komuniste, që kur 18 vjeç, mësues në vendlindje.Më tregonte edhe ai peripecitë që kishte hequr nga survejimi i spiunëve të sigurimit të shtetit, që të ndiqnin si hije kudo që të ishe. Kur u ndërtua godina e re e shkollës 8 vjeçare, që mori emrin “Qemal Hoxha”, mësuesi i talentuar Leonidha Dhrami u transferua në gjimnazin “H. Beqari”, që kishte shkuar në godinën e re, tek Agjensia.

E ndjeja shumë mungesën e tij. Qemë lidhur aq shumë, sa nuk rrinim dot pa shoqërinë e ngrohtë e të sinqertë të njëri tjetrit. Edhe nxënësit e shkollës 8 vjeçare e kujtonin me shumë respekt. Ai u kishte dhënë nxënësve dije shkencore për gjuhën shqipe, por edhe dashuri prindërore. E takoja në kohën e lirë, të cilën e kishte të kufizuar nga mbingarkesa mësimore në gjimnaz.

Kur krijova familjen time, venim e vinim familjarisht. Dashamirësia e tij ishte pakufi. I gëzonte shpirti që tjetri të ishte sa më mirë. Rrethi i tij familjar ishte me shumë me kulturë qytetare. Ata pothuajse ishin një kolektiv i vogël pedagogjik, që rrezatonin dritë diturie e mirësie. Kur shkova për të dhënë mësim tek shkolla “Todi Koçeli”, kisha drejtor shkolle të talentuarin Noke Abilekaj, që është baxhanak me të paharruarin Leonidha Dhrami.

I shikoja që ishin integruar mendrisht e shpirtërisht. Plotësonin njeri tjerin, me një harmoni e dashuri vëllazërore. Të dy të talentuar, me aftësi intelektuale, që shkëlqenin me performacën e tyre shembullore, në punë, në miqësi e shoqëri. Ata të dy, së bashku me kunatin e tyre, mjekun e përkushtuar Aleko Simoni, formonin një trekëndësh miqësie të sinqertë, ku sundonte mirëkuoptimi, besimi reciprok e dashamirësia.

Edhe bashkshortet e tyre ishin mësuese të përkushtuara. Ndieja lumturi, që me familjen time kishim ngrohtësinë e miqësisë së sinqertë të familjeve Margarita e Leonidha Dhrami, të familjes Androniqi e Noke Abilekaj dhe familjes Natasha e Aleko Simoni. Pas pak kohe u trasferova mësues në gjimnazin “H. Beqari”. Atje më priti me shumë gëzim e dashamirësi miku im i dashur, kolegu i talentuar Leonidha Dhrami. Sigurisht ishte gëzim për mua që do të punoja me këtë model të sjelljes njerëzore e të formimit intelektual, me kolegun e mrekullueshëm Leonidha Dhrami, i cili zotëronte aftësi të rralla komunikimi me miqtë e kolegët dhe kishte një përvojë, që mund të konsiderohej si thesar në lëmin e pedagogjisë dhe mësimdhënies.

Komunikonim me shumë ngrohtësi e afinitet, me sinqeritet e dashuri vëllazërore. Në çdo orë mësimi punonte me përkushtim, duke komunikuar sy më sy me nxënësit, të cilët e respektonin dhe e admironin, ushqenin ndaj tij respekt dhe dashuri prindërore. Në orët e mësimit, Ai harronte edhe veten e tij, sepse e sundonte pasioni pedagogjik i mësimdhënies e mësimnxënies, e pushtonte magjia e krijimit estetik, pasi në çdo komunikim ai ishte krijues dhe poet në marrëdhëniet me gjithëkënd që e rrethonte.

Nxënësit, ai i konsideronte jo vetëm partnerë bashkpunues e bashkveprues të orës së mësimit, por ata ishin frymëzuesit e pasionit të tij pedagogjik e didaktik. Deviza e tij ishte: Të jem shërbëtor i devotshëm i nxënësve dhe Atdheut, në misionin e shenjtë të MËSUESISË. Ai ishte binom i pandarë me nxënësit. Ai lumturohej që me punën e tij të përkushtuar kishte arritur të përgatisë nxënës të edukuar, të pajisur me njohuri të duhura, që do t’i bëjnë ata të aftë për të bërë punë të dobishme për veten e tyre, familjet, për kombin, atdheun dhe mbarë njerëzimin.

