19.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj NUK ËSHTË SHKOLLË, SHKOLLA

NUK ËSHTË SHKOLLË, SHKOLLA

0
Universiteti Shtetëror i Tetovës

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

në të cilën, gjatë çdo pushimi, hyjnë në zyrën e arsimtarëve pesë-gjashtë nxënës për të parë orarin e mësimeve, për të pyetur në ‘humbin’ diçka dhe për të bërë zëvendësimin e orëve apo bashkimin e klasave;

– në të cilën, në 1 qershor, madje edhe 8 qershor, d.m.th. vetëm dy ditë  para përfundimit të vitit shkollor, nxënësi me dhjetë apo dymbëdhjetë nota të dobëta, nuk e përsërit vitin, saqë kalon ‘pastër’, pra nuk shkon as në riprovim;

– në të cilën ideal i nxënësve dhe i të gjithë prindërve pa përjashtim është nota dhe jo dituria, pa e përfillur faktin se nota pa dituri nuk është veçse numër i thjeshtë;

– në të cilën lajmërimet apo njoftimet që lexohen nëpër klasa përmbajnë gabime gjuhësore, përkatësisht gramatikore, kryesisht drejtshkrimore, sintaksore dhe terminologjike;

– në të cilën lajmërimet apo njoftimet që vihen në pllakën e njoftimeve të zyrës së arsimtarëve, nuk janë të përpiluara në frymën e gjuhës shqipe; me fjalë të tjera përmbajnë gabime gjuhësore, përkatësisht gramatikore, kryesisht drejtshkrimore, sintaksore dhe terminologjike;

– në të cilën vërejtjet e shënuara në ditar nga arsimtarët apo nga profesorët, përfshi edhe arsimtarët dhe profesorët e gjuhës shqipe, të gjuhës angleze, të gjuhës gjermane, të gjuhës frënge, pa hyrë te të tjerët që nuk kanë të bëjnë me gjuhën, përmbajnë gabime gjuhësore, përkatësisht gramatikore, kryesisht drejtshkrimore dhe sintaksore;

– në të cilën dhjetëra, në mos dhe qindra mësues, arsimtarë dhe profesorë janë të angazhuar në të ashtuquajturat aktivitete të lira të cilat kurrë nuk janë mbajtur dhe nuk janë realizuar; kësisoj shkollat janë shndërruar në ente punësimi apo në institucione për zbutjen e papunësisë mbi baza partiake;

– në të cilën bëhen abuzime financiare në kuadër të sigurimit personal të nxënësve;

– në të cilën bëhen abuzime financiare në kuadër të angazhimit të punëtorëve të sigurisë së shkollës, edhe pse shkollat, në të shumtën e rasteve,  nuk kanë nevojë për një sigurim të tillë;

– në të cilën bëhen abuzime financiare duke i detyruar nxënësit të plotësojnë nga një formular apo fletëparaqitje për ta regjistruar vitin shkollor, kundrejt një pagese prej 50,oo ose 100.oo denarësh;

– në të cilën kujdestaria në korridoret e shkollës mbahet pjesërisht, mbahet formalisht apo nuk mbahet fare nga mësuesit, nga arsimtarët apo nga profesorët;    

– në të cilat orët plotësuese apo orët shtuese nuk janë mbajtur pothuajse asnjëherë;

– në të cilat tualetet nuk janë sipas standardeve të kohës;

– në të cilat klasat shndërrohen në kuazi kabinete duke varur nëpër muret e tyre hamerë me përmbajtje kimie, arti figurativ, gjuhe angleze, gjuhe gjermane, gjuhe shqipe etj.;

– në të cilën tualetet janë shndërruar në hapësirë për të pirë cigare nxënës të caktuar;

– në të cilën terreni sportiv vlon prej letrave dhe hedhurinave të tjera;

– në të cilën hapësirat e gjelbra mirëmbahen pjesërisht ose nuk mirëmbahen fare;

– të cilat, ç’prej se janë ndërtuar para 60 vjetësh, nuk kanë sallë fizkulture;

– të cilat punojnë me sallë fizkulture të vjetruar, që është jashtë çdo standardi e që është i papërdorshëm;

– në të cilën, në një sallë fizkulture, orën e edukatës fizike apo të sportit e realizojnë apo e mbajnë tri klasa përnjëherë;

– në të cilën mësuesi, arsimtari apo profesori, gjatë orës së mësimit e përdor telefonin celular;

– në të cilën, arsimtari apo profesori e dërgon nxënësin për t’i blerë gjevrek, simite, byrek, cigare, për të mos thënë edhe tiketë sportive;

– në të cilën, programi artistik që përgatitet me rastin e “Ditës së Mësuesit”, “Ditës së Alfabetit”, “Ditës së Pavarësisë” apo patronatit të shkollës, në të shumtën e rasteve nuk është veçse improvizim;

