KATARSIS NDAJ NËNËS ZAFIRKA

0
Branko Manojlovski

Branko (Tanashi) Manojlovski

Tashmë po ndihem i detyruar të publikoj fragmente të rrojtjes, përjetimeve, mendimeve dhe vlerësimeve të mia, që nuk i kam publikuar deri tani. Ku i dihet kësaj dreq rrojtjeje: sot je, nesër nuk je. Po të mos publikoja tani fragmente të rrojtjes sime dhe të shqiptarëve e kriptoshqiptarëve ortodoksë në Republikën e Makedonisë, druaj se Nëna ime, Zafirka, do të më qortonte sapo të më krijohej shansi për të komunikuar shpirtrat tanë në botën tjetër, siç na është injektuar të besojmë, sepse ajo ndërroi jetë pa pasur mundësi t’i rrëfejë vuajtjet e saj. Të lavdishmen por edhe të shkretën Nënë e kam dashur e respektuar, mendoj, më shumë se sa ndodh rëndom me njerëzit e kësaj bote.

Duhet të ketë ndodhur kështu kryesisht për shkak të rrojtjes se saj të përvuajtur, sidomos që kur Familja jonë u shpërngul nga Fshati ynë, Kiçinica, në Shkup; nuk mund të merret me mend, por atë e besoj, Nëna Zafirkë duhet t’i ketë përjetuar e përballuar shumë rëndë ndrydhjet dhe diskriminimin nacional në gjirin familjar, kur duhet t’i jetë kërkuar që të mos u tregonte nipave e mbesave të saj se është shqiptare, kur nuk është mirëpritur nga ajo që t’u tregonte nipave e mbesave ndonjë përrallë në gjuhën e vetme që fliste – në gjuhën amtare shqipe, kur është dashur ta fshihte identitetin e vet shqiptar edhe ndaj fqinjëve të saj, në vendlindjen dhe në vendin e saj etnik…

Që të shpërthej pikërisht tani, sinqerisht dhe pa taktizime, mënxiti sidomos vdekja e JordanLlazarevskit…

Më tre korrik të këtij viti (2013) vdiq JordanLlazarevski, ndjesë pastë. Vdiq në moshën nëntëdhjetë vjeçare, më saktë, pasi mbushi nëntëdhjetë vjet e gjashtë muaj, siç më informoi nipi i tij, Llazari, kur isha në varrim. Llazarin, djalin e vëllait të Jordanit, Varnavas, e kam pasur shok shkolle në Gostivar, nga klasa e pestë deri ne klasën e  tetë. Ishin bërë ndoshta pesëdhjetë vjet që nuk e kisha parë.  Edhe Varnava, por edhe vëllai i tretë i Jordanit, Minja, ishin burra shumë të respektuar, sepse që të tre reflektonin gjithherë energji pozitive, ishin tejet bëmirës.

E kujtoj Varnavan kur shkuam në Stamoll me tim AtManojlin, ndjesë pastë, në vitet e gjashtëdhjeta. Mbetëm pa para, sepse qëndruam atje më gjatë dhe blemë plaçka më shumë se sa kishim planifikuar. Babai i kërkoi Varnavas hua. Ai me lehtësi e dashamirësi iu përgjigj: “Dajë, vetëm fol sa të duhen dhe m’i kthe kur t’i bie Zoti, e nëse mund të m’i kthesh ndonjëherë, ia jep në Beliqicë djalit tim, Llazarit.” Sigurisht, vetëm shqip flisnim mes nesh, atëherë e kurdoherë.

Vdekjen e Mixhës Jordan e përjetova disi më ndryshe, do të thosha më dhimbshëm, nga vdekjet e rëndomta natyrore të pjesëtarëve të Farefisit tonë. Nuk ndodhi kështu pse ishte nip i Familjes, por nga kujtimet e hershme të fëmijërisë. Gjatë viteve 1948-1950, tre vitet e para të shkollës fillore i kreva në Biliqicë, fshatin e lindjes tashmë te të ndjerit Jordan. Edhe pse fshati Beliqicë ishte vetëm diç më shumë se pesë kilometra larg fshatit tim, detyrohesha të rrija atje, te Familja e Dajës sim, PavleDojqinovski-Luce, nga se rrugëtimi i përditshëm malor ishte i zorshëm për moshën që kisha.

Duke banuar atje me rastiste shpesh të takoja Jordanin, i cili më thërriste me zë përkëdhelës: Djali i Dajës Manojl. Nëna  e tij, Mariçka, ishte grua shumë e dashur dhe e respektuar në malësinë tonë, bile edhe nga shqiptarët e besimit mysliman, sepse ajo zotëronte mjekësinë popullore. Ishte Bijë e Familjes sonë të madhe. Edhe për babain e tij, Sokratin, dëgjoja të flitej se kishte qenë burrë i urtë dhe i nderuar. Prandaj Jordani, Biri i tyre, nuk mund të ishte ndryshe, edhe pse në anët tona, kur fëmija nuk u ngjante për të mirë prindërve, thuhej: “Nga lulja del therra”.

Pra, Mixha Jordan shfaqte gjithherë mirësjellje e dashuri të jashtëzakonshme ndaj meje, pavarësisht se ishte tetëmbëdhjetë vite më i moshuar se sa unë. Te ai, dhe jo të Daja Luce, ankohesha sa herë që mësuesi Mitro me rrihte, pse nuk po përparoja shpejt me mësim të gjuhës makedone. Mësuesi Mitro na rrihte të gjithëve, sepse në fshatrat tanë të gjithë fëmijët ishim shqiptarë, që nuk dinim gjuhë tjetër, pos gjuhës amtare. Mund që pikërisht për atë mirësjellje e dashuri Mixha Jordan nuk m’u shkoq asnjëherë nga kujtesa, sidomos kur u emigrova në Amerikë në vitin 1969 (pasi mbarova shkollën e mesme në Tetovë, 13 muaj praktikë në Zvicër dhe studimet në Shkup e Zagreb). Mbase ishte malli i madh që ndjeja gjatë gjithë rrojtjes sime 44-vjeçare në Amerikë për njerëz të veçantë.

Rrumbullak dy javë para se të vdiste i lavdishmi Jordan me befasoi me një vizitë të paparalajmëruar, aq më pak të pritur ose të parashikuar nga unë. Erdhi rreth mesdite. Zbriti nga automobili duke e mbajtur për krahësh e bija dhe dhëndërri. Unë ende nuk e dalloja se ishte pikërisht ai, meqë rruga ku ndaluan është sipër shtëpisë dhe bari e çubat e rritura buzë saj ma pamundësonin t’i dalloja menjëherë vizitorët, që tashmë i kisha të shpeshtë.

Më gjeten para Kulle, duke soditur fshatin e heshtur. Të shpeshta ishin rastet që më qante zemra, ndonjëherë edhe lotët nuk i përmbaja dot, për shkretërimin e tij, por edhe të gjithë malësisë së Rekës së Epërme.

Fshati ynë ka pozicion në lartësi mbidetare prej 1530 metrave dhe është buzë Liqenit artificial të Mavrovës. Ai u ndërtua për të prodhuar rrymë në vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar, duke përmbytur edhe kullosat tona; mua më shumë më qe dhimbsur Hani i Familjes sonë, buzë rrugës Dibër-Gostivar, të cilin e thërrisnin “Hani i Gavrillit”. Në Liqenin e Mavrovës aty e tutje derdheshin ujërat edhe të Kodrës së Diellit (që joshqipfolësit e thërrasin Popova Shapka), sipër Bjeshkëve të Sharrit, buzë Tetovës, i mirënjohur si vend skijimi e turizmi.

Që andej, përmes kanaleve e tuneleve, të gjatë sigurisht mbi tetëdhjetë kilometra, uji detyrohej të mbushte këtë liqen. Njësoj i kishin mbledhur edhe ujërat e pellgut të Beliqicës. Për atë punë, çmendurisht të madhe, ishte angazhuar edhe ushtria. Ndërsa nga liqeni, sërish përmes tubave voluminozë të çelikut, që shkonin përmes fshatit Duf, uji bartej deri në hidrocentralin  e ndërtuar në Vrëtok pastaj ai ujë i bashkohej lumit Vardar.

Dikur Fshati ynë ishte përplot bashkëfshatarë, edhe pse shumë burra ishin në kurbet, kryesisht në Stamboll, kurse për momentin kur po më vizitonte Mixha Jordan ishim vetëm katër pleq: Mixhavica Katarinë, komshiu Ilia me të shoqen dhe unë, më i riu ndër ne. Tashmë edhe livadhet dhe arat e Fshatit tonë janë pyllëzuar pothuajse krejtësisht, meqë këtu, që shumë dekada, nuk rron përherë asnjë bashkëfshatar. Qysh gjatë pushtimit serb të viteve 1913-1941 bashkëfshatarët kanë zënë të  shpërnguleshin në Gostivar, Shkup, deri edhe në Beograd e gjetiu.

Kam dëgjuar nga Mixha Gavrill, ndjesë pastë, se ishte politika asimiluese serbe ajo që i kishte shpërndarë, sidomos shqiptarët e besimit ortodoks, për ta serbizuar sa më shpejtë popullin tonë. Po, Mixha Gravill, ai burrë tepër i pashëm, orator e i nderuar, i cili në më të shumtën e kohës rrinte i veshur me tirq, xhurdi e plis të bardhë, më donte e më fliste shumë. Nuk u frikësohej fare kodoshëve që spiunonin për organet e sigurimit, meqë në krye të pushtetit komunist në Republikën e Makedonisë kishim Video Smilevski-Baton, djalin e Hallës Velika, Motrës së Babait dhe e mixhallarëve të mi, Gavrillit, Milosofitit dhe Nufriut.

Stërgjyshërit tanë kishin ndërtuar kulla të mëdha trekatëshe, me mure të trasha prej guri. Dy kullat binjake pranë njëra tjetrës, që e bënin Fshatin tonë impozant, i kishin ndërtuar vëllezërit Manojli dhe Lazari gjatë viteve 1903-1905. Kullat tona kaq impozante ata kishin mundur t’i ndërtonin me fitimet në emigracion në Konstantinopol, të cilit osmanlinjtë, pasi e pushtuan, ia ndërruan emrin në Stamboll. Ata, qysh në vitin 1882, kishin ndërtuar në Stamoll një hotel, të cilin e kishin emërtuar “Arnaut an” (hotel shqiptar), ku, siç kam dëgjuar, mblidheshin shumë shqiptarë patriotë.

Kullat i kishin rrethuar me mur të lartë prej guri. Në oborrin e Familjes sonë të madhe mund të hyhej e dilej përmes tri portave të larta, të bëra prej drurit masiv. Muri dhe portat ishin ndërtuar të larta e të forta që të mbroheshin nga kafshët e egra dhe nga keqbërësit. Ato janë shembur gjatë viteve të shtatëdhjeta, sepse ishin lënë të shkreta dhe nuk i mirëmbante njeri. Dhe nuk janë vetëm kullat tona, tashmë monumente, por edhe bashkëfshatarët tjerë kishin ndërtuar kulla, gjithashtu me fitimet e kurbetit. Që të gjitha janë të rrezikuara për mungesë mirëmbajtjeje. Fatkeqësisht institucionet përkatëse nuk përkujdesën për kullat tona, me gjasë, vetëm pse janë të traditës shqiptare…

“Pret miq?”, pyeti Jordani sapo u gjend para meje. Zëri i doli i lodhur, sepse ngihej me frymë me vështirësi.

