NATA QË MË MËSOI AGIMIN

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Sabile Keçmezi-Basha

Besoj se secili prej nesh e ka përjetuar të paktën një herë atë ndjesinë e çuditshme kur ora ecën ngadalë, errësira zgjatet pa fund dhe sytë mbeten të hapur, ndonëse trupi kërkon pushim. Janë ato net kur njeriu bëhet shoqërues i vetvetes, kur dëgjon frymëmarrjen, trokitjen e orës, zhurmat e largëta të qytetit dhe mendimet që vijnë e ikin si valë të padukshme.

Një natë e tillë më gjeti edhe mua. Gjumi, ai mik besnik që zakonisht vjen pa u ftuar, kishte vendosur të më shmangej. Nuk arrija të kuptoja arsyen. Mundoja ta bindja veten se fajin e kishte filxhani i kafesë që e kisha pirë vonë në mbrëmje, në një çast të qetë bisede me burrin tim, kur koha dukej se kishte ndalur dhe bisedat kishin marrë shijen e kujtimeve e të planeve të nesërme. Ndoshta ishte vërtet ajo kafe që kishte zgjuar shqisat dhe kishte larguar gjumin. Por ndoshta edhe jo.

Teksa mundohesha të flija, pa dashur fillova ta dëgjoja natën ndryshe. Heshtja kishte një muzikë të vetën, ndërsa çdo tingull i largët fitonte një peshë të pazakontë. Më dukej sikur bota flinte e qetë, ndërsa unë isha zgjedhur të isha dëshmitare e atyre orëve të brishta që ndajnë mbrëmjen nga agimi. Nuk ndihesha e mërzitur; përkundrazi, kishte diçka poetike në atë përballje me pagjumësinë. Ajo më ftonte të vështroja më thellë jo vetëm botën përreth, por edhe peizazhet e padukshme të shpirtit tim.

Mbase arsyeja ishte vërtet një kafe e vonë, ose mbase thjesht gjumi kishte vendosur të më provonte durimin. Por, ndërsa minutat rridhnin ngadalë dhe nata vazhdonte udhëtimin e saj drejt mëngjesit, kuptova se edhe pagjumësia ka bukurinë e saj të heshtur. Ajo i jep njeriut kohë të ndalet, të reflektojë dhe të dëgjojë zërat që gjatë ditës humbasin në zhurmën e përditshmërisë. Dhe ndoshta pikërisht në ato net pa gjumë lindin mendimet më të sinqerta dhe rrëfimet që presin të marrin jetë në letër.

Si për një lojë të çuditshme të fatit, kjo natë e imja u shndërruar në udhëtim të gjata. Kishte kohë që errësira kishte zbritur mbi qytet, yjet kishin ndezur dritat e tyre të largëta dhe gjithçka përreth ishte qetësuar, ndërsa sytë e mi kishin mbetur të hapur, duke sfiduar lodhjen dhe dëshirën për pushim. Me përkushtimin e një besimtareje që e gjen paqen në besim, i kryej me radhë të gjitha ritualet e mbrëmjes: i drejtohem Zotit me lutje të sinqerta, e falënderoj për çdo mirësi, për çdo ditë të jetuar, për njerëzit që kam pranë dhe për bekimet që, ndonjëherë, edhe pa i vënë re, e mbushin jetën time.

Vetëm pasi zemra u qetësua nga kjo bisedë e heshtur me Krijuesin, e mbështes kokën mbi jastëkun që e kam zgjedhur me kujdes, thuajse me një bindje fëmijërore se ai do të jetë strehë e ëndrrave të mia. E kam kërkuar enkas të jetë i butë, i rehatshëm dhe mikpritës, duke besuar se edhe sendet e vogla mund ta ndihmojnë shpirtin të gjejë prehje. Mirëpo, ndonëse trupi shtrihet i lodhur dhe gjithçka rreth meje flet gjuhën e qetësisë, gjumi atë natë vazhdoi të mbetet një mysafir i largët. Ai më afrohet vetëm sa për të më dhënë shpresë, pastaj largohet sërish, duke më lënë vetëm me mendimet që zgjojnë kujtime, pyetje e ëndrra të pambyllura.

Në ato çaste, heshtja e natës bëhet shoqëruesja ime më besnike. Ajo mbështjell dhomën, ndërsa unë rri zgjuar, mes falënderimit për jetën dhe pritjes së gjatë që, më në fund, qepallat të rëndohen e mendja të dorëzohet para qetësisë së gjumit. Dhe sa herë që kjo nuk ndodh, bindem se netët kanë edhe ato gjuhën e tyre misterioze: ndonjëherë nuk vijnë për të na dhënë pushim, por për të na ftuar në një bisedë të heshtur me vetveten.

Ngadalë u shtrina në heshtjen e natës dhe nisa ta pres gjumin siç pritet fëmija i dashur që ka kohë pa trokitur në derë. Nuk e thërras me zë, nuk e detyroj të vijë, por e pres me durim, me shpresën se do të më gjejë të qetë e të gatshme për ta përqafuar. Mbyll sytë ngadalë, sikur me atë lëvizje të thjeshtë të mbyll edhe zhurmën e ditës, shqetësimet, bisedat, kujtimet dhe gjithçka që më ka shoqëruar deri në atë çast. Pastaj, në mungesë të gjumit e lë imagjinatën të marri krah. Ajo nis të endet nëpër vende ku unë nuk kam qenë kurrë, rikthen buzëqeshje që koha i ka larguar, ndërton skena të pamundura dhe krijon botë ku gjithçka duket më e butë, më e qetë dhe më e bukur sesa realiteti.

Por, sa më shumë që përpiqem të largohem nga vetja, aq më shumë mendimet rikthehen e më rrethojnë. Ato vijnë njëra pas tjetrës, pa trokitur, duke më mbushur mendjen me pyetje, kujtime, ëndrra dhe biseda të papërfunduara. Në atë çast më lind një buzëqeshje e lehtë, pothuajse fëmijërore, dhe pyes veten me një dozë humori: mos vallë gjumi kishte ardhur në heshtje, kishte qëndruar pranë meje për një çast, por unë, me gjithë këto marrëzitë, përsiatjet dhe bredhjet e pafundme të mendjes sime, e tremba dhe e detyrova të largohej?

Nganjëherë më duket sikur gjumi është si një zog i brishtë. Ai ulet vetëm aty ku mbretëron qetësia, ndërsa mjafton një mendim i tepërt, një kujtim i papritur apo një fantazi e zhurmshme që të hapë krahët e të fluturojë larg. E unë mbetem aty, e shtrirë në errësirë, me sytë e mbyllur dhe me mendjen zgjuar, duke vazhduar të bisedoj me vetveten, ndërsa nata kalon ngadalë mbi çatinë e shtëpisë. Dhe, në atë pritje të gjatë, kuptoj se ndonjëherë nuk është gjumi ai që vonohet të vijë, por janë mendimet tona që nuk pranojnë të pushojnë, duke na mbajtur zgjuar deri në orët kur agimi nis të zbehë errësirën.

Ngadalë kthehem në anën e majtë, sikur me atë lëvizje të vogël të kërkoj një kënd tjetër të natës, një qetësi tjetër, ndoshta edhe një rrugë tjetër drejt gjumit që vazhdon të më shmanget. Pikërisht nga ajo anë depërton në dhomën time një tis i hollë drite, i zbehtë dhe i heshtur, që vjen nga llamba e rrugës. Ajo është bërë pjesë e pandashme e netëve të mia. E njoh aq mirë sa mund ta masë kohën sipas saj. Çdo mbrëmje ndizet saktësisht në orën gjashtë, si një rojtar besnik që merr shërbimin e natës, ndërsa në gjashtë të mëngjesit fiket po aq qetësisht, duke ia lënë vendin dritës së agimit. Ky ritëm i pandryshueshëm më duket pothuajse njerëzor, sikur edhe ajo llambë të kishte jetën, detyrën dhe pushimin e saj.

