Portret Artisti:
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Gazmend Freitag, piktor shqiptar nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Linz, Austria e Epërme. I lindur më 25 maj 1968 në Pataçan të Poshtëm, komuna e Rahovecit. Shkollën e mesme e mbaroi në Prizren në vitin 1987. Studioi në shkencat juridike në Prishtinë, kurse në vitin 1990 emigroi në Gjermani, ndërsa nga viti 2004 jeton dhe krijon në Linz të Austrisë. Në vitin 2013 ka studiuar në Universitetin e Arteve në Linz. U bë i njohur ndërkombëtarisht me pjesëmarrjen e tij në Bienalin e parë në Verona të Italisë.
Ajo që e bënë më të veçantë portretin e tij, është dashuria për atdheun dhe pasioni e përkushtimi për artin shprehës – ekspresiv. Kosova dhe njerëzit e saj janë motivi dhe jeta e piktorit të cilit ia rrisin pasionin për artin, vlerë e shprehur kudo nëpër pikturat e realizuara me mjeshtri të rrallë dhe me përsosmëri të saktë, gjë që e bëjnë me vlerë përkushtimin për artin si mënyrë dhe sjellje artistike.
Secila pikturë e Gazmendit, shpreh emocione të veçanta, specifike, të rralla dhe të papërseritshme. Gjithsesi, ajo që krijon ky artist i madh, është dashuri e shkrirë në art, është krenaria e të qenit artist dhe shqiptarë. Që të dyja këto veti “pasioni” për artin dhe “krenaria” për rënjët etimologjike, i janë përzier së bashku, tamam si vera e kuqe në gotat e kristalta atje në vendlindjen e tij.
Nëpër pikturat e shumta gërshetohet jeta, peizazhi piktoresk i katundeve kosovare, qyteti i bukur i Prizrenit, me ato artizanate të shumta, përplot etnografi dhe historiografi shqiptare. Piktura të shndërruara në këngë dhe që shprehin filozofi, gjithsesi më shumë poezi. Ky mozaik i tërësishëm plotësohet edhe më tej me portrete të shumta të figurave të shquara, nga Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Aleksander Moisiu, Martin Camaj, Gjergj Fishta, Shën Teresa, Esad Mekuli, Anton Çetta, Havzi Nela, Lukë Kaçaj, Rita Ora, Fahri Xharra e deri tek Presidentja e Kosovës prof. dr. Vjosa Osmani. Në këto portrete ravijëzohet një histori e tërë në të cilën është ndërthurur si në një mozaik jeta e personaliteteve në fjalë të cilët i kanë dhënë emër Atdheut dhe mburret me ta shoqëria njerëzore.
Tërësia e krijimtarisë artistike e tij, është e kompletuar me figura të shumta edhe nga arti, muzika e letërsia gjermane e austriake siç janë ta zëmë: Franz Josef I. Perandor Austriak, Hermann Nitsch, piktor Austriak, Anton Bruckner, komponist, Franz Kafka, shkrimtar, Alexander Van der Bellen, President i Republikës Austriake, Wolfgang Scheibner, zyrtar prokurimi, si dhe Franz Hillinger, (24.10.1921 – 10.05.1991), politikan dhe kryebashkiak i qytetit Linz. Një tablo tjetër përbëhet nga dhjetë personalitete të njohura në qytetin Linz, siç janë: Franz Dobusch, Klaus Luger, Karin Hörzing, Thomas Stelzer, Tina Blöchl, Michael Raml, Dietmar Prammer, Eva Schobesberger, Martin Hajart dhe Doris Lang-Mayerhofer.
Po ashtu vlenë për tu theksuar ARTI I JETËS, “Një projekt i artit social në bashkëpunim me qendrën e të moshuarve Franz Hillinger në Linz“, në të cilën janë portretizuar pothuajse tërë banorët e kësaj qendre sociale, duke e radhitur piktorin në listën e artistëve me më shumë humanizëm se kushdo tjetër, doke dhe etikë e trashëguar nga familja dhe atdheu i tij. Jam shumë i vetëdishëm, se nuk kam arritur për ta fiksuar tërë krijimtarinë e tij artistike për figura e personalitete të tjera nga fusha e artit, kulturës dhe skenës austriake, të cilat ky piktor ka arritur t’i realizoj me pasion artisti!…
Pikturat e Gazmend Freitag, zbukurojnë edhe ballinat e librave, siç është rasti me librin e Musa Jupollit, të cilin e kam përgatitur unë. Ballinë e rrallë dhe e realizuar me përkushtim siç din vetëm Gazmend Freitag ta pikturoj secilin krijues letrar, artist e kompozitor, njërin më mirë se sa tjetrin.