“Mirë se vini”, ia ktheva duke hapur krahët për ta mirëpritur me përqafim të përzemërt. Nuk po më besohej se pikërisht Jordani po më surprizonte me vizitë të paparalajmëruar, edhe pse vinte nga Gostivari, rreth 35 kilometra rrugë larg.

Sapo zumë vend para Kulle filluam me pyetje-përgjigjet e rëndomta, për shëndetin individual, të familjeve e të farefisit. M’u bë qejfi që edhe kësaj radhe Jordani më përshëndeti në gjuhën tonë amtare shqipe, si kurdoherë; vazhdoi dhe e mbaroi vizitën e tij po me shqipen e tij të rrjedhshme. Vërtet u gëzohesha bashkëvendasve shqiptarë të fesë ortodokse, kur më flisnin shqip, si në të kaluarën, meqë tashmë shqipen e flisnin me vështirësi vëllai im dhe akoma më pak kushërinjtë dhe fqinjët, kurse pjesëtarët e brezave pasardhës vetëm tek-tuk dinë ndonjë fjalë shqipe, që pothuajse asnjëherë nuk i shqiptojnë…

“Kam ardhur në prag të dekës të çmallem me ty dhe t’i kuvendoj dy halle që kam”, vazhdoi prajshëm Jordani, pasi mbaruan pyetje-përgjigjet e zakonshme. “Po bëhen tre-katër vite që disa njerëz të anës sonë vin të ankohen tek unë për deklarimin tënd publik se je shqiptar, për paraqitjet tua në televizione e gazeta, duke u përpjekur të më bindin që të qortoj. U kam folur goxha rëndë, duke u munduar t’i bind se është e drejtë e jotja që të tregosh se je shqiptar, meqë prindërit dhe të gjithë paraardhësit i kishim shqiptarë; sidomos nënat, gjyshet, stërgjyshet dhe kështu me radhë, nuk dinin fare gjuhë tjetër pos shqipes, kurse baballarët, gjyshërit e stërgjyshërit dinin paksa edhe gjuhët e pushtuesve…”

U ndal një copë herë për të hetuar reagimin tim, por unë ruajta qetësinë, duke u përpjekur të mos shfaq kënaqësinë që po më dhuronte ajo urti e tij. Siç e kisha admiruar qysh si fëmijë dhe siç e kisha kujtuar me respekt meritor gjatë gjithë rrojtjes, të tillë urti edhe prisja nga Jordani, por në fillim pata një lloj shqetësimi, mos të tjerët ia kishin mbushur mendjen që të më qortonte dhe të më kundërvihej. Autoriteti i tij në anët tona dhe më gjerë ishte i madh, prandaj i druhesha. Por tani, kur po dëgjoja urti mbështetëse, vërtet u çlirova dhe gëzova. Dëshiroja ta falënderoj. Megjithatë u përmbajta.

Nuk priti gjatë, sërish vazhdoi: “I kam përcjellur ato që ke thënë në televizione e në gazeta dhe nuk kam asnjë kritikë, sepse ke qenë shumë i njerëzishëm, i vetëpërmbajtur, i bindshëm. Ama më ka ardhur keq për reagimet e disave, që mund të të kenë lënduar. Sigurisht, nuk e ke pas lehtë, meqë kemi heshtur dhe e kemi mbajtur gjatë kohë të ndrydhur e të fshehur identitetin tonë shqiptar.”

Sapo përfundoi kërkoi ujë, duke më sinjalizuar tashmë se duhej të flisja. Isha në siklet  se çfarë të them.

“Të falënderoj nga zemra për këto fjalë të urta”, zura të flas prajshëm, me zë goxha të drithëruar nga emocionet e shumta. “Me këto që the po bindem edhe njëherë se e ke ruajtur frymën e të parëve tanë, ke ruajtur vlerat që i ke shfaqur gjatë gjithë jetës, sidomos sa i përket përkrahjes dhe ndihmave që u ke dhënë njerëzve të anëve tona. Gjatë gjithë rrojtjes sime në Amerikë të kam kujtuar dhe rikujtuar. Unë nuk u hidhërohem atyre që më kritikojnë, as atyre që po më ofendojnë e  kërcënojnë. Ata fatkëqinj janë viktima të pazotësisë sonë për t’u mbrojtur nga asimilimi.

Për çdo vit po vij nga Amerika, po rroj këtu i vetmuar, siç keni dëgjuar e siç më gjetët, për të përmirësuar gjuhën që ma ka mësuar sidomos Nana Zafirkë, vij t’i realizoj porositë që m’i kanë lënë prindët, kur kam emigruar dhe sa herë që i vizitoja ose sa herë që bisedonim përmes telefoni. Ata çdo herë kanë uruar e më kanë këshilluar që të mos tretem në dhe të huaj dhe të mos e harroj vendlindjen. Nuk e përballova dot më heshtjen, sidomos nuk i përballova gënjeshtrat që bëheshin ndaj prindëve tanë. Më vjen keq nëse ndokush më keqkupton për nacionalist shqiptar.

Përmbahem të mos jem euforik, të mos lëndoj njeri, ta nxis sa më shumë mirëkuptimin ndëretnik dhe ndërfetar. Lus që të harrojmë urrejtjet mes nesh shqiptarëve të besimit mysliman e ortodoks, të cilat i kanë nxitur kryesisht pushtuesit dhe disa klerikë të feve tona. Lus që të harrohen edhe urrejtjet e armiqësitë mes popujve tanë, shqiptar e maqedon, me arsyetimin se ato na i kishin imponuar kryesisht pushtuesit turqë, serbë, bullgarë, por edhe disa pushtetarë komunistë. Lus që të orientohemi drejt ardhmërisë, të cilën duhet ta ndërtojmë bashkarisht e vëllazërisht. Lus që vëllezërit e motrat tona, shqiptarë të besimit ortodoks, të mos turpërohen e të mos frikësohen që të deklarohen dinjitetshëm shqiptarë. Lus që sidomos këta të bëhen urë lidhëse e mirëkuptimi mes popujve tanë, në Shtetin tonë të përbashkët maqedon e shqiptar.

Lus që partitë shqiptare të hapen karshi komunitetit tonë, shqiptarëve ortodoksë, sepse nuk ka më kuptim që ato të përbëhen vetëm nga vëllezërit e motrat tona të besimit mysliman, bile të hapen për anëtarësim edhe për bashkëqytetarët maqedonë dhe të tjerë. Lus të gjitha partitë në Shtetin tonë të përbashkët që t’i ndërpresin garat nacionaliste mes tyre. Për të mos e zgjatur me rrëfimin e gjithë angazhimeve të mia, po e them shkurt e shqip: dua ta meritoj me nder e dinjitet një vendvarrim pranë të parëve të mi dhe toka të mos me nxjerrë jashtë; dëshiroj të vdes në vendlindje me shpirt sa më të pastruar…”

Jordani hetoi se kishte filluar të më djersinte balli dhe sytë kishin zënë të më lotonin. Ai zuri të flasë pa pritur nëse e kisha mbaruar: “Nuk kemi nevojë të flasim më gjatë, sepse e dimë të kaluarën tonë, i dimë vuajtjet tona, tani duhet t’i gëzohemi lirisë që kemi për të folur pa frikë. Tashmë po flasin mes tyre zemrat tona. Kjo që po bën ti është një katarsis, siç thoshin në greqishten e vjetër për pastrimin e shpirtit. Më ke përkrahës, edhe pse nuk më ka mbetur më fuqi fizike.” E mbaroi fjalën duke ma vënë dorën mbi supe dhe kërkoi t’i bëja një kafe. Pasi e piu, foli edhe për hallin familjar…

Katër ditë para se të vdiste, tashmë i ndjeri Jordan, më telefonoi nga spitali. Më porositi të mos i harroja ato që kishim biseduar. I mirëkuptova si amanete. Vërtet u mërzita për vdekjen që e paralajmëroi. Po e priste tepër njerëzisht, pa frikë e alarmim, siç u ndodh rëndom njerëzve që janë të bindur se kanë përmbushur misionin e tyre gjatë rrojtjes, se lënë mbrapa bëma e pasardhës të mirë.

Ditën kur vdiq Jordani i lavdishëm në Fshatin tonë e takova rastësisht komshiun, Ilinë. Më informoi për vdekjen dhe kohën e varrimit të tij. U pikëllova shumë. Menjëherë i telefonova një taksisti në Gostivar. Arrita përmbylljen e ceremonisë rituale të varrimit. Pastaj shkuam për drektë për hir të shpirtit të tij.

Sapo hymë në ambientin e drekimit zura vend në një tavolinë. Të pranishëm ishin mbi dyqind veta, pothuajse që të gjithë bashkëvendas. Askush nuk po ulej pranë tavolinës ku kisha zënë vend. Pak veta më përshëndetën. Nuk denjonin të më flisnin as ata që kur i takoja pa prani të të tjerëve, më flisnin vëllezërisht, më përgëzonin për angazhimet. Ofshana me vete: “Akoma paska mbetje të mëdha nga e kaluara jonë e hidhur, tejet fatkeqe, e dhimbshme dhe e kriminalizuar!” Vetëm pjesëtarët e Familjes se të ndjerit Jordan dhe ndonjë individit që kishte mundur frikën, me nderuan siç e kërkonte rendi dhe vendi. Më dukej vetja se isha në bankën e zezë dhe po më bëhej gjyqi.

Sakaq u fut brenda Prifti dhe, sapo më pa, m’u drejtua me përshëndetje e përqafim të përzemërt. Me keqardhje e them se po ua lexoja në fytyrë përbuzjen, bile edhe hidhërimin disa të pranishmëve, kur panë se më përqafoi prifti…

Pak histori telegrafike për prejardhjen e asimilimit tonë

Gjatë ditëve në vijim zuri të më preokuponte e mundonte çdo herë e më shumë katarsisi që ma tha Mixha Jordan. Po mundohesha të gjej fillin dhe ta kuptoj rrjedhën e asimilimit tonë. Nga ato që kisha lexuar në Amerikë (më besoni se nuk kam mundur të lexoj shumë, meqë 26 vite kam punuar mesatarisht 14 orë në ditë, pothuajse pa asnjë ditë pushimi) dhe më shumë nga ato që kam dëgjuar nga prindët, mixhallarët, njerëzit e moshuar dhe sidomos nga njerëzit gjatë viteve të fundit, më rezulton se asimilimi i paraardhësve tanë ka filluar sidomos  kur kanë zënë të dynden fiset sllave në hapësirën tonë, atëherë pothuajse e gjitha shqipfolëse, ilire, dardane, makedone, epiriote, thrake, etj., e cila, nën pushtimin romak, e shndërruar në shekullin IV në  pushtim bizantin, dominohej nga feja kristiane. Fiset pagane protobullgare, serbe, kroate etj., filluan të dyndeshin në shekullin e VI dhe gjatë atyre dy shekujve e luftuan krishterimin dominues, deri sa e humben betejën dhe u kristianizuan gjithashtu.

Pastaj, plasi konflikti i madh brenda fesë kristiane, që zgjati deri në shekullin e XI. Nga ai konflikt i përgjakshëm u përvijuan dy sekte kryesore kristiane: katolike dhe ortodokse. Fillimisht, në shekullin e IX, qe formuar Mbretëria protobullgare, kurse tre shekuj më vonë Mbretëria serbe. Sidomos me formimin e këtyre mbretërive zuri fill edhe lufta e përgjakshme për sundim dhe primat fetar brenda besimit ortodoks mes kishës bizantine, bullgare dhe serbe. Elita e protoshqiptarëve tashmë ishte pothuajse vet Bizanti. Gjuha zyrtare e Perandorisë Bizantine u bë greqishtja e vjetër, duke ia zënë gjithnjë e më shumë vendin e gjuhës romake.