Pastaj me ngadalë e lë shikimin të endet mbi atë rreze të zbehtë, e cila hyn nga dritarja dhe përplaset mbi degët e pemëve që rriten fare pranë saj. Aty fillon një shfaqje e heshtur, një teatër i natës ku aktorë janë vetëm drita dhe hijet. Era i lëkund lehtë degët, ndërsa hija e tyre vallëzon mbi mur e mbi perde, pa koreograf, pa rregulla dhe pa fund. Asnjë lëvizje nuk i ngjan tjetrës. Herë hijet zgjaten, herë tkurren, herë bashkohen e herë ndahen, sikur të ishin krijesa të padukshme që luajnë një lojë të fshehtë, të cilën vetëm nata di ta kuptojë.

I sodisja me një mahnitje që nuk më lodhte. Në ato silueta të errëta filloj të shoh forma të pafundme. Më duken si zogj të vegjël që kanë gjetur strehë në degë dhe flenë të qetë, duke pritur agimin. Pastaj, brenda një çasti, ato shndërrohen në krahë të hapur, në duar që përshëndesin qiellin, në figura që lindin vetëm në imagjinatën e atij që di të sodisë natën.

Edhe pse atë natë errësira ua kishte vjedhur ngjyrat, unë nuk arrij t’i shoh ndryshe veçse të gjelbra. Mendja ime refuzon t’i pranojë si të zeza. Ajo ruan me fanatizëm kujtimin e ditës, kur e njëjta pemë shkëlqen nga gjelbërimi, kur gjethet vezullojnë nën diell dhe era u jep jetë. Prandaj, edhe tani, në mes të natës, përtej asaj perdeje të zezë që ka mbështjellë gjithçka, unë vazhdoj t’i shoh me ngjyrën e jetës. Ndoshta sepse kujtesa është më e fortë se errësira, ndoshta sepse zemra nuk pranon t’i humbasë ngjyrat vetëm pse nata ka rënë mbi to.

Dhe, ndërsa vazhdoj t’i sodis, më duket sikur nata nuk është aspak e zbrazët. Përkundrazi, ajo është e mbushur me dritëza të zbehta, me hije që flasin pa zë dhe me pemë që, edhe të zhytura në terr, vazhdojnë të mbajnë brenda vetes gjelbërimin e ditës. Atëherë e kuptoj se bukuria nuk qëndron gjithmonë te ajo që syri sheh, por edhe te ajo që shpirti zgjedh të mos e harrojë.

Pastaj mendja ime nisi të shkëputej nga nata që mbretëronte dhe nis të udhëtojë pas në kohë, drejt atyre viteve të largëta të fëmijërisë, kur bota kishte përmasa krejt të tjera dhe errësira më dukej shumë më e madhe se vetë qielli. Atëherë nata nuk ishte vetëm fundi i një dite, ajo ishte një mbretëri e mbushur me mistere, me zëra të padukshëm, me heshtje që më trembnin dhe me hije që merrnin trajta të çuditshme në imagjinatën time të pafajshme.

Mbi të gjitha, ishin hijet ato që më trazonin shpirtin. Mjaftonte një degë e lëkundur nga era, një perde që lëvizte lehtë apo drita e zbehtë e hënës që përthyhej mbi mure, dhe në sytë e një fëmije ato shndërroheshin në krijesa të panjohura, në figura që zgjonin frikë e pasiguri. Çdo cep i errët më dukej si një botë e fshehtë, ku imagjinata ndërtonte histori që askush tjetër nuk mund t’i shihte. Frika nuk vinte nga ajo që ekzistonte, por nga ajo që mendja ime e vogël krijonte në heshtjen e natës.

Në ato çaste, pa e kuptuar as vetë, kërkoja strehën time më të sigurt. Afrohesha pranë gjyshes sime, e kapja fort për krahu, sikur me atë përqafim të mund të ndaloja çdo të keqe që mund të dilte nga errësira. Duart e saj të ngrohta, të rrudhura nga vitet dhe puna, kishin një fuqi të pashpjegueshme. Mjaftonte t’i ndieja mbi flokët e mi ose të mbështesja kokën në gjirin e saj dhe bota ndryshonte krejtësisht. Hijet humbnin fuqinë, nata bëhej më e butë dhe frika tretej ngadalë, si mjegulla që zhduket kur lind dielli.

Gjiri i gjyshes ishte streha ime e parë, porti ku ankorohej çdo pasiguri e zemrës sime fëmijërore. Aty nuk kishte vend për ankth, sepse pranë saj çdo gjë fitonte kuptim dhe qetësi. Aroma e rrobave të saj, rrahjet e ngadalta të zemrës, zëri i ëmbël që më përkëdhelte shpirtin dhe duart që më ledhatonin flokët ishin ilaçi më i mirë kundër çdo makthi. Nuk e dija atëherë se dashuria mund të ishte kaq mbrojtëse, vetëm e ndieja se, sa herë që fshihesha në përqafimin e saj, asgjë e keqe nuk mund të më ndodhte.

Sot, kur netët më gjejnë përsëri zgjuar dhe hijet vallëzojnë mbi muret e dhomës sime, e kuptoj se ato nuk më trembin më si dikur. Megjithatë, kujtimi i gjyshes rikthehet me të njëjtën ngrohtësi. Sikur shpirti, edhe pasi rritet, vazhdon të kërkojë atë prehje të parë, atë përqafim të heshtur që dikur kishte fuqinë të shuante çdo frikë. Dhe ndoshta kjo është mrekullia më e bukur e fëmijërisë: vitet kalojnë, njerëzit largohen, por dashuria e atyre që na kanë mbrojtur mbetet përgjithmonë një strehë e ndërtuar brenda zemrës sonë.

Sonte nuk kam frikë. Vitet kanë kaluar, jeta më ka mësuar se hijet nuk fshehin përbindësha dhe se errësira nuk është armike e njeriut. Ajo është vetëm një çarçaf i butë që mbështjell botën për ta çlodhur nga lodhja e ditës. Megjithatë, edhe pse frika është zhdukur prej kohësh, gjumi sonte vazhdon të më shmanget me një kokëfortësi të pashpjegueshme. E pres me durim, e kërkoj me sy të mbyllur, e thërras në heshtje, por ai sillet si një udhëtar i lirë që zgjedh vetë portën ku do të trokasë.

E ndiej mungesën e tij jo vetëm sepse trupi ka nevojë për pushim, por sepse bashkë me gjumin largohen edhe ëndrrat. Ah, sa shumë i dua ëndrrat! Ato janë vendi ku realiteti humbet kufijtë, ku e pamundura bëhet e mundur, dhe ku shpirti fiton lirinë të fluturojë pa pengesa. Në ëndrra kam takuar babin e nënën që koha m’i ka rrëmbyer, kam ecur në vende ku nuk kam shkelur kurrë dhe kam jetuar çaste që zgjimi nuk m’i lejon. Prandaj më dhemb kur gjumi nuk vjen, sepse bashkë me të më mohohen edhe ato udhëtime të padukshme që vetëm nata di t’i dhurojë.