Të gjithë nxënësit, të cilët bënin mësim lëndën e gjuhë-letërsisë me mësuesin e talentuar Leonidha Dhrami, ndiheshin të gëzuar e me fat, që fitonin njohuri gjuhësore letrare me nivel të lartë shkencor. Komentet letrare, qartësia e mendimeve të tij krijuese, letrare dhe estetike, kishin rritur interesin e pasionin tek nxënësit që ta dashuronin letërsinë. Nxënësit e respektonin, madje e adhuronin, jo vetëm për kulturën e tij, për oratorinë e veçantë dhe elegancën e shpjegimit të lëndës mësimore, por mbi të gjitha për karkaterin e tij solid, me integritet të lartë moral e human, për botën e tij të pasur shpirtërore, ku sundonte mirësia dhe fisnikëria e sjelljes së tij prej aristokrati të lindur.

Ishte i palodhur në procesin mësimor-edukativ, kishte mendim inovativ në përdorimin me sukses të metodave të spjegimit e ngulitjen e koncepteve shkencore të lëndës së letërsisë. Ai hynte në orën e mësimit me objektiva të qarta shkencore, që nxënësit, jo vetëm  të përvetësonin sa më mirë programin e lëndës së letërsisë, por dhe të kishin një inuitë të zhvilluar, shije të spikatura estetike për jetën, të edukoheshin me frymën krijuese të debatit dhe të shpalosjes së vlerave të gjithëkohshme.

Autoriteti tij në gjimnaz ishte krijuar nga përkushtimi dhe profesionalizmi, nga talenti dhe pasioni, nga të qenit e tij një mësues shembullor letërsie, por mbi të gjitha, nga marrëdhëniet e tij tepër të ngrohta e njerëzore me të gjithë ata që e rrethonin, ku rrezatonte një kulturë e gjërë qytetare dhe perfeksioni i sjelljes njerëzor.

Profesioni i mësuesit nuk është i lehtë, është plot e përplot me vështirësi, i ndërlikuar, por profesor Leonidha Dhrami zotëronte virtyte dhe aftësi, siç janë: qëndrueshmëria, këmbëngulësia, zhdërvjelltësia, dituria, kreativiteti, entuziazmi, dashuria e vërtetë ndaj profesionit etj. Ai ishte njeri i kompletuar, i formuar, i matur në veprime, fjalëmbël dhe besnik i fjalës së dhënë. Fjalët e tij ishin të ëmbla, këshilluese e qortuese, kuptimplote, me domethënie të veçantë. Ai ishte i ngritur në nivel intelektual, i pajisur me dituri të plota pedagogjike, i aftë për të zbatuar në punë çdo metodë mësimore, që e kërkonte shkolla e reformuar. Puna e tij mësimore edukative mbillte në zemrat e mendjet e nxënësve dashurinë për Atdheun, Kombin dhe ambiciet për t’u bërë të urtë e të ditur.

Të gjithë nxënësit e kujtojnë profesor Leonidha Dhramin me mirënjohje e dashuri,  se ishte korrekt, entuziast, i pajisur me kurorën e vlerave dhe virtyteve morale, intelektuale e njerëzore…Në çdo orë mësimi ishte sfidant i vetvetes, krijues dhe novator, i përpiktë, mendjemprehtë, mirëbërës e i dashur për të gjithë. Dinte të krijonte raporte të mira me nxënësit e vështirë. Ai kishte aftësi metodike, durim, këmbëngulje, takt pedagogjik, kulturë psikologjike, në njohjen e veçorive individuale të nxënësve.

Nxënës të shumtë e kujtojnë me nostalgji, pasi ai, me profesionalizmin e tij të talentuar, ka shfaqur në mënyrë të gjithëkohshme një përkushtim shembullor, një gadishmëri jo të zakontë, për të qenë jo thjeshtë një mësues që iu jepte dije e kulturë, por dhe një këshillues i shkëlqyer, një përkrahës i palodhur i qëllimeve të tyre, për të ecur pa u rrëzuar dhe krenarë në shtigjet e jetës, duke i ndihmuar nxënësit së tepërmi që të merrnim dije dhe kulturë.

Mësuesi model Leonidha Dhrami dinte të krijonte vatra komunikimi e bashkëpunimi miqësor e pedagogjik me kolektivin pedagogjik, dinte të vinte në veprim intelegjencën dhe intuitën e tij për të ndërtuar ura me të gjithë ata që e rrethonin në përditshëmri.

Ai ka zhvilluar dhjetra mijë orë mësimi, ku që nga zilja e parë e deri tek zilja e fundit, janë qindramijëra herë që zilja e orës së mësimit i ka trokitur në veshin tij, duke i zgjuar atë flakë pasioni, që ai e mbante ndezur në thellësi të zemrës, duke e shtyrë në valët e një përkushtimi e fisnikërie të pashoqe, plot dhunti mirësie e dashurie për njerëzit, që e dalluan atë ndër të tjerë dhe e bënë një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë.