Kurse si gjuhë popullore dominonte shqipja. Si rrjedhojë e luftimeve të shpeshta në mes invaduesve sllavë dhe të tjerëve kundër popullsisë vendore, shumë paraardhës tanë u tjetërsuan në bullgarë, serbë, kroatë, bisniakë, malazias. Në shekullin e XIV pasoi pushtimi i osmanlinjve në Europën juglindore. Popullsia, e shkërmoqur nga luftërat mes mbretërive dhe kishave nacionaliste ortodokse, nuk mundi ta rezistonte pushtimin osman. Meqë paraardhësit tanë ishin lodhur nga luftërat e deriatëhershme, zunë të kalojnë në besimin mysliman. Ndikim të madh në këtë konvertim luanin edhe favorizimet materiale e politike të pushtuesve osmanë. Kjo bëri që shumë paraardhës tanë të “turqizohen” gjatë rreth pesë shekujve të sundimit obskurantist osman.

Fillimi i shekullit të XIX në Evropën Juglindore agoi me ndërgjegjësime kombëtare dhe kryengritje çlirimtare kundër pushtimit osman. Të më falin vëllezërit e motrat shqiptare të besimit myslimanë, por duhet të kenë qenë të parët shqiptarët e besimit ortodoksë të diasporës arbëreshe në Itali, Turqi, Rumani, por edhe të Shqipërisë, të cilët e nxitën ndërgjegjësimin tonë kombëtar, duke i vënë themelet e lëvizjes sonë të madhe nacionale, gjuhësore, kulturore, politike, të quajtur me të drejtë Rilindja kombëtare shqiptare. Dhe e quajtëm Rilindje kombëtare, meqë tashmë populli ynë pothuajse e kishte pësuar vdekjen kombëtare. Pasuan kryengritje të mëdha çlirimtare kundër pushtimit osman. Më e madhja në hapësirën tonë ishte Kryengritja e Dervish Carës (nga Rrethi i Tetovës), gjatë viteve të ‘30-ta të shekullit të XIX, e bërë bashkarisht, nga shqiptarët e besimit myslimanë dhe ortodoksë. Ajo u shtri deri në Ohër, Qystendil, Nish, Ulqin, Durrës, Dibër.

Atë Kryengritje më konkretisht dhe më gjerësisht e ka trajtuar deri tani vetëm akademiku Aleksandër Matkovski, në studimin e tij tepër informativ e analitik, të titulluar “Kryengritja e Dervish Carës”. Fatkeqësisht ajo kryengritje nuk rezultoi me fitore të autonomisë, me vonë të pavarësisë, si, ta zëmë ajo e popullsisë “greke”, bullgare dhe serbe, sepse shqiptarët, për arsye që unë nuk i di ende, nuk u përkrahen nga fuqitë e mëdha, siç u përkrahen kryengritjet e popujve tjerë. Ndoshta mund të supozohet se Fuqitë e Mëdha nuk na përkrahen, meqë shumica e popullsisë sonë tashmë ishte muslimanizuar, kurse një numër i konsiderueshëm shqiptarësh u tjetërsuan në turq.

Lëvizja e Rilindjes sonë kombëtare vazhdoi angazhimet e saj. Për vëllimin dhe përmbajten e saj, lexuesve në Republikën e Makedonisë, sidomos atyre që kanë paragjykime ndaj historianëve shqiptarë, do t’ua sugjeroja studimin e bërë kohëve të fundit nga Prof. VlladoPopovski, botuar në maqedonisht dhe shqip.

Në fund të shekullit të XIX, në prag të Kongresit të Berlinit (1878) dhe pas tij, kryengritjet çlirimtare të popullit shqiptar morën përmasa të mëdha. Tashmë kishte ndodhur edhe ndërgjegjësimi kombëtar i popullit maqedon, prandaj filluan edhe kryengritjet e tij. Në hapësirën e tanishme të Shtetit tonë kundër pushtimit turk luftonin bashkarisht shqiptarët dhe makedonët, pavarësisht se për shkak të tjetërsimit gjuhësor, makedonët ishin të influencuar dhe shpërdoroheshin shumë nga nacionalistët bullgarë. Ajo Lëvizje qe quajtur Ilinden. Në të u përfshinë shumë shqiptarë, sidomos të besimit ortodoks, të cilët, bashkë me makedonasit dhe vllahët, formuan Republikën e Kryshevës.

Kurse kryengritjet e bëra vetëm nga shqiptarët rezultuan me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912) dhe njohjen e saj nga Fuqitë e Mëdha në korrik të vitit 1913. Hapësirat e tanishme të Shtetit tonë i pushtoi ushtria serbe gjatë viteve 1912-1913. Edhe kundër pushtimit serb u bë rezistencë e përbashkët, por tashmë popujt tanë ishin të lodhur nga kryengritjet e shumta kundër pushtimit turk, prandaj ushtria serbe mundi të nënshtronte popujt tanë makedon e shqiptar pa u përballur me ndonjë rezistencë serioze, të paktën jo të atij niveli sa të rezultonin me çlirimin e trojeve tona.

Mbase nuk do t’i rëndoj shumë këto paraqitje telegrafike me një të dhënë konkrete për kryengritjen e madhe kundër ushtrisë serbe, nga Dibra deri në Ohër, në gusht e shtator të vitit 1913. Këto kryengritje shqiptare ndodhën pas luftërave mes ushtrive serbe e greke kundër ushtrisë bullgare, e cila, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, kishte pushtuar një pjesë të madhe të hapësirës së Shtetit tonë të tanishëm. Vala e luftërave të dyta “ballkanike”, tashmë jo kundër pushtuesve turq, sepse ata ishin dëbuar deri në kufijtë e tanishëm të Turqisë, në histori njihet me emrin Lufta e Dytë Ballkanike.

Pasi u mund ushtria bullgare nga ushtritë serbe e greke, kjo luftë përfundoi më 5 gusht 1913 me Marrëveshjen e Bukureshtit, sipas së cilës, po të përdorim terminologjinë e asaj Marrëveshjeje, Makedonia e Egeut u pushtua nga Greqia, Makedonia e Vardarit u pushtua nga Serbia, ndërsa Makedonia e Pireut nga Bullgaria. Edhe pse tani ishte 100-vjetori i asaj Marrëveshjeje dhe u mbajtën edhe simpoziume shkencore, teksti origjinal i saj thuhet se është “zhdukur”, ndoshta kryesisht për shkak të një klauzole e cila duhet të ketë përmbajtur përcaktimin: pas 100 viteve të tri Makedonitë duhet të bashkohen në një shtet.

Për të organizuar kryengritjet, tashmë kundër pushtimit serb, më 23 Shtator 1913 në Dibër qe formuar një Qeveri provizore shqiptare. Për Komandant të atyre kryengritjeve ajo pat emëruar një shqiptar të besimit ortodoks. Përkohësisht kryengritësit shqiptarë arritën të çlirojnë hapësirat nga Dibra e Kërçova, deri në Ohër. Por edhe ato kryengritje u shtypën dhe pasoi hakmarrja e madhe e ushtrisë serbe…

Edhe para se të ndodhte pushtimi serb, kisha ortodokse në hapësirat tona dominohej nga kleri nacionalist serb. Këtë po ndihem i detyruar ta them, sepse paraardhësi ynë Llazari, Vëllau i Stërgjyshit tim, Manojlit, është varrosur në vitin 1906 në oborrin e Kishës sonë në Kiçinicë me mbiemër “Tanasheviq”, edhe pse Familja jonë atëherë mbante mbiemrin TANASHI. Pra, kisha, e komanduar nga kleri nacionalist serb, edhe para pushtimit serb na i regjistronte lindjet, martesat dhe vdekjet me mbaresën karakteristike serbe “viq”.

Këtë tematikë lidhur me mbiemrat tanë e dëgjova të diskutohet para pak ditësh mes një kushëririt tim dhe ca mysafirëve. Ai, për të dëshmuar se emrat e mbiemrat nuk përmbajnë domosdo përkatësinë etnike, u tha mysafirëve se Stërgjyshi i tij Llazari, i vdekur në vitin 1906, ka të shënuar mbi gur varri mbiemrin Tansheviq, por asessi nuk ishte dhe nuk jemi serb. Unë qëllimisht nuk u inkuadrove në atë bisedë të kushërinjëve të mi, sepse diskutimet eskalonin shpesh në hidhërime e grindje.

Me atë rast munda ta dëgjoj njërin nga mysafirët të thoshte: “interesant fakti, kur pyet shqiptarët e besimit myslimanë për emrat e paraardhësve të tyre, i dinë vetëm deri në brezin kur kanë qenë ortodoksë ose katolikë, rëndom brezi i shtatë ose i tetë në anët tona, në atë brez aty u përfundon kujtesa, kurse kur i pyet shqiptarët ortodoksë në Makedoni, kujtesa u përfundon të brezi i tretë ose i katërt, sepse, para pushtimit serb, mbiemrat e paraardhësve të tyre përmbanin përkatësinë shqiptare. Prandaj shtirren sikur nuk dinë çfarë emri e mbiemri kishin paraardhësit para pushtimit serb.”

Mua më bëri përshtypje të dhimbshme ky shpjegim i mysafirit, sepse, vërtet, shumica e kushërinjëve të mi nuk e rikujtojnë me dëshirë mbiemrin Tanashi para pushtimit serb. Bile, e pata lutur njëherë Djalin e Axhës, Metodien, profesor historie në Universitetin “Kirili e Metodi” në Shkup, që të shkruante diç për tjetërsimin e mbiemrit të Familjes sonë. Ai kundërshtoi me arsyetimin se i duheshin edhe dy vite të dilte në pension, prandaj nuk donte ta rrezikonte vendin e punës.

Mbretëria pushtuese serbe, posa e konsolidoi pushtimin e hapësirave të Makedonisë së tanishme,  u angazhua me forcë që të na serbizojë sa më shpejt, duke e emërtuar Makedoninë e Vardarit, siç quhej paraprakisht, herë Serbia e Jugut, herë Serbia e Vjetër, herë Banovina e Vardarit. Por, akoma më konkretisht, Serbia u angazhua që të asimilonte shpejt sidomos shqiptarët e besimit ortodoksë, kurse shqiptarët muslimanë i përzuri në Shqipëri dhe Turqi. Kështu vazhdoi deri në vitin 1941, kur plasi Lufta e Dytë Botërore, rrjedhimisht kur pushtuesit nazifashistë italianë e gjermanë pushtuan hapësirat e Shtetit tonë, pa u ballafaquar me ndonjë rezistencë serioze. Ajo politikë asimiluese serbe që ndërprerë shkurtimisht gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918), duke u zëvendësuar pushtimi serb me pushtim bullgar dhe austro-hungarez.

Për arsye që unë ende nuk i di, Partia Komuniste e Jugosllavisë vendosi të formonte edhe Partinë Komuniste të Makedonisë, rrjedhimisht edhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Makedonisë. Mund që të ketë qenë vendim për të motivuar popullin makedon që të luftonte edhe kundër pushtuesve bullgarë, aleatë të nazifashizmit italian e gjerman.

