GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-së (36)

0
Lumnije Sherif Raka

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

LUMNIJE SHERIF RAKA
 (11.6.1976 – 9.4.1999)

Të synosh të rrëfesh jetën, veprën dhe sakrificën e Lumnije Sherif Rakës pa përmendur emrin dhe figurën e Jehona Rakës do të ishte një padrejtësi e pafalshme, një lëshim që cenon vetë të vërtetën e asaj miqësie të jashtëzakonshme dhe të atij bashkëudhëtimi të pandashëm në jetë e në ideal. Lumnija dhe Jehona nuk mund të kuptohen si figura të veçuara, por si dy gjysma të së njëjtës ndërgjegje, si dy zëra të një kori të fuqishëm që këndonte për liri, dinjitet dhe dashuri për atdheun.

Lumnija e Jehona ishin një binom i rrallë, shembullor, i miqësisë së pastër dhe i bashkimit të idealit të njëjtë. Jo vetëm kushërira nga gjaku, por edhe motra të lidhura nga zgjedhja, nga rritja e përbashkët dhe nga ndarja e çdo hapi të jetës. Kaçaniku, qyteti i tyre i lindjes dhe i rritës, nuk ishte vetëm një vend gjeografik, por një truall ku u kultivua miqësia e tyre, ku u kalit karakteri dhe ku u formua vizioni i përbashkët për një të ardhme më të drejtë.

Vitet e tyre të hershme, kaluara dorë për dore, shënojnë një udhëtim të pandarë përmes lojërave të fëmijërisë, rrëfimeve të ëndrrave të rinisë dhe më pas, rrugës së vështirë të ndërgjegjësimit për gjendjen e kombit. Bashkë ndanë bankat e shkollës, kujtimet e oborrit familjar dhe rrugicat e Kaçanikut që ruajnë gjurmët e hapave të tyre të shkujdesur, por edhe të vendosur. Por, mbi të gjitha miqësia e tyre nuk u mbyll në kufijtë e jetës private. Ajo u shndërrua në një aleancë të shenjtë për liri, në një bashkim zemrash dhe mendjesh që nuk hezituan të përqafojnë idealin e rezistencës dhe të flijimit. Për këtë arsye, të ndash njërën nga tjetra në kujtim apo në rrëfim do të ishte një cenim i thellë i së vërtetës historike dhe morale. Sepse Lumnija dhe Jehona janë figurat e njëjta të një narrative të madhe përkushtimi dhe trimërie, të një dëshmie të gjallë se miqësia mund të bëhet armë, mburojë dhe flamur i përbashkët në betejat më të vështira.

Për këtë arsye, kushdo që merr penën për të shkruar mbi njërën, është i thirrur të shkruajë për të dyja. Sepse ato janë faqet e pandara të të njëjtit libër, dëshmi të gjalla të një kohe kur vajzat e Kaçanikut nuk pranuan të ishin vetëm shikues të historisë, por vendosën të bëhen autore të saj me gjakun, guximin dhe idealet e tyre të pastra. Vetë Kaçaniku, me të gjitha relievet e tij të ashpra dhe të hijshme njëkohësisht, dhe Gryka e tij legjendare, kanë shërbyer jo vetëm si vendlindje, por si mësuese për të formuar karaktere të forta e të pathyeshme. Ishin këto troje që i rritën Lumnijen dhe Jehonën, duke u dhënë atyre jo vetëm frymëzimin e bukurisë së natyrës, por edhe një vetëdije të thellë dhe të palëkundur atdhetare.

Në ato shtigje të ngushta dhe në ato lugina që kanë parë shekuj lufte dhe rezistence, u nguliti atyre Gryka e Kaçanikut idenë se atdheu nuk është thjesht një copë toke, por një amanet i shenjtë që duhet mbrojtur me çdo kusht. Ky peizazh i fortë dhe i pamëshirshëm në pamje të parë formoi brenda tyre një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe krenarie. Ai i edukoi me bindjen se dashuria për vendin është një detyrim i shenjtë dhe se nuk mjafton ta ndiesh, por duhet edhe ta mbrosh. Lumnija dhe Jehona nuk ishin thjesht pasardhëse të kësaj tradite – ato u shndërruan në mishërimin e saj më të pastër. Ishin ndër të parat vajza që lanë pas kufijtë e roleve të zakonshme shoqërore dhe morën vendimin e madh, të kapnin armën dhe të ngjiteshin nëpër malet që i kishin parë të gjelbëruara dhe të gjakosura ndër breza.