Rri zgjuar dhe dëgjoj heshtjen që mbush dhomën. Në atë qetësi, pranë meje, burri im fle i qetë, i dorëzuar plotësisht në prehjen që unë e kërkoj kot. Frymëmarrja e tij është e rregullt, e qetë, sikur të numëronte ritmin e natës. Herë pas here murmurit diçka ndër dhëmbë, fjalë të copëzuara që lindin diku në botën e tij të ëndrrave. Mundohem t’i dëgjoj, ndoshta edhe t’i kuptoj, por ato treten para se të marrin formë, si fjalët që i merr era sapo dalin nga buzët. Mbeten vetëm tinguj të paqartë, të ëmbël në misterin e tyre.

E shikoj me një ndjenjë të përzier mes zilisë së lehtë dhe dashurisë së thellë. Sa e çuditshme është kjo dhuratë e gjumit! Njërit i vjen pa e kërkuar, si një mik besnik që troket çdo natë në të njëjtën orë, tjetri e pret me orë të tëra dhe ai vazhdon të endet diku larg. Atëherë e kuptoj se gjumi nuk i bindet dëshirës sonë. Ai nuk urdhërohet, nuk blihet dhe nuk lutet. Ai vjen vetëm kur shpirti vendos të heshtë.

Dhe përsëri vazhdoj të rrotullohem në shtrat, si një gjethe që era e natës nuk e lë të gjejë prehje. Çdo lëvizje është e vogël, pothuajse e pavërejtshme, por brenda saj fshihet shpresa se ndoshta në anën tjetër gjumi do të më presë i heshtur. Më duket sikur kam qëndruar tepër gjatë në krahun e djathtë. Krahu më është mpirë lehtë, ndërsa jastëku ka marrë formën e mendimeve të mia. Me një kujdes të pashpjegueshëm, sikur të mos doja ta trembja qetësinë e dhomës, kthehem ngadalë në anën e majtë. Edhe kjo lëvizje nuk sjell asgjë të re. Vetëm një tjetër përpjekje, një tjetër iluzion se ndoshta tani gjumi do të më vije.

Por nata, si gjithmonë, di të luajë me durimin tim.

Në tavolinën pranë shtratit qëndron ora, e vogël, e heshtur dhe e pamëshirshme. Nuk nxjerr asnjë tingull, nuk më flet, nuk më qorton, por drita e saj e zbehtë mjafton për të më zbuluar numrat që ndryshojnë pa pushim. Më duket sikur i shfaq enkas, thuajse për të më kujtuar se koha po kalon, se minutat rrëshqasin njëra pas tjetrës dhe unë vazhdoj të jem zgjuar. Ajo nuk ka mëshirë për pagjumësinë time. Përkundrazi, më duket sikur e ushqen atë.

Unë përpiqem ta shmang shikimin. Nuk dua t’i shoh ata numra. Nuk dua ta di nëse është mesnatë, ora dy, apo po afrohet agimi. Kur njeriun nuk e zë gjumi, koha humbet kuptimin e saj. Çdo minutë zgjatet sa një orë, çdo orë bëhet një natë më vete. Numrat nuk sjellin qetësi, ata vetëm e bëjnë pritjen më të rëndë. Sa më shumë i shikon, aq më shumë bindesh se gjumi është larguar edhe më tej.

Prandaj e largoj vështrimin. Dua të bëj sikur ora nuk ekziston, sikur koha ka ndalur dhe nata nuk matet më me akrepa, por vetëm me rrahjet e zemrës sime. Sepse, në fund të fundit, ç ‘rëndësi ka nëse është ora një apo katër, kur mendja vazhdon të endet zgjuar? Në ato çaste, koha nuk është më një matëse e jetës, por një shoqëruese e heshtur e pagjumësisë.

Dhe kështu vazhdoj të rrotullohem ngadalë, duke kërkuar një qoshe të vogël qetësie brenda vetes. Ndoshta nuk është shtrati ai që duhet të ndryshojë, as krahu mbi të cilin mbështetem. Ndoshta jam unë, ajo që duhet të pushojë së numëruari orët, sepse gjumi nuk vjen kurrë kur e pret me padurim. Ai vjen vetëm atëherë kur koha pushon së qeni armik dhe bëhet përsëri një lumë i qetë që rrjedh pa u ndier.

Pa dashur, vetëm me bisht të syrit, përsëri e vështroj orën që rri e heshtur mbi tavolinën pranë shtratit. Nuk doja ta shihja, madje isha betuar me veten se sonte nuk do ta shikoja fare. Por ajo, si një dëshmitare e pagjumësisë sime, vazhdon të më thërrasë me dritën e saj të zbehtë. Mjafton një shikim i shkurtër dhe numrat shfaqen para meje, të ftohtë, të pamëshirshëm, sikur ta dinin se sa shumë do të doja të mos i lexoja.

Akrepat ecin ngadalë, pothuajse me përtesë, dhe më në fund ndalen mbi një çast që më duket i pafund: ora dy pas mesnate.

Sa e çuditshme më duket ajo orë! Nuk është më thjesht një tregues kohe. Në sytë e mi ajo merr një pamje krejt tjetër. Më afrohet si një njeri i sëmurë, i lodhur nga rruga e gjatë, që mezi tërheq këmbët për të arritur deri te mëngjesi. Ka diçka të trishtë në atë numër. Dyshi i natës nuk është vetëm një orë, është kufiri mes ditës së harruar dhe agimit që ende nuk duket askund. Është çasti kur bota fle më thellë, ndërsa ata që nuk i zë gjumi ndihen më të vetmuar se kurrë.

E shikoj dhe më duket sikur edhe vetë koha është rraskapitur. Ajo nuk rrjedh më si lumë. Ajo zvarritet ngadalë, me hapa të rëndë, si një i sëmurë që kërkon forcë për të bërë edhe një hap tjetër. Çdo minutë më duket si një frymëmarrje e gjatë, çdo sekondë si një pikë shiu që bie ngadalë mbi xhamin e natës.

Në atë çast, dhoma mbushet me një heshtje edhe më të thellë. Jashtë, qyteti duket sikur ka pushuar të marrë frymë. Asnjë zhurmë, asnjë hap, vetëm drita e zbehtë e orës që vazhdon ta ndajë natën në copëza të vogla kohe. Dhe unë, e zgjuar përballë saj, ndiej se nuk jam duke pritur vetëm gjumin. Jam duke pritur që nata të lëshojë dorën mbi mua, që mendimet të lodhen më në fund dhe koha të pushojë së kujtuari se sa gjatë kam mbetur zgjuar.

Sepse ka orë që nuk maten me akrepa, por me ndjenja. Ora dy e pasmesnatës është njëra prej tyre. Ajo është ora kur njeriu mbetet vetëm me vetveten, kur zemra flet më shumë se goja, kur kujtimet bëhen më të gjalla se realiteti dhe kur edhe koha, e lodhur nga udhëtimi i saj i pafund, të duket sikur ecën pranë teje me fytyrën e zbehtë të një të sëmuri, duke pritur, ashtu si ti, lindjen e dritës së parë të mëngjesit.

“Obobo…”, pëshpëris me vete, pothuajse pa nxjerrë zë, sikur të mos doja ta zgjoja edhe më shumë natën që tashmë është ulur pranë meje. Dhe ç ‘është nata pa ëndrra? Vetëm një rrugëtim i gjatë nëpër errësirë, ku koha ecën zbathur dhe mendimet nuk gjejnë kurrë fund. Rrotullohem edhe një herë në shtrat, sikur trupi të kërkojë një strehë që shpirti nuk po e gjen. Filloj të kërkoj fajtorë në gjëra që nuk kanë asnjë faj. Më duket se ndoshta problemi është jorgani. Ndoshta është ai që nuk më lë të fle. Aq i lehtë është, aq i butë, sa herë-herë më duket sikur nuk më mbështjell sa duhet. E megjithatë, është po ai jorgan që zakonisht ruan aromën e ëmbël të jargavanit, një aromë e lehtë pranvere që më ka pëlqyer gjithmonë. Sa herë e mbuloj trupin me të, më duket sikur një kopsht i tërë lulëzon mbi shtratin tim. Aroma është e qetë, e pastër, pothuajse amësore. Ajo nuk mund të jetë fajtore. Por në netët e pagjumësisë njeriu fillon të dyshojë edhe te gjërat më të pafajshme.