Me profesionalizëm dhe pa u lodhur nga sakrificat, i udhëhequr nga përgjegjësia e lartë për detyrën e shenjtë të misionit të Mësuesisë dhe dashuria për nxënësit, punoi për përhapjen, zhvillimin,përparimin e konsolidimin e Arsimit Kombëtar Shqiptar.

Ikona e mësuesisë Leonidha Dhrami ishte i dashuruar me profesionin e mësuesisë dhe jepte rezultate konkrete. Ai jepte gjithçka, duke ia kushtuar tërë jetën arsimit dhe edukimit të brezave të ri. Në orët e mësimit me nxënësit e sundonte ideologjia kombëtare shqiptare për të përgatitur nxënës të pajisur me njohuri të duhura, të aftë për të bërë punë të sukseshme për veten e tyre, duke i mësuar të notojnë vetë, për t’u përballur me sfidat e jetës, për të qënë sa më të dobishëm për familjen e Atdheun.

Ikona e Mësuesisi Leonidha Dhrami ishte jo vetëm i talentuar si mësues letërsie, por ishte i talentuar edhe si krijues poetik e kritik cilësor letrar. Vite më vonë ai boton krijimtarinë e tij poetike, ku lexuesit e tij shijuan magjinë e një poezie të çliruar nga çdo jashtësi dhe kprnizim dogmatikë, në vorbullat e një lirike shkëlqimtare.

Ka botuar shtatë vëllime me poezi e poema. Në proces për botim janë tre vëllime të tjerë poetike, një vëllim me tregime, një roman dhe një vëllim me studime e shkrime kritike.Vëllimi poetik “I Përveçmi” nga Leonidha Naqedhrami është një përmbledhje poetike, sa e bukur dhe e veçantë, ku autori shfaq vlerat e tij si poet. Talenti i tij shpërthen në një rreth të gjërë ndjenjash dhe mendimesh të thella. “I Përveçmi”, nuk është thjesht një titull libri, është epitetizimi që i bën autori vendlindjes së tij, Qeparoit.

“I Përveçmi” është kryefjala e të gjitha poezive. Në vazhdimësi do të shohim, se si shpaloset nga strofa në strofë, malli dhe dashuria e poetit për vendin e tij.Motive kryesore që trajton autori në përmbledhjen ‘I përveçmi’, janë motivet filozofike dhe motivet e atdhedashurisë e mallit për vendlindjen. Autori Leonidha Dhrami në librat e botuara tregon me krenari identitetin dhe origjinën e tij, të cilën nuk e ndërron me asnjë lloj kombësie tjetër.

Shqiptarët që herët kanë qenë të ndërgjegjësuar për atdheun, e kanë pasur të qartë përkatësinë e tyre etnike, e kanë shfaqur me dashuri e krenari si dimensionin kryesor të shpirtit të tyre, e kanë ndjerë me dhëmbje, i janë përkushtuar me dëshirë, kanë jetuar dhe kanë luftuar me idealin e atdheut në gji. Pas viteve ’90 me ndryshimin e sistemit politik, mësuesi talentuar Leonidha Dhrami përkrahu në mënyrë aktive proçeset demokratike dhe vazhdoi punën me përkushtim në gjimnazin “H. Beqari” Selenicë, por vendosja e pluralizmit kaotik shqiptar me fasada demokratike, me përmbajtje hibride në ndërtimin e shtetit autoritar demokratik, me tranzicionin e zgjatur krijoi një anarshi dhe ai u largua familjarisht në emigracion, duke jetuar shumë vite në Angli.

Malli për vendlindjen e bukur Qeparo e linte pagjumë e shëtiste në endrra në rrugicat e kalldrëmta të Qeparoit ku ishte rritur me shumë sakrifica të prindërve të shtrenjtë  Naqe Dhrami e Vergjina Dhrami.Mallin për vendlindjen e skaliti në vargjet poetike të vëlllimit poetik “I përveçmi Qeparo” . Edhe në frymarrjen e fundit të jetës, më 5 tetor  2023, sytë i treti duke lotuar për vendlindjen, prindërit, familjen dhe gjithë të dashurit e tij. Mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë hapur një shteg të zemrës, atë shteg që lidhet me kujtesën, me shenjat e njeriut në rrugëtimin e jetës, si ura të vetme, mes të gjallëve dhe të vdekurve.

Njeriu i mirë edhe pas ikjes nga jeta vazhdon të të emocionojë,të të imponojë respekt, dhe mbetet i nderuar, në kujtesën e të gjithëve,  mbetet në zemrat e atyre që jetojnë, ndaj është i gjallë  midis nesh  në bisedat tona, i shtrenjti Leonidha Dhrami.