Ishte një akt i guximshëm që nuk mund të shpjegohet vetëm me zemërim apo revoltë, por me një dashuri të madhe dhe të thellë për atë tokë që i kishte rritur, i kishte ushqyer dhe i kishte mëkuar me histori krenarie. Ato nuk dolën në male për lavdi personale, por për ta mbrojtur këtë tokë me gjakun dhe jetën e tyre – siç kishin bërë dikur brezat e mëparshëm që kishin luftuar në atë Grykë, që ishte bërë sinonim i qëndresës. Për këtë arsye, historia e Lumnijes dhe Jehonës nuk është vetëm një tregim për dy vajza të guximshme, por një kapitull i ndritur i një trashëgimie të gjatë, që dëshmon se dashuria për atdheun është një forcë që nuk e ndal dot as frika, as pushtimi, as vdekja.

Trimja shqiptare Lumnije Raka lindi më 11 qershor 1976, nga babai Sherif dhe nëna Ajshe, në qytetin e lashtë dhe të njohur për tradita atdhetare të Kaçanikut – një vend që gjithmonë ka qenë kështjellë e rezistencës dhe burim i karaktereve të forta. Ajo u rrit në këtë truall, ku fryma e dashurisë për atdheun dhe ndjenja e përgjegjësisë për të mbrojtur nderin dhe tokën ishin pjesë e pandashme e edukatës së përditshme.

Lumnija u lind në një familje të madhe, me shtatë motra – Barijen, Shyhretin, Safeten, Fevzihen, Salijen, Fetijen dhe Shkurten – si dhe dy vëllezër: Sulejmanin dhe Kadrushin. Shkollimin fillor e kreu në fshatin Bob të Kaçanikut, ku themeloi bazat e dijes dhe ku u dallua që herët për seriozitet dhe përkushtim. Nuk ishte thjesht një nxënëse e zakonshme, por një shembull për shokët dhe shoqet, duke dëshmuar me sjelljen dhe rezultatet e saj se disiplina dhe dashuria për mësimin ishin vlera të rrënjosura thellë në karakterin e saj.

Me dëshirë për të ecur më tej dhe për të shërbyer më vonë në një profesion të ndihmës dhe kujdesit për të tjerët, Lumnija vendosi të vazhdojë shkollimin e mesëm në kryeqytet, në Prishtinë, duke u regjistruar në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” – një ndër institucionet më të njohura për përgatitjen e kuadrove shëndetësore. Këtu ajo jo vetëm që përvetësoi dijet profesionale, por e shfaqi plotësisht personalitetin e saj të formuar, duke qenë ndër nxënëset më të dalluara për nga notat, korrektësia dhe përkushtimi ndaj detyrave.

Por jeta e saj nuk kufizohej vetëm brenda mureve të klasës. Ajo ishte një aktiviste e palodhur në jetën kulturore dhe artistike të shkollës, duke marrë pjesë në aktivitete që formonin shpirtin, zgjonin ndjenjat patriotike dhe bashkonin të rinjtë në ide dhe ideale të përbashkëta. Kjo pjesëmarrje nuk ishte vetëm argëtim, por një shprehje e një botëkuptimi të thellë që besonte te forca e kulturës për të formuar karaktere të ndershme dhe të përgatitura për të përballuar sfidat e jetës.

Në këtë mënyrë, vitet e fëmijërisë dhe të adoleshencës së Lumnije Rakës përbëjnë një faqe të ndritshme të biografisë së saj, ku ndërthuren dashuria për dijen, ndjenja e përgjegjësisë për të tjerët dhe angazhimi i sinqertë në jetën shoqërore. Kjo periudhë e jetës së saj nuk ishte thjesht përgatitje për profesionin, por një shkollë e vërtetë formimi moral dhe atdhetar, e cila do ta bëjë më vonë të marrë vendimin madhor për të lënë gjithçka dhe për t’i shërbyer kauzës së lirisë me armë në dorë.

Pas përfundimit të shkollës së mesme të mjekësisë, Lumnije Raka u gjend përballë një realiteti të hidhur dhe të padrejtë, pavarësisht dëshirës së madhe për të ushtruar profesionin human të infermieres dhe për t’u kujdesur për të sëmurët, dyert e institucioneve shëndetësore ishin mbyllur për të rinjtë shqiptarë. Sistemi shëndetësor, si shumë sektorë të tjerë të jetës publike, ishte vënë nën kontrollin e egër të pushtuesit serb, që e përdorte çdo mjet për të shtrënguar dhe nënshtruar popullatën shqiptare, duke e lënë pa perspektivë dhe pa shpresë.