– në të cilën përqindja e përqindja e shfrytëzimit të veprave letrare apo të lektyrave shkollore në bibliotekën e shkollës është e ulët;

– në të cilën dimensionit “edukim” nuk i kushtohet rëndësi e duhur;

– në të cilën krejt klasa ikin prej ore; ndaj nismëtarëve të këtij akti të paarsyeshëm nuk ndërmerren kurrfarë masash qortuese, pedagogjike apo administrative; ndodh të ndërmerret masa e thyerjes së sjelljes për krejt “klasën”, masë kjo që në fund të vitit suprimohet. Kjo masë është njësoj sikur të përpiqesh që arushën ta trembësh me lodër;

– në të cilën nuk ndërpriten shprehitë infantile të nxënësve që i mbartin me të madhe nga shkolla fillore në të mesmen;

– në të cilën individë të caktuar hyjnë nëpër klasa për t’i reklamuar universitetet, me ç’rast çrregullohet procesi mësimor;

– në të cilën e ndjekin mësimin nxënës të cilët paralelisht janë të angazhuar edhe në veprimtaritë sportive – futboll, basketboll, hendboll, edhe pse dihet mirëfilli se mësimi në gjimnaz dhe angazhimi në futboll, nuk shkojnë bashkë, për arsye se nxënësve që janë të angazhuar në futboll, u duhet të mungojnë shpesh;

– në të cilat ekskursionet më tepër kanë karakter shëtitës dhe zbavitës sesa kulturor, ngase nuk u kushtohet rëndësi e duhur vizitës së objekteve dhe të monumenteve kulturore-historike të vendit që vizitohet;

– në të cilat në mbledhje prindërore, shpeshherë vijnë jo më shumë se pesë-gjashtë prindër;

– në të cilat, në prag të mbarimit të vitit shkollor, d.m.th. prej 1 deri më 10 qershor, lejohet hyrja e prindërve në shkollë edhe pse është më se e qartë se ata vijnë për të kërkuar notë (numër) për fëmijët e tyre;

– në të cilat u mundësohet dhe u lejohet nxënësve që të pyesin: “Profesor, a bën ta shtyjmë testin për orën tjetër”?;

– në të cilën u mundësohet dhe u lejohet nxënësve që të pyesin: “Profesor, a bën ta na lejoni këtë orë të ushtrojmë, se kemi test në ….”?;

– në të cilën i mundësohet dhe i lejohet nxënësit që t’i drejtohet arsimtarit apo profesorit  për t’i  kërkuar notë, ngase i duhesh për “suksesin”;

– në të cilën shenja që paralajmëron ndalimin e duhanit nuk respektohet sa duhet;

– e cila (shkollë) mban emrin e ndonjë figure sllave, jugosllave apo serbo-komuniste, edhe pse 80% e nxënësve dhe e kuadrit arsimor janë të bashkësisë etnike shqiptare;

*   *   *

Organet kompetente të arsimit, si të nivelit qendror, ashtu edhe të nivelit vendor, duhet ta dinë se shkolla nuk është zanat, se mësimdhënia nuk është punë zanati.

Aktorët prej të cilëve përbëhet procesi arsimor ku bëjnë pjesë nxënësit, kuadri arsimor, udhëheqja e shkollës, prindërit dhe mbarë shoqëria, duhet ta dinë se shkolla nuk është çerdhe zbavitjeje apo argëtimi, por institucion pune, mësimi, arsimimi, formimi dhe edukimi që funksionon dhe që e realizon procesin edukativ dhe arsimor në mënyrë profesionale dhe me metoda pedagogjike e humane.

Në raportet që ua dërgojnë shkollat organeve të pushtetit vendor, në vend që ta paraqesin gjendjen në mënyrë reale, shpeshherë ato e paraqesin atë të idealizuar. Në raste të caktuara, këto raporte u ngjajnë raporteve ushtarake në të cilat thuhet se çdo gjë është kryer në mënyrë të shkëlqyeshme. Shkrimtari kroat Miroslav Kërlezha (1893-1981) thotë: “Askund nuk gënjejnë më shumë se në ushtri”.

Rezultatet brengosëse dhe shqetësuese të testimit PISA dëshmojnë se politika e arsimit në Maqedoni nuk është në nivel të duhur. Kjo tregon se infrastruktura e arsimit – Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e RM-së dhe sektorët e tjerë të arsimit, si Biroja për Zhvillimin e Arsimit, inspektorati i arsimit, këshilltarët për arsim etj nuk janë në krye të detyrës. Arsimi nuk duron eksperimentime. Arsimi nuk është punë diletantësh të punësuar pa kritere, apo me kritere partiake, nëpër organet e arsimit. Arsimi nuk është punë seminaresh apo trajnimesh, aq më parë kur trajnuesit janë jokompetentë dhe me njohuri të kufizuara.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.