Pastaj, si një fëmijë që përpiqet të fshihet nga bota, e tërheq jorganin deri mbi kokë. Krijoj një strehë të vogël vetëm për veten, një botë ku nuk ekziston as drita e orës, as hijet e mureve, as nata që nuk mbaron. Nën atë kupolë të butë, i flas vetes me zë të ulët, thuajse si një nënë që përkund foshnjën e saj.

“Tani do të fle… Po, tani do të fle…”

E përsëris këtë fjali si një lutje, si një formulë magjike, me shpresën se fjalët do ta bindin më në fund gjumin të vijë. Çdo përsëritje është një grimcë shprese. Çdo përsëritje është një përpjekje për ta mashtruar mendjen që të heshtë.

Mbyll sytë fort. Aq fort, sa qepallat më dridhen nga tendosja. I shtrëngoj sikur të mund ta mbyllja jo vetëm dritën, por edhe mendimet që nuk pushojnë së trokituri. Sikur, duke i mbajtur të mbyllur me forcë, të mund ta detyroja gjumin të hynte brenda tyre. Por nuk ndodh asgjë. Përkundrazi, ndiej një dhembje të lehtë që fillon të më pushtojë ballin e të përhapet ngadalë në tërë kokën. Është një dhembje që nuk vjen nga sytë, por nga përpjekja e pafund për të arritur diçka që nuk fitohet me forcë.

E unë vazhdoj të rri nën jorganin me aromë jargavani, me sytë e mbyllur dhe zemrën zgjuar, duke pritur që, diku mes heshtjes dhe lodhjes, gjumi të më gjejë vetë, pa zhurmë, ashtu siç vjen gjithmonë tek ata që kanë pushuar së kërkuari.

Diku… ndoshta shumë vonë, kur nata kishte lodhur edhe vetë heshtjen dhe pagjumësia kishte pushuar së luftuari me mua, ndodhi diçka e çuditshme. Nuk e di nëse isha zgjuar apo në kufirin e padukshëm mes zgjimit dhe gjumit. M’u duk sikur, fare pa u ndier, hyra fshehurazi në botën e ëndrrave të burrit tim. Nuk trokita në derën e tyre, nuk kërkova leje. Thjesht u gjenda aty, si një udhëtare që humbet rrugën dhe përfundon në një vend të panjohur.

Më pushtoi një kureshtje e pazakontë. Doja t’i lexoja ato ëndrra siç lexohen dorëshkrimet e vjetra, të zverdhura nga koha. Doja t’i deshifroja, të kuptoja gjuhën e tyre të fshehtë, të zbuloja se çfarë shihte ai në atë botë ku unë nuk mund të hyja kurrë kur isha zgjuar. Besoja se ëndrrat e tij do të ishin të qeta, të mbushura me dritë, me livadhe, me njerëz të dashur, me buzëqeshje dhe qetësi. Por u gabova.

Atje nuk mbretëronte qetësia. Përkundrazi. Gjithçka ishte e mbushur me një zhurmë të pashpjegueshme. Tinguj të çrregullt, zëra që përplaseshin me njëri-tjetrin, hapa që vraponin pa ditur se ku shkonin, fytyra që shfaqeshin e zhdukeshin si hija e reve mbi tokë. Ishte një tollovi e madhe, një botë ku askush nuk ndalej, ku gjithçka lëvizte me një ritëm të çmendur. Mundohem të gjej një shteg, një copë qetësi, por sa më shumë ecja, aq më shumë humbisja në atë labirint të trazuar.

Dhe, papritur, peizazhi ndryshoi.

Para syve të mi u shfaqën pamje që i njihja shumë mirë, por që nuk do të doja t’i shihja më kurrë. U gjenda mes kujtimeve të luftës së fundit në Prishtinë. Qyteti nuk ishte ai që njihja. Rrugët kishin humbur zërin e njerëzve. Në ajër rëndonte një heshtje e frikshme, ajo heshtje që lind vetëm pas britmave. Muret mbanin plagët e kohës, tymi dukej sikur ende endet mbi çatitë e shtëpive dhe era sillte jehonën e ankthit të dikurshëm.

Eca nëpër ato rrugë me zemrën që më rrihte fort. Çdo hap më dukej i rëndë. Çdo qoshe më sillte një kujtim. Më dukej sikur koha ishte kthyer prapa dhe historia po më detyronte ta jetoja edhe një herë atë që besoja se kishte mbetur vetëm në kujtesë. Pashë fytyra të trazuara, njerëz që kërkonin njëri-tjetrin, sy të mbushur me frikë, shpresa që përpiqeshin të mbijetonin mes rrënojave. Nuk e dija nëse isha brenda ëndrrës së tij apo brenda plagëve të mia.

Sa më shumë përpiqesha të largohesha, aq më shumë ëndrra më mbante peng. Ishte sikur rrugët zgjateshin pa fund, sikur çdo dalje të shndërrohej në një hyrje të re drejt kujtimeve të dhimbshme. M’u desh gjithë forca e shpirtit për të gjetur një dritë të vogël në fund të asaj errësire. Dhe vetëm atëherë, me një frymë të rëndë, sikur të kisha shpëtuar nga një stuhi e madhe, dola prej andej.

Kur hapa sytë, kuptova se isha ende në shtratin tim. Burri vazhdonte të flinte qetësisht pranë meje, ndërsa frymëmarrja e tij ishte e njëjtë, e rregullt dhe e qetë. Për një çast buzëqesha me vete. Ndoshta nuk kisha hyrë fare në ëndrrat e tij. Ndoshta ishin ëndrrat e mia që, të lodhura nga pagjumësia, kishin hapur portat e kujtesës. Sepse kujtesa, ashtu si ëndrrat, nuk pyet kurrë nëse je gati. Ajo vjen papritur, të merr përdore dhe të çon atje ku zemra nuk ka reshtur kurrë së jetuari.

“Jo…”, pëshpërita me një zë aq të ulët, sa mezi e dëgjova edhe vetë. Ishte një “jo” e lodhur, jo ndaj natës, por ndaj asaj loje të çuditshme që gjumi kishte vendosur të luante me mua. M’u duk sikur ai ishte shndërruar në një fëmijë tekanjoz, që më afrohej sa për të më dhënë shpresë e pastaj largohej duke qeshur me padukshmërinë e tij. Sa herë mendoja se më në fund do të më mbylleshin qepallat, ai më rrëshqiste nga duart si një fije mjegulle që nuk mund ta kapësh. Ishte një lojë që dikur e kisha njohur, por që prej shumë kohësh besoja se e kisha harruar. Sonte, ajo ishte rikthyer me të njëjtën kokëfortësi, duke më sfiduar durimin dhe qetësinë.

Nata vazhdonte të zgjatej pa fund. Heshtja e saj ishte bërë aq e dendur, sa dukej sikur kishte mbështjellë gjithë lagjen me një mantel të zi. Edhe koha dukej se kishte harruar të ecte. Minutat nuk rridhnin më, ato zvarriteshin ngadalë, si një lumë i rënduar nga pesha e errësirës.

Dhe atëherë, diku në prag të agimit, ndoshta pak para orës katër, kur nata arrin pikën e saj më të thellë dhe bota duket se fle më qetë se kurrë, heshtja u copëtua papritur.

