Një grusht pranverë

0
189
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi

Mëngjesi derdhej me ngjyrë të vjollcës së porsa çelur. Agonte , ndërmjet aromës dhe formës së vjollcës, me gjethe në trajtën e zemrës. Bredhte, një çun me tufën me lule, e cila çel në fillim të pranverës, me ngjyrë të kaltër si në të kuqe dhe me erë të mirë.

– I shet manushaqet, – ai ikën, nuk më dëgjon.
– Sa i ke lule vjollcat… – ai nuk përgjigj.
– Sa i ke lulet me ngjyrë të kaltër, si në të kuqe , – i them e ia përshkruaj lulet e vjollcës, të cilat i ka mbledhur ende pa aguar në brigjet e Gërmisë.

Ai ecën fluturimthi e rrugës nga kalon derdhet aromë e këndshme e vjollcës.
– Ku i ke mbledhë gjithë ato vjollca?
– Në natyrë, – flet e më shikon me kureshtje. – I shes. A ke ndërmend ta blesh ndonjë tufë?
– Jo, veç desha të të tregoja se ato e kanë derdhur një grusht pranverë në qytet…
– E ti, nuk e do pranverën apo jo, – tha e ngarend rrugës.

Për çdo mëngjes vjen dhe ndalet para Bibliotekës së qytetit, anëtar i së cilës është. Herë e merr ndonjë libër me poezi e herë tjetër ndonjë libër me tregime… Natyrisht, më parë i shet lulet, më vonë të ketë dëshirë dhe të lexoj ndonjë gjë të bukur.

Këtë herë do të qëndrojë një çik kohë para pallatit , më të madh, në këtë pjesë të kryeqytetit. Para pallatit më të lartë, që ik nga retë e kaltra të mëngjesit të ndritur, atij pallatit që bën fjalë me ballkonet e qiellit. Sytë i ka të skuqur. Flokët e ngatërruara e buzëqeshjen e zbehtë e të shkrirë nëpër buzët e lëvarura. Zbret nga brigjet që e rrethojnë Kryeqytetin me një copëz pranvere në duar, me atë pjesën e pranverës që e sjell ndër lagjet ende të fjetura dhe e derdhë aromën e maleve, aromën e lules së posa çelur.

– Cili është ky fëmijë që e shet pranverën, – do të psherëtija nga e shikoja para Pallatit të rinisë, ndërsa ai tashmë po ikte nga silueta te tjetra, të shiste tufat me lule vjollce…
– Kush do lule?
– A do kush lule…

Në gjithë këtë përpjekje ka diçka të bukur dhe të dhembshme, një pjesë fati, një pjesë gati të fjetur dhe të lodhur…E kujtoj hijen time nga shisja lule të pranverës në qytet, bashkë me nënën e lodhur, ajo dilte të bënte pazarin e ditës e unë të shisja lule për ta blerë Abetaren që e kisha humbur.

Çuni me lule në duar ecë nga unë. E pres nga vjen, të ma përkujtoj veten dhe pranverën me lulet e mbledhura në natyrë, të ma përkujtoj kënaqësinë dhe ndrojtjen që e përjetoja nga shisja lule, nga ia tregoja botës varfërinë materiale dhe pasurinë shpirtërore që shfaqja me lulet, të cilat e mbushnin aromë të bukur qytetin e vogël atëherë.

Çuni e kalon rrugën. Pret me vëmendje të kalojnë automjetet dhe ec vetëtimthi.
Më afrohet. E parandiejë t’i rrah me hov zemra. Mendjen e ka, a do t’i blejë apo jo ndonjë tufë me lule?
Mendjen veç aty e ka…

– Sa tufa lulesh do t’i marrësh?- ndërhyn i mbushur frymë.
Mëngjesi tashmë ka ikur. Në rrugë janë rralluar kalimtarët, vetëm ndonjë grua del të blejë ndonjë gjë në dyqan.
– Lulet tashmë e venitin çastin e vet. Më duhet të kthehem në shtëpi dhe të bëhen gati për shkollë. Detyrat i kam bërë më herët. .. Derisa të përgatitem për shkollë do t’i ndihmoj nënës në punët e shtëpisë apo do të shkruaj apo dhe do të lexoj ndonjë libër. ..

– Kaq shumë je i lidhur me vjollcat, – ia bëj dhe e shikoj në sy.
– Natyrisht … i dua shumë, veç dhe diçka tjetër më dhemb. Dua t’i shes, t’i ndihmoj familjes me metelikët e fituar. Babai është i pa punë… Ndonjë herë ia del të shitet. Kush ka nevojë për punë krahu. Tokë të bukës nuk kemi as për një lehë për të mbjellë qepë …
– Ti shet lule. I ndihmon familjes?

