Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiqi

0
Lajçak - Kurti - Vuçiq - darkë

Lis Bukuroca

1.

Nëse themelohet i ashtuquajturi “Asociacion”, mposhtet Kurti dhe fiton Vuçiqi. Nëse nuk ndërtohet ai, fiton Kurti, domethënë ngadhënjehet përfundimisht mbi shpurën dhe ndihmësit e Millosheviqit. Përkohësisht. Pse? Sepse Serbia nuk do të lejonte integrimin e serbeve pa asociacion. E fitues? As Kosova, as Serbia. As Kurti, as Vuçiqi, por vetëm Putini.

Vuçiqi nuk e dëshiron “Zajednicën” pa pushtet ekzekutiv. Kurti nuk e dëshiron fare sepse është në kundërshtim me Kushtetutën si shtet multietnik.

Ajo që mund të lexohet nëpër qëndrime të emisarëve amerikanë, është kjo: ata nuk duan të mposhtin Vuçiqin, por ta bëjnë për vete për ta bërë kundërshtar të Rusisë. Tani nuk e lutën më si viteve të fundit, por iu kërcënuan. Kjo tregoi menjëherë efekt. Ekstremisti kupton vetëm gjuhën e vet. Dhe, e kuptoi!

Me braktisjen e njërës karrige, Serbia do të humbte mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës në OKB. Për nacionalistët serb, ky çmim është tepër i madh, prandaj Vuçiqit i duhet një fitore në Kosovë. Një kompensim.

Për kryetarin serb Albin Kurti është terrorist, i cili nuk është dashur të lirohet nga burgu serb. Për Kurtin Vuçiqi nuk është vetëm kipc politik i Millosheviqit, por kriminel i luftës, i cili do të duhej të futej në burg. Në Hagë. Akoma më mirë, në Kosovë.

Nga pajtimi fitojnë dy popuj, nga mospajtimi humb Ballkani dhe Europa. Në këtë gjendje, pak njerëz do të dëshironin të ishin politikanë…

2.

A është SHBA pro-serbe me këmbënguljen për ndërtimin “Asociacionit”, të cilin serbet e quajnë “Bashkësi”? Jo, nuk është. Nuk është sepse atë ‘Republikë Serbe’ e kanë firmosur dy kryeministra, njëri prej tyre profesor universitar dhe akademik.

Kosova nëpërmjet atyre dy kryeministrave është zotuar të themelojë ‘Republikën Serbe’ që e kanë quajtur “Asociacion” për ta mashtruar popullin.

Nuk është SHBA kundër nesh siç po interpretohet aty-këtu, por Perëndimi kërkon të respektojmë nënshkrimet tona. Meqenëse Gjykata Kushtetuese ka dëshmuar se akademiku Isa Mustafa kishte firmosur një dokument antikushtetues ku 23 herë është shkelur Kushtetuta, atëherë si kërkoi edhe Escobari, duhet të themelohet ajo “Bashkësi Serbe” në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Kësaj nuk mund t’i iket më. Vuçiqi do ta refuzonte pa pushtet ekzekutiv dhe atëherë SHBA duhet të përmbarojë sanksionet kundër Serbisë.

Nuk ka asnjë dyshim se ‘Republika Serbe’ e nënshkruar nga Hashimi dhe akademiku, do të pengojë funksionalizimin e njëmend të shtetit dhe ai “Asociacion”, do të jetë kamxhiku i Serbisë për Kosovën.

Zgjidhja ideale do t’ishte autonomi për serbet dhe autonomi për Luginën, por me këtë, do të humbte Vuçiqi dhe Perëndimi nuk dëshiron të na dhurojë neve edhe një fitore. Ndryshimi i kufijve nuk lejohet.

