8.3 C
Tirana
E martë, 24 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj GAZETA “BESA” E STAMBOLLIT – TRIBUNË E MENDIMIT KOMBËTAR DHE E ÇËSHTJES...

GAZETA “BESA” E STAMBOLLIT – TRIBUNË E MENDIMIT KOMBËTAR DHE E ÇËSHTJES SHQIPTARE NË MËRGIM (53)

0
Gazeta Besa, Stamboll

Sabile Keçmezi-Basha Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Dënimet me burg në Tetovë

Në rastin e tetë të artikullit, gazeta “Besa” kalonte nga kufizimi i lirisë së lëvizjes drejt një problematike tjetër, që lidhej me dënimet penale të disa shqiptarëve në Tetovë. Në këtë pjesë, gazeta paraqiste emrat, moshat dhe kohëzgjatjen e dënimeve të tre personave, duke e lidhur më pas ndëshkimin e tyre me kontaktet që mund të kishin pasur me pjesëtarë të mërgatës politike shqiptare në vendet perëndimore.

Gazeta njoftonte: “Në tetove u dënua me 18 muaj burg të rëndë Nevzat Jonuzi, 35 vjeç; Fikret Salihi me 8 muaj, 40 vjeç; Mustafa Loqi, me 6 muaj burg vjeç 40. Njëri nga fajet që nuk u asht fal autoriteti, është takimi me ndonjë ballist në botën e lirë.”[1] Kjo e dhënë paraqet një rëndësi të veçantë për studimin e marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve jugosllave dhe shqiptarëve që mbanin kontakte me mërgatën politike. Në dallim nga njoftimet e mëparshme, ku përshkruheshin kryesisht veprime policore, këtu bëhej fjalë për dënime me burg, të cilat sugjerojnë përfshirjen e mekanizmave të drejtësisë penale në trajtimin e çështjeve që gazeta i konsideronte të natyrës politike.

Përmendja e Nevzat Jonuzit, 35 vjeç, i dënuar me 18 muaj burg të rëndë; e Fikret Salihit, 40 vjeç, i dënuar me tetë muaj burg; dhe e Mustafa Loqit, 40 vjeç, i dënuar me gjashtë muaj burg, i jepte raportimit një karakter konkret. Identifikimi i personave dhe i masave të dënimit krijonte mundësi për hulumtime të mëtejshme mbi proceset gjyqësore, rrethanat e arrestimit dhe natyrën e akuzave të ngritura ndaj tyre.

Këto të dhëna janë veçanërisht të rëndësishme, pasi mund të shërbejnë si pikënisje për kërkimin e dokumentacionit gjyqësor dhe të materialeve arkivore të periudhës. Një element thelbësor i shkrimit është pohimi se një nga veprimet që autoritetet nuk ua kishin falur personave të dënuar ishte takimi me ndonjë “ballist”[2] në vendet e ashtuquajtura të botës së lirë. Ky formulim e vendoste ngjarjen në kontekstin e përplasjeve ideologjike të periudhës së Luftës së Ftohtë dhe të marrëdhënieve të ndërlikuara ndërmjet pushtetit jugosllav dhe organizatave politike shqiptare që vepronin jashtë vendit.

Megjithatë, mënyra e formulimit të lajmit është domethënëse për të kuptuar interpretimin politik që gazeta i bënte ngjarjes. Duke theksuar se takimi me një “ballist” përbënte një nga fajet që autoritetet nuk ua kishin falur të dënuarve, gazeta sugjeronte se kontaktet personale me përfaqësues të mërgatës politike mund të interpretoheshin nga institucionet jugosllave si veprimtari e dyshimtë ose kriminale.

Në këtë kuptim, gazeta ngre çështjen e kufirit ndërmjet marrëdhënieve personale, komunikimit ndërmjet bashkatdhetarëve dhe veprimtarisë politike. Takimi me një individ që kishte bindje të ndryshme politike nuk përbën, në vetvete, dëshmi të përfshirjes në veprimtari të paligjshme. Për këtë arsye, kontaktet e tilla kanë qenë realisht pjesë e arsyeve të ndëshkimit, dhe mu për atë ngrinin pyetje të rëndësishme mbi lirinë e komunikimit dhe të shprehjes së bindjeve politike.

Një dimension tjetër me rëndësi është përdorimi i shprehjes “bota e lirë”. Në ligjërimin politik të periudhës së Luftës së Ftohtë, kjo shprehje përdorej shpesh për t’iu referuar vendeve perëndimore, veçanërisht atyre që identifikoheshin me sistemet politike pluraliste dhe me ekonominë e tregut. Në kontekstin e gazetës “Besa”, ajo bartte edhe një kuptim ideologjik, duke krijuar një dallim ndërmjet hapësirës perëndimore, ku vepronin organizata të ndryshme të mërgatës shqiptare, dhe sistemeve politike që gazeta i konsideronte kufizuese ndaj lirive kombëtare e individuale.

Në këtë mënyrë, shprehja “bota e lirë” nuk kishte vetëm funksion gjeografik, por shërbente edhe si një kategori politike dhe simbolike. Ajo pasqyronte orientimin ideologjik të gazetës dhe mënyrën se si autorët e saj i interpretonin marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve në Jugosllavi dhe bashkatdhetarëve të tyre në vendet perëndimore.

Emigracioni ekonomik dhe mërgata politike si hapësira të ndërlidhura

Kur analizohen së bashku, rastet e shtatë dhe të tetë të artikullit krijojnë një tablo më të gjerë të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve në Jugosllavi dhe mërgatës së tyre në Evropën Perëndimore. Në rastin e parë, gazeta përshkruante pengimin e rikthimit të punëtorëve në vendet ku ishin të punësuar, ndërsa në rastin e dytë paraqiste dënime me burg që, sipas gazetës, lidheshin pjesërisht me kontakte me përfaqësues të mërgatës politike.

Kjo afërsi tematike është domethënëse, pasi tregon se gazeta “Besa” e trajtonte emigracionin jo vetëm si dukuri ekonomike, por edhe si një hapësirë ku zhvilloheshin marrëdhënie shoqërore, kulturore dhe politike