– Dua ta blej një biçikletë. Të fluturoj me të hapësirat e panjohura… lart, qiellit.
– Ti vetëm ëndërron…
– Ah. Harrova të të tregoj fare. Kam nisur dhe të shkruaj ndonjë varg poezie për fëmijë, apo ndonjë copëz proze. Kjo nuk është veç ëndërr.
– Jo. Natyrisht nuk është.

– Ja, a dëshiron ta dëgjosh ndonjë pjesë të poezisë. Ndoshta është mirë të ta lexoj Lulja mbi borë. Ia kam kushtuar manushaqes, luleve që marrin hov të parat pasi të nxjerrë sy pranvera dhe të nisin të cicërojnë zogjtë me etje.
– Prapë… vetëm për vjollcat.
– Ka dhe gjëra që fluturojnë fatit aty. Do të jetë më mirë ta dëgjosh!

Lulja mbi borë

Me gjethe zemre, vjollca çel mbi borë,
Qiellit vjen dhe dallëndyshja e vjetër.
Unë hap dritaren, përshëndes me dorë,
– Folenë s’e ke, mike, por thurim tjetër.

Foleja që e le majë lisi, zog i mirë,
Nuk ia doli ta përballojë stuhinë.
Këtu mbretëroi një dimër i vështirë,
Një luftë e përgjakshme për lirinë.

Bashkë me folenë tënde ra dhe lisi plak,
Flaka gllabëroi dhe degën e gjatë mbi liqe’,
por ngelëm ne: thurim një fole tjetër, të re,
për ty nën çati, për lejlekun mbi oxhak.

Me gjethe zemre, vjollca çel mbi borë,
qiellit vjen dhe dallëndyshja e vjetër.
Unë hap dritaren, përshëndes me dorë,
– Folenë s’e ke, mike, por thurim tjetër.

– Qenka një poezi e mirë, me frymëzim e shkruar dhe me përmbajtje, për të bukurën lule, e cila çel mbi borë…
– E kam një fletore me poezi.

– Sille nesër fletoren dhe do i zgjedhim disa më të suksesshmet, t’i dërgojmë në redaksinë e Pionierit për botim. Aty e kam një mik të hershëm, i cili do t’i botojë. Ti nuk mund të shkruash dhe po deshe keq, ndërsa e do pranverën dhe lajmëtarët e parë të ringjalljes së natyrës. Ai që e ndien në vete të bukurën e ka thellë të fshehur poetin, brenda shpirtit.. .

– Vërtetë mendon ashtu?
– Gjithsesi.

Ai mi soll ndër duar lulet e mbledhura në mëngjes ndër brigje dhe buzëqeshi. Kjo ma përkujtoj dhe një herë fëmijërinë time dhe lulet nga i shisja në qytet te libraria e mirë në shesh. Me paratë e fituara për ta blerë abetaren, të cilën kurrë në jetë nuk e harroj.

Mbështes shpinën për muri te libraria e mirë, në shesh. I mbyll sytë, e mendja më ik te mëngjesi i ardhjes së nënës me mua për dore, me shportën plot lule të fushës… Në Kryeqytet veç sa binin tufat e dritës së ditës së re

Lulet e fushës

Një zog i bardhë fluturon lart në qiell.
E shoh tek bie pastaj atje në `i mollë.
Udha ikën buzë lumi, cepit të fushës, si bollë,
e tutje – pafund, shtrihen arat me lulediell.

Ti e unë ecim, nënë, të mërdhezur fytyrës,
në qytet ta zbresim një pjesëz të natyrës.
Pranë librarisë në shesh arrijmë me agim,
me nga ca tufë lule të fushës në bulim.

– Uh, ja lulet e mia, – thotë me afsh një grua.
Dhe unë, i vogël, e shikoj gjithë habi.
– Fëmijërinë ia kujtojë, qesh nëna me mua,
Ka lindur mbase atje – në malësi.

– Ma jep një… këtë… – thotë gruaja thatime.
– Mua dy… këtë e këtë… – flet një burrë.
I mblodhëm metelikët, nënë, për abetaren time,
të cilën në jetë nuk do ta harroj kurrë.

Tërë këtë nga e kujtoja ndër dridhje sot,
një tufë lule bleva te libraria e vogël, e mirë.
– Me fat, nënë… Me fat drita, – të uron yt bir,
Shëndet dhe lumturi për shumë mot.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.