Në këtë klimë shtypjeje dhe mohimi të të drejtave më elementare, Lumnija nuk zgjodhi të dorëzohet as të largohet nga rruga e dijes. E vetëdijshme se shkollimi ishte një mjet rezistence po aq i vlefshëm sa edhe arma, ajo vendosi të vazhdojë studimet universitare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, duke zgjedhur degën e Pedagogjisë. Ky orientim i ri nuk ishte thjesht një alternativë pragmatike, por një akt i qëllimshëm që dëshmonte vlerësimin e saj për rolin e edukimit si mjet për të përgatitur breza të vetëdijshëm dhe të lirë.

Asokohe, mjediset studentore të Prishtinës ishin shndërruar në një vatër të nxehtë të mendimit kritik dhe të organizimit politik. Nuk ishin thjesht auditorë ku mësohej pedagogjia formale, por hapësira ku rininë shqiptare e përvëlonte një ethe e veçantë, etja për liri dhe nevoja për organizim kundër pushtuesit. Bisedat mes studentëve nuk kufizoheshin në teoritë pedagogjike, por shkonin më thellë, duke trajtuar mënyrat e mobilizimit dhe format e veprimtarisë ilegale.

Kështu, vendimi i saj për të vazhduar studimet në Pedagogji nuk ishte një kompromis i heshtur me realitetin, por një formë rezistence, një përpjekje për të forcuar themelet intelektuale dhe morale të një populli që kishte vendosur të mos nënshtrohej kurrë. Në atë periudhë të zjarrtë të mobilizimit të përgjithshëm kombëtar, shumë studentë të Universitetit të Prishtinës nuk u mjaftuan me rolin e tyre akademik, por u radhitën me përkushtim në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata u angazhuan në një spektër të gjerë detyrash, shpeshherë larg vijës së drejtpërdrejtë të frontit, por po aq të rëndësishme dhe të rrezikshme, nga sigurimi i furnizimeve dhe organizimi i logjistikës, te mbledhja dhe shpërndarja e informacionit, rekrutimi i vullnetarëve, përhapja e propagandës çlirimtare dhe koordinimi i protestave e demonstratave në mbështetje të luftës.

Në këtë rrjet të gjerë aktivitetesh ilegale dhe të domosdoshme për kauzën e lirisë, bënte pjesë edhe Lumnije Raka. Nuk ishte e rastësishme prania e saj atje, ajo kishte trashëguar nga familja një moral të lartë atdhetar, të ndërtuar mbi virtyte të forta dhe një ndërgjegje të kristaltë kombëtare. Tradita familjare e kishte brumosur me bindjen se liria nuk dhurohet, por fitohet me mund, sakrificë dhe përkushtim të palëkundur.

Kjo traditë e rezistencës dhe e dashurisë për atdheun nuk ishte abstrakte në familjen Raka, por e mishëruar në histori të gjalla dhe tragjike. Pas vitit 1981, një valë e re dhune dhe represioni ushtrohej mbi shqiptarët, dhe familja e saj e kishte provuar mbi kurriz ashpërsinë e pushtuesit. Xhaxhai i saj, Ismajl Raka, ishte një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe ish i burgosur politik. Ai kishte punuar me vendosmëri për të organizuar dhe ndërgjegjësuar popullatën e Kaçanikut për luftë të armatosur, duke kontribuar edhe në sigurimin dhe shpërndarjen e armatimit.

Por kjo veprimtari e palodhur nuk kishte mbetur pa u ndjekur nga syri vigjilent i pushtuesit dhe i rrjetit të bashkëpunëtorëve të tij vendas. Denoncimet e zellshme, nga disa shqipfolës, i lehtësuan punën policisë dhe sigurimit serb, të cilët e arrestuan dhe e torturuan në mënyrë barbare. Pasi e maltretuan pa mëshirë, Ismajl Raka gjeti vdekjen tragjike në stacionin famëkeq të policisë në Ferizaj – një shembull i gjallë i mizorisë së pushtetit serb dhe i çmimit të rëndë të paguar nga ata që guxuan të ëndërronin dhe të punonin për liri.

Në këtë mjedis të mbushur me dhimbje, por edhe me krenari e sfidë, u formua karakteri i Lumnijes. Pavarësisht pengesave dhe okupimit të institucioneve shëndetësore nga pushtuesi, ajo nuk u zmbraps nga ideali për t’i shërbyer popullit të saj. E kuptonte se mjekësia nuk ishte thjesht profesion, por një mision human dhe patriotik. Ajo vazhdoi të japë kontributin e saj në shëndetësi, duke ndihmuar të sëmurët dhe të plagosurit që ishin viktima të drejtpërdrejta të dhunës dhe shtypjes së okupatorit.

