Shkruan: Gjon Krasniqi, Zvicër
Ka njerëz që i njeh përmes rrëfimeve të prindërve tu. Ka njerëz që i njeh përmes fatit të njëjtë në jetë. Ka dhe njerëz që kurrë nuk i ke parë fizikisht nga afër, por ke një pasqyrë të qartë për vlerat e tyre shpirtërore, intelektuale, morale dhe kombëtare.
Të tillë e kam njohur unë Imzot Gjergj Metën, ipeshkvin e Rrëshenit, si njeri vizionar, modest, i matur dhe plot virtyte. Kështu më është afruar mua, përmes bisedave elektronike dhe deshmive të miqve të tij të ngushtë. Në të kam hasur një mal vlerash dhe një vazhdë urtie e vizionesh dritëlargëta. Te ai kam nuhatur guximin plot urti e urtinë plot guxim, kur e liga i trokiste në derë popullit e kishës sonë.
Shkrimet e tij për mua janë analiza historike, sociologjike, morale e etike me taban kombëtar dhe sipas mësimeve të lashta të kishës nanë. Mirdita kishte fatin e mirë që në gjirin e saj u caktua për ipezhkëv një djalë i ri me urti plaku dhe një “plak” i urtë në moshë të re, që në horizont i lexon shenjat e kohës dhe traditës, qoftë ajo e shekujve apo moderne. Shtetit të dikurshëm i Arbërit i është rikthyer vitaliteti i përshpirtërisë, vullneti për të guxuar në shërbim të rrënjëve të vjetra e filizës se re.
Dom Gjergj Meta është misionari e murgu i ri në trojet e Mirditës, jo si privilegj i Katedrës, por si thirrje në kohë për ta ujitur “tokën e katedraleve” me ujin e shenjtë të Jordanit dhe të Fanit. Një pagëzim kulturor dhe një dritë prej qiellit e pret këtë krahinë nëse mbështetet fort në krahët vizionarë të tij. Ipeshkvi i ri nuk është kult i kësaj krahine, por vëllau e këshilltari i mirë, ashtu si dhe i matjanëve e dibranëve të dioqezës së tij.
Atë e sheh me çdo shtresë shoqërore e njerëz në nevojë, si bariu i mirë që nuk bën dallim mes grigjës se tij, ndaj fiton zemrat e çdo kategorie njerëzore. Ai nuk di të bëjë mrekulli, sepse veprat e tij të mrekullueshme i bart ne veprimet e tij dhe pikërisht ky sens për të afruar të tjerët, ma ka fituar edhe mua zemrën dhe rritur shkallën e respektit për të.
Nga larg i sjell urimet e bekimet e mia si besimtar Kosove e diaspore me shpresën që fjalën e madhështinë e tij shpirtërore ta përjetoj në tryezë dhe aty ku përballen fjalë, zemër e sy.
Urime Imzot Gjergj në 5 – vjetorin e shugurimit Tuaj për ipezhkëv i Reshenit; urime Mirdita martire e fisnike, që të kam përzemër.
Dërgoi për publikim, Lekë Mrijaj, gazetar