Fejton…
Është një kanal, nga ato kanale që mbyten e ndalin rrjedhën. E jetoj prej 13 vjetësh. E kam diku tek 15 metra larg.
Verës e shoh nga ballkoni i shtëpisë time.
E shoh dhe e ndjej.
Shoh mushkonjat tek dalin mbrëmjeve e më mbyllin brenda. Nuk i mban as rrjeta. Kërkojnë gjak. Gjak pa dallim por më shumë u pëlqen ai i fëmijëve, i mbesës dhe nipit tim, e mbesave dhe nipërve të kompleksit ndërtimor “AGZA DIBRA”. Dhe më gjerë, sa gjatësi ka kanali….
E ndjej në erën që më vjen në hundë, erë e qelbur, erë kalbësirash e ngordhësirash…
E shoh në lëvizjet, lëvizje gjarpërinjsh, kuakje bretkosash, hardhuca, pilivesa…
Jam qytetar i bashkisë së Kavajës, me gjendje civile në Golem. Paguaj taksë pastrimi, të gjitha llojet e taksave, deri tek më e fundit “taksë arsimi”.
Nuk është hera e parë që shkruaj, që trokas në dyer pushtetarësh poshtë e lart.
Një herë para dy vjetësh erdhën dy vetë nga shëndetësia, ajo e madhja, e Tiranës. I shoqërova gjatë gjithë gjatësisë së qelbur të kanalit, deri atje ku derdhej në det. I kam edhe emrat e tyre, bile edhe numrat e telefonit. Nuk po i nxjerr thjesht sepse ata ishin të varfër në zgjidhjen e problemit.
Se problemi donë të mblidhen bashkë jo vetëm ministria e shëndetësisë por edhe disa të tjera, deri tek kryeministria, bashkia e Kavajës, njësia administrative e Golemit…
Kanalet ndërtohen për të rrjedhë, për të përcjellë ujin. Ata duhet të kenë pjerrësinë e duhur që uji të ecë e jo të ngecë. Në këtë kanal uji ngec, e ndal rrjedhën. Bëhet kënetë e mbulohet nga kallamat në llumin e të cilit marrin ushqim e zhvillohen dy bojë burri të lartë.
Kthehet në një gropë të gjatë të zezë ku kush nuk hedh mbeturina e inerte, ku kush nuk derdh “ujëra të zeza e të bardha” (dreqi e merr vesh ngjyrën dhe përmbajtjen e tyre) dhe inerteve të ndërtimeve të shumta që janë bërë dhe vazhdojnë me intensitet të lartë të bëhen. Herë pas here shoh një betonierë që rrotullohet e derdh në kanal çfarë ka brenda, çimento e zhavorr, lahet e pastrohet…
Tek ura kanali bllokohet, bllokon rrjedhën e dimrit mbufatet, kalon nivelin e përmbyt tërë hapësirën e kompleksit të banimit prej 90 apartamentesh e familjet që jetojnë tërë vitin jo njëherë kanë thirrur urgjencën për nevojat jetike. Vetëm këtë vit të “thatë” është përmbytur dy herë e gjurmët e llucës i gjen edhe këto ditë gushti në tërë hapësirën e tij.
Ndokush, edhe atje në krye të piramidës mbase mendon për një investim të madh (e kësisoj për një përfitim të madh)
Jo. Nuk ka nevojë për asnjë lloj investimi, për asnjë dorë çimento e as një metër shufër hekuri.
Thjesht ka nevojë për pastrim, pastrim që uji të rrjedhë, shkuljen e kallameve dhe bimëve që e shndërrojnë atë në kënetë, burim dhe fole të mushkonjave dhe kafshëve të tjera bretkosa e gjarpërinj.
Ka nevojë që resorteve anës tij (që të marrin mend nga bukuria dhe luksi), tu “tregohen vendi” se ku dhe si “jashtëqitjet” e tyre të “bardha” ti derdhin e ta trajtojnë kanalin me të njëjtin kujdes pastërtie siç tregojnë për pishinat luksoze uji i të cilave zbrazet e mbush kanalin.
Çështja shtrohet që kanali të marrë të paktën pamjen e pjesës që vjen teposhtës së rrugës “Skënderbej” e deri sa merr kthesën tek ura përball resortit “Henri”.
Me pak mend specialisti e pak përkushtim qytetar e zyrtar, kjo fole artificiale e mushkonjave dhe aromave që të marrin frymën mund të zhduket.
Turizmi fillon nga pastërtia…
Këtë shënime po i përcjell me një fotografi fiksuar vitin e kaluar dhe një fotografi të këtyre ditëve.
Shpresoj që këto rreshta të parakalojnë nëpër sytë e atyre që dinë të lexojnë dhe kanë vesh të dëgjojnë, deri tek kryeministri, që din shkrim e këndim, edhe… vizatim…
Unë po ua përcjell…
Shpresoj që dikush të më njoftojë të paktën me fjalinë e shkurtër… “E mora”
Abdurahim Ashiku
Gazetar
Mali i Robit, 2 gusht 2023