Përveç kësaj, Lumnija ruante lidhje të ngushta dhe të vazhdueshme me njësitet e UÇK-së, duke i mbështetur në mënyra të ndryshme. Siguronte dhe shpërndante medikamente, organizonte strehimin e luftëtarëve dhe kujdesej për mjekimin e të plagosurve. Kjo veprimtari e saj nuk ishte vetëm shërbim humanitar, por një akt i vetëdijshëm dhe i guximshëm i rezistencës – një formë e heshtur, por shumë e fuqishme e luftës për çlirim dhe dinjitet kombëtar. Edhe pse e re në moshë, Lumnije Raka e kishte të kristaltë ndërgjegjen e saj kombëtare dhe nuk qëndroi kurrë indiferente përballë padrejtësive dhe dhunës së pushtuesit.

Ajo mori pjesë me vendosmëri dhe entuziazëm në demonstratat studentore dhe në të gjitha tubimet e organizuara kundër regjimit serb, duke filluar që nga viti 1991 e deri në ditën kur ra në altarin e lirisë. Këto protesta nuk ishin thjesht shprehje e revoltës rinore, por ishin aktet e para të një përkushtimi të thellë dhe të sinqertë ndaj kauzës kombëtare, ku ajo e shihte veten jo si vëzhguese, por si pjesëmarrëse të angazhuar dhe përgjegjëse.

Vitet kalonin dhe lufta merrte forma gjithnjë e më të drejtpërdrejta. Njësiti i Kaçanikut ishte përfshirë në beteja të forta në pikat strategjike të UÇK-së në Jezerc dhe veçanërisht pas betejës së lavdishme, por të rëndë, të 10 gushtit 1998 në Gabrricë, kundër forcave pushtuese serbe, vetëdija e Lumnijes mori një kthesë të pakthyeshme. Studimet, të cilat deri atëherë kishin qenë një pjesë thelbësore e jetës dhe ëndrrave të saj, filluan të zbehen në rëndësinë e tyre përballë thirrjes së madhe të atdheut. Asokohe, dëshira për të përfunduar shkollimin u fashit para një ideali më të madh dhe më të shenjtë – të kontaktonte sa më parë me çlirimtarët dhe të bëhej pjesë e radhëve të tyre.

Për Lumnijen nuk kishte më dilemë, detyra e saj më e lartë ishte të rreshtohej krah atyre që po sakrifikonin gjithçka për lirinë e vendit. Ky vendim i madh dhe i pjekur mori formë të qartë më 20 tetor 1998, kur ajo, bashkë me kushërirën dhe shoqen e saj të pandashme, Jehona Rakën, u paraqitën vullnetarisht në Komandën e Brigadës për të kryer stërvitjet e nevojshme ushtarake dhe luftarake. Nuk ishte një veprim i nxituar apo i paarsyeshëm, por një shprehje e bindjes së thellë dhe e vendosmërisë për të marrë mbi vete barrën e rrezikut dhe përgjegjësisë së madhe.

Në prani të eprorëve të njohur të luftës, Qamil Ilazi dhe Hajrush Kurtaj, Lumnija shprehu me fjalë të qarta dhe të sigurta gatishmërinë e saj për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo nuk e fshehu as përvojën dhe angazhimin e deriatëhershëm, i informoi eprorët për aktivitetet e saj të mëparshme kundër pushtuesit dhe për faktin se edhe shumë vajza të tjera nga Kaçaniku kishin shfaqur të njëjtën vendosmëri dhe gatishmëri për të hyrë në radhët e UÇK-së. Ky akt nuk ishte vetëm një vendim personal, por një thirrje morale dhe simbolike që dëshmonte rolin e pazëvendësueshëm të grave shqiptare në luftën për liri – të përgatitura jo vetëm për të ndarë dhimbjen dhe varfërinë e popullit të tyre, por edhe për të marrë armën dhe për të dalë në ballë të përpjekjes kombëtare për çlirim dhe dinjitet.

Gjatë muajve tetor dhe nëntor të vitit 1998, Lumnije Raka i nënshtrohet një faze intensive dhe individuale të stërvitjeve ushtarake, duke dëshmuar një përkushtim të jashtëzakonshëm për të përvetësuar aftësitë që i duheshin në betejën për liri. Ky trajnim nuk ishte një ushtrim formal, por një proces i përqendruar që synonte formimin e saj të plotë si luftëtare e përgatitur, e cila do të mund të përballonte sfidat e vërteta të terrenit dhe të situatës së ashpër të luftës.

