– NȄ PȄRVJETORIN E 55 TȄ TAKIMEVE TȄ GJEÇOVIT NȄ ZYM –
– Reportazh –
NGA VLASH PRENDI
Takimet e përvitëshme në kujtim të atdhetarit Atë Shtjefën Gjeçovi, sapo kanë hyrë në vitin e 55 – të. Atje në Zym të Hasit, në vendin ku u vra ky prelat i fesë dhe personalitet i kulturës shqiptare, këto ditë të shënuara përkujtohen me madhështi. Edhe këtë vit, festimet nisën me 30 tetor, për të vijuar edhe një ditë më pas, me 31, ku morën pjesë shumë personalitete të kulturës, letërsisë dhe përfaqësues të pushtetit, ku do të veçoja pjesmarrjen e presidentes së Republikës së Kosovës z. Luljeta Shiroka – Pula.
Të ftuar nga komisioni organizatorë, së bashku me poetin dhe studiuesin Llesh Ndoj, jemi nisur për në Zym të Hasit ku do të mbahet takimi i 55 – të, themeluar nga shkrimtari, studiuesi dhe intelektuali i shquar, autor i dhjetra veprave studimore dhe letrare, Frrok Kristaj.
Prof. Frrok Kristaj ka lindur në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit në vitin 1944. Shkollën fillore e filloi në Zym të Hasit dhe e kreu në Rakosh të Istogut, ndërsa shkollën Normale e kreu në Prizren. Më pas vijoi mësimet në degën e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë në Akademinë Pedagogjike në qytetin e Gjilanit, si edhe të Gjeografisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ka punuar në profesionin e mësimdhënësit në fshatrat Planejë, Gjonaj, Mazrrek, e Zym dhe më vonë u emrua pedagog në Akademinë Pedagogjike të Prizrenit, ndërsa nga viti 1978 ka qenë gazetar i të përditshmes “Rilindja” në Prishtinë. Për rreth pesë vite ka punuar arsimtar i Shkollës së mësimit plotësues në gjuhën shqipe në qytetin e Hamburgut të Gjermanisë. Më pas rikthehet përsëri për pak kohë në redaksinë e gazetës “Rilindja”, punë të cilën e vijoi edhe pas luftës në Kosovë.

Aty nga viti 2003 e shohim gazetar tek e përditshmja “Bota sot”, ndërsa vitet e fundit ishte redaktor i kulturës në të përditshmën “Iliria Post”. Gëzon statusin e bashkëpunëtorit të jashtëm të Institutit Albanologjik të Prishtinës, është themelues i SHKA “Katarina Josipi” në Zym të Hasit që nga viti 1970. Ka themeluar Klubin Letrar “Shtjefën Gjeçovi” po në Zym dhe manifestimin letrar – kulturor “Takimet e Gjeçovit” qe sot festojnë 55 vjetorin e themelimit. Emrin dhe firmën e tij mbajnë edhe manifestimet kulturore “Ditët përkujtimore të Nënë Terezës” qe mbahen në Prishtinë, si dhe manifestimi “Gjurmë të Gjeçovit” qe mbahen në vendlindjen e tij në Janjevë. Ȅshtë marrë vazhdimisht me krijimtari letrare dhe studimore, si dhe me kerkime folklorike.
Ȅshtë autor i mbi dyzet veprave studimore, letrare dhe monografike, ku mund të përmendim: “Kati – Ikona e teatrit shqiptar” – 2018, “Veshjet në Zym të Hasit” – 2017, një vepër studimore mbi trashëgiminë etnografike dhe kostumografinë e zonës së Hasit, ku kam pasur fatin të jap kontributin tim si bashkëpunëtor i tij, “Buka e Zymit”, monografi e cila dokumenton traditën e lashtë të pjekjes së bukës në Zym, “Anton Pashku – Gjeniu i modernes” – 2005, përmes të cilit shpalos kujtime, poezi dhe vlerësime për birin e denjë të Zymit në kuadrin e 10 – vjetorit të vdekjes së shkrimtarit, “Anton Pashku – Stilist i ligjërimit” – 2016, studim mbi prozën e Pashkut, “Studime për Atë Shtjefën Gjeçovin” etj. Duhet theksuar se krijimtaria e tij është botuar në gazeta dhe revista në gjuhën shqipe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Shqipëri, por shpesh herë edhe në SHBA, Zvicër dhe Gjermani.

Këtë burrë fisnik dhe atdhetar, hero i gjallë për çështjen kombëtare – shqiptare, e takuam në Zym të Hasit. Bisedat me të nuk kanë të mbaruar. Megjithse sot ka kufizim shikimi, prof. Frroku i njeh njerzit nga zëri. Të flet plot pasion për humanistin e njohur Pjetër Bogdanin, Gjeçovin, birin e denjë të Zymit, shkrimtarin e shquar Anton Pashkun, aktoren e shquar Leze Qena – Spaçin, për të cilët jo rrallë herë ka shkruar vepra dhe i ka pasqyruar edhe në shtyp. Kohët e fundit prof. Frroku ka nxjerrë nga shtypi veprën monografike “Zymi i Hasit”, me bashkëautorë figura të njohura të letërsisë dhe kulturës së zonës, si meshtari Ndue Kajtazi dhe studiuesi, tashmë i ndjerë, Nikollë Kërhanaj, të cilin na e dhuroi me bujari.