Qeni i fqinjës sime, një qen që zakonisht e njihja për lehjen e tij të zakonshme, nisi të lehte me një ashpërsi që nuk e kisha dëgjuar më parë. Nuk ishte ajo lehje e zakonshme që shoqëron kalimin e një maceje apo ndonjë hijeje të rastit. Jo. Kjo ishte një lehje e prerë, e ngarkuar me alarm, me një ngulmim që të depërtonte deri në palcë. Dukej sikur kafsha po përpiqej t’i tregonte botës se diçka nuk ishte në rregull.

Zëri i tij përhapej në errësirë, përplasej pas mureve të shtëpive dhe kthehej sërish, edhe më i fortë. Çdo lehje më bënte të ngrija kokën nga jastëku. Zemra nisi të më rrihte më shpejt. Mendja, që deri atëherë ishte endur nëpër kujtime e ëndrra, tani u mbush me pyetje. Çfarë kishte ndodhur? Mos vallë dikush kishte nevojë për ndihmë? Mos kishte hyrë ndonjë i panjohur në oborr? Apo ndoshta qeni po shihte diçka që syri ynë nuk arrin ta dallojë?

Sa e çuditshme është nata! Gjatë ditës, një lehje qeni humbet mes zhurmës së njerëzve, makinave dhe jetës. Por në orët e para të mëngjesit, kur gjithçka hesht, ajo bëhet një kumt, një lajmëtar që zgjon jo vetëm lagjen, por edhe mendimet më të fshehta të njeriut.

Rrija aty, e shtrirë, duke dëgjuar me vëmendje çdo tingull që vinte nga jashtë. Në errësirë, imagjinata filloi të ndërtonte skena të panumërta. Njëra më shqetësuese se tjetra. Fillova të frikësohesha jo për veten, por për fqinjët e mi, për njerëzit e mirë që banonin aty. Çdo lehje më dukej si një thirrje e dëshpëruar, si një përpjekje e kafshës besnike për të zgjuar botën e fjetur.

Dhe unë, e mbetur pezull mes pagjumësisë dhe ankthit, e kuptova se nata nuk është gjithmonë vendi ku lindin vetëm ëndrrat. Ndonjëherë ajo është edhe koha kur dëgjojmë më qartë zërat që dita i mbulon, kur një lehje qeni bëhet më e fuqishme se çdo fjalë dhe kur zemra e njeriut fillon të shqetësohet për të tjerët, edhe pa ditur ende nëse ka ndodhur vërtet diçka apo ishte vetëm një tjetër mister i errësirës.

Por jo. Pas pak çastesh, ankthi im nisi të tretet ngadalë, ashtu si mjegulla që largohet kur prek rrezet e para të diellit. Heshtja e natës u kthye sërish në vendin e saj dhe, mbi grilat e shtëpisë, u shfaq një siluetë e njohur. Ishte ajo, macja e lagjes, vizitorja e përhershme e netëve tona, që me një elegancë të lindur ecte pa bërë pothuajse asnjë zhurmë. Dukej sikur errësira ishte mbretëria e saj dhe se nata i përkiste më shumë asaj sesa neve njerëzve.

E shikoja me kureshtje teksa ndalonte për një çast mbi grila, ngrinte kokën dhe sodiste përreth me ata sytë e saj të ndritshëm, që në terr vezullonin si dy yje të vegjël. Çdo lëvizje e saj ishte e matur, e qetë dhe plot siguri. Nuk nxitonte askund. Dukej sikur njihte çdo cep të oborreve tona, çdo pemë, çdo gardh e çdo mur mbi të cilin kishte kaluar qindra herë.

Dhe e pyeta veten pse kjo mace zgjedh pikërisht natën për shëtitjet e saja. Gjatë ditës nuk i mungon asgjë. Përkundrazi. Të gjithë ne, fqinjët, e kemi bërë pjesë të jetës sonë. Dikush i lë një tas me ujë, dikush një copë bukë, dikush tjetër ndonjë kafshatë mishi. Askush nuk e përzë. Përkundrazi, të gjithë e presim me buzëqeshje, sikur të ishte një anëtare e vogël e lagjes sonë.

Sa herë që shfaqet, secili prej nesh e thërret me të njëjtën ëmbëlsi:

Macccë… macccëë…

Në atë thirrje nuk ka urdhër, por vetëm përkëdheli. Është një fjalë e thjeshtë, por e mbushur me ngrohtësi, si të ishte një përshëndetje mes miqsh të vjetër. Dhe ajo, sikur ta kuptojë çdo tingull të zërit tonë, ndalet për një çast, na vështron me qetësinë e saj të mençur dhe, pa nxjerrë zë, na përgjigjet në mënyrën më të bukur që di.

Lëviz bishtin ngadalë, me një hijeshi të veçantë, herë majtas e herë djathtas, aq lehtë sa duket sikur një fjollë bore po lëkundet në ajër. Në atë lëvizje ka mirënjohje, ka besim dhe një afërsi të heshtur që nuk ka nevojë për fjalë. Është mënyra e saj për të na thënë se na njeh, se nuk ka frikë prej nesh dhe se, në botën e saj të vogël, ne kemi fituar një vend të veçantë.

E shikoj teksa vazhdon rrugën e saj mbi muret e oborreve dhe më duket sikur nata  ndriçon vetëm për të. Ajo ecën e lirë, e qetë dhe krenare, ndërsa hapat e saj treten në errësirë pa lënë gjurmë. Ndoshta vetëm macet e dinë sekretin e natës. Ndoshta ato ecin nëpër errësirë jo sepse kërkojnë diçka, por sepse aty ndihen më afër lirisë së tyre.

Dhe unë buzëqesh me vete. Sa e çuditshme është jeta! Pak më parë zemra më ishte mbushur me ankth nga lehja e qenit, ndërsa tani një mace e heshtur, me bishtin që valëvitet lehtë si një përshëndetje e ëmbël, arrin ta qetësojë të gjithë natën. Nganjëherë mjafton prania e një krijese të vogël për të na kujtuar se jo çdo zhurmë paralajmëron fatkeqësi dhe se edhe errësira fsheh brenda saj gjurmë të vogla dashurie, të cilat mund t’i shohë vetëm ai që zgjedh të vështrojë me zemër.

Pas lehjes së fortë të Tobit, nata, që deri në ato çaste dukej e ngrirë në heshtjen e saj, nisi të marrë frymë sërish. Papritur, në dhomën e vajzës së komshikes u ndez një dritë. Nuk ishte një dritë e fortë që ta prishte errësirën, por një ndriçim i butë, i ngrohtë, që u përhap ngadalë pas perdes, sikur dikush të kishte ndezur një qiri në zemër të natës. Mjaftoi ajo rreze e vogël për të më dhënë ndjesinë se shtëpia ishte zgjuar dhe se jeta vazhdonte të rridhte edhe në ato orë kur shumica e njerëzve flinin.

Pak më vonë, dritarja u hap ngadalë. Kanatat lëshuan një tingull të lehtë, aq të qetë sa mezi u dëgjua. Ajri i freskët i natës hyri në dhomë, ndërsa nga brenda doli një zë i njohur, i ëmbël dhe plot mirësi. Nuk ishte një zë që urdhëronte, nuk ishte një britmë zemërimi. Ishte ai lloj zëri që vetëm dashuria di ta krijojë, një zë që mbart siguri dhe përkujdesje.

Me pak fjalë të qeta, ajo iu drejtua Tobit. Nuk munda t’i dalloj të gjitha fjalët, por as nuk kishte nevojë. Toni i tyre mjaftonte për të kuptuar gjithçka. Ishte gjuha e afërsisë, ajo gjuhë që nuk mësohet në libra, por lind nga përditshmëria, nga besimi dhe nga dashuria mes njeriut dhe kafshës.