Përgatitja e saj për detyrat e vëzhgimit dhe të mbikëqyrjes u zhvillua nën kujdesin e komandantit të skuadrës së policisë ushtarake, Fadil Qaka – një oficer i përkushtuar që i përcolli asaj jo vetëm njohuri teknike, por edhe frymë disipline, vigjilence dhe përgjegjësie. Në këto seanca stërvitore nuk ishte vetëm, si gjithmonë përkrah saj stërviteshin edhe Jehona Raka dhe një grup i zgjedhur vajzash të tjera nga Kaçaniku, duke formuar një bërthamë të fortë dhe të përkushtuar të grave që vendosën të sfidonin rolet tradicionale dhe të merrnin pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezistencën e armatosur.

Pas përfundimit me sukses të kësaj faze të stërvitjes, Lumnija u sistemua bashkë me shoqet e saj në njësitin vëzhgues të policisë ushtarake – një njësi e specializuar që vepronte në brendësi të qytetit të Kaçanikut. Këtu, ajo mori përsipër detyra të rëndësishme dhe delikate, duke siguruar informacion, duke monitoruar lëvizjet e armikut dhe duke kontribuar në ruajtjen e rendit dhe moralit brenda komunitetit të rezistencës. Karakteri i saj i vendosur dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë e shtynin vazhdimisht të kërkonte më shumë, ajo iu drejtua disa herë komandës së brigadës me kërkesën që të merrte pjesë aktive në aksione kundër forcave pushtuese serbe dhe kundër bashkëpunëtorëve shqiptarë që ishin vënë në shërbim të armikut, duke tradhtuar popullin e vet.

Kjo dëshirë nuk ishte nxitur nga urrejtja personale, por nga një ideal i pastër i drejtësisë dhe nevoja për të mbrojtur dinjitetin dhe lirinë e bashkëqytetarëve të saj. Përgjatë gjithë kësaj kohe, deri në fund të muajit shkurt 1999, Lumnija e përmbushi me përpikëri dhe përkushtim të plotë detyrat e saj në njësinë vëzhguese dhe në skuadrën e policisë ushtarake. Mirëpo, me fillimin e marsit të atij viti, ndërsa lufta përshkallëzohej dhe plagët e saj bëheshin gjithnjë e më të dukshme, ajo u vendos në një pozicion tjetër të rëndësishëm, në pikën e luftës në lagjen Rakoc të Kaçanikut, ku shërbeu si infermiere e luftës.

Ky rol i ri nuk ishte më pak i rëndësishëm se ai i armëmbajtëses, ai kërkonte guxim moral, aftësi profesionale dhe një dhembshuri të jashtëzakonshme.

Nga njësia vëzhguese dhe skuadra e policisë ushtarake, Lumnija u sistemua në ekipet mjekësore të Batalionit të Dytë, të udhëhequr nga Azem Guri. Në këtë kuadër, ajo mishëroi me plot kuptim rolin e luftëtares dhe të shërbyeses së popullit të vet, një figurë që nuk njihte kompromise as në fushën e betejës, as në shërbimin humanitar, duke dëshmuar se liria nuk fitohet vetëm me armë, por edhe me përkujdesje, solidaritet dhe dashuri për njerëzit. Lumnije Raka gjatë tërë atyre muajve sa ishte luftëtare e UÇK-së, u shqua si një figurë e kompletuar e rezistencës çlirimtare, duke dëshmuar aftësi të rralla dhe një përgatitje të gjithanshme që përfshinte si mjeshtërinë luftarake, ashtu edhe dijet mjekësore. Në përdorimin e armës ajo tregoi shkathtësi të admirueshme, duke zotëruar teknikën e qitjes në distanca të ndryshme me një siguri që i bënte përshtypje eprorëve dhe bashkëluftëtarëve. Në të njëjtën kohë, njohuritë e saj në mjekësi e bënin të vlefshme në çdo situatë, duke i mundësuar të shndërrohej në një figurë të pazëvendësueshme të luftës çlirimtare.

