DUKE KUJTUAR VETERANIN ZOTO MARA, ISH DEPUTETI VENDLINDES SIME KROPISHT VLORË

0
211
Zoto Mara

ZOTO MARA

Kur isha  ende fëmijë e shkoja në klasën e pastl të shkollës “28 nëntori” në qytetin e Vlorës dalloja që larg në qendrën e qytetit fotografinë e veteranit Zoti Mara. Sigurisht më tërhiqte ngjajshmëria e mbiemrit Mara, E dija që nuk ishte i fisit tim ” Mara”  në Kropisht,por ishte i fisit “Mara”  në Peshkëpi. Dy fshatra  fqinjë në kurrizin kodrinor Kropisht – Peshkëpi që lartësohet midis luginës së Shushicës së poshtme dhe luginës së Vllahinës. Zoto Mara  ishte ndër veteranët e luftës që me përkushtim punoi për vendlindjen e tij.Nuk preferoi jetën komode në qytete, ku i ofruan vdende drejtuese në administratën shtetërore,por me dashuri për vendlindjen, midis bashkëfshatarëve të tij nisi me pasion drejtimin  e prodhimit bujqësor-blegtoral e e në kooperativën e bashkuar Peshkëpi – Penkovë – Vezhdanisht – Kropisht, me qendër administrate në Peshkëpi.

Kur zbriste nga lagja e vjetër,në kodër-Peshkëpi, duke ecur për në qendrën e administratës shkonte e takonte punonjësit në parcelat e fushës.Me trupin e tij të drejtë si lastar,me një buzëqeshje pranverore të sinqertë, me shumë dashamirësi u afrohej bashkëfshatarëve duke komunikuar me thjeshtësi e ngrohtësi njerëzore.

Në zyrat e administratës qëndronte pak, duke lënë detyrat e ditës,sepse zyrat e tij ishin  parcelat e prodhimit bujqësor,jo vetëm atë fushore, por edhe në zonën kodrinore.Në atë kohë nuk kishte rrugë ,por as makina. Kryetari Zoto Mara u ngjitej si djalë i ri kodrave të Penkovës, të Vezhdanishtit, e të Kropishtit duke frymëzuar e mobilizuar çdo brigadë bujqësore apo frutikulture, për rritjen e cilësisë që të çonte në rritje e rendimetit  të punës. Nën drejtimin dhe përkushtimin e tij profesional e atdhetar u rrit prodhimi bujqësor e blegtoral,u shtuan parcelat me vreshta e ullinj.

Me modesti ai vlerësonte e motivonte specialistët më të mirë duke nxitur përvojën e përparuar.Ishte korrekt e serioz në planifikimin e punës ditore, apo edhe natën për ruajtjen e prodhimit nga dëmtimi natyror  dhe ai njerëzor. Nuk pajtohej me vjedhësit dhe shpërdoruesit. I shte i rreptë në gjykime ndaj përvetësuesve të prodhimeve bujqësore. Fjala e tij dëgjohej me shumë vemendje. Në mbledhjet e hapura në fshatrat Penkovë, Vezhdanisht,e Kropisht diskutonte për shqetësimet që kishte çdo familje, duke forcuar harmoninë e mirëkuptimin në përballimin e vështirësive të kohës.

Veterani Zoto Mara ishte deputeti i vendlindjes,fëmijërisë e rinisë sime. Kur vazhdoja shkollën fillore në Kropisht,dëgjoja nga bisedat e prindërve  “ Sot vjen  deputeti ynë Zoto Mara”. Në atë moshë unë nuk e dija konceptin e shtetit dhe as kuptimin e fjalës deputet.  Në takimin e organizuar në “Qafën e Lëmenjve”, afër Kociverdhit, pashë për herë të parë  deputetin Zoto Mara. Ishte një takim pa komoditete, nuk kishte sallë për mbledhje,por ishte improvizuar  një stol dhe një tavolinë me dërrasa për të deleguarit që shoqëronin deputetin, Të gjithë ishim ulur mbi livadhin me bar e lulet e stinës.

Sytë e deputetit Zoto Mara, të ndriçuara nga optimizmi për të jetuar lirinë e fituar nga Lufta AntifashisteNacional-Çlirimtare harmonizoheshin me sytë e bashkëfshatarëve, të cilët frymëzoheshin nga bashkëbisedimi i sinqertë i deputetit të zonës elektorale. Fjalët  e  deputetit Zoto Mara ishin fjalët e zemrës të një pjesmarrësi aktiv në luftën për çlirimin e atdheut nga okupatori pushtues. Ato ishin fjalë mobilizuese për ndryshimin e jetës social-ekonomike.