Dhe ndodhi mrekullia e vogël e natës.

Tobi, ai trim i oborrit që pak çaste më parë po e sfidonte errësirën me lehjen e tij të fuqishme, u qetësua menjëherë. Sikur ta kishte pritur vetëm atë zë. Sikur gjithë shqetësimi i tij të ishte vetëm një thirrje për t’u siguruar se njerëzit e tij ishin mirë. Lehja pushoi. Oborri u mbush sërish me qetësi, ndërsa qeni, besnik si gjithmonë, u dorëzua para zërit që njihte dhe i besonte.

E pashë atë skenë me një buzëqeshje të lehtë. Sa e bukur është besnikëria e kafshëve! Ato nuk kanë nevojë për shpjegime të gjata. Nuk kërkojnë argumente. Një zë i dashur, një thirrje e njohur, një fjalë e butë mjafton që zemra e tyre të qetësohet. Dashuria për to nuk matet me fjalë të mëdha, por me praninë e atij që e njohin si të vetin.

Dritarja u mbyll po aq ngadalë sa ishte hapur. Drita vazhdoi të qëndronte edhe për pak çaste, pastaj edhe ajo u shua, duke ia dorëzuar përsëri mbretërinë natës. Heshtja u kthye mbi lagje, por tashmë nuk ishte më ajo heshtje e rëndë që mbart ankth. Ishte një heshtje e qetë, e pajtuar me gjithçka, si një ninullë e padukshme që përkundte shtëpitë, pemët, oborret dhe të gjithë ata që flinin nën qiellin e mbushur me yje.

Dhe unë, ende zgjuar mendova se ndonjëherë mjafton vetëm një dritë e ndezur dhe një zë i butë për ta kthyer paqen në një natë që, vetëm pak çaste më parë, dukej e mbushur me shqetësim.

Më besoni, të gjitha këto i sodisja pa lëvizur nga shtrati im. Nuk kisha nevojë të ngrihesha, të afrohesha te dritarja apo të dilja jashtë. Mjaftonte të hapja sytë dhe bota e natës hapej para meje si një skenë e qetë teatri, ku çdo tingull, çdo dritë dhe çdo hije kishte rolin e vet. Nga ai vend i vogël, ku trupi im kërkonte kot prehje, shpirti im gjente një dritare të madhe drejt jetës që vazhdonte të merrte frymë edhe në orët më të heshtura të natës.

Shtrati im, në pamje të parë, është gjithçka që njeriu mund të dëshirojë për një gjumë të ëmbël. Është i butë, i ngrohtë dhe të përqafon me një rehati që të fton të harrosh lodhjen e ditës. Jastëku duket sikur pret vetëm kokën time, ndërsa jorgani më mbështjell me butësinë e tij. Çdo gjë është në vendin e vet, sikur të ishte krijuar vetëm për pushim. Kushdo që do ta shihte, do të mendonte se aty gjumi duhet të vijë pa u ftuar, i qetë dhe i plotë.

Por çuditërisht, shtrati më i rehatshëm bëhet vendi ku mendimet zgjojnë jetën e tyre dhe nata zgjatet më shumë sesa duhet.

Megjithatë, ai më dhuron një privilegj të rrallë. Nga aty ku qëndroj e shtrirë, para syve të mi shtrihet qyteti. Nuk e shoh vetëm si një grumbull ndërtesash apo rrugësh. E shoh si një organizëm të gjallë, që edhe kur duket se fle, vazhdon të jetojë në mënyrën e vet. Dritat e largëta vezullojnë si yje të zbritur mbi tokë. Rrugët, të zbrazura nga ngutja e ditës, marrin një qetësi solemne. Pemët lëkunden lehtë nën frymën e erës, ndërsa herë pas here ndonjë dritare ndizet ose fiket, duke treguar se edhe diku tjetër ka sy që nuk i ka zënë gjumi.

Nga ai kënd i vogël i dhomës sime, ndihem njëkohësisht pjesë e qytetit dhe një vëzhguese e heshtur e tij. Nuk ndërhyj në jetën që zhvillohet jashtë. Vetëm e sodis. Më duket sikur qyteti më rrëfen historitë e tij pa përdorur asnjë fjalë. Çdo dritë e ndezur fsheh një njeri që lexon, lutet, punon apo, si unë, bisedon me terrin. Çdo dritare e errët ruan ëndrrat e atyre që flenë të qetë.

Atëherë e kuptoj se shtrati im nuk është vetëm një vend për të pushuar. Ai sonte është bërë një tribunë e vogël prej nga sodis botën, një kënd meditimi ku mendimet fluturojnë më larg se çatia e shtëpisë. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse sonte, edhe kur gjumi më mungon, nuk ndihem krejtësisht e vetmuar. Kam përballë qytetin tim, me dritat, heshtjen, misteret dhe frymëmarrjen e tij të padukshme. Ai më bën shoqëri, ndërsa unë, e mbështetur në jastëk, vazhdoj ta vështroj me të njëjtën dashuri me të cilën soditet një peizazh që nuk të lodh kurrë, pavarësisht sa herë e sheh…

Ora vazhdonte rrugëtimin e saj të ngadaltë, pothuajse me përtesë. Akrepat lëviznin aq qetë, sa dukej sikur edhe koha kishte rënë në mendime. Nata po i afrohej fundit të saj, por ende nuk donte ta dorëzonte fronin. Ishte ai çast i veçantë kur errësira dhe drita rrinë përballë njëra-tjetrës, pa e ditur ende se cila do ta fitojë betejën.

Unë e njihja mirë ritmin e mëngjesit. Për vite me radhë isha mësuar të besoja se rreth orës pesë bota fillonte të zgjohej. Atëherë, zakonisht, drita depërtonte ngadalë nëpër dritare, duke i dhënë fund mbretërisë së natës. E kisha krijuar bindjen se agimi vinte pikërisht në atë orë dhe jo më herët. Ndoshta sepse atëherë zakonisht isha zgjuar dhe vetëm atë pjesë të lindjes së ditës e kisha bërë timen.

Por ajo natë vendosi të më mësonte diçka që nuk e kisha vënë re kurrë.

Teksa vazhdoja të qëndroja zgjuar, me sytë e ngulur në vijën e largët të horizontit, ndjeva se nata po përgatitej të më dhuronte një çast që nuk do ta harroja kurrë. Gjithçka ishte e qetë. Qyteti dukej sikur flinte ende nën jorganin e errësirës, ndërsa koha ecte me hapa të padukshëm. Hodha sytë drejt orës. Akrepat shënonin katër e dhjetë minuta.

Dhe pikërisht atëherë, heshtja e natës nuk u thye me zhurmë, por u mbush me një tingull që vinte nga thellësia e shpirtit të qytetit.

Nga minaret e shumta që ngrihen mbi çatitë e qytetit tim filloi të përhapej zëri i hoxhallarëve. Thirrja e tyre u ngrit ngadalë drejt qiellit dhe, njëkohësisht, zbriti butësisht në zemrën time. Ishte një zë i pastër, solemn dhe plot përulësi, që udhëtonte mbi rrugët ende të zbrazura, mbi pemët e lagura nga vesa dhe mbi shtëpitë që ende nuk ishin zgjuar. Nuk ishte thjesht një thirrje për lutje, ishte sikur vetë agimi po lajmëronte ardhjen e tij me një gjuhë të shenjtë.