Shërbimi i saj ishte i larmishëm dhe i pandalur. Fillimisht, ajo u angazhua si vëzhguese dhe police ushtarake – një detyrë e ndjeshme dhe e rrezikshme që kërkonte vigjilencë të jashtëzakonshme dhe vendime të shpejta. Nuk ishte një rol i thjeshtë periferik, por një angazhim i drejtpërdrejtë, i cili bëhej me porosi dhe nën drejtimin e drejtpërdrejtë të komandës së brigadës. Aty Lumnija tregoi integritet, besnikëri dhe aftësi organizative, duke fituar respektin dhe besimin e të gjithë atyre që e njohën nga afër. Por kontributi i saj nuk u ndal me kaq. Me riorganizimin e brigadës dhe përshkallëzimin e luftimeve, ajo mori mbi vete rolin e luftëtares në vijën e parë dhe atë të infermieres së betejës, ku shkëlqeu për përkushtimin, profesionalizmin dhe humanizmin e saj. Ajo nuk u kursye asnjëherë, duke u gjendur aty ku plagët e luftës ishin më të thella, duke qetësuar dhimbjen dhe duke shpëtuar jetë.

Në njësinë mjekësore, si infermiere, ajo ndërtoi lidhje të forta me shoqet e saj të armëve dhe të idealit, si Melihate Shehu dhe Valdete Shurdhani. Ato ndanin jo vetëm përgjegjësinë e rëndë të shërbimit në kushte lufte, por edhe dhimbjen, shpresën dhe vendosmërinë për të mos u dorëzuar përpara asnjë vështirësie. Me rastin e riorganizimit të njësive dhe rivendosjes në pozicione të reja, Lumnija qëndroi pranë bashkëluftëtarëve të saj më të afërt: Jehona Reka, Emsale Frangu, Fadil Çaka, Ilir Zharku, Nehat Çaka, Muhamet Zeneli, Faruk Dogani, Kadri Trena dhe Avdylrrahman Shehu. Ata mbetën të bashkuar deri në çastet e fundit, duke përbërë një bërthamë të pathyeshme të rezistencës që frymëzonte të gjithë luftëtaret që ndodheshin aty.

Aftësitë fizike të Lumnijes ishin po ashtu mbresëlënëse. Ajo ishte shtatlartë, e shëndetshme dhe e fuqishme, ajo përballonte me lehtësi ngarkesat e mëdha fizike të luftës. Ky qëndrim i saj i vendosur dhe i pathyeshëm në terren nuk ishte rastësi, por shprehje e një talenti të lindur për përdorimin e armës, të cilin e zotëroi me shpejtësi dhe mjeshtëri. Dhe rezistenca e luftëtarëve nuk zhvillohej vetëm në malet përreth, por edhe brenda vetë qytetit të Kaçanikut, ku njësiti tashmë i dëshmuar i Policisë Ushtarake kryente veprimtari të guximshme dhe të domosdoshme. Në këtë formacion vepronte edhe Lumnije Raka, e cila mori pjesë në shumë aksione të suksesshme, duke kontribuar në mbajtjen gjallë të frymës së qëndresës dhe në mbrojtjen e popullit të saj nga dhuna e egër e pushtuesit. Ajo ishte shembulli i gjallë i trimërisë, përkushtimit dhe dashurisë së palëkundur për atdheun.

Me një ndërgjegje të qartë për rrezikun që i kanosej popullatës civile të Kaçanikut, e cila ishte përqendruar kryesisht në lagjet e brendshme të qytetit, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u angazhuan në një strategji vendimtare të mbrojtjes aktive. Për të parandaluar depërtimin e forcave pushtuese serbe, ata ndërmorën një sulm të mirëorganizuar dhe të befasishëm në hyrje të qytetit, duke goditur me vendosmëri kolonën e motorizuar të armikut. Ky aksion i guximshëm rezultoi me neutralizimin e një autoblinde dhe shkatërrimin e një kamioni që transportonte ushtarë dhe municione, duke e ndalur avancimin e forcave serbe në zonën e njohur si Lagjja e Re.

Falë kësaj ndërhyrjeje, forcat pushtuese nuk mundën të depërtonin më thellë në zemër të qytetit, aty ku rrezikohej drejtpërdrejt jeta dhe siguria e civilëve të pambrojtur. Përballë kësaj disfate të papritur, armiku reagoi me egërsi dhe hakmarrje të shfrenua, filluan granatime të pandërprera dhe sulme me mitralime të kalibrave të ndryshëm, të drejtuara jo vetëm kundër pozicioneve të UÇK-së, por edhe mbi vetë vendbanimet civile. Ishte një demonstrim i pastër i doktrinës së tyre famëkeqe të “tokës së djegur” dhe i strategjisë së gjenocidit mbi popullsinë shqiptare, të cilën e dëshmuan edhe më qartë gjatë aksioneve të përgjakshme të 8 prillit 1999.