Bekim Fehmiu, aktori më i famshëm që kishte Kosova, veçmas roli i tij i Odiseut, e ka motivuar piktorin ta “portretizoj me entuziazëm”, kurse në shënimin përcjellës ai shkruan: “Për mua Bekim Fehmiu ishte modeli i fundit për të bërë diçka nga jeta, pavarësisht rrethanave. Megjithatë, jeta ishte e vështirë për të deri në fund. Në protestë kundër diktaturës serbe, ai refuzoi të luante në skenat e Beogradit. Në moshën 74-vjeçare, i dha fund jetës së vet. Sipas dëshirës së tij, trupi i tij u dogj, dhe urna pastaj u shpërnda, në lumin e vogël në Prizren nga gruaja e tij, një aktore e njohur serbe”, prandaj siç shprehet një artist i madh për një aktor të madh, “Që atëherë, lumi i qytetit të Prizrenit, ka marrë diçka nga kjo frymë e madhe”, kurse njerëzit që kalojnë mbi lumin dhe vizitorët e shumtë do ta kujtojnë gjithnjë Bekimin Fehmiun, shprehet artisti!…
Është thënë se piktura është poezi, ajo është uverturë muzikore, është historia e një kombi, është historia e universit që zbukurohet nga piktorët dhe artistët e famshëm, të cilët kanë pikturuar ekzistencën e shoqërisë njerëzore. I kësaj natyrenë është edhe portreti me Ismail Kadarenë, që duket si një kryevepër tjetër e realizuar vite më parë, në të cilën është ravijëzuar tërë jeta e gjeniut shqiptar, për të cilin më mirë çdo fjalë e shkruar, fletë kjo kryevepër, e lindur nga një dashuri e madhe që ka piktori për gjeniun e letrave shqipe, që si dashuri për veprën dhe famën e gjeniut, ka portretizuar brendësinë dhe shpirtin e kolosit letrar, i papërseritshëm në letërsinë shqipe që nga ekzistimi i saj e gjerë më sot.
Përtreti me Ismail Kadarenë ka shënuar përjetësinë artistike të gjeniut. Sigurisht i frymëzuar nga vepra letrare, po sidomos nga përkushtimi i Kadaresë për ta radhitur letërsinë shqipe në shkallë botërore e bënë edhe portretin me të kompletuar, më përjetues dhe me shiqim latent. Ismail Kadare, me vepren e vet ka lanë gjurmë në ekzistencën e letërsisë shqipe, me këto vepra letrare, ai i ka shërbyer kombit dhe njerëzimit, ai është i madh, sikurse shum i madh është edhe Gazmend Freitag, piktori që portretizoi me kaq pasion gjeniun e letrave shqipe.
E kemi theksuar edhe më parë, Gazmend Freitag, që nga viti 2004, jeton dhe krijon në Linz të Austrisë së Epërme. Përveç pikturave me motive nga ambienti shqiptar, nga kultura tradicionale që përbëjnë një vistër artistik të rrallë dhe me motive të papërsëritshme. Piktori shqiptar tashmë është mjaftë i njohur në rrethin e artistëve jo vetëm në Austri por kudo nëpër Evropë dhe mëtej. Në anën tjetër, pikturat e Gazmendit, shprehin një qetësi figurative, ngjyrat janë shprehje e mozaikut të tërësishëm artistik.
Karshi pikturave të ndryshme, ai portreton me shumë pasion edhe figuren e gruas, jo vetëm të asaj me veshje tradicionale, por pasioni i tij dukshëm shprehet për pamjet nudo të gruas, me një stil e sensualitet që tregojnë pasionin artistik të krijuesit i cili vlerëson femren, botën e saj mistike, andaj vegjeton në kërkime të reja dhe nuk pranë me ekspozitat e përhershme nëpër galeritë më të njohura, jo vetëm në qytetin ku tashmë jeton dhe krijon, por edhe më tej.
Punimet e njohura me laps e tush, pastaj ato me vaj dhe shumë sish të punuara në pelhurë me dimenzione të mëdha artistike kanë shndërruar artin shprehës – ekspresionist, në një perlë artistike për jetën dhe angazhimin e përhershëm që spikatë tërë opusin e motiveve të punuara me pasioni e profesionalizëm të rrallë. Gazmend Freitag, jeton dhe krijon në Linz, Austria e Epërme!
EKSPOZITAT E PIKTORIT (2008 – 2016)
2008 – Ekspozitë kolektive në Peuerbach, Austri.
2008 – Ekspozitë kolektive në „Atrium“ në Bad Schallerbach, Austri.
2013 – Ekspozitë personale në Galerinë- halle në Linz, Austri.
2013 – Ekspozitë kolektive në Cafë Kronberg në Scharten, Austri.
2013 – Ekspozitë kolektive në shkollën e lartë të artit në Vjenë, Austri.
2013 – Ekspozitë kolektive „European Art Fest“ në Linz, Austri.
2014 – Ekspozitë personale në Osteria Allore në Vjenë, Austri.
2014 – Pjesëmarrjen në Biennalin e parë në Verona, Itali.
2014 – Ekspozitë kolektive në shkollën e vallëzimit Roman E. Swabek në Vjenë, Austri.
2014 – Ekspozitë kolektive në Galerinë e Radiotelevizionit në Bratisllava, Sllovaki. 2014 – Ekspozitë kolektive në Cafe Club Internacional C.I. në Vjenë, Austri.
2015 – Ekspozitë kolektive në Hotel Hillinger në Vjenë, Austri.
2015 – Ekspozitë kolektive në “Imagine…” Cafe-Bar Bebop në Vjenë, Austri.
2015 – Ekspozitë kolektive në Ambasadë e Shqipërisë në Vjenë, Austri.
2015 – Ekspozitë kolektive në Seed Design në Vjenë, Austri.
2015 – Ekspozitë kolektive Art Salon 2015 në Galerinë Artopia në Vjenë, Austri.
2015 – Ekspozitë personale në SVA në Vjenë, Austri.
2016 – Ekspozitë personale në Xi Cafe & Bar në Vjenë, Austri.
2016 – Ekspozitë kolektive në shkollën e vallëzimit Roman E. Swabek në Vjenë, Austri.
2016 – Ekspozitë kolektive në Ambasadë e Shqipërisë në Vjenë, Austri.
Legjenda:
WIKIPEDIA – Enciklopedia e lirë: https://sq.wikipedia.org/wiki/Gazmend_Freitag
Faqja zyrtare e piktorit: https://www.gazmendfreitag.com/