Në përkujtim të Sali Manit

0
Sali Mani

Ibrahim Kabili Nga Ibrahim Kabili, 13.08.2019 (Marrë nga ZemraShqiptare)

Në prag të përvjetorit të lindjes bëra një vizitë tek varri i të madhit Sali Mani. Saliu ka qenë dhe mbetet ikonë e muzikës folklorike shqiptare, krijues dhe këngëtar i pa arritshëm, patriot dhe atdhetar i madh. Për disa dekada kendoj këngë patriotike për figurat më të ndritura të kombit këndej dhe andej kufinjëve.Për afro 50 vjet ai u bë artisti më i dashur për mbar kombin.Në këto kushte e rrethana edhe unë rashë në kontakt me këngët e Saliut në moshë fare të re, në vitet ’70, për mos me u shkëput më prej tyre prej dekadash me radhë.Këngët e tij të tërhiqnin si me magji.

Ai u këndojë me gjithë fuqinë e shpirtit të tij figurave të mëdha historike si: Skënderbeut, D. GJ. Lulit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, H.Prishtinës, B.Currit, Nënë Terezës etj.Saliu këndojë me shumë sukses dhe këngët lirike. Në vitet realizmit socialist Saliu pati një krijimtari të madhe që ja kushtoi popullit, transformimeve ekonomike e shoqërore që ndodhën në këtë periudhë, i këndojë atdheut, jetës së re por dhe sipas kohës dhe partisë e udhëheqjes së sajë.Po kështu Saliu i këndojë dhe Kosovës, Çamërisë dhe gjithë trevave ku banojnë shqiptarët etj.

Pas viteve ’90 repertori i Sali Manit pasurohet edhe më shumë me këngë të reja që pasqyrojnë transformimet demokratike në Shqipëri, arritjet e revolucionit demokratik, këndojë këngë dhe për dështimet duke bërë fajtore politikën dhe segmente të caktuara të saj. Saliu këndojë shumë këngë për luftën e UÇK -së në Kosovë dhe trojet e tjera etnike.Ky qe Sali Mani dhe i tillë do mbetet, një këngëtar i madh dhe i pa arritshëm në llojin e tij.Në rrespekt figurës së tij, që kurë qe gjallë u vlerësua me titujt Artist i Merituar dhe Rrapsod i Popullit.Pas viteve ’90 Saliu si dhe shumë shqiptar merr rrugën e mërgimit për në Amerikë ku mirëpritet nga bashkëatdhetarët e diasporës.

Edhe atje pati një krijimtari të madhe artistike dhe me këngët e tij elektrizonte gjithë mërgatën duke u a çuar zemrën peshë e ngjallur tek ata patriotizëm dhe atdhedashuri.I madh qe numri i shqiptarëve që duke ndëgjuar këngët e Sali Manit, Ilir Shaqirit, Arif Vladit,Shkurte Fejzës, Nikoll Nikprelës etj. për Kosovën martire dhe UÇK-në, lanë vatrat e tyre familjare dhe u rradhitën në luftën çlirimtare të vitit 1998-1999.Një pjesë e tyre dhanë dhe jetën për liri. Natyrisht tek unë, si mësues i historise, këngët e tij lanë gjurmë të pa shlyesme për gjithë jetën dhe u bënë një burim i madh frymëzimi në jetën e përditshme dhe punën me brezat e rinj. Nëpërmjet emisionit “Nerëz të humbur” të Shtinos dhe shtypit merret vesh për humbjen e djalit të Saliut.

Humbja e djalit qe tragjike, ajo pati pasoja të rënda për familjen dhe vetë Saliun. Kënga “Ku je mor djalë” që i kushtoi të birit qe shumë e dhimshme. Me brengën e djalit të humbur pa lënë asnjë gjurmë dhe sëmundjes së pa shërueshme që e kish mbërthyer tashmë, vdes në Miçigan të SHBA-së në dhjetor të vitit 2009. Dhimbja për humbjen e tijë për të gjithë shqiptarët, qe e madhe.Amaneti i tij qe, që trupi i tij të prehej në tokën amë.Me ndihmën e disa miqve nga mërgata, familja e sjell trupin dhe e varros në vendlindjen e tij në Malsi të Madhe.

Rastësisht para viteve ’90, unë kam pirë një kafë në Tiranë me Sali Manin. Ai qe aq i thjeshtë, sa që shtrohej në bisedë dhe me njerëz të zakonshëm që nuk i njihte, siç isha dhe unë. Natyrisht që Ai në ato vite kishte ëndrra të mëdha si artist, instrumentist dhe këngëtar. Nuk mund të jem unë, ai, që mund të vlerësoj veprën dhe krijimtarinë artistike të Sali Manit. Mendoj se Saliu arriti shumë në krijimtarinë artistike por vdekja e tijë e parakohshme ja la këtë krijimtari të pa realizuar ashtu siç e Ai e donte.

Nuk i shkrova rastësisht këto radhë. Për atë bisedën e shkurtër që bëmë në Tiranë dhe mbresën që më la isha i detyruar dhe e kisha obligim të vendosja një tufë me lule në varrin e tij në përvjetorin e lindjes që mban datën 21.08.1944.Mbas një udhëtimi të gjatë për në Velipojë, më 11.08.2018, me ndihmën e disa të njohurve vendas, që më udhëzuan se ku ishte varrosur, arrij në varrezat e Vrakës rreth orës 10 paradite. I vendosur në një qoshe të varrezave në pjesën verilindore të tyre qëndronte në heshtje ashtu serioz, hijerëndë, i thjeshtë, buzagaz si gjithë jetën e tij, fotoja e këngëtarit të madh Sali Mani.

E tillë është jeta me të mirat dhe të këqiat e sajë! Pasi rri dhe “çmallem” një copë herë me të, vendos disa lule mbi varr, bëj një vidio e disa foto dhe marr rrugën të largohem nga kjo “qytezë e qetë”.Heshtjen e frikshme e thyente vetëm Saliu i cili me atë çiftelinë e vendosur në njërën anë të varrit sikur “komunikonte” me mua, si dikur, me tekstin dhe meloditë e disa prej këngëve të lëna si: Moj e mira e bregut të Cemit; Dasma e re në katund të ri; Moj belholla; Gëzim të madh ka sot malsia; Mir se ju gjej; Skënderbeu; Isa Boletini; Mos ma prek Hasan Prishtinën; Jusuf Gërvallës; O moj Shqipni; Drenica; Erdha nga Shqipnia këtu në Prishtinë; Moj e mira nga Gjakova; Politika; Malli i mërgimtarit; Detë i thellë është Amerika ;Ku je mor djalë; Letër nënlokes; etj, etj… Për Saliun e shenjtë qe vendlindja, i shenjtë dheu mëmë…

Sa më shumë largohesha nga aty në memorjen time ishin fiksuar vagjet e skalitura te varri i Saliut:

Dua zemrën ta qetësoj
Dua shpirtin ta pushoj
K’ta t’dy eshtna dua me i lanë
Në Shqipni, në tokën nanë.

Ibrahim Kabili
Tiranë
13.08.2019

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.