Në këtë klimë të tensionuar dhe të mbushur me frikë, formacionet ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk e humbën orientimin strategjik dhe moral, mbrojtja e popullatës civile mbetej obligimi parësor dhe i panegociueshëm. Për më tepër, ata vepronin në përputhje të plotë me urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, duke forcuar pozicionet mbrojtëse dhe duke konsoliduar praninë e tyre në qytet. Në këtë kontekst, u shtuan përqendrimet e forcave të UÇK-së brenda Kaçanikut, përfshirë këtu Batalionin e Dytë dhe formacionet e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Por armiku, i zemëruar dhe i turpëruar nga humbjet që kishte pësuar një ditë më parë, më 9 prill 1999, mori masa ekstreme për të përmbysur rezistencën. Rrethimi i qytetit u bë i plotë, duke përdorur të gjithë potencialin ushtarak, policor dhe paramilitar.

Sulmi serb u përqendrua me forcë të veçantë në lagjet Dushkajë, Rakoc, te Përroni i Rakocit dhe Lagjen e Re. Dushkaja nuk ishte thjesht një shënjestër, ajo u dogj për të dhënë shembullin e frikës dhe terrorit dhe njëherësh u kthye në një pozicion strategjik prej nga armiku sulmonte pjesët e tjera të qytetit. Luftimet që shpërthyen ishin të ashpra, të pamëshirshme dhe të pabarabarta. Pavarësisht mungesës së armëve të rënda dhe epërsisë numerike të armikut, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ia doli të shkaktonte humbje në njerëz dhe të dëmtonte teknikën ushtarake të forcave serbe. Por hakmarrja e verbër e pushtuesit u derdh mbi civilët e pafajshëm. Kjo ditë tragjike, e mbushur me heroizëm dhe sakrifica, u pagua shtrenjtë, shumë ushtarë të UÇK-së dhe pjesëtarë të popullsisë civile ranë dëshmorë, duke e vulosur me gjak rezistencën dhe dëshirën e pathyeshme për liri të një populli të tërë.

Por, data e 9 prillit 1999, mbetet një nga ditët më të dhimbshme dhe më të rënduara në kujtesën kolektive të Kaçanikut dhe të gjithë Kosovës. Në atë ditë të zezë, 28 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë, duke dhënë jetën e tyre në mbrojtje të vendit dhe të dinjitetit kombëtar. Dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë, ndërsa tmerri i luftës goditi pamëshirshëm edhe popullsinë civile, duke martirizuar 32 vetë dhe lënë të plagosur tre të tjerë. Ishte një ditë ku kufiri mes jetës dhe vdekjes u bë i padukshëm, ndërsa guximi dhe sakrifica shënuan kulmin e tyre. Po atë ditë, në mesin e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ra edhe Lumnije Sherif Raka – një figurë e ndritur e rezistencës, e cila kishte zgjedhur me vetëdije të rreshtohej në anën e drejtësisë dhe të lirisë. Ajo nuk u tërhoq përballë rrezikut, por qëndroi me vendosmëri në vijën e parë, duke dhënë dëshminë më të lartë të përkushtimit të saj ndaj atdheut.

Trupat e Lumnijes, Jehonës dhe të bashkëluftëtarëve të saj nuk u kthyen menjëherë te familjet e tyre për një varrim të denjë. Ata u gjetën më pas në një varrezë masive në fshatin Kaçanik i Vjetër – një dëshmi tjetër e tmerrit dhe mizorisë së strategjisë së pushtuesit, që kërkonte të fshinte gjurmët e krimeve dhe të mohonte edhe nderimin e fundit për ata që patën guximin t’i kundërviheshin. Por, pas çlirimit, në korrik të vitit 1999, shokët e saj, luftëtaret e UÇK-së, nuk e lan këtë padrejtësi të mbetej e tillë. Organizuan një ceremoni të veçantë rivarrimi me nderime ushtarake, ku trupat e Lumnijes, Jehonës dhe të dëshmorëve të tjerë u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve në vendin e quajtur “Te Dardha” në Kaçanik. Ky akt nuk ishte thjesht një detyrim formal, por një përkushtim i thellë moral për të nderuar jetët e flijuara dhe për të ngritur mbi to themelet e ndërgjegjes së re kombëtare.

Për të përjetësuar kujtimin e rënies dhe për të ruajtur gjallë ndër breza shembullin e sakrificës, në vendin e rënies në Rakoc të Kaçanikut u ngrit një lapidar i përbashkët. Ai përkujton jo vetëm Lumnijen e Jehonën, por edhe 18 dëshmorë të tjerë dhe 22 civilë të vrarë në atë ditë të përgjakshme – një monument i dhembjes dhe krenarisë, që flet pa fjalë për çmimin e lirisë dhe për nderin e atyre që u flijuan për të.