Mësuesi i shquar Leonidha Dhrami është mësues Epope me katër dekada, midis mijëra nxënësve, që iu dha dritë diturie për gjuhën e bukur të ëmbël shqipe, të cilëm e shkruante me një bukuri të veçantë, aq sa të mahniste me estetikën e shkronjave në dërrasën e zezë. Ai ishte frymëzues i krijuesve letrar, të cilët shikonin tek ai një model estetik dhe poet me performancë mjeshtërore. Në çdo orë mësimi të letërsisë nxënësit e prisnin me shumë respekte,vemendje. Kur fillonte ora e mësimit të letërsisë, nxënësit mrekulloheshin me mësuesin e tyre të talentuar.

Ish nxënësit e mësuesit e tij, kur lexuan lajmin e largimit nga jeta të mësuesit të dashur, i shprehën me hidhërim të thellë ngushëllimet familjes dhe të gjithë e cilësonin “Ikona e Mësuesisë”. Ishte vlerësimi maksimal i gjithë nxënësve, që më  inkurajoj të shkruaja librin “Ikona e Mësuesis Leonidha Dhrami”. Ky libër dedikues, me artikuj, ese, vargje, kujtime të mbledhur e përgatitur me kujdes e dashuri nga dashamirësit e shumtë të profesorit të paharruar Leonidha Dhrami,që ndonëse është larguar vetëm fizikisht është i gjallë në zemrat e familjes së tij të dashur, të nipërve e mbesave,të kolegëve ,nxënësve e miqëve të shumtë.

Mësuesi talentuar Leonidha Dhrami  e dashuronte jetën, e dashuronte mësuesinë jo si profesion,por si mision i shenjtë ndaj atdheut e Kombit Shqiptar. Ishte mësues i përkushtuar. korrekt, entuziast dhe i pajisur me virtyte shumë të larta morale. Në çdo orë mësimi ishte shumë i përpiktë, mendjemprehtë, mirëbërës e  i  dashur me të gjithë nxënësit. Dinte të krijonte raporte të mira me nxënës, kolegë e  prindër. Ai kishte aftësi metodike,  durim, këmbëngulje, takt pedagogjik, kulturë psikologjike, në lidhje me njohjen e veçorive individuale të nxënësve. Ishte i duruar, i dashur, i përkushtuar ndaj atyre që e rrethonin.

Në të gjitha shkollat që ka punuar ka pasur komunikim  e bashkëpunim miqësor pedagogjik me gjithë kolegët e tij, në dyzet vite.  Me kolegët e tij, punuan me përkushtim dhe pasion në vite të vështira, në një kohë tejet të trazuar, ku Leondiha Dhrami, biri i Qeparoit, mësuesi dhe intelektuali me sqimë, shkëlqeu si meteor në qiellin e errët të një nate deliri, ku  traumat dhe plagët ishin e vetmja “stoli” e regjimit komunist!…

Kishte punuar më tepër në fshat sa në qytet, ndërkohë ishte marrë edhe me krijimtari letrare dhe veprimtari kulturore.  Në katër dekada si mësues, në mijëra orët mësimi gjuhe e letërsi shqipe, ai krijoi një emër që do të përkujtohet në shekuj, nga breza të tërë mësuesish e nxënësish, që shijuan magjinë e artit të tij të mësimdhënies.

Nxënësit e tij sot janë me profesione të ndryshme: mjekë të talentuar, inxhinjerë, pedagogë universiteti etj. Me punën e tij dhe me krijimtarinë letrare poetike të botuar në disa vëllime poetike, ai la një testament fjale e besatimi njerëzor, një praktikë brilante të shërbimit të mësuesisë, që është alfa dhe omega e çdo shërbimi intelektual e qytetar, në të gjitha kohët.

Leonidha Dhrami u largua nga kjo jetë, duke lënë pas lot e dhimbje, përmallim e mirënjohje, kujtime të çmuara, që do të rikthehen në të gjitha stinët, si dëshmi e një jete të jetuar bukur, me dashuri dhe dinjitet. Ai tani ka fituar Pavdekësi dhe emri do t’i shkruhet me germa të arta në panteonin e vlerave të të gjitha kohëve dhe për të do të ketë vetëm Ditëlindje!

Qofsh i përjetësuar vetëm me datëlindje, me librat e kujtimet e lëna, me miqësi e dashamirës, i paharruari ynë, Leonidha Dhrami!

Falenderoj me mirënjohje familjen e fëmijët e mësuesit të talentuar Leonidha Dhrami dhe, në mënyrë të veçantë, vajzën e tij të shtrenjtë, Ditila Leonidha Dhrami (Sotiri) , që më ndihmuan me informacione e foto, për të shkruar e botuar librin “Ikona e Mësuesisë Leonidha Dhrami”.

Qatip Mara
North Carolina, USA, 3 dhjetor 2024

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.

Shkrimet e fundit