Mbaj mend: Luani dhe lepuri nuk mund kurrë të bëhen të barabartë. Në këtë botë nuk ka të drejtë ai që ka përnjëmend të drejtë, por ai që mund ta fitojë dhe ta mbrojë të drejtën e vet. Kjo është arsyeja pse Putini me metoda fashiste e lufton Ukrainën duke e besuar ai si fashiste. Pra, nuk duhet të jetë vërtetë fashiste, por duhet vetëm ta besojë i forti.

3.

Disa ditë pas fitores së Kurtit, një grup i njerëzve ia pat nisur rrëzimit të tij. Ata e dinin ardhmërinë, e dinin si do të veprojë Kurti, si do të dëmtojë dhe se ishte në shërbim të Serbisë.

Disa në fakt nuk kanë frikë nga prishja e marrëdhënieve me SHBA-të, siç po çaraveshen, por e dëshirojnë dhe e ndjellin pikërisht atë. Soji i tyre nuk janë kundër Kurtit, ai u duhet vetëm si pretekst, në fakt ata janë me Serbinë. Nëse prindi i tij ka punuar për atë vend, është i detyruar ta bëjë edhe i biri. Kjo është pasoja logjike.

Në një intervistë ish-kryetari Taidiç tha se “në Kosovë i kishim 400.000 qytetarë besnikë të Serbisë.” Nuk ka asnjë dyshim se më shumë se gjysma e tyre ishin shqiptarë. 400.000 serbë edhe me fëmijë e plaka, nuk jetonin në Kosovë. Dhe, ata “poshteni albanci” nuk janë shfarosur nga pandemia. Ata janë aty dhe po veprojnë të papenguar. Tani edhe më lehtë dhe më hapur se dje. Pse?

Tani ata kanë mundësi të struken pas “opozitarizmit”, gjoja se urrejnë të majtën, edhe pse e majta e ka çliruar Kosovën. Demokrat i majtë ishte Clinton, Tony Blair, Schröder e Jacques Chirac… Gjoja se po trishtohen pa Amerikën, se nënshtrimi është mirënjohje, se Kurti qenka në shërbim të Serbisë dhe këtë e thonë pikërisht ata, që nuk kanë asnjë vepër konkrete për Kosovën, por ndoshta gjyshin e prindin i kishin në shërbim të Serbisë.

Nuk di sa janë, a janë shumë apo pak, por do t’ishte shumë naive të besohet se ata nuk po punojnë me përkushtim për Serbinë, edhe publikisht.

Një gjë është e qartë: nuk mund të pritet që ata të deklarojnë se janë duke punuar për Serbinë. Nuk do t’ishte normale.

Ata e shpjegojnë gjithmonë si synim fisnik, por qëllimi i tyre është dezorientimi i njerëzve. Hutimin sepse vetëm ata pastaj dinë të sillen mirë në atë gjendje dhe të përftojnë nga dy vendet: nga Serbia dhe nga Kosova. Nga Serbia sepse krijuan kaosin dhe gjendjen, që i konvenon asaj, nga Kosova se e kishin paraparë atë gjendje, të cilën në fakt e krijojnë ata vetë.

Ata e patën dëshiruar largimin e Kurtit qysh ditën e parë kur mori detyrën si Kryeministër. Pse? Sepse kanë vjedhur dhe i trishtohen shteti ligjor. Ka hajdutë milionerë, ka veteranë të rrejshëm, ka punësime me diploma të blera, ka udbashë, ka mafiozët etj.

Për ta shtet më të mirë nuk mund të ketë, sesa ai që ishte, domethënë ku burgosen hajdutët e vegjël, por jo të mëdhenjtë. Ku politikani mund të bëjë edhe tradhti ndaj vendit, por të mos ngrihet as akuzë formale nga prokuroria.

E keqja e madhe është se tani nuk mund të dallohet opozitarizmi i vërtetë nga udbashët e vërtetë, sepse këta të fundit po futen brenda tyre…

Kosova ka nevojë për opozitë që mbikëqyrë pushtetin, por jo për vegla serbe për Serbinë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.