Ndjenjat nuk mund të kuptohen – ato vetëm mund të ndihen, sepse vetëm ndjenja është e aftë të prekë zemrën, dhe vetëm zemra mund ta pasurojë e ta fisnikërojë mendjen […] Dashuria i jep vlerë gjithçkaje që flijon për të dhe të bën të jesh i pavarur nga çdo gjë tjetër që ndodhet jashtë saj.
A. S. PUSHKIN

Në synimet për ta bërë sa më të njohur veprimtarinë e Ragip Sylajt si shkrimtar, gazetar, intelektual, i cili bashkëpunoi dhe këmbeu letra me disa intelektualë; për ta ndriçuar atë që nuk është botuar në vepra të veçanta, po e botojmë këtë libër me tetë vështrimet e tij kushtuar disa veprave të Anton Nikë Berishës, me të cilin ai ka qenë shumë i afërt dhe ka bashkëpunuar vite me radhë, pastaj tekstin e tri bisedave me Antonin të bëra nga ai dhe të botuara në kohë të ndryshme si dhe 11 letra të Ragipit dërguar Antonit dhe dy letra të Antonit dërguar Ragipit.
Në tetë punimet e Ragipit të përfshira në këtë libër vetëm punimi për romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” është botuar në librin “Estetika e misterit”[1]. Punimet e tjera botohen për herën e parë në një libër dhe dëshmojnë jo vetëm për prirjen e tij që t’i veçojë dhe t’i interpretojë disa dukuri e vepra, po dhe për dijen e tij të gjerë, jo vetëm në fushën e letërsisë me të cilën ai qe ngushtë i lidhur.
Nga vepra e Berishës Ragipi zgjodhi dhe i vështroi disa nga më të rëndësishmet dhe më komplekset si tekste poetike dhe si shtjellime, duke u përqendruar sidomos në gjuhën poetik edhe në sistemin e të shprehurit si, fjala vjen, romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”, poemën “Prushi i bukurisë”, veprën për letërsinë e arbëreshëve të Italisë, për “Antologjinë e këngëve kreshnik”, për studimet e letërsisë për fëmijë etj.
A. S. PUSHKIN

Në tekstet e tri bisedave të Ragip Sylajt me Anton Nikë Berishën ndriçohen një varg dukurish e të dhënash për jetën dhe krijimtarinë e këtij shkrimtari dhe për vlerat e veprave të tij, të cilat Ragipi i ka njohur mirëfilli, për rëndësinë e përkthimit të disa vepra të tij në italisht jehonën që bënë ato te lexuesi italian, sidomos për jehonën që bëri romani “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”, për të cilin u shkruan rreth 30 punime në gjuhën italiane dhe të librit me përsiatje poetike “Prushi i bukurisë” (edhe ky i përkthyer në italisht).
Gjithashtu edhe 11 letrat e Ragipit dërguar Anton Nikë Berishës, dëshmojnë sa për dijen e tij, aq edhe për të fshehtat e botës e të karakterit të Ragipit që ai i shpalos përmes letrave dërguar mikut të tij.
Edhe në këto letra vërehet qartazi lidhja e ngushtë e Ragipit me letërsinë dhe synimi i tij që t’i ndriçojë edhe në këtë mënyrë disa nga veçantitë e letërsisë dhe të disa veprave të Antonit, po dhe të shkrimtarëve të tjerë.
Ky letërkëmbim është bërë gjatë qëndrimit të Antonit si ligjërues në Katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe të Universitetit të Kalabrisë (Itali), ku ai punoi për 23 vjet dhe ishte anëtarë i Sindikatës të pavarur të shkrimtarëve italianë.
Jemi të bindur se me vlerësimet, me të dhënat që sjell ky libër, ku ndriçohen një varg dukurish të rëndësishme letrare jo vetëm të një periudhe të caktuar, po të letërsisë e të kulturës sonë në përgjithësi, ky libër do të mirëpritet nga lexuesi.
Prishtinë, mars 2024
LABINOT BERISHA
ARBEN VESELAJ
* * *
“Së shpejti të nis ndonjë prozë timen. Ta dish që je njëri ndër shkaktarët që po më bën t’i qëndroj besnik letërsisë. Dhe këtë mirënjohje nuk do të ta shfaqja po të mos e dija atë thënien që ti e di më mirë se unë se edhe letërsia është e keqe si gruaja: nuk pranon assesi që ta tradhtosh.
Dhe ndoshta mund ta tradhtosh, por punët kurrë s’do t’i kesh mirë me të etj. Këto t’i thash për faktin se mbrëmë punova deri kah ora 2 e natës (ose e mëngjesit) vetëm e vetëm për ta kontrolluar vetveten se ç’kisha shkruar dhe e kisha mbajtur fshehur deri tash. Kisha gjithmonë dilema se gjërat që i kisha shkruar për qejf timin a do të vlenin t’u tregoheshin edhe të tjerëve”. RAGIP SYLAJ
(Nga letra e dt. 10 shkurt 2003, Prishtinë, dërguar Anton Nikë Berishës në Universitetin e Kalabrisë, Itali)
[1] Shih Ragip Sylaj, Kritikë letrare periodike. Elena Gjika – Dora d’Istria, Suharekë 2008.