Në fshatin e lënë në harresë , nga regjimet e kaluara,mungonte rruga,nuk kishte drita elektrike,por ndriçimi bëhej me llamba,apo kandil me vajguri.Nuk kishte dyqane tregëtije,ndihej edhe mungesa e sapunit.Familjet fshatare laheshin me finjë,uji i përzier me hirin e drurëve të djegur. Në këto mjedise e për këto halle ,deputeti Zoto Mara ,bisedoi me shpirt atdhedashurie duke u dhënë shpresa se jeta do të përmirësohej.

Pa kaluar legjislatura e parë si deputet, filluan ndryshmet me ndërtimin e rrugës, të dyqanit Mapos, dhe shkollës.Kur ishte deputet në legjislaturën e dytë të Kuvendit Popullor,sapo mësohej lajmi se do vinte deputeti Zoto Mara, si në një sinjal alarmi i gjithë fshati Kropisht grumbullohej në qendrën e re tek lagja Kala, e cila ishte e ndërtuar me shtëpi dhe orendi të reja. Më parë flihej me shtresa mbi rrogoza, ndërsa koha e re futi në familet krevatet,divanet,dritat elektrike e mbi të gjitha kulturën e re të jetesës me higjenë sa më të pastër.

Zona elektorale e rrethonte me shumë ngrohtësi deputetin Zoto Mara,sepse ishte i thjeshtë ,modest e dashamirës në komunikim edhe përjetonte hallet e bashkëfshatarëve.Ai ecte në këmbë për të takuar zgjedhësit e zonës së tij elektorale,ashtu si ecte kodrave e maleve me pushkë në krahë  duke luftuar për çlirimin e Atdheut,

Vitet e luftës antifashiste  veterani Zoto Mara  i mbarte në shpirt kudo që ishte.Kur isha fëmijë shkoja me prindërit në festën e Drashovicës,që bëhej çdo  shtator të çdo viti.Pas mitingut festiv grumbulloheshim sipas zonave  dhe fshatrave. Midis trungjeve shekullor të rrepeve ishin krijuar katër rrathë me tabelat,Peshkëpi,Penkovë,Vezhdanisht, Kropisht ,por edhe të fshatarave të tjerë të Labërisë. Në formë rrethi,ulur në tokë ,në bazë fshati kuvëndohej  e urohej festa me raki e me mish të pjekur. Kënga gjëmonte.  Zoto Mara ,i gëzuar ,por dhe me emocionet e kujtimeve të luftës antifashiste  shkonte tek të gjithë fshatrat dhe me përmallje takohej me shokët  e tij të luftës.

Kur u përurua lapidari  dëshmorëve të Kropishtit isha mësues në shkollën fillore të vendlindjes sime Kropisht Vlorë. Përgatitëm një koncert me recitime dhe tufa me lule që do jua dhuronim veteranëve të luftës. Veterani Zoto Mara , i shoqëruar nga veterani Mehmet  Jaho ( Luftar Bolena) ,prenë shirtin e inagurimit të Lapidarit, ku ish shkruar emrat e 11 dëshmorëve të fshatit Kropisht. Kur nxënësit  ju dhanë  veteranëve tufa me lule , në fytyrën e bukur të Zoto Marës  rrëshqisnin lotët e dhimbjes për bashkëluftëtarët e tij që kishin flijuar jetën për çlirimin e atdheut. Zoto Mara ishte human, me zemër të gjerë. Ai dinte dhe donte të ndihmonte me shumë dashamirësi.

Kur isha mësues,në shkollën e vendlindjes sime Kropisht ,kisha bërë kërkesë  për të vazhduar studimet universitare,por nuk ma miratuan  të drejtën e studimit sepse e kishin klasifikuar fisin tim “Mara” të deklasuar,sepse kisha kushëririn e parë të babait  të burgosur politik. Kur ribëra vitin tjetër kërkesën për të vazhduar shkollën e lartë, në kooperativën e bashkuar  me qender fshatin Peshkëpi,ishte kryetar Zoto Mara. Komisioni  i arsimit në Komitetin Ekzekutiv  të rrethit Vlorë,kërkesën time e kishte aprovuar,duke menduar se isha  nga fisi i Zoto Marës. Ish sekretari Kom. Ekz. ,në një mbledhje pune i kishte thënë Zoto Marës : “ Nipit tuaj, Qatip Mara , i dhamë të drejtën e studimit për në universitetin e Tiranës”.