Së bashku me poetin dhe studiuesin Llesh Ndoj, jemi pikërisht në vendin ku 97 vite më parë u vra nga klika shoviniste serbe at Shtjefën Gjeçovi. Me këtë rast aty mbahet një manifestim përkujtimorë, ku marrin pjesë banorë të zonës, shkrimtarë, artistë, studiues. Mirseardhjen na e uron i pari patër Ndue Kajtazi, meshtar i Gjakovës, krijues dhe studiues i njohur, pastaj takojmë edhe Arbnora Kolgjerajn, kryetare e shoqatës së shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” në Zym, autore e shumë shkrimeve dhe personalitet i kulturës dhe letërsisë, firmën e së cilës mbajnë edhe dy vepra me vlera si, “Motive në veshjet popullore të grave të Hasit”, konceptuar në formatin e një albumi dhe “Fotografia ime bardhë e zi” – Prizren 2025.
Tubimin e hapën nxënësit e shkollës së Zymit, të cilët interpretuan himnin kombëtar, pastaj përshendeti të pranishmit patër Ndue Kajtazi, i cili foli për jetën dhe veprimtarinë e patriotit Shtjefën Gjeçovi, punën e tij të palodhur për çështjen kombëtare, letërsinë, kulturën dhe momentin e vrasjes së tij në pabesi nga shovinistët serbë. Plot solemnitet u zbulua guri – monument përkujtimorë kushtuar Atë Shtjefnit. Me këtë rast, poeti Llesh Ndoj interpretoi një poezi kushtuar at Shtjefën Gjeçovit, gjë të cilën e bëri edhe poeti Nikë Lekaj, që e njohëm përmes vëllimit me poezi “Gjurmave t’mallit”.
Në vatrën e kulturës në qendër të fshatit janë mbledhur mjaft njerëz. Na thonë se Ditët e Gjecovit është festë familjare e gjithë zonës së Zymit. Të ftuarit vijnë nga gjithë trevat shqiptare, madje festimet zgjasin dy ditë. Shumë prej tyre kanë ardhur të marrin pjesë edhe në këto aktivitete. Në qendrën e kulturës do të bëhej promovimi i pesë librave që përkonin me tematikën e manifestimeve. Ky aktivitet nisi me promovimin e monografisë “Zymi i Hasit” të autorëve Frrok Kristaj, patër Ndue Kajtazi dhe i ndjeri Nikollë Kerhanaj, për të cilin foli prof. Anton Nikë Berisha. Prof. Antoni u ndal në vlerat historike, tradicionale dhe etnokulturore të librit. Ai vuri në dukje punën plot pasion të autorëve për të shpalosur para lexuesit identitetin kulturor dhe tradicional të banorëve dhe familjeve zymjane.
Pastaj u prezantua libri “Gjurmëve të Gjeçovit në Kurbin” të studiuesit V. Prendi, për veprën e të cilit foli studiuesi Llesh Ndoj, i cili mes të tjerash theksoi: “At Shtjefni vjen në këtë libër si një poet i mirëfilltë, ku autori shpalos disa prej poezive të tij të bukura, të tilla si Thana, Qyqes, Dashtnia e atdheut, Beja e Shqyptarit etj. Ndoshta disa nga poezitë e tij janë poezitë më të veçanta në shqip, për faktin se ato gjenden të shkruara në formën e dialogjeve, të cilat nuk i gjejmë në veprat e autorëve të tjerë.
Është me shumë rëndësi cilësimi nga autori i këtij studimi, se motivi patriotik e atdhetar e përshkruan të gjithë veprimtarinë e At Shtjefën Gjeçovit, qoftë si klerik, si mësues, si krijues e si studiues. Interesante janë të dhënat e paraqitura në libër mbi pasionin e Tij për arkeologjinë, gjë që e rreshton atë ndër themeluesit e arkeologjisë shqiptare, ku autori sjell të dhëna e fakte të panjohura, por të gjithëpranuara”. Përmes fjalës së tij, Atë Shtjefni vlerësohet si patriot, studiues, arkeolog dhe si mbledhës i vlerave kulturore dhe shpirtërore nga goja e popullit.