Sot, trupi i Lumnije Sherif Rakës pushon në paqe në Varrezat e Dëshmorëve të Kaçanikut, pranë shokëve dhe shoqeve të saj të armëve dhe të idealit. Ai vend është më shumë se një hapësirë varrimi – është një altar i kujtesës kombëtare, ku nderohen ata që me jetën e tyre dëshmuan se liria nuk është dhuratë, por një e drejtë e fituar me gjakun dhe guximin e më të mirëve të një kombi.

Familja e Lumnije Rakës në Kaçanik është nderuar dhe vlerësuar për sakrificën e bijës së saj dëshmore me një sërë mirënjohjesh të rëndësishme, që pasqyrojnë respektin dhe mirënjohjen e thellë të institucioneve për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në luftën për liri. Në shenjë nderimi për heroizmin dhe flijimin e Lumnijes, kjo familje ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – organi më i lartë drejtues i rezistencës së armatosur, që me këtë akt ka njohur dhe ka vlerësuar përkushtimin e saj si pjesë e gjeneratës që u ngrit për të mbrojtur dinjitetin kombëtar.

Po ashtu, mirënjohje i është dhënë nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, duke dëshmuar se kontributi i Lumnijes dhe familjes së saj nuk u shua me fundin e luftës, por mbeti pjesë e themeleve mbi të cilat u ndërtua përpjekja për shtetndërtim dhe siguri kombëtare. Ky nderim është thelluar edhe më tej nga Komanda e Zonës dhe komanda e Brigadës ku ajo shërbeu me guxim dhe përkushtim, duke treguar se akti i saj nuk ishte vetëm një shembull simbolik, por një pjesë konkrete dhe e çmuar e organizimit dhe strategjisë së luftës çlirimtare.

Përveç strukturave ushtarake, edhe vetë populli ka shprehur mirënjohjen e tij. Këshilli Komunal i Kaçanikut, vendlindja dhe trualli i formimit të saj, e ka nderuar Lumnijen dhe familjen e saj, duke afirmuar se ky heroizëm ishte pjesë e identitetit dhe krenarisë së përbashkët të qytetit. Në mënyrë të veçantë, edhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, të përbëra nga ata që ndanë të njëjtat sprova dhe ideale, kanë dhënë mirënjohje për familjen Raka, duke e vendosur Lumnijen në panteonin e kujtesës kolektive si një figurë që frymëzon dhe ngjall respekt në çdo brez që synon ta mbajë të gjallë kujtimin e sakrificës për liri.

Literatura:

  1. Hajrush Kurtaj, Flakë e Pashuar, Prishtinë, 2016
  2. Musli Vërbani, Dëshmorët e 9 Prillit në Rakoc dhe Lagje të Re, Kaçanik, 2013
  3. Hajrush Kurtaj, Shungullon gryka e Kaçanikut, Kaçanik, 2000
  4. Grup autorësh, Në kërkim të dijes dhe lirisë, 2004
  5. https://www.radiokosovaelire.com/lumnije-sherif-raka-11-6-1976-9-4-1999/
  6. https://www.radiokosovaelire.com/hajrush-kurtaj-kater-heroina-te-uck-se-ne-zonen-e-kacanikut-lumnije-raka-jehona-raka-emsale-frangu-mukadeze-muhaxhiri/
  7. https://sinjali.com/rrefimi-i-nenes-se-deshmores-lumnije-raka-e-kam-kundershtuar-se-kam-ditur-atehere-qe-vajzat-shkojne-ne-lufte/
  8. https://orashqiptare.blogspot.com/2014/09/organizimi-i-sektorit-te-shendetsise.html
  9. https://www.washingtonpost.com/archive/politics/1999/06/15/in-a-village-signs-of-a-massacre/f6c185e9-ca5d-4a46-af9d-c5c218a18e6a/
  10. https://www.facebook.com/GrykaKacanikut/photos/urime-8-marsi-p%C3%ABr-deshmoret-e-ka%C3%A7anikut-deshmoret-e-qytetit-te-kacanikut-mukadez/3351666588199126/?locale=bg_BG
  11. https://www.rrenjet.iamalbanian.com/index.php?route=%2Ftree%2Falbanian%2Findividual%2FX5185%2FLumnije-Raka
  12. https://deshmoretelirise.com/faqja/lumnije-sh-raka/

(Vijon)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.