Evropa dhe reflektimi i Kosovës…

3
38
Takimi në Bruksel - Kurti - Vuçiq
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Situatat e rënda në Kosovë krijohen artificialisht nga qëndrimi armiqësor i Serbisë ndaj saj. Kjo gjendja rëndohet edhe më shumë nga mbështetja që i bëjnë Serbisë, disa politikanë të BE-së. Kjo situatë sjell pasiguri për Kosovën dhe shtetin e brishtë të saj. Kosova padrejtësisht është ndëshkuar me masa nga BE-ja. Dhe vazhdon të kërcënohet prej saj, se këto masa mund të thellohen më tej në të ardhmen… Pyetja shtrohet përse mund të thellohen këto masa ndaj Kosovës? Sipas tyre “arsyetimi” i shtimit të masave ndaj Kosovës mund të vijë nga: Veprimet e njëanshme të kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij për vendosjen e autoritetit të shtetit në veriun e Kosovës; mbyllja e godinave të Komunave paralele në veri; mbyllja e bankave në veriun e Kosovës që financoheshin nga Serbia; këmbëngulja e Kurtit për hapjen e Urës së Ibrit, etj… Çfarë gjëje të keqe ka këtu? Çfar nuk shkon në vendimet e qeverisë për këto probleme? Asgjë të keqe nuk ka. Kështu funksionojnë shtetet demokratike.

Cili shtet i BE-së do t’i pranonte komunat dhe strukturat paralele në vendin e tij? Kush nga vendet e BE-së, do të pengonte hapjen e urave në vendin e tyre? Askush… Aq më tepër që për këto tema Kosova ka bërë marrveshje me Serbinë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të BE-së. Serbia dinake nuk ka zbatuar asnjë marrveshje të dakortësuar nga dy palët, në bisedimet me Kosovën! E përsëri, kërkohet gati në “kor” nga pala evropiane, krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës! A nuk turpërohen politikanët me peshë të BE-së, kur Vuçiçi dhe Serbia nuk ka nënshkruar asnjë marrveshje. Aq më keq kur ajo nuk ka zbatuar në terren marrveshjet e “arritura” në “bisedimet” me Kosovën! A ka mungesë dinjiteti, këtu? Unë mendoj se Vuçiçi po kërkon kohë dhe po luan me Evropianët. Pavarësisht kësaj Serbia vazhdon të përkëdhelet prej tyre! Kjo është e papranueshme. Serbia duhet të ndëshkohet për moszbatimin e marrveshjeve të arritura me Kosovën. Pse ky indiferentizëm? Pse fajësohet, Kosova?

Në këto kushte dhe rrethana, Kancelari i Gjermanisë, Shchols, firmos marrveshjen me Vuçiçin për minierën e Litiumit në Serbi. Po kështu Presidenti i Francës, Makron, firmos marrveshje me Vuçiçin për dhënjen e 12 avionëve modern Rafale, Serbisë. Madje Makroni është i “shqetësuar” për veprime të “njëanshme” të Qeverisë Kurti ndaj serbëve të Kosovës, të cilët sipas tij janë të “rrezikuar” dhe të “pasigurtë” nga veprimet e qëndrimet e njëanshme dhe të pakordinuara të Qeverisë Kurti. Lind pyetja, çfar u bë me planin Franko-Gjerman që u ra dakort gjatë bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë? Heshtje për këtë! Asnjë fjalë në takim për tërheqjes e Serbisë dhe ish-kryeministres Bërnabiq, nga ky plan! Asnjë fjalë për mosnënshkrimin e këtij plani të dakortësuar mes palëve, nga Presidenti i Serbisë, Vuçiç…! Kjo tregon njëanshmëri të skajshme të disa prej liderëve evropianë në qëndrimet ndaj Kosovës. E habitëshme është koherenca e tyre në veprimet dhe qëndrimet ndaj Kosovës.

Me sa duket për to, nuk ka rëndësi: Funksionimi normal i Kosovës së pavarur; lufta e UÇK-së e viteve 1998-1999 për liri dhe pavarësi; flijimi dhe vrasja e mbi 12 mijë vetëve në këtë luftë; gjenocidi i Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës; përdhunimi i grave, vajzave dhe nënave të Kosovare nga forcat pushtuese serbe; numri i madh i të zhdukurve të luftës, etj. etj. Kjo nuk është drejtësi por padrejtësi ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Këto veprime nuk e nderojnë Evropën. Kjo lojë e madhe kërkon “kurban”, të ri… Kosova nuk mund dhe nuk duhet të bëhet kurban i ri i Evropës, duke pranuar ndarjen e Veriut të saj. Asociacioni i mundshëm për Komunat me shumicë serbe, prodhon “nesër” ndarje dhe shkëputje të Veriut të Kosovës, në favor të Serbisë. Këtë do ta kishte zili dhe vetë Millisheviçi… Serbia edhe në të ardhmen do të pengojë Kosovën në rrugëtimin e saj. Në mendimin tim, ajo, nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e saj… Ne si shqiptarë duhet të bashkohemi për të ndalur Serbinë dhe veprimtarinë e saj agresive ndaj Kosovës…

Miqtë dhe ndërkombëtarët që na ndihmuan duhet ta çojnë deri në fund krijimin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës. Me gjithë dëshirën tonë kjo nuk varet nga ne. Secili prej tyre punon dhe lufton për interesat e veta. Mendoj se interesi i ndërkombëtarëve ka rënë disi për Kosovën. Kjo situatë e komplikon edhe më shumë: Gjendjen politike dhe ekonomike të Kosovës; forcimin e shtetit dhe institucioneve të të saj; vendosjen e autoritetit të shtetit edhe në Veriun e Kosovës; në rritjen e çnjohjeve të shtetit të Kosovës; në pengimin e pranimit të Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare, etj. Për fat të keq kjo është gjendja reale në terren. Në këtë situatë, Kosovës i duhet bashkimi i klasës politike të Kosovës dhe një reflektim i ri i saj në mbështetje të Qeverisë, për bisedimet me Serbinë.