Gjatë kësaj Lufte ndodhi përçarja e madhe mes shqiptarëve të besimit musliman dhe ortodoksë, sepse disa shqiptarë të besimit musliman u angazhuan të luftonin kundër Lëvizjes antifashiste, si kolaboracionistë të nazifashistëve pushtues, kurse shqiptarët ortodoksë u angazhuan kryesisht në kuadër të Lëvizjeve antifashiste të popullit shqiptarë dhe popujve të ish-Jugosllavisë. Kulmi i përçarjes në mes të shqiptarëve të besimit muslimanë dhe ortodoks ishin krimet monstruoze që kryen “ballistët” shqiptarë, nën komandimin e Aqif Reçanit kundër popullsisë civile ortodokse shqiptare në Beliqicë. Atë krim e pati dënuar edhe Luftëtari famëmadh Xhemë Gostivari. Atë masakër ndaj rreth 150 fëmijëve dhe grave shqiptare ortodokse e shpërdoruan për përçarje mes nesh sidomos komunistët e partizanët makedonë e serbë, edhe pse ata kishin bërë krime shumë herë më të mëdha ndaj popullsisë civile shqiptare të besimit musliman…

Se çfarë përmasash dhe pasojash ka pasur ai krim, i bërë vetëm ndaj popullsisë shqiptare të besimit ortodoks në Beliqicë, u ndërgjegjësova sidomos në një bisedë rasti para dy vitesh, kur po e qortoja Mixhavicën Katrinë, tani plakë 89-vjeçare, përse nuk po u fliste fare shqip mysafirëve shqiptarë të besimit musliman. Si arsyetim ajo e rrëfeu masakrën që e kishte përjetuar si vajzë e rritur e Beliqicës, duke shtuar se ishte përbetuar që të mos u fliste në shqip shqiptarëve të besimit musliman, sapo pat mësuar ca llafe në makedonisht; për shkak të manipulimit dhe nxitjes së hasmërisë që kishte ndodhur, edhe ajo i akuzonte kolektivisht të gjithë shqiptarët e besimit musliman për atë krim monstruoz.

Kur njëri nga mysafirët i pat thënë: “po nëse Zotëri AlivAhmeti, si lider aktual i shqiptarëve në Republikën e Makedonisë, do të kërkonte falje para Përmendores se atyre viktimave në Beliqicë, duke vënë lule dhe duke rënë në gjunjë, si dikur kancelari gjerman Vili Brandi në Poloni, a do të ndikonte që Ju ta zbusni këtë urrejtje ndaj shqiptarëve të besimit muslimanë?”, Mixhavica Katrinë pati thënë: “do ta doja e çmoja si vëlla”. E shkreta Katrinë, e emigruar në vitet e 60-ta bashkë me familjen në Serbi, edhe pse e kishte burrin kryetar Komiteti në Gostivar, tani vjen vetëm për verime në Kullën e burrit, kushëririt tim. Ajo pati folur me admirim të madh për luftëtarin Xhemë Gostivari, pati rrëfyer si familja e saj u kishte dhënë fshehurazi bukë Atij dhe bashkëluftëtarëve të tij…

Kriptoshqiptarët ose marrëzia jonë kolektive

Me vendosjen e pushtetit komunist në Republikën e Makedonisë, e cila u formua si “republikë federative” e popullit makedon dhe popullit shqiptar, zuri fill edhe tjetërsimi im në “makedon”, sidomos kur fillova shkollimin e detyrueshëm fillor në gjuhë makedone. Fillimisht, pothuajse me “automatizëm”, pushteti komunist mbiemrin tonë të deriatëhershëm “zyrtar” Tansheviq na e ktheu në Manojlovski. Për këtë ndryshim nuk na pyeti njeri. Kështu ndodhi pothuajse me të gjithë shqiptarët e besimit ortodoksë në Republikën e Makedonisë.

Nuk e kam kuptuar atëherë, nuk e kam të qartë as tani, përse e miratuan këtë lloj diskriminimi sidomos udhëheqësit komunistë shqiptarë, prindërit e të cilëve ishin shqiptarë të besimit ortodoks, të cilët kishin pushtet të madh, si, ta zëmë: ZhivoBrajkovski i Beliqicës, Nipi ynë – Video Smilevski etj. Mbase duhet të jenë vetëmjaftuar me zhdukjen e mbaresave të deriathershme serbe “viq” dhe me shansin për të ushtruar pushtet.  Ndonjëherë më ka vajtur mendja se ata do të kenë pranuar atë lloj pragmatizmi, vetëm për të mos qenë të stigmatizuar si serbë, si gjatë viteve 1913-1941, por ndoshta edhe për faktin se makedonët antikë i ndienin si paraardhës të tyre, meqë miti për Aleksandrin e Madh ishte ruajtur sidomos te shqiptarët e besimit ortodoks në hapësirat tona…

Rrjedhën pasuese të tjetërsimit të shqiptarëve të besimit ortodoks në “makedon” e kam jetuar e përjetuar edhe unë, në mënyrë pothuajse të pavetëdijshme. Nuk po kuptoja përse mësuesi në vitin 1949 duhej të na rrihte që në klasën e parë të fillores në Beliqicë vetëm pse nuk dinim fare makedonisht. Aq më pak kuptoja përse nuk na lejohej shkollimi në gjuhën amnore shqipe, edhe pse shumë funksionarë të lartë komunistë të Republikës së Makedonisë ishin pikërisht nga Beliqica, nga Katuni im, nga Reka e Epërme dhe nga hapësirat tjera shqiptare, me prindër të cilët e flisnin vetëm gjuhën shqipe dhe rronin ndershmërisht si shqiptarë.

Për konkretizim po sjell disa shembuj:

Kekja ime Velika (siç i themi ne rekasit motrës së babit dhe të nënës), ishte nëna e Video Smilevskit. Deri sa u martua nuk ka zotëruar asnjë fjalë në gjuhën makedonishte as në gjuhën serbishte. Për shkaqe ekonomike u detyrua të emigronte në Beograd, si shumë rekas të tjerë. Kurdoherë që e kam vizituar në Beograd e Shkup kemi biseduar vetëm në gjuhën tonë amnore, kurse Videoja belbëzonte ndonjë llaf, meqë ishte rrit e shkolluar si imigrant në Beograd. Pata dëgjuar nga Mixha Gavrill, me të cilin Vedeoja bisedonte shumë, se kur ka ardhur në pushtet Video Smilevski, e ka kundërshtuar vetë Llazar Kolishevski, me arsyetimin se nuk fliste fare makedonisht. Por, Svetozar Vukmanoviq-Tempoja, një komunist i thekur serb, që vrante e kthjellte aso kohe në Beograd, kishte urdhëruar që ai të bëhej funksionar i lartë partiak e qeveritar në Makedoni…

Më ka rastisur të jem shpesh në shtëpinë e Zhivko Brajkovskit në Shkup, meqë te ai po banonte Veljan Lontevski, gjithashtu beliqicas, shoku im i studimeve në vitin e parë në universitetin e Shkupit. E mbaj mend që në një vizitë më shoqëronte edhe një koleg makedon (emrin ia paskam harruar), i cili ishte kryetar i Lidhjes së rinisë socilaiste. Kur ishim në shtëpi të Zhivkos, Nëna e Zhivkos, që ende mbante veshjen tradicionale shqiptare të Rekës së Epërme, na foli shqip, pasi gjuhë tjetër nuk dinte. Për hir të Nënës edhe Zhivkoja na foli shqip. Të nesërmen kryetari i rinisë e shpërdoroi atë vizitë dhe zuri t’u thoshte kolegëve të tjerë në fakultet se Makedoninë po e qeverisnin shqiptarët ortodoksë, me arsyetimin se në Familjen e Zhivko Brajkovskit flitet vetëm shqip.

Ua mbaj mend emrat shumë funksionarëve të lartë partiakë e qeveritarë të asaj kohe, që ishin nga Reka e Epërme, të gjithë shqiptarë, sipas bindjes sime, por tashmë kripto-shqiptarë makedonë, të cilët nuk po i përmend me këtë rast. Jo vetëm në pozicione të larta partiake e shtetërore, por edhe në polici, prokurori, gjyqësi, administratë shtetërore, etj., u pozicionuan shumë shqiptarë ortodoksë nga të gjitha hapësirat e Republikës së Makedonisë.

Pasi u ndërgjegjësova se jam vërtet shqiptar, u interesova të informohem sa shqiptarë ortodoks kishte në RM. Kam dëgjuar edhe nga profesorët e historisë se, para pushtimit serb në vitin 1912, nga popullsia e përgjithshme e besimit ortodoks, rreth 35 për qind duhet të kenë qenë shqiptarë të besimit ortodoks, që më rezulton se duhet të ishim rreth 300 mijë shqiptarë të besimit ortodoks.

Para shumë viteve, sapo erdha në Vendlindje, i telefonova ish shokut të shkollës fillore dhe internatit, tani anëtar i Akademisë Makedone të Shkencave dhe Arteve (ndoshta do të duhej të riemërtohet në Akademia e Shkencave dhe Arteve e Republikës së Makedonisë), z. Gligor Jovanovski. Kisha dëgjuar në Amerikë për Rilindasin shqiptar Josif Bageri dhe, meqë e dija se Gligori është stërnip i tij, e luta që të angazhoheshim për të mos e lënë në harresë atë Kolos. Ai ma preu shkurt, që as mos t’i tregoj kujt se ishte stërnip i Josif Bagerit. Me aq përfundoi shoqëria jonë e hershme. Unë vazhdova të angazhohem për riafirmim të Josif Bagerit, i motivuar kryesisht për kontributin e tij për çështjen shqiptare, por edhe për hir të rënies heroike të Djalit të Tij, Kristos së lavdishëm, krah çetave çlirimtare makedone, në kryengritje çlirimtare kundër pushtimit turk, në vitin 1906 në Manstir, duke qenë vetëm 16-vjeçar. Letrën e fundit që Kristo kryengritës ia ka dërguar Babait Josif dhe elegjinë të cilën ia ka kushtuar Atij Babai, Rilindasi ynë Josif Bageri, pothuajse përherë i mbaj me vete.

Kam pasur nderin të bisedoj vetëm në telefon me Risto Kiriazin nga Manastiri. Nga të tjerët kam dëgjuar se ai me krenari prezantohet shqiptar, pinjoll i Familjes famëmadhe Qiriazi, e cila ishte promotor i Kongresit për Alfabetin Shqip, mbajtur në Manastir në vitin 1908. Fati deshi që Gjerasim Qiriazi të njihet e të ndihmohet financiarisht nga Familja e Presidentit amerikan Ëilson, për ta organizuar atë Kongres dhe për ta bërë shtypshkronjën më të madhe të kohës në rajon. Pushtuesit serbë, për hakmarrje ia dogjën shtypshkronjën dhe e persekutuan barbarisht tërë Familjen Qiriazi. Deri tani jemi interesuar fare pak që ta gjejmë varrin e Gjirasimit të vrarë nga serbët dhe ta nderojmë Manastirin me një përmendore të tij. Tani edhe Risto Kiriazi kritikohet e përbuzet nga ndonjë pjesëtar i Familjes së tij (Qiriazi) dhe nga qytetarët tjerë të Manastirit, ngjashëm si puna ime.

Për debatet kontraverse rreth përkatësisë etnike të të madhit Akademik Matej Matevski kam shfaqur mendime edhe më herët. Nuk ka se si të mos dhembë, sa herë që shfaqen dilema, mos vërtetë edhe Ai ishte ose është shqiptar? Prindërit tanë kanë qenë miq mes tyre në Stamboll, ku ishte një koloni e madhe e shqiptarëve ortodoksë. Kur Matej u kthye në Makedoni, rreth moshës 14-vjeçare, nuk dinte fare makedonisht, por vetëm gjuhën amtare shqipe dhe turqishten. Kurse për shkakun e arrestimit dhe dënimit me katër vite burg në Goli Otok të Vëllait të tij, Stevos, nuk jam i informuar konkretisht. Nuk është njerëzore që të prodhohet klimë terrori që Kolosi Matej të mos e rrëfejë lirshëm dhe shkoqur gjithë të vërtetën për përkatësinë e tij etnike.