Zoto Mara me zemër humane, nuk u kish  treguar se isha nipi kulakut, por e kishte falënderuar që më kishin dhënë të drejtën e studimit. Sekretari byrosë së partisë të kooperativës të bashkuar Peshkëpi që sapo ishte emëruar,kishte realizuar  anullimin e të drejtës time të studimit, duke argumentuar me luftën e klasave. Sipas tij tij e drejta e studimit , të nipit të kulakut, duhej të jepej për familjet komuniste. I trishtuar që më anulluan të drejtën e studimit, shkova takova  Zoto Marën.  Më priti me shumë dashamirësi njerëzore e prindërore duke më qetësuar dhe ndriçuar shpresën se do ta merrja  të drejtën e studimit. Nuk kaloi pak kohë dhe rifitova të drejtën e studimit, me ndihmën e atij burri shpirtbardhë e human. Sigurisht një ndihmë e tillë nuk harrohet, prandaj e kujtoj me mirënjohje e respekt.

Vite më vonë kur filloi epoka e internetit lexoja krijime letrare në medien virtuale. Lexoja edhe krijimet e shkrimtarit e poetit Myrteza Mara,por nuk e dija  se ishte biri i Zoto Marës. Rastësisht,në një poezi kisha bërë një koment modest. Poeti Myrteza Mara më dërgoi përshëndetje falënderimi  duke më thënë “kusho”, për shkak se kemi një mbiemër Mara. Kur mësova se ishte biri i veteranit Zoto Mara shkova në Vlorë për ta takuar. U takuam në një ditë të bukur të muajit prill 2013. Sapo e pashë në largësi më doli para syve imazhi bukur i  veteranit Zoto Mara. Si dy pika uji  ngjajnë AT’ e bir. E njëjta buzëqeshje pranverore. Të dy me ndjenja humane e me botë të pasur shpirtërore. Sigurisht e thotë populli “ Bëmë baba, të të ngjajë”, ose  “ Ku ka rrjedhur do pikojë, do vejë soji në soj”.

Bisedova miqësisht me shkrimtarin e poetin Myrteza Mara duke fisksuar edhe një fotografi. Duke ndjerë krenari për performancën e babait , i biri Myrtza Mara e ka lartësuar trashëgiminë e veteranit  Zoto Mara  edhe me krijmtarinë letrare cilësore.Nuk dua të analizoj në këtë shkrim veprimtarinë krijuese letrare të tij, por dua të theksoj vlerën njerëzore si qytetar shumë i kulturuar, me sjellje më se të njerëzishme, ashtu si ishte babai tij, Zoto Mara, i cili  deri sa jetoi mbeti njeri i admiruar, duke mos u ndarë asnjëherë nga vendlindja.

Edhe në vitet pas jetës aktive në drejtimin e veprimtarisë ekonomike, veteranin Zoto Mara e gjeje të gëzuar midis bashkëfshatarëve të tij, midis nxënësve e të rinjëve duke zhvilluar biseda atdhetare. Vendlindja Peshkëpi dhe dashuria për atdheun ishin pasuria e tij shpirtërore. Në vendlindje mbylli sytë përjetësisht dhe prehet i qetë  duke lënë trashgimtarë të denjë, siç është edhe shkrimtari e poeti Myrteza Mara. Në këtë shkrim,kushtuar veteranit  dhe deputetit të vendlindjes time, dua të theksoi se Ai, burrë nuk luftoi  për t’u pasuruar, por vetëm për t’i shërbyer  me devotshmëri vendlindjes dhe atdheut të dashur.

Njerëz dhe deputet si Zoto Mara janë modele të rralla të sakrificës sublime në shërbim të shoqërisë e Atdheut. Kur shikojmë performancat negative të deputetëve të sotëm, që  vjedhin, grabisin pasurinë e atdheut për t’u pasuruar, na lartësohet madhërishëm figura e  veteranit dhe deputetit  Zoto Mara.

Nderim e respekte kujtimit të ndritur të veteranit Zoto Mara!
Të rrojnë gjithë trashgimtarët e veteranit të paharruar Zoto Mara!

Qatip Mara
North Carolina, USA, 5 qershor 2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.