Në mendimin tim Kurti dhe qeveria e tij kanë qenë koherente dhe nuk kanë shkelur vijat e kuqe të Kosovës, në bisedimet me Serbinë. Përkundrazi, ajo, ndryshe nga paraardhëset e saj i ka mbrojtur këto vija të kuqe dhe është bërë pengesë e pakapërcyeshme për Serbinë. Mendoj se opozita në Kosovë, për interesa pushteti, ndjek një rrugë tejet të gabuar që e çon ujin në mullirin e Serbisë. Kjo duhet të ndalet me çdo kusht. Për çështjen kombëtare duhet bashkim, jo ndarje pozitë-opozitë. Liderët e LDK-së dhe PAN-it, për inat të Kurtit, janë të gatshëm të “përkrahin” edhe qëndrimet dhe veprimet e Serbisë. Aq më keq këto akuzojnë Kurtin si bashkëpunëtor të Serbisë. Kjo është e turpshme për to, kur Kurti: Nuk pranoi Ballkanin e Hapur; nuk pranoji Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në veri; nuk pranoi ndarjen e Kosovës, etj.

Përkundrazi, Kurti: Nuk shkeli mbi këto vija të kuqe, vendosi autoritetin e shtetit të Kosovës edhe në veri të saj, ndërpreu veprimtarinë e komunave paralele në veri të cilat drejtoheshin nga Serbia, po punon për eleminimin e bandave kriminale që vepronin në veri, zevendësojë postat Serbe në veri me Postat e Kosovës, po lufton që të hapë Urën e Ibrit… E çfar duhet të bëjë tjetër, Kurti?!! Duhet të vjedhë si ish-liderët e mëparshëm, duhet të përvetësojë pronat dhe pasuritë e mbetura publike, duhet ti dhurojë Serbisë veriun e Kosovës dhe pasuritë përrallore të saj, duhet të pranojë ndarjen Kosovës? Jo. Absolutisht jo. Këtë ai e ka vërtetuar me qeverisjen e tij. Që Kurti të jetë më i duksesshëm si kryeministër, duhet të kordinohet më mirë me aleatët, veçanërisht me SHBA-në. Në të kundërtën, ai do të ndëshkohet me votë nga populli i Kosovës në zgjedhjet e ardhshme…

Ibrahim Kabili

Tiranë, më 02.09.2024

3 KOMENTE

  1. Ju jeni injorant komunist dhe urrejtes i Kosoves , respektivisht i lirise dhe pavaresise se Shqiptareve te Kosoves….sikurse secili komunist tjeter me prejardhje Shqiptare.

    • Nuk ju njoh, por vërtet jeni totalisht i gabuar me këtë koment..Sepse unë lexova shkrimin dhe nuk ka asgjë kundër Kosovës…Ku e merr të drejtën ti të fyesh dikë, një profesor, që jep shumë qartë realitetin e sotëm të Kosovës…Ku din ti se çfar janë komunistët…sepse të uresh komunistët do të thotë të jesh fashist…Ata komunistët që uren zotrote, nuk e lejuan kurë Greqin të ngej flamurin grek në Himarë dhe sot Himara të flas Greqisht…Ata komunistët që thua ti, kurrë nuk u thanë turqve, armiqve tan më të lig se Sërbia dhe Greqia, se i kemi vëllezër, dhe ata në mes të Prishtinës të thonë se flamuri shqiptar është një leckë, të mallkojn dhe gjuhën shqipe dhe Skenderbeu është thjesht kaçak… Pse disa nga ju të dardanisë flisni shumë keq dhe me urejtje për shqiptarët… Zgjohu mor mik dhe kërkoi falje profesorit, sepse nuk është fare komen i duhur, i mençur…

  2. Të falederoj për komentin ofendues që më bën!
    Ju nuk dini të bëni gjë tjetër përpos saj.
    Ky është turpi juaj, pavarsisht të qenit njeri i letrave apo jo. Unë e dua edhe më shumë se zotëria jote Kosovën martire, figurat historike dhe patriotike të saj, UÇK-në e lavdishme dhe popullin martir shqiptar të Kosovës. Këtë e kam shprehur edhe në librin tim të fundit “Kosova dhe sfidat e saj”. Ne jemi një komb dhe kemi të njëjtin qëndrim. Forca jonë është bashkimi dhe jo përçarja që zotrote mundohesh të bësh. Reflekto zoti Bytyçi! Larg urrejtjes, pro respektit dhe dashurinë për shqiptarët.
    Të uroj gjithë të mirat familjarisht!
    Autori i shkrimit, Ibrahimi.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.