Shpresojmë të ketë kurajë, edhe pse po terrorizohet që të heshtë. Megjithatë, makedonët do të duhej të vazhdonin ta çmonin, si edhe deri tani, siç ka ndodhur në Shqipëri me Shkrimtarin e famshëm makedon Sterjo Spasse, i cili, siç kam dëgjuar, i ka dhënë shumë romane të mrekullueshëm letërsisë shqiptare. Ai asnjëherë nuk është paragjykuar pse ia kishte vënë djalit emrin Ilinden dhe pse deklarohej dinjitetshëm si makedon. Kushdo mund të anketojë intelektualët shqiptarë, nëse dyshon se Sterjo Spasse nuk ishte dhe nuk është njëri ndër shkrimtarët më të çmuar në letërsinë shqipe.

Para ca ditëve, fare papritmas Fshatin tonë  e kishte vizituar Branimiri, Nipi i Akademikut Matej Matevski (Djali i Vëllait të tij, z. Stevo Matevski), bashkë me Bashkëshorten dhe vajzën. Në bisedë e sipër ai ma bëri pyetjen e drejtëpërdrejtë, nëse jemi shqiptarë ose makedonë. Unë iu gjegja se për qëndrimin tim se jam shqiptar mund të jetë informuar përmes mediave dhe bashkëvendasve. Bashkëbiseduam vëllezërisht dhe në fund u ndamë me përqafime tepër miqësore. Sigurisht, më befasoi dhe gëzoi kjo vizitë.

Para ca ditëve po bënim një ndejë rasti para shtëpisë se fqinjit Ilia. Në bisedë e sipër djali i tij, Çedoja, tepër i mirësjellshëm, në kuadër të humorit që po bënim, rrëfeu për një rast që duhej t’i ketë ndodhur fqinjit tonë, Prof. Dr. Arsen Janevskit, tashmë jurist i famshëm në Republikën e Makedonisë. Siç rrëfente Çedo, ai ka qenë duke pyetur në provim një student shqiptar në Universitein e Tetovës. Pyetjet dhe përgjigjet ndodhnin përmes përkthyesit, i cili njëherit ishte asistent i Prof. Jovanovskit. Asistenti, në këtë rast përkthyesi, duhej të ishte marë vesh me studentin që ta ndihmonte në kalim të provimit përmes përkthimit, nëse studenti nuk do të dinte të përgjigjej, meqë dihej se Arseni ishte korrekt, por rigoroz.

Pra, kur studenti nuk do të dinte të përgjigjej, ai do të duhej të fliste diç, ndërsa përkthyesi do të jepte përgjigjet ashtu si duhej, me mendimin se Prof. Jovanovski nuk e kuptonte shqipen. Plasi skandali. Prof. Jovanovski e hetoi këtë manovrim dhe e kuptoi se përkthyesi nuk po përkthente ato që kish thënë studenti, por po shpalonte njohuritë e tij. Në një moment, e humbi durimin dhe ndërhyri në gjuhë shqipe, duke e qortuar përkthyesin për shpërdorim dhe duke e nxjerr atë jashtë.

Pastaj vazhdoi me marrjen në pyetje të studentit, duke komunikuar aty e tutje në gjuhën shqipe. Gati sa nuk qesha me zë kur rrëfeu Çedoja, por u përmbajta që të mos keqkuptohem. Unë e njihja mirë Arsenin, ishim rritur bashkë, ishim shokë të ngushtë, edhe pse isha më i moshuar se ai. Kurdoherë kemi komunikuar shqip mes nesh. Tashmë mendova me vete, përse Arsenit, profesor me famë, i duhet të fshehë zotërimin e mrekullueshëm të shqipes, të cilën ia kanë mësuar prindërit e tij si gjuhë amnore, bile ndoshta e zotëron më mirë se sa studentët shqiptarë para të cilëve ligjëron. Përse duhet që ai t’u ligjërojë atyre e t’i marrë në pyetje me përkthyes? Por, mbase kjo praktikë vetëkuptohet…

Duke kërkuar paraprakisht mirëkuptim nga Profesor Janevski, ndihem i detyruar të rrëfej edhe praninë e tij në varrimin e Mixhës Jordan. Ai vërtet nuk mund të mungonte në atë varrim. Mbaj mend se Babai i Arsenit nuk kishte mundësi të financonte shkollimin e tij, prandaj Arseni mund të mbetej pa u bërë profesor i famshëm. Jordani ishte Ai që e përkrahu të vazhdojë studimet. Edhe ky Profesor i çmuar nuk denjoi ose nuk guxoi të më përshëndeste gjatë drekës për shpirtin e Jordanit, edhe pse në rininë tonë, pos që ishim fqinj, ishim shumë shokë, pavarësisht se unë isha paksa më i moshuar.

E kuptova përmbajtjen e tij. Ai mbase nuk donte ta shihnin më shumë se 200 të pranishëm, pothuajse të gjithë bashkëvendas, të përshëndetej me shqiptarin Branko, tashmë i stigmatizuar nga disa kriptoshqiptarë si tradhëtar i tyre. Edhe disa të tjerë, si ai, me të cilët kishim qenë shumë shokë të mirë në të kaluarën, nuk denjuan ose nuk guxuan të më përshëndesin, po për të njëjtën arsye, edhe pse kur na rastis të takohemi pa prani të askujt, çmallemi duke biseduar në shqipen tonë, për të cilën jemi të mallëngjyer.

Ata madje edhe më përgëzojnë për angazhimin tim. Mbaj mend, njëri nga ata, duke ndjerë keqardhje për peripecitë e mia, më pati thënë: “Më vjen keq, por shumë veta po të çmojnë si guximtar të marrë, prandaj, të lutem, ndërprit këto angazhime, sepse vetëm po keqkuptohesh, asimilimi ynë nuk mund të zhbëhet më…” Pa e menduar se ai po më jepte këshillë, në dukje dashamirëse, ia ktheva: “Ke parë tek digjen shpesh malet tona? Për të shuar zjarrin angazhohen zjarrfikësit, qytetarët, bile edhe ushtria. Në të shumtën e rasteve nuk i fikin dot. E pra, në fillim të përfshirjes së tyre nga zjarri i madh, ka ndodhur vetëm një shkëndi.”

Duke pasur parasysh këto raste, por edhe shumë të tjera, si, ta zëmë, rasti makabër, kur e kanë kushtëzuar për punësim një malësore të anës sonë që të simulonte se është memece, meqë mund të punësohej vetëm si makedone, e ajo nuk dinte fare makedonisht. Ndoshta nga dëshpërimi, shpesh e kam gjykuar këtë gjendje tonën si marrëzi kolektive. Pra, këta shembuj mbase shpjegojnë tepër qartë se në çfarë rrethi vicioz e nacionalist është katandisur shoqëria jonë.

Edhe akademikët ndihen të detyruar që të mos tregojnë, të paktën përse e dinë shqipen, pa e mësuar atë ndonjëherë nëpër shkolla; përse prindërit e tyre kanë folur mes tyre dhe me fëmijët e tyre vetëm në gjuhë shqipe? Kjo është vërtet marrëzi, mbase edhe diç tjetër!? Pas asaj që i ndodhi ish-Ministrit të jashtëm, Zotëri Antonio Milloshovskit, po e mirëkuptoj frikën e tyre; ish-Ministri Milloshovski, siç e kuptova unë, u detyrua nga mediat nacionaliste makedone të jepte dorëheqje, vetëm pse gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë i kishte përshëndetur gazetarët në konferencë shtypi në gjuhën shqipe…

Tjetërsimi i Familjes ose diskriminimi vulgar i Nënës sime.

Të rikthehem për të paraqitur telegrafikisht dhe konkretisht edhe rrjedhën e tjetërsimit të Familjes dhe farefisit tonë, jo vetëm në makedonë, por edhe në serbë, pasi disa kanë emigruar herët në Serbi.

Pasi mbarova vitin e parë të studimeve në Shkup, fatkeqësisht ndodhi tërmeti i kobshëm (26 korrik 1963), i cili u keqpërdor për ta makedonizuar sa  më vulgarisht Kryeqytetin. Video Smilevski më këshilloi të vazhdoja studimet në Zagreb. Ai intervenoi te kryetari i Shkupit, Kërste Markovski, gjithashtu bashkëvendas yni, të më jepej bursa për të studiuar në Zagreb. Atje përfundova edhe tre vitet tjera të studimeve dhe u diplomova si agronom.

Gjatë rrojtjes sime të atyre viteve po më brengoste fakti i hidhur, përse vetëm në Familje guxoja të flisja shqip, kurse jashtë, publikisht, më duhej të flisja makedonisht. Shumë funksionarë të anës sonë më lutën të punësohem në funksione të larta, por unë, për shkak se nuk po e përballoja dot atë lloj rrojtjeje të dyfishtë, bilinguiste dhe për shkak se në Zagreb u njoha me Dragica Stanojshiqin, kolege e studimeve, me të cilën u martova dhe lindëm në Amerikë, ku emigruam në vitin 1969, dy djem: Draganin e Vllajkon dhe vajzën, Brankicën.

Në vitin 1961, pasi Babai im, i kthyer pas Luftës së Dytë Botërore nga emigracioni në Stamoll, doli në pension, vendosi që të shpërngulemi nga Belçica në Shkup, sepse atje tashmë ishin shpërngulur shumë rekas. Në Shkup bleu shtëpi, në Lagjen Qendër. Nëna Zafirka, ndjesë pastë, nisi rrojtjen në Shkup. Por ajo ende nuk dinte ndonjë fjalë makedonisht. Në Shkup Ajo tashmë nuk duhej të fliste shqip, sidomos me nipat e mbesat e saj. Këtë e përjetonte tepër rëndë, sepse u shndërrua në një memece në shtëpinë e saj, ndërsa çmallej në shqip vetëm me Babain tim dhe me ne fëmijët e saj (pos meje edhe Veljanin e Vllajkun dhe vajzën Jelicë).

Të njëjtën dramë tragjike e përjetuan pothuajse të gjitha nënat shqiptare të besimit ortodoks, të cilat nuk dinin gjuhë tjetër pos shqipes. Ato u detyruan të mos komunikonin shqip sidomos me bashkëmoshataret e tyre shqiptarë të besimit musliman, të cilët i kishin fqinjë, sepse shqiptarët e besimit muslimanë nuk duhej ta dinë se ne ishim shqiptarë ortodoksë. Ata u detyruan të mos komunikojnë fare shqip, jashtë shtëpive dhe banesave të tyre. Bile nuk kanë qenë të rralla rastet tragji-komike kur në familje nipërit e mbesat dëgjonin të flisnin gjyshërit në gjuhën që ata nuk e kuptonin, prandaj i pyesnin çfarë gjuhe po flisnin? Përgjigja, pothuajse përgjithësisht, sigurisht e imponuar, duhej të ishte: po flisnin frëngjisht. Ndodhte kështu vetëm që nipërit e mbesat të mos dinin se gjyshet e tyre nuk dinin gjuhë tjetër pos shqipes. Deri në këtë nivel shkonte marrëzia gjatë procesit të tjetërsimit tonë.

