Dashuria vret

0
Ilir Muharremi - kritik i artit

Ilir Muharremi

I lodhur nga emocionet e tepërta, i kapitur nga hijet valë – valë që vijnë drejt shpirtit tim të njomë. I braktisur nga të gjithë, vetëm violina ngufatë dhembjen time. Lotët ma thajnë fytin. Jam endacak që i përballoj dimërat blu dhe stuhitë verore.  Jam ai i rrëzua për toke nga  dhembja shekullore me të drejtë antike. Tash violina krijon kompozimin e kësaj gote vere që është boshe si shpirti im. Kur njeriu i humbet të gjitha, atëherë nis lufton për gjën e fundit, i dëshpëruar gjer në kulm, e kjo e fundit ishte amaneti i saj, sekreti ynë.

Në dashuri ka sekrete, vet njeriu lind me sekret varoset me të. Sekreti jonë ishte ta fshehim dashurinë, ta shfaqim lojën ta fitojmë dashurinë. E kur e kuptove lotin tim, frymëmarrjen time, lëkurën time, feromonet e mia, fitove postin e perandorit, u avancove në detyrë. Zotin e kemi dëshmitar që jemi dashur shumë, ta lëmë vet jetën të na gjykoj për gjithë këtë dashuri e tash për vrasje të saj, sepse e dënuam veten. Kam frikë të të dua si më herët edhe pse ky shpirt ty të takon, por më shumë jetës sime,unë prapë ta mbështjellë si dhuratë për ditëlindje e ta shpalos në tavolinë.

Vesën e mëngjesit dhe ajrin e freskët e shijonim bashkë. Cili ishte Juda në mesin tonë, unë që të qava muret e virgjërisë? Jo. Qe dëshirë e dyanshme. Dashuria nuk matet me peshore fizike, e as frika në rrugëtimin e saj nuk strehohet aty. Peshorja e dashurisë ndodhet në zemër dhe shpirt dhe vetëm zemra e shpirti pa asnjë shkronjë, asnjë ngjyrë në pëlhurë, asnjë kompozim, gjykon në vete pa u zbuluar e kthjellur. Ky kopsht më i madh se i Edenit ishte parajsa jonë e dashur. Kam frikë të dashuroj si në fillim, por nuk kam frikë të bashkëjetoj me ty, sepse tashmë jam bërë ushtarë i fortë nga dashuria. Nëse spiranca e dashurisë qe e vërtetë në limanin ton, atëherë të dy kemi dënuar veten.

E dashur, nëse nuk e ndjen dikënd që në çastin e parë, nëse nuk ke kimi për të, mos ja zgjatë dorën, se dashuria nuk lind gradualisht, ajo është më e shpejt se meteori, por jo më e drejtë. Dashuria është si një guri të lëmuar që mban në dorë dhe e ndjen që në prekjen e parë. Gurin tjetër nuk e ndjen. Kjo është dashuria e një fryme të pastër. Dyshoj se këtë nuk e kishim të dytë në fillim. Nga ana ime ishe si ky guri i lëmuar. Tash në këtë çast dashuria jonë është si ai peshkë i kalbur që tallazet e detit e hedhin mbi breg. E vëje theksin logjik mbi batutat e thara, vetëm për të gjykuar duke gërmuar pretekste.

E njihje temperamentin tim, më acaroje deri në kulm edhe pas kulmit vazhdoje doje të futeshe në membranën time. Një natë teksa mbretëronte heshtja e plotë dhe binte drita e zbehtë e hënës mbi fytyrën tënde të vogël, unë thithja thellë këtë qetësi që më dukej e çuditshme sepse vet zemra ma ndjente që fshihej diçka e mistershme te ti e dashur. Nuk lëvizja, ndjeja qetësinë, të vëzhgoja ty, të fokusoja ata sy të vegjël me qerpikë të rrallë e të shkurtë. Bebëzat e syrit tënd nuk përshateshin me qetësinë e as me situatën. Lëvizje bebëzat majtas e djathtas derisa buzët mblidheshin, thitheshin si faqet. Asgjë te ti nuk ishte në harmoni. Nuk lozja psikologun, por zemra gjykonte kështu.

Këtu kërkova arsyen dhe përgjigjen, e dashur.  Ma ktheje me të njëjtën monedhë, dashuria është si hekuri me magnetin. Unë besova në veten time më shumë se në ty. “Luftonim” për lumturinë sepse lumturinë e ngritin dy persona, isha i vetëm me gjymtyrë të shpërndara drejt formës tënde, ndërsa ti ishte vetja. Tash do të jem në një qiell të largët i fshehur, aty ku as një pikë shi, e as fjollë bore nuk më prek. Do lundroj i dehur në fund të botës i strukur në shpellë larg njerëzve, afër kafshëve dhe hijeve. Zhgënjimi më i fuqishëm është nga dashuria, aty nuk ka formë, shkronjë, ngjyrë, muzikë, rrënjët janë te frymëmarrja dhe dashuria trupin e mbanë në harmoni me të gjitha organet.

Dashuria është ndjenjë e pa formë, besim, refren që te secili përseritet njëjtë sepse brumin e ka të gatuar të njëjtë, dhe më shumë është shikim i parë i vërtetë se sa përshtatje e vazhdim i gjatë për ta shpikur atë ndjenjë të munguar në fillim. Mos e gënje veten se kurrë nuk do shfaqen xixat e saja. Ose janë të fillim ose kurrë. Unë u bërs rob brenda kostumit tim të sinqertë, njollat e zeza me kapluan mbi bardhësinë. Më e sinqertë është kjo gotë verë që më shikon se sytë e saj të vegjël.  Kjo gotë sapo kalon më mëlçi dhe avullohet në kokë më afron më shumë afër saj. Prapë s’jam unë, jam ajo, e ajo nuk është unë, është vetja. Kjo thyerje vazhdon, e vazhdon…. Drejtësia është koha.

Kur dashuron shumë, xhelozon shumë, krijon fantazi pa peshë, ajo gjithmonë është protagonistë dhe çdo copë mishi i saj, çdo qelizë, të duket që është e jotja. Dora e tjetrit rrufeshëm duket që prek mishin e saj. Dashuria si xhelozia është sëmundje elegante që burojnë nga i njëjti burim. Sikur të isha tash tetëmbëdhjetë vjeçar me atë shpatë të fortë dhe nga çdo zhgënjim filloja prapë. Dhembjet e reja kalonin, ndërsa kjo kurorën ka ndërtuar në zemrën time. As arti nuk është më i vërtetë dhe i thellë se dashuria.

Vrasja më e rëndë bëhet në dashuri të sinqertë. Gajtë aktit të vrasjes tenton të zhdukë çdo miniaturë. Materia më nuk ekziston. Urretja bëhet qelbë dhe ka dy ngjyra: Dashurinë dhe vrasjen. Dashuria është më e thellë se pushteti. Vullnet për t’u përhumbur në pushtet. Në shpirt ndjenë se ai pushtet gjithmonë të ka takuar ty. Është pjesë nga magma jote. Dashuria është më shumë se diçka familjare, më shumë se aroma e nënës dhe gjiri i saj. E dashur, ti nuk e dije, lëndove një njeri të zakonshëm.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.