Për çudi, çdo fjalë që vinte nga minaret më mbushte me një gëzim të qetë, me një paqe që nuk mund ta shpjegoja. Nuk ishte një emocion i vrullshëm, por një ndriçim i brendshëm, sikur dikush të kishte hapur një dritare edhe në shpirtin tim. E ndjeja se ato lutje nuk udhëtonin vetëm në ajër, ato depërtonin thellë në vetëdijen time, duke zgjuar një ndjenjë mirënjohjeje për jetën, për mëngjesin që po lindte dhe për vetë ekzistencën.

Në ato çaste u ndjeva më pranë Zotit se zakonisht. M’u duk sikur kufiri mes tokës dhe qiellit ishte bërë më i hollë, sikur lutjet ngjiteshin drejt amshimit, ndërsa bekimi i tyre zbriste mbi ne me një butësi të padukshme. Ishte një ndjenjë që nuk mund të matej me fjalë, por vetëm të përjetohej. Një afërsi shpirtërore që të bën të ndihesh i vogël përballë madhështisë së Krijuesit dhe, njëkohësisht, pafundësisht i bekuar që je pjesë e kësaj bote.

Ndërsa zëri i ezanit vazhdonte të përhapej mbi qytet si një valë drite e padukshme, ndodhi edhe mrekullia tjetër.

Edhe pse ende besoja se nata nuk kishte përfunduar, në lindje filloi të shfaqej një vijë e hollë drite. Në fillim ishte aq e brishtë, sa mezi dallohej, si një frymëmarrje e lehtë e qiellit, si një buzëqeshje e parë e ditës që ende nuk kishte marrë guximin të zbulohej plotësisht. Ajo vijë e zbehtë dukej sikur lindte bashkë me lutjet, sikur drita dhe fjala e shenjtë kishin zgjedhur të vinin në të njëjtin çast.

Pak nga pak, horizonti nisi të ndryshonte ngjyrë. E argjendta u përzien me nuanca të buta rozë, pastaj me të artën e zbehtë të agimit, ndërsa kaltërsia e errësirës tërhiqej ngadalë, pa bërë rezistencë. Qielli dukej si një telajo e pikturuar nga një dorë hyjnore, ku çdo ngjyrë vendosej me një përpikëri të përkryer dhe me një qetësi që vetëm natyra e njeh.

Mbeta e pa lëvizur, duke soditur këtë bashkim të rrallë mes zërit të lutjeve dhe lindjes së dritës. M’u duk sikur e gjithë bota po falej në të njëjtën kohë: minaret me thirrjen e tyre, qielli me ngjyrat e tij, pemët me heshtjen e tyre dhe zemra ime me mirënjohjen që nuk dinte ta shprehte ndryshe. Në atë çast e kuptova se agimi nuk është vetëm lindja e një dite të re. Ai është edhe lindja e shpresës, e besimit dhe e kujtesës se, pas çdo nate, sado të gjatë e të lodhshme të ketë qenë, Zoti gjithmonë e dërgon dritën e Tij me një besnikëri që nuk mungon kurrë.

Mbeta e shtangur.

Nuk ishte thjesht dritë. Ishte një mrekulli që po lindte para syve të mi. Një dritë e magjishme, e pastër dhe e qetë, që nuk vinte me zhurmë, nuk kërkonte vëmendje, por thjesht përhapej me një fisnikëri të rrallë, derisa pushtoi qiellin. Ajo pamje më paralizoi. Nuk mund të lëvizja, nuk mund të mendoja për asgjë tjetër. Ndjeva se po bëhesha dëshmitare e një rituali të përjetshëm të natyrës, një mrekullie që përsëritej çdo ditë, por që unë, e zënë nga ritmi i jetës, nuk e kisha parë kurrë në tërësinë e saj.

Në atë çast kuptova se mëngjesi nuk lind në orën kur zgjohemi ne. Ai fillon shumë më herët. Fillon në heshtje, kur shumica e njerëzve ende flenë. Fillon pa dëshmitarë, pa duartrokitje, pa zhurmë. Agimi nuk pret askënd. Ai vjen besnikërisht çdo ditë, me të njëjtën përulësi dhe të njëjtën bukuri, pavarësisht nëse dikush e sheh apo jo.

Dhe unë buzëqesha me vete.

Sa vite kisha jetuar duke menduar se e njihja mëngjesin! Në të vërtetë, unë njihja vetëm një copëz të tij. Kisha parë ditën kur ajo tashmë kishte mbërritur, por kurrë nuk e kisha parë lindjen e saj të vërtetë, atë çast të shenjtë kur nata ia dorëzon dritës çelësat e botës.

Gjithmonë e kam konsideruar veten grua të mëngjeseve. Kam qenë krenare që dita ime fillon herët. Madje shpesh kam thënë me bindje se ora pesë nuk më gjen kurrë në shtrat. Ishte një lloj disipline që e mbaja si pjesë të karakterit tim. Por atë natë e kuptova se natyra zgjohet shumë përpara nesh. Ajo nuk pret as orët tona, as zakonet tona. Kur ne mendojmë se po zgjohemi herët, dielli ka nisur prej kohësh udhëtimin e tij të heshtur.

Dhe ndoshta ky ishte mësimi më i bukur i asaj nate pa gjumë. Pagjumësia, që deri atëherë më ishte dukur një dënim, papritur u shndërrua në një dhuratë. Po të kisha fjetur, nuk do ta kisha parë kurrë atë çast të magjishëm, kur drita lind pa bërë zhurmë, kur qielli merr frymën e parë të ditës së re dhe kur bota, ende e zhytur në gjumë, nuk e di se mrekullia ka filluar tashmë.

Sapo akrepat u takuan mbi numrin pesë, u ngrita ngadalë nga shtrati. Nuk ishte një ngritje e vrullshme, por një lëvizje e qetë, si ajo e dikujt që ka kaluar një natë të gjatë duke biseduar me heshtjen. Pagjumësia nuk më kishte dhënë asnjë orë pushimi, por çuditërisht nuk ndihesha e mundur. Përkundrazi, më dukej sikur nata më kishte dhuruar një lloj qetësie të pazakontë, një qetësi që lind vetëm pasi ke kaluar shumë orë vetëm me mendimet e tua.

Këmbët prekën dyshemenë e ftohtë dhe instinktivisht vesha pantoflat e mia, ato shoqërueset e përditshme të mëngjeseve. Ishin lëvizje të njohura, të përsëritura qindra e mijëra herë, por atë mëngjes secila prej tyre më dukej më e vetëdijshme, sikur po i jetoja për herë të parë. Nata e gjatë më kishte mësuar ta vështroja edhe të zakonshmen me sy të rinj.

Pastaj mora gjezven. E mbajta për një çast në dorë, si një mikeshë të vjetër që e njeh mirë ritualin tim të mëngjesit. Nuk ka mëngjes pa aromën e kafesë. Për mua, ajo nuk është vetëm një pije, është fillimi i ditës, është urë mes natës që largohet dhe jetës që nis sërish. Mbushja e gjezves me ujë, hedhja e kafesë, zhurma e lehtë e lugës që përzihej me metalin, të gjitha më dukeshin si një ceremoni e vogël, e përditshme, por e shenjtë. Kur kafeja filloi të ziente, aroma e saj u përhap ngadalë nëpër kuzhinë, duke mbushur ajrin me atë ngrohtësi që vetëm ajo di ta falë. M’u duk sikur edhe shtëpia po zgjohej bashkë me mua.

Atëherë buzëqesha lehtë. Nata ime mund të kishte qenë pa gjumë, por nuk kishte qenë aspak e zbrazët. Ajo kishte qenë e mbushur me jetë, me mendime, me kujtime, me dritë, me heshtje dhe me zbulime të vogla që vetëm pagjumësia di t’i dhurojë. Nganjëherë edhe netët që nuk të falin gjumë të dhurojnë diçka shumë më të çmuar: mundësinë për të parë botën me sy që nuk kanë qenë kurrë më parë kaq zgjuar.