Rastisi që të ishte për vizitë në Kiçinicë Djali i Axhës, Metodia, Profesor në Fakultetin e historisë në Universitetin e Shkupit. Them për vizitë, edhe pse Kullën tonë e kishim pronësi të përbashkët, por ai, që kur u angazhova publikisht si shqiptar, nuk vinte për pushime si përpara në Vendlindje të tij. Në ndërkohë erdhi për vizitë një gazetar. Ai u interesua të dinte edhe nga Metodia, nëse kisha të drejtë unë që deklarohesha e angazhohesha si shqiptar. Metodia iu përgjigj se është e drejtë individuale të deklarohet kushdo se i përket etnisë që dëshiron. Gazetari ia kontestoi, duke i thënë se edhe ai do të dëshironte të ishte ta zëmë japonez, por Ambasada e Japonisë në Shkup nuk do t’ia pranonte atë deklarim.

Pastaj e pyeti nëse Nëna ime e fliste vetëm gjuhën shqipe, si edhe Gjyshja ime, meqë Babai dhe Gjyshi dinin edhe turqisht. Profesori e kuptoi mesazhin dhe iu përgjigj se gjuha nuk është përcaktues kryesor etnik. Të pranishëm ishin edhe disa veta. Bashkëshortja e Djalit të Axhës ndërhyri, duke shpjeguar se edhe ajo kishte prejardhje shqiptare. Profesori iu drejtua asaj, pse nuk e kishte thënë këtë edhe më herët? Zonja iu përgjigj: “Profesor, ne asnjëherë nuk kemi guxuar të diskutojmë për këtë tematikë në familjen tonë, vetëm tani që Zotëri Branko e ka ngritur këtë çështje po guxojmë të bisedojmë më lirshëm…”

Sa më vinte keq për Profesorin Metodia që ishte kapë keq nga procesi asimilues i ndërsyer ndaj nesh…

Para rreth 15 viteve, duke qenë në Çikago, ndjeva mall t’i telefonoj motrës Taska në Shkup, motër nga ana e Babait. U çmallëm gjatë bisedës së gjatë në gjuhë tonë amnore shqipe. Në përmbyllje tha se po ma kalonte motrën Marta, të cilën e kishte për vizitë. Kjo motër prej vitesh ishte shpërngul familjarisht në Beograd. Katër vajzat e saj janë bërë atje shkencëtare të famshme. Sapo ma kaloi në bisedë telefonike, e përshëndeta shqip, siç kishim biseduar sa herë që e kisha vizituar në Beograd para emigrimit tim në Amerikë. Ajo ma ktheu në serbisht, me zë inatçor dhe urrejtës: “përse më përshëndesni e flisni në këtë gjuhë barbare, këtu nuk jemi në Shqipëri të madhe…!?” Më ra telefoni nga dora, prandaj nuk ia dëgjova fjalët tjera, nga fyerja e rëndë nuk e mbajta dot.

Të njëjtën motër e kishte vizituar Babai ynë në Beograd në vitet e 60-ta. Në fakt, e vizitonte të paktën një herë në vit. Asaj radhe, për herë të parë, i kishte ndodhur ta dëgjonte dhëndërrin, gjithashtu bashkëvendas, t’u thoshte, kur babë e bijë flisnin në gjuhën amnore shqipe: “përse flisni në këtë gjuhë të urryer!?” Motra Marta, e zënë ngushtë, me keqardhje i kishte kërkuar falje Babait tonë, kurse Babai, i përmbajtur ishte përgjigjur: “nuk kemi çfarë të bëjmë, Vajza ime, këtë pasojë ka procesi i asimilimit tonë…” Këtë ndodhi na e tregoi Babai kur u kthye në shtëpi. Për herë të parë ia pashë sytë e përlotur. Nuk di ta ketë vizituar më. Tashmë, mua nuk po më ofendonte dhëndërri, si dikur Babain, por vet motra. Ajo ka përfunduar në strehimore të pleqve në Beograd, është tejet e sëmurë, por nuk po më shkohet që ta vizitoj…

Për t’i rezistuar asimilimit tonë gjatë viteve 2006-2009 u mora intensivisht me hartimin e trungut familjar. Para katragjyshit Manojl, brezi i 4-tërt (1830-1903) dhe vëllait të tij, Llazarit, nuk munda të gjeja informata. Pasi i mblodha informatat e mundshme, luta mbesën (vajzën e motrës Jelicë), e lindur dhe e diplomuar për arkitekte në Amerikë, që të ma vizatojë trungun familjar, meqë unë nuk e bëja dot. Ajo në vitin 2009 ma bëri këtë nder. Tani, sa herë e shoh këtë trung familjar ndjej një pikëllim për tjetërsimin dhe shpërfytyrimin e tij. Edhe unë, si dikur Nëna Zafirka, nuk flas dot në gjuhë time amnore shqipe as edhe me djemtë dhe Vajzën time, me nipat e mbesat…

Rrojtja në Amerikë dhe në Vendlindje

Në vitin 1969, siç informova, emigruam në Amerikë, konkretisht në Çikago. Fillimi i rrojtjes, si për çdo emigrant, ishte i vështirë. Por ia dolëm. Atje po e ruaja gjuhën shqipe në komunikim me Motrën time Jelicë, shumë të dashur dhe të respektuar, e cila është katër vite më e moshuar se unë. Ajo nuk dinte gjuhë tjetër pos shqipes. Atje takoja bashkëvendas, si Tome Llazarevskin e Krekornicës??, me të cilët komunikoja vetëm në gjuhën shqipe, sado që angazhimet në biznes nuk na jepnin mundësi të shiheshim shpesh.

Takoheshim pothuajse çdo të dielë në meshat e kishës sonë shqiptare ortodokse, të ndërtuar nga komuniteti ynë shumë vite para se të emigroja unë. Ndërtimin e Kishës tjetër shqiptare në Detroid e kishin financuar bashkëvendasit Maksim Tanashi (i fshatit fqinjë Beliqicë) me bashkëshorten Gllada (mbiemri i vajzërisë Llazarevski, kushërirë imja, motra e gjyshes së politikanes së mrekullueshme Radmilla Sheqerinska). Siç më ka rrëfyer djali i tyre Mateja, tashmë 94-vjeçar, ende kumbar i asaj Kishe, prindërit e tij Maksimi dhe Gllada ishin shquar si patriotë shqiptarë, e kishin Mik të Madhin Kryepeshkop shqiptar Fan Stilian Nolin…

Në vitin 1996 e pakësova angazhimin tim në Çikago dhe zura të vij më shpesh në Vendlindje, sepse kisha shumë mall për të dhe për farefisin. Kur erdha e pashë se Kullës sonë ia kishte shembur çatinë bora e madhe. Meqë ishte krenaria e Familjes sonë, e rindërtova. Gjatë qëndrimit tim, fillimisht më heshturazi, në biseda vetëm me individë, më vonë, më hapur dhe më theksueshëm zura të prezantohem si shqiptar. Farefisi i ngushtë dhe i gjerë dhe bashkëvandasit zunë të më trajtonin për të çmendur. Ndonjëri pëshpëriste se jam shndërruar në tradhtar. Megjithatë unë po mbaja qëndrim, pa shfaqur hidhërim e nervozizëm ndaj askujt.

Në vitin 1998 ndodhi një si aksident. Kishte ardhur një ekip i televizionit makedon të bëjë një dokumentar për kullat tona. U gëzuan kur më gjetën këtu. U prezantuan dhe treguan qëllimin e ardhjes, me shpjegimin se kullat tona ishin shpallur monumente të mbrojtura muzeale. Kur më pyetën për historinë e ndërtimit të kullave, rrëfeva se ata që i ndërtuan ishin paraardhësit tanë shqiptarë, Manojli e Lazari. Ekipi e ndërpreu inçizimin, me arsyetimin se duhej të rrëfeja se kullat ishin të traditës arkitektonike makedone. Në atë ekip bënte pjesë edhe gazetari Alush Kamberi, por ai nuk reagoi fare.

Të nesërmen erdhi vetëm. Kur i thash të shporrej, meqë e mbaja mend nga dita paraprake, mu prezantua se është shqiptar, por që nuk guxoi të prezantohej, sepse do ta përzinin nga puna. Aty e tutje u bëmë miq. Më pat propozuar të bënte një dokumentar për kullat tona dhe për mua, por për vite të tëra nuk e realizuam dot, jo vetëm pse atij nuk ia lejonte televizioni makedon, por edhe pse unë po përmbahesha që të mos armiqësohesha më shumë me familjarët e mi. Ata vazhdimisht ankoheshin se prezantimi dhe angazhimi im si shqiptar po ua vështirësonte rrojtjen në Makedoni…

Vetëm në vitin 2011 m’u dha shansi fatlum që të bëja paraqitje publike, të them edhe spektkulare. Atë vit televizioni publik makedonas, MTV 2, progarami në shqip dhe në gjuhë të tjera, bëri një dokumentar me pak rrëfime të mia, të incizuar kryesisht para Kullës sonë. Sapo e panë dokumentarin, vëllai Veljani dhe vajza e tij, rrjedhimisht mbesa ime, Sllavica, më telefonuan nga Shkupi dhe më përgëzuan për paraqitjen në atë dokumentar. Sa u gëzova kur për herë të parë mbesa Sllavicë më foli shqip.

Gjithashtu po atë vit vendosa të ec në këmbë buzë Lumit Vardar, nga burimi në Vrutok të Gostivarit, deri në derdhje në Detin Egje. Motivet për atë vendim i kam shpjeguar në broshurën që e shpërndamë gjatë rrugëtimit në gjuhën shqipe e makedonishte, kurse motivin kryesor e mbajta diskret. Ishte dëshira ime që të informoj për praninë e shqiptarëve ortodoksë në Republikën e Makedonisë, por që ende përmbahen ta shfaqin, kryesisht nga frika, turpi dhe përmasa e asimilimit të tyre. Fati deshi që të gjendeshin miq të mirë për të më shoqëruar, sepse vetëm nuk e bëja dot kërë gjë, në moshën 70-vjeçare.

U treguan të gatshëm alpinistët Ibrahim Dehari dhe Vullnet Ahmeti, që të dy profesorë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, “egejcja” Donka Kaziovska, nga Dibra, e cila ka mbaruar studimet për përkthyese të gjuhës shqipe në Universitetin e Shkupit. Na shoqëruan edhe njëmbëdhjetë të tjerë. Më keqardhje më duhet ta them se më së shumti më gëzoi pjesëmarrja e Nipit tim, Manës, Djalit të Vëllait tim, Vllajkut, sepse ishte i pari nga Familja jonë, që po u bashkangjitej angazhimeve të mia. Gjatë përgatitjes se këtij pelegrinazhi mori vesh edhe policia. U shqetësua, meqë druante se mos gjatë rrugës do të kishte ekcese nga bashkëqytetarët makedonas. Pati edhe propozime që, për shkaqe sigurie, të na jepeshin si shoqërim dy pjesëtarë policie, por të kamufluar si pjesëmarrës pelegrinazhi.

Refuzova, me arsyetimin se nuk do të ndodhnin ekcese. Vendosa të nisem më 13 Gusht 2011, meqë atë ditë ishte 10-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit. Luta edhe hoxhën edhe priftin e Vrutokut që të ishin të pranishëm kur do të niseshim, për të uruar misionin e pelegrinazhit. Fatmirësisht erdhën dhe i bënë ceremonitë fetare të urimit. Edhe tani i falënderoj përzemërsisht për atë angazhim të tyre tejet domethënës edhe për bashkëjetesë e mirëkuptim ndëretnik e ndërfetar. Ishte ditë ramazani. Kjo nuk i pengoi edhe qindra shqiptarë të besimit muslimanë që të vinin në atë ceremoni nisjeje. Aty kishin ardhur edhe dajregji me zurla e tupana, njerëz të veshur me rroba kombëtare. Fotot e bëra nga ato paraqitje u shpërndanë në gjithë botën, përmes televizioneve dhe internetit.

Ditëlindjen e 71-vjetorit tim arritëm ta festojmë në Gjevgjeli, pas gjashtë ditësh ecjeje maratonike. I gjithë ekipi mbante bluza e kapela të bardha, më emblemë të stampuar të Shoqatës Josif Bageri, e cila përmbante edhe foton e Rilindasit të shqiptar Josif Bagerit, nga Nistrova e Rekës së Epërme, njëherit edhe Fshati i Prindërve të poetit markant shqiptar, Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni. Fatmirësisht, gjatë gjithë rrugëtimit, nuk ndodhi asnjë ekces. Përkundrazi, qytetarët që biseduan me ne dhe që i merrnin edhe broshurat që shpërndanim, na përgëzonin. Kjo ma shtoi bindjen se qytetarët e mirëfilltë nuk janë të hasmëruar dhe nuk urrehen mes tyre, por janë disa politikanë e klerikë nacionalistë që nxisin hasmëritë ndëretnike e ndërfetare, për të ruajtur primatin e tyre të pushtetshëm, rrjedhimisht fitimprurës.

Një ditë, nuk e mbaj mend datën, por ka qenë dita e dytë e Simpoziumit që iu kushtua Josif Bagerit, i cili u organizua nga Shoqata Josif Bageri bashkë me Universitetin Shtetëror të Tetovës, erdhën për të vizuar Fshatin tim shumë aktivistë të Shoqatës së Josif Bagerit dhe referues e pjesëmarrës të Simpoziumit. Me atë rast dy vajza bukuroshe të Shoqatës, Fitore Reshiti dhe Delvina ë Kërluku, bënë foto me mua në hyrjen kryesore të Kullës sonë. Mbanim para nesh edhe Flamurin tonë kombëtar. Ajo foto mori botën përmes internetit. Sapo e panë disa bashkëfamiljarë, fqinjë e bashkëvendas, më qortuan rëndë për atë foto.

Shkuan aq larg sa të më thoshin se nuk është dashur të bëhet foto me Flamur shqiptar para Kullës dhe në Fshatin tonë. Bile më kërcënonin se nuk do të duhej të guxoja që ta përsërisja. Kur u ktheva në Amerikë, sidomos Djali im i madh, zuri të me qortonte rëndë për gjithë ato angazhime, por sidomos për atë foto me Flamurin shqiptar. U mërzita shumë. Zura t’i shpjegoja Djalit se kishte të drejtë për atë zemërim, sepse unë deri atëherë nuk i kisha shpjeguar shkoqur se isha shqiptar. Kur i rrëfeva se me atë Flamur ishte bërë dasma e Gjyshit të tij, Babait tim, ai më zuri për qafe. Mua po me rridhnin lotët nga ajo gjendje tepër tragjike. Ai mezi shqiptoi: “Më fal, Baba, tani po të mirëkuptoj…”

Në përmbyllje edhe disa mendime, konkluzione e urata

Fillimisht ndjej nevojë që të bëjë një sqarim pak më të shkoqur: gjithë angazhimi im i viteve të fundit nuk ka për synim kryesor ndërgjegjësimin e kripto-shqiptarëve ortodoksë që t’i rikthehen identitetit tonë etnik shqiptar, ndershmërisht e denjësisht, por të mbroj sidomos Nënat dhe Baballarët tanë nga gënjeshtrat se nuk kanë qenë shqiptarë. Ata tashmë janë të vdekur dhe nuk mbrohen dot. Shpresoj që na i kanë falur fajet që kemi bërë ndaj Tyre, sa ishin gjallë, sepse tjetërsimin dhe shpërfytyrimin tonë duhet ta kenë përjetuan tepër rëndë, sidomos për faktin se nuk kanë qenë në gjendje ta kundërshtojnë vendimin tonë të heshtur dhe kolektiv që të shndërrohemi në makedonë. Edhe për të moshuarit, që vazhdojnë të jetojnë, më vjen keq që vazhdojnë të mos guxojnë t’u tregojnë nipërve dhe mbesave që gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare…

Akoma më brutal ka qenë angazhimi ynë si të konvertuar në “makedonë” të dalldisur, për të dëshmuar veten se jemi më “makedonë” se vetë makedonët. Ndonjëri ka bërë faje të rënda ndaj vëllezërve tanë shqiptarë që i kanë rezistuar asimilimit, meqë janë avansuar në poste të larta partiake (komuniste) dhe shtetërore, rrjedhimisht edhe në poste të larta në polici. Të tillët e kanë vulgarizuar politikën diskriminuese ndaj bashkëkombësve të tyre shqiptarë. Ajo praktikë duhet t’i ketë ngjarë praktikës së pashallarëve, vezirëve, zabitëve shqiptarë, të cilët për të dëshmuar besnikërinë e tyre ndaj pushtuesve turqë, silleshin më se keqi ndaj bashkëkombasve të tyre shqiptarë, meqë interesi i tyre egoist e banal i nxiste që të shpërfaqen më “turq” se sa turqit. Uroj që bashkëkombësit tanë t’i arkivojnë ato padrejtësi si një përjetim fatkeq.

Uroj që të mos rikujtohen ato presekutime në shërbim të nxitjes se ndonjë urrejtjeje e armiqësimi mes nesh, sepse është e mundur që fanatikët dhe ekstremistët makedonë dhe shqiptarë t’i shpërdorojnë ato për të nxit konflikte fetare e etnike mes nesh. Fatmirësisht, përvoja ime e viteve të fundit tregon se shqiptarët e besimit musliman dhe agnostikët dëshirojnë pajtim e mirëkuptim mes nesh shqiptarëve të besimeve muslimane dhe ortodokse dhe mes shqiptarëve e makedonëve. Fatkeqësisht disa kriptoshqimtarë vazhdojnë të jenë promotorë të nacionalizmit ekstremist makedon, duke vazhduar me nxitje të urrejtjeve shoviniste e fetare. Të tillët po vazhdojnë të këmbëngulin që të sforcohet diskriminimi nacional, ekonomik, kulturor e social ndaj popullit shqiptar në Republikën Makedonisë.

Sigurisht, nuk është në interes të kripto-shqiptarëve, por as në interes  të popullit makedon, insistimi për të vazhduar praktikat e deritanishme diskriminuese ndaj popullit shqiptar. Këtë tashmë nuk e arsyeton as dëshira për pushtet, sundim e pasurim të pandershëm, përmes sa më shumë votave “patriotike” e nacionaliste, sepse kështu rrezikohet ardhmëria jonë e përbashkët, që do të duhej të ishte më e mirë se e deritanishmja. Gjithsesi, nga viti 2001 e këtej janë bërë përparime të mëdha sa i përket barazinë nacionale, por sa i përket të drejtave kushtetuese, siç më thonë juristët, më shumë barazi nacionale gëzonte populli shqiptar me Kushtetutën e Republikës Socialiste të Makedonisë të vitit 1974 se sa me Kushtetutën aktuale…

Meqë kam mendimin se bashkëkombësit shqiptarë nuk janë bollshëm të informuar për procesin e definimit dhe të manifestimit të identitetit kombëtar të popullit makedon, po e çmoj të nevojshme të ofroj ca njohuri që i kam vrojtuar gjatë angazhimit tim viteve të fundit.

Deri në pavarësimin e Republikës së Makedonisë (1991) bashkëqytetarët makedonë fare pak kanë menduar me zë se kanë prejardhje nga makedonët antikë, akoma më pak e kanë manifestuar me krenari të arsyeshme këtë prejardhje. Përse ka ndodhur ashtu!? Po përpiqem të jap disa shpjegime…

Si edhe të popujt tjerë të kësaj hapësire, në gjysmën e dytë të shekullit 19-të zuri të ngjallej Lëvizja kombëtare makedone (Ilindeni), e motivuar dhe e manifestuar kryesisht përmes kryengritjeve të armatosura çlirimtare kundër pushtimit shumëshekullor turk. Edhe Lëvizja kombëtare shqiptare, që drejtohej nga i ideologu i shquar Hasan Prishtina dhe bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tij e kanë përkrahur Lëvizjen kombëtare makedone dhe kanë bashkëluftuar pushtuesit turqë. Rol të madh për këtë duhet të ketë luajtur prania e madhe e shqiptarëve të besimit ortodoks në këtë hapësirë, përkundër ndikimit dhe shpërdorimit që i bëhej Lëvizjes makedone nga Lëvizja nacionaliste bullgare, e cila Lëvizjen kombëtare makedone e manipulonte për interesat e saj nacionaliste e ekspasioniste.

Kjo bëri që populli makedon të mos jetë në gjendje të finalizojë angazhimin e tij me pavarësi kombëtare e shtetërore edhe kur pushtuesit turqë u dëbuan nga hapësira jonë. Shkaktar kryesor i asaj fatkeqësie u bë pushtimi serb. Ende nuk e kam të qartë, përse Lëvizja kombëtare makedone nuk i rezistoi pothuajse fare pushtimit serb, i cili, pasi mundi ushtrinë pushtuese bullgare në gusht të vitit 1913, e nënshtroi pa mund të madh popullin makedon.

Vetëm shqiptarët e besimeve muslimane dhe ortodokse bënë kryengritjet e fundit çlirimtare kundër pushtuesit serb në shtator të vitit 1913. Këto kryengritje i organizoi qeveria provizore, e formuar në Dibër në muajin shtator 1913. Ajo qeveri pat caktuar për komandant të forcave çlirimtare një shqiptar ortodoks të Strugës. Ato forca kryengritëse i çliruan nga ushtria pushtuese serbe hapësirat mes Dibrës, Kërçovës dhe Ohrit, por, pas pak ditësh, u munden. Aty e tutje Serbia pushtuese popullin e pushtuar makedon e trajtonte si pjesë të popullit serb, kurse me sforcim u angazhua t’i serbizonte shqiptarët e besimit ortodoks. Rol të madh në atë politikë e praktikë asimiluese luajti edhe kleri nacionalist serb. Pra, ishin kryesisht Serbia pushtuese, por edhe Bullgaria pretendente, që shtypi Lëvizjen kombëtare makedone, por edhe Lëvizjen kombëtare shqiptare. Ai pushtim serb ishte fillesa e asimilimit tonë…

Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore u krijua Republika e Makedonisë, fillimisht si republikë federative e popullit makedon dhe popullit shqiptar. Në krye të saj u imponuan kuadro të shkollës serbe, kryesisht makedonë dhe shqiptarë ortodoksë. Këta të fundit ishin me shumicë si emigrantë në Beograd. Disa prej tyre atje u shkolluan, siç ishte rasti i Djalit të Hallës sime, Video Smilevskit. Gjatë dekadave në vazhdim populli makedon ishte i dyzuar sa i përket prejardhjes së tij etnike, sepse intelektualët  serbofilë, por edhe bullgarofilë, kishin ndikim më të madh se sa intelektualët patriotë makedonë. Fatmirësisht pavarësimi paqësor i Republikës së Makedonisë u dha shans makedonëve patriotë që të mendojnë zëshëm e ta manifestojnë edhe me sforcim romantik prejardhjen e popullit makedon nga makedonët antikë. Këta u ballafaquan me rezistencën e makedonëve serbofilë dhe bullgarofilë, të cilët vazhdojnë të këmbëngulin se populli makedon ka prejardhje etnike sllave.