Me interes u ndoq edhe promovimi i librit të autorit Sylë Hoxha me titull “Jeta ime midis rrezikut dhe shërbimit për Kosovë”, për të cilin foli prof. Enver Bytyqi, ndërsa për librin “Edukimi i zemrës” të autores Suzana Lekaj foli kryetarja e shoqatës së shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” të Zymit, Arbnora Kolgjeraj. U promovua edhe libri i Kristinë Oroshit “Vrasja e grave në diktaturë”. Me këtë rast u shfaq edhe premiera e filmit dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së atdhetarit Shtjefën Gjeçovi, konceptuar dhe realizuar nga regjisori i njohur Vranin Gecaj, në formën e një bisede të gjatë me prof. Frrok Kristaj, rreth jetës dhe veprës së at Gjeçovit. Ky realizim u prit me interes të vacantë nga pjesmarrësit pasi ishte hera e parë e realizimit të një dokumentari të tillë kushtuar një figure të përmasave të tilla patriotike.
Të pranishmit shijuan mikpritjen dhe bujarinë e banorëve zymjanë përmes drekës së shtruar në qendër të fshatit, me asortimente të larmishme dhe ushqime të shumëllojshme, gatuar nga shtëpitë e tyre, ku bisedat nuk kishin të mbaruar. Diku në mes të fshatit tërheq vemendjen e vizitorëve një monument historik, i rrallë në llojin e vet. Ȅshtë monumenti i Abetares së Zymit, një dokument i vjetër prej 80 faqesh, zbuluar rreth vitit 1900, shkruar me alfabetin e Stambollit në dialektin gegë. Kjo abetare përmban 33 shkronja,. Mendohet se edhe Gjecovi e ka përdorur këtë abetare.
Ndërsa bisedonim me prof. Anton Berishën dhe patër Ndue Kajtazin, ata na propozojnë që të mos largohemi nga Zymi pa vizituar një muze të veçantë, ndërtuar dhe pasuruar nga Zef Kajtazi. Jemi në fshatin Shengjergj të Zymit, pikërisht në muzeun në fjalë, së bashku me ne edhe Zef Kajtazi, njëri nga emigrantët që merret me prodhimin e produkteve të brumit në Kroaci. Zefi ka emigruar nga vendlindja e tij, Shëngjergji, para shumë vitesh, ndërsa një ambient të shtëpisë ekzistuese në fshatin e lindjes e ka kthyer në dhomë muze, ku ka ekspozuar qindra objekte të vjetra dhe tradicionale. Të bien në sy enë të lashta, vegla muzikore, makina shkrimi, pajisje të ndryshme, enë për ruajtjen e alkoolit, armë të vjetra etj. E pyes Zefin, sa mund të kenë kushtuar ato objekte të rralla? – Nuk kam mbajtur statistika, – thotë mendueshëm, – por di se kanë kushtuar shumë. Janë objekte të rralla që zor se mund të gjenden më. Muzeu është tepër i pasur, por edhe rakia qe na serviri i zoti i shtëpisë me shumë bujari, ishte mjaft e shijshme.
Nuk mund të largohemi nga Zymi i Hasit pa vizituar edhe varrin e atdhetarit të madh Shtjefën Gjeçovi. Prof. Labinot Berisha na tregon se ku ndodhej ky objekt me vlera. Ȅshtë një vendvarrim i veçantë, i ruajtur me kujdes, ngjitur me kishën e Shenpremtes, në fshatin Karashëngjergj, në ambientet e të cilit qendrojnë krah njëri – tjetrit me eshtrat e patër Luigj Palajt. Në ato varreza gjendet edhe banesa e fundit të shkrimtarit të shquar Anton Pashku.
Tashmë Zymi i Hasit ka krijuar një traditë, ka formësuar një identitet që lidhet pikërisht me këto figura të shquara që kanë lindur dhe kanë kontribuar në këtë fshat të njohur, siç është Atë Shtjefni, Luigj Pali, Anton Pashku, Katerina Josifi, Leze Qena etj, me emrin e të cilëve nderohen shkrimtarë, poetë, artiste dhe figura të shquara e me kontribute ardhetare. Këtë vit çmimi “Shtjefën Geçovi” iu akordua prof. Anton Nikë Berishës, për veprën e tij shumëdimensionale në shërbim të edukimit atdhetar të brezave, çmimi prestigjioz “Unaza e Katit” iu dha presidentes së Kosovës Luljeta Shiroka – Pula, prof. Besim Muhaderi u nderua me çmimin “Pjetër Bogdani”, një vlerësim i veçantë edhe për prof. Frrok Kristajn si një nga veteranët dhe organizuesit e këtij aktiviteti 55 vjeçar, që pa u lodhur punoi dhe organizoi këto takime të bukura, ndërsa shkrimtari dhe studiuesi i njohur prof. Prend Buzhala u shpall Anëtar Nderi i “Takimeve të Gjeçovit”.
Ishte një ditë e mbushur me aktivitete, takime, biseda dhe vizita, prej të cilave mësuam shumë. Së bashku me studiuesi dhe poetin Llesh Ndoj, gjithë emocion dhe biseda për ngjarjet e ditës, marrim rrugën e kthimit me bindjen se takime të tilla me vlera kombëtare, janë tëpër të vlefshme.


