
Brezit të atyre djemve dhe burrave trima, që me armë në duar luftuan kundër pushtimit të Kosovës nga Serbia, i takon edhe Isak Shabani nga Orllani i Gallapit, ekspert i mjekësisë.
Serbia, në përpjekje për t’i nënshtruar përfundimisht shqiptarët e Kosovës, më 23 mars 1989, me tanke dhe kërbaç, suprimon Autonominë e Kosovës. Më pas, duke sjellë nga të gjitha anët e ish-Jugosllavisë serbë recidivistë të veprave kriminale, nisi të burgosë, të rrahë dhe të vrasë shqiptarët e pambrojtur e duarthatë, vetëm pse protestonin në mbrojtje të Kushtetutshmërisë së Kosovës.
Më 27 mars 1989, në demonstratën gjithëpopullore të organizuar në Podujevë, u vra Mehmet Maliq Ejupi, ende pa i mbushur 23 pranverat e jetës. Dhimbja u bë edhe më e rëndë kur një polic serb sadist, i tërbuar, vuri re se Mehmeti kishte rënë përtokë puthi tytën e automatikut. (Dëshmitar okular i kësaj vrasjeje makabre ishte Xhelil Arbanashka nga Polonica e Podujevës).
Në demonstratën tjetër, më 30 maj 1989, po ashtu në Podujevë, u vra Ali Adem Ajeti, kryeorganizator i protestës dhe i burgosur politik i demonstratave studentore të vitit 1981.
Por, përkundër këtyre vrasjeve, pushtuesit serbë nuk ndalën. Dhuna dhe terrori u shtuan edhe më shumë në të gjitha trevat e Kosovës.
Më 1 nëntor 1989, në Prishtinë, u vra Bedri Ilaz Sokoli. Një ditë më vonë, në Bregun e Diellit, ranë në një rezistencë të pashoqe Afrim Osman Zhitia dhe Fahri Rrahman Fazliu.
As viti 1990 nuk solli qetësi. Më 1 shkurt u vranë Ylfete Humolli dhe Fadi Talla. Më 13 shtator, në Pollatë të Podujevës, policia dhe ushtria e Serbisë kryen një tjetër krim të rëndë duke vrarë të rinjtë Skënder Hamit Monolli dhe Besim Hashim Latifi. Viktimë e këtij terrori të paparë ishte edhe Ragip Muharrem Hoti, më 18 maj 1991. Ai, duke luftuar fyta-fytas me katër policë serbë, plagosi rëndë dy prej tyre, duke rënë dëshmor.
Në këto rrethana, disa djem dhe burra trima të Llapit dhe Gallapit, duke parë se çmenduria e policisë dhe ushtrisë serbe nuk kishte të ndalur, nisën formimin e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një nga themeluesit e këtyre celulave ishte edhe Isak Riza Shabani.
Heroi i kombit Zahir Pajaziti, duke e vlerësuar lartë figurën e Isak Shabanit – asokohe ende student i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Kosovës, bisedoi sy më sy me të dhe i tha:
“U bë ç’u bë! Ekspeditës së policisë serbe me atë ‘Nivën’ e kuqe, që po terrorizon Llapin dhe Gallapin, duhet t’i zëmë pritë!”
Më 4 shtator 1994, pas një vëzhgimi të kujdesshëm të terrenit, Zahiri dhe Isaku vendosën që kësaj patrulle policore t’i zinin pritë pikërisht te diga e Liqenit të Batllavës.
Në shënjestër kishin një polic famëkeq të njohur me nofkën Cipiripi, një kriminel i paskrupullt që simbolizonte të keqen. Ai jo vetëm që torturonte shqiptarët me mjete të forta dhe shkopinj elektrikë, por edhe i ofendonte rëndë në baza kombëtare.
Shqiptarët e ndaluar i prangoste duarsh e këmbësh dhe i fuste në bagazhin e xhipit “Niva”. Pastaj, të përgjakur e të gjymtuar, i hidhte nëpër llagëmet anës së rrugës.
Shumë shqiptarë të Llapit kishin kaluar muaj e vite mes torturave dhe poshtërimeve nga ky sadist, që i trajtonte si kafshë të ngujuara në thark. Durimi i Zahirit dhe Isakut kishte arritur në kufi.
Ky kriminel, përveç keqtrajtimit dhe vrasjeve, së bashku me Tomisllav Petroviq–Toma, Bosanacin e Madh dhe Nebojsha Cvejiq, plaçkitnin edhe pasurinë e shqiptarëve. Dëmet materiale që ata u kishin shkaktuar banorëve ishin të pallogaritshme.
Edhe pse terreni ishte i përthyer dhe i rrethuar nga liqeni me dallgë, këta dy djem të guximshëm katër–pesë herë kishin shtënë mbi patrullën e këtyre policëve sadistë.
Pas këtij tentim–atentati ndaj Cipiripit dhe kolegëve të tij, bastisjet në këtë zonë u shtuan dhe shumë shqiptarë u morën në të ashtuquajturat “biseda informative”.
Por, Zahiri dhe Isaku kishin vendosur që pushtuesve të mos ua ndalin gjuajtjet nga kallashët deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës. Ata, qëkur kishin rrokë armët, ishin pajtuar me burgjet dhe me vdekjen.
Më 31 janar 1997, në një pritë të organizuar në fshatin Pestovë të Vushtrrisë, ranë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Ata ishin nisur për të goditur një kriminel të njohur – Vuçina Janiçeviq, kryeshef i stacionit të policisë në Vushtrri, i cili jo vetëm që hartonte programin e ndjekjes dhe keqtrajtimit të familjeve shqiptare, por merrte pjesë vetë në këto aksione.
Ky monstrum, më 22 maj 1999, kishte urdhëruar edhe masakrimin e 67 civilëve shqiptarë në Vushtrri. Thashethemet e shtypit mafioz të Beogradit dhe të paçavures “Jedinstvo” se Zahiri, Hakifi dhe Edmondi ishin nisur për të sulmuar një kamp kolonësh serbë janë të trilluara.
Ata kurrë nuk e kishin shënjestruar popullatën civile të pafajshme, por vetëm grupet kriminale me duart e përlyera në gjak.
Pas rënies së Zahirit, Isak Shabani, njëri nga miqtë e tij më besnikë, së bashku me disa shokë, vazhdoi përpjekjet për atentate ndaj pushtuesve serbë. Mirëpo, më 8 shkurt 1997, ai u arrestua papritmas nga policia sekrete e Serbisë.
Nga aktgjykimi i bërë publik shihet se gjatë gjithë qëndrimit në burg, ai qëndroi i pathyeshëm dhe nuk zbuloi asnjë nga shokët e tij.
Isak Shabani meriton të respektohet nga të gjithë, qoftë si veprimtar, qoftë si ekspert i shëndetësisë.
Dikur, nëpërmjet tytës së armës, ai luftoi pushtuesin. Sot, me tërë qenien, është vënë në shërbim të pacientëve të Republikës së Kosovës, pa shikuar përkatësi etnike, religjion dhe ngjyrë të tyre.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 1 tetor 2025