Pavarësimin e Republikës së Makedonisë populli ynë shqiptar e ka përjetuar si fatkeqësi të radhës, sidomos për shkak se Kushtetuta e re e saj e tkurri barazinë nacionale edhe më shumë se sa Kushtetuta e vitit 1974, meqë në krye të Republikës edhe tani u imponuan kuadrot e dresuar në Beograd, për të qenë sa më antishqiptar. Edhe aktualisht kanë ngelur grupime makedone që kundërshtojnë prejardhjen e popullit makedon nga makedonët antikë. Debati mes makedonëve, sa i përket prejardhjes etnike, ende nuk ka përfunduar. Ai do të bëhej më i zhurmshëm dhe me më shumë përplasje, sikur të mos ishte interesi i tyre nacionalist kundër shqiptarëve.

Kripto-shqiptarët ortodoksë duhet ta kenë mirëpritur përcaktimin  e popullit makedon me prejardhje nga makedonët antikë, sepse dihet mirëfilli se popullsitë dërmuese të Evropës Juglindore kanë prejardhjen e përbashkët etnike nga pellazgo-ilirët, pjesë e të cilëve ishin dardanët, makedonët, epirotët, grekët (jo-helenët), etj. Ka edhe nga ata shakagji injorantë makedonë që mendojnë se kanë prejardhje të dubluar: nga makedonët antikë dhe nga sllavët…

Bashkëkombësit e mi autokton shqiptarë, kryesisht të besimit muslimanë, vazhdojnë të heshtin ndaj gjithë këtij procesi identitar të popullit makedon, të paktën nuk po e kontestojnë e kundërshtojnë, siç po ndodh me kundërshtimet nga nacionalistët helenë, bullgarë e serbë. Edhe bashkëkombasit shqiptarë që kanë njohuri e vetëdije të theksuar historike dhe kombëtare u përmbajtën që të mos e shfaqin gëzimin kur u ngrit Përmendorja pompoze e Kryeheroit legjendar Aleksandrit të Madh, meqë nuk dëshironin të provokonin xhelozi tek bashkëqytetarët makedonë, të cilët, po ta përdornim fjalorin popullor, rezulton që t’i kemi të paktën kushërinj, nëse jo vëllazër, meqë kemi prejardhje të përbashkët nga pellazgo-ilirët, edhe pse gjuha e një pjese të pasardhësve të makedonëve antikë është sllavizuar gjatë pushtimeve bullgare në shekullin 9-11.

Kryesisht gjuhën makedone po e përdorin si argument nga disa bashkëkombës të mi për të kundërshtuar prejardhjen e popullit makedon nga makedonët antikë, duke anashkaluar faktin, se goxha shumë është orientalizuar kultura e shqiptarëve të këtushëm të besimit musliman; të dy këto fatkeqësi janë të imponuara nga pushtuesit përkatës shumëshekullorë bullgarë e turqë, por fatkëqinjtë rëndom shquhet për minimizimin e fatkeqësive vetanake, duke ngushëlluar veten me fatkeqësitë që i kanë goditur fqinjët, në rastin konkret popullin makedon. Këto fatkeqësi kanë cënuar rëndë identitetet tona etnike; mbase edhe bashkëkombësit e mi do të binden se, si pasojë e tyre, shumë shqiptarë, bile edhe ata që deri sa zbritën në qytete ishin malësorë shqiptarë të besimit myslimanë, tani po deklarohen turq, duke shpresuar se do të kenë përfitime materiale nga Turqia (ta zëmë në Gostivar numri i tyre ka kaluar 5 përqindëshin).

Nëse nuk u stërgjata, mbase nga këto shpjegime që paraqita rezulton se marrëdhëniet tona janë goxha të komplikuara, prandaj po vazhdojmë të jetojmë pranë njëri-tjetrit dhe jo me njëri-tjetrin. Këtë e dëshmojnë, ta zëmë, mospjesëmarrja e përbashkët në dasma e deka, mosdëshira për të mësuar gjuhët e njëri-tjetrit, mediat një-nacionale, partitë një-nacionale etj.

Meqë makedonët po vazhdojnë të këmbëngulin që shteti ynë i përbashkët është pronësi ekskluzive  e popullit makedon, qeveritarët dhe parlamentarët makedonë po vazhdojnë të imponojnë pushtet pothuajse ekskluziv “makedon”; ata nuk mund të mendojnë dhe ta akceptojnë, ta zëmë, se gjuhët tona duhet të legalizohen si gjuhë të barabarta zyrtare, sipas modelit zviceran. Kjo po ndodh për shkak se ende po dominon fryma e kuadrove të dresuara në Beograd, por edhe për shkak se ne shqiptarët nuk jemi më këmbëngulës për të imponuar këtë dhe barazitë tjera nacionale. Mbase kjo është pasojë e vetëpërmbajtjes së tepruar të popullit shqiptar, i cili po e nënvlerëson potencialin e vet dhe po tregohet tepër i kujdesshëm ndaj frustrimeve nacionaliste të mekedonëve ekstremistë, kryesisht për hirë të qetësisë dhe të paqes, qoftë edhe tejet të brishta, siç i kemi aktualisht…

Po i rikthehem edhe njëherë komunitetit tonë – shqiptarëve ortodoksë. Unë jam i vetëdijshëm se, pasi u detyruam të lëshojmë vendlindjet tona, kanë ndodhur edhe shumë martesa të përziera mes shqiptarëve ortodoksë dhe makedonëve, sepse qenë prishur lidhjet dhe njohjet e natyrshme mes nesh. Martesat mes shqiptarëve muslimanë dh ortodoksë fatkeqësisht kanë qenë vetëm përjashtime, për të mos thënë nuk kanë ndodhur e nuk po ndodhin fare, kryesisht për shkak të përkatësive fetare, meqë ashtu na kanë dresuar klerikët dhe nacionalistët.

Për ilustrim, po sjell rrëfimin e një Zonje makedone, kur pat ardhur për vizitë në Kiçinicë me bashkëshortin e saj, shqiptar ortodoks dhe fëmijët e tyre, të cilët, siç mu duk, rrëfimin e nënës së tyre po e dëgjonin për herë të parë. Ajo tha sinqerisht, se katër vite i ishin dashur që të bindë prindërit e saj për t’u martuar me bashkëshortin, sepse kishin paragjykim për përkatësinë e tij etnike shqiptare, edhe pse i përkiste besimit ortodoks. Fëmijët e martesave të përziera tani e kanë të vështirë të përcaktohen, kur dëgjojnë se njëri nga prindërit e tyre është shqiptar ortodoks, siç po ndodh edhe me fëmijët tanë…

Cilën anë po mbajnë ose duhet të mbajnë kripto-shqiptarët ortodoksë gjatë debateve definuese mes makedonëve, nëse kanë prejardhje etnike nga makedonët antikë ose nga sllavët? Interesant, ata që unë njoh, vetëm heshtin, nuk prononcohen për asnjërin nga variantet. Fatlume do të ishte sikur ata të dëgjonin shpirtin dhe jo barkun e tyre – t’i rikthehen identitetit të tyre shqiptar; ata që duan e guxojnë të deklarohen lirshëm shqiptarë, uroj që të mbajnë qëndrim të dinjitetshëm, por edhe ata që nuk duan e nuk kanë guxim, nuk do të duhej të shpërfytyrohen në nacionalistë makedonë, duke u imponuar si “më katolik se Papa”.

Uroj që shqiptarët dhe kripto-shqiptarët ortodoksë të bëhen urë lidhëse në mes popujve tanë, shqiptarë e makedon, të kontribuojnë njerëzisht e qytetarisht në rritjen e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndëretnik dhe ndërfetar. Do të duhej tashmë të zëvendësohet bashkëjetesa pranë njeri-tjetrit, me bashkëjetesë me njeri-tjetrin. Për këtë mund të ndihmojnë më së shumti shqiptarët dhe kripto-shqiptarëtort odoksë…

Uroj që partitë politike në Shtetit tonë të ndryshojnë përcaktimin e deritanishëm, organizimin vetëm në baza një-nacionale e një-fetare, duke shkuar drejt partive demokratike qytetare dhe duke garuar mes tyre jo me programe sa më patriotike e nacionaliste, por me programe sa më demokratike e zhvillimore.

Uroj që edhe propozimi im Makedonia Ilire të debatohet e mirëpritet për emërtim kompromis të Republikës së Makedonisë, sepse i përgjigjet më së miri realitetit historik të kohës antike për popujt tanë dhe do të akceptohej me kënaqësi nga ne shqiptarët. Edhe unë jam një bashkëqytetar, që famën e Makedonisë antike, ish-paraardhëses sonë të përbashkët, të mos e përvetësojnë e monopolizojnë neofashistët helenë për interesa të tyre nacionaliste; helenët (jo-grekë) nuk janë pasardhës të makedonëve antikë! Makedonia antike ishte vërtet paraardhësja jonë e përbashkët, e cila qytetërimin antik grek (jo helen) e bëri të përhapej, afirmohej dhe të admirohej në Botë. Për këtë jemi krenarë edhe ne shqiptarët që kemi mundur të ruajmë krenarinë përkatëse. Po kështu, edhe Iliria, Dardania, Epiri etj., ishin njësoj paraardhëse tonat të përbashkëta. Në të gjitha hapësirat e tyre popullsitë flisnin pellazgjishten, rrjedhimisht protoshqipen, ndërsa greqishtja e vjetër ishte vetëm gjuhë e sajuar artificialisht ngapriftërinjtë, poetët, filozofët e popujve tanë paraardhës…

Uroj që edhe Kisha ortodokse e Republikës së Makedonisë të tregojë tolerancë ndaj shqiptarëve të besimit ortodoks, duke u çliruar plotësisht nga kleri nacionalist ortodoks serb. Kishat ortodokse në Republikën e Makedonisë është e besimtarëve ortodoksë, pavarësisht përkatësisë nacionale, prandaj edhe shqiptarët e besimit ortodoks duhet të mos diskriminohen gjuhësisht prej saj.

Uroj që sivëllezërit tanë shqiptarë të besimit musliman, të përafrohen sa më shumë me sivëllezërit e tyre shqiptarë dhe me kriptoshqiptarët e besimit ortodoks, por edhe me makedonët e dinjitetshëm. Për ardhmërinë tonë sa më të mirë është e domosdoshme bashkëjetesa dhe angazhimi i përbashkët për të konsoliduar Shtetin tonë që të bëhet edhe më demokratik, me barazi e të drejta edhe më të mëdha nacionale e qytetare, kushtëzime këto për zhvillim edhe më të përshpejtuar ekonomik, për të përballuar krizën e rëndë aktuale ekonomike në vend dhe në botë.

Uroj që të ndodh integrimi sa më i shpejtë i Republikës së Makedonisë (Ilire) në NATO dhe në Bashkimin Evropian, duke u dhënë fund sa më shpejt ëndërrimeve e angazhimeve për dofarë aleanca nacionaliste pansllaviste, sepse europianizimi ynë në kuadër të Bashkimit Evropian është shansi ynë më i natyrshëm dhe më i dobishëm.

Gjithsesi, në përmbyllje të kësaj paraqitjeje, ndihem i detyruar të falënderoj të gjithë bashkëqytetarët që më mirëkuptojnë dhe që i përkrahin angazhimet e mia.

Branko Manojlovski
(Kiçinicë, Reka e Epërme, Republika e Makedonisë, gusht 2013)

Dërgoi për publikim, Ibrahim – Miran Kelmendi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.