Pastaj me filxhanin e kafesë të vendosur mbi tabakanë e vogël, e mora me kujdes në duar, sikur të mbaja një ritual të shenjtë që e përsëris çdo mëngjes. Aroma e kafesë ngrihej ngadalë drejt fytyrës sime, e ngrohtë, e fortë dhe e njohur, duke më zgjuar më shumë shpirtin sesa trupin. Ajo ishte aroma që gjithmonë më ka kujtuar fillimin e një dite të re, shpresën e një mëngjesi të ri dhe qetësinë që vjen pas një nate, sado e gjatë apo e lodhshme të ketë qenë.

Me hapa të ngadaltë u afrova te dera e dhomës së gjumit, dora ime preku dorezën me një qetësi të veçantë dhe, me një lëvizje të lehtë, e hapa derën. M’u duk sikur nuk po hapja vetëm një derë druri, por po ndaja përfundimisht natën nga dita. Pas meje mbetën orët e gjata të pagjumësisë, mendimet, hijet, kujtimet dhe bisedat e heshtura me vetveten. Përpara meje po më priste mëngjesi, me premtimin e tij për një fillim të ri.

Më pas iu afrova dritareve. Për një çast qëndrova përballë tyre, duke soditur xhamat që tashmë pasqyronin dritën e butë të agimit. I hapa ngadalë, njëra pas tjetrës, dhe në atë çast ndodhi mrekullia e vogël që e pres çdo mëngjes.

Ajri i freskët depërtoi menjëherë në dhomë, si një mike e  dashur që nuk kishte nevojë të trokiste. Ai solli me vete aromën e barit të lagur nga vesa, freskinë e pemëve që kishin kaluar gjithë natën duke marrë frymë në heshtje dhe atë pastërti të rrallë që vetëm orët e para të mëngjesit dinë ta krijojnë. Ishte një ajër i lehtë, pothuajse i kristaltë, që preku fytyrën time me butësi, sikur të donte të më largonte çdo gjurmë lodhjeje të mbetur nga nata.

Mora frymë thellë.

Më dukej sikur nuk po mbushja vetëm mushkëritë me ajër, por edhe zemrën me qetësi. Çdo frymëmarrje sillte një ndjenjë rilindjeje. Dhomës iu kthye jeta. Perdet filluan të lëkunden lehtë nga puhiza e mëngjesit, rrezet e para të diellit hynë me drojë, duke vizatuar mbi dysheme forma të arta, ndërsa aroma e kafesë u përzie me freskinë e agimit, duke krijuar një harmoni që nuk mund të përshkruhet me fjalë.

Nga jashtë nisën të dëgjoheshin tingujt e parë të ditës. Diku larg këndoi një zog, sikur të ishte lajmëtari i parë i mëngjesit. Pemët lëkundeshin lehtë, ndërsa qyteti, që pak më parë ishte zhytur në heshtje, fillonte ngadalë të zgjohej. Ishte një zgjim i qetë, pa ngutje, si një njeri që hap sytë ngadalë dhe buzëqesh para se të ngrihet.

Qëndrova për disa çaste pranë dritares me filxhanat në duar, duke soditur këtë lindje të re të ditës. Atëherë e kuptova se mëngjesi nuk hyn vetëm përmes dritareve. Ai hyn edhe në shpirt. Hyn me dritën e tij, me ajrin e pastër, me aromën e tokës, me këngën e zogjve dhe me atë ndjenjë të ëmbël që të kujton se, pavarësisht sa e gjatë ka qenë nata, çdo agim sjell një mundësi të re për të filluar nga e para. Dhe ndoshta nuk ka bekim më të madh se ai çast kur hap dritaren dhe e lejon jetën të hyjë sërish brenda shtëpisë dhe brenda vetes.

Në atë çast, ndërsa aroma e kafesë ishte përhapur nëpër dhomë dhe drita e mëngjesit kishte filluar të ledhatonte muret e shtëpisë, burri im lëvizi lehtë në shtrat. Me ngadalë ngriti kokën nga jastëku dhe, ende i mbështjellë nga qetësia e gjumit, i hapi sytë drejt meje. Vështrimi i tij ishte i turbullt nga zgjimi, por në të lexohej menjëherë habia. Më pa për disa çaste, sikur po përpiqej të kuptonte nëse ajo që shihte ishte e vërtetë apo pjesë e ndonjë ëndrre që ende nuk e kishte lëshuar.

Pastaj buzët e tij lëvizën ngadalë dhe, me atë zërin e ngrohtë që e ka vetëm ai sapo zgjohet, më pyeti me një përzierje shqetësimi dhe përkëdheljeje:

— Çka…? Mos më thuaj se nuk ke fjetur…

Në ato pak fjalë kishte më shumë dashuri sesa mund të shprehnin dhjetëra fjali të gjata. Nuk ishte një pyetje e zakonshme. Ishte kujdesi i një njeriu që të njeh, që i dallon edhe lodhjen më të vogël në fytyrën tënde dhe që e kupton gjendjen tënde pa pasur nevojë për shumë shpjegime.

Unë nuk u përgjigja menjëherë.
Vetëm buzëqesha.

Ishte një buzëqeshje e qetë, e mbushur me mirënjohje, një buzëqeshje që vinte nga zemra dhe jo nga buzët. Ajo natë pa gjumë, me gjithë mendimet, hijet, kujtimet dhe agimin e saj të mrekullueshëm, papritur humbi çdo peshë. Sepse përballë meje ishte njeriu me të cilin kisha ndarë aq shumë mëngjese, aq shumë mbrëmje dhe aq shumë copëza jete.

U afrova ngadalë drejt tij. Nuk doja ta prisja atë qetësi që ende e rrethonte. Çdo hap ishte i butë, pothuajse i padëgjueshëm. U ula pranë shtratit dhe, duke iu afruar edhe më shumë, i pëshpërita pranë veshit me një zë të ulët, të mbushur me ndjenjë:

— O Zot… sa e lumtur jam që ti je pjesë e jetës sime.

Nuk ishin vetëm fjalë. Ishte përmbledhja e shumë viteve të jetuara bashkë, e shumë mëngjeseve të ndara, e shumë vështirësive të kapërcyera dorë për dore. Ishte falënderimi i heshtur për praninë e tij, për qetësinë që ma sillte vetëm fakti se ai ishte aty, pranë meje.

Pastaj e përqafova ngadalë.

Jo me ngut, jo si një gjest i zakonshëm, por si përqafon njeriu një copë të shpirtit të vet. Në atë përqafim nuk kishte nevojë për fjalë të tjera. Ishte ngrohtësia e dy njerëzve që e kanë ndërtuar jetën së bashku, që e njohin heshtjen e njëri-tjetrit po aq mirë sa zërin. Ndjeva rrahjet e qeta të zemrës së tij dhe, për herë të parë pas gjithë asaj nate të gjatë, një paqe e thellë më pushtoi shpirtin.

Atëherë kuptova se lumturia nuk vjen gjithmonë nga netët e qeta apo nga gjumi i plotë. Ndonjëherë ajo banon në një vështrim të mbushur me kujdes, në një pyetje të thjeshtë që fsheh dashuri, në një pëshpëritje të sinqertë dhe në një përqafim të ngrohtë që të kujton se, pavarësisht sa të gjata janë netët e jetës, nuk je kurrë vetëm. Dhe kur pranë vetes ke njeriun që ta bën edhe heshtjen më të bukur, atëherë edhe pagjumësia humbet fuqinë e saj, sepse zemra e di se e ka gjetur prehjen aty ku dashuria merr frymë.

6 Qershor, 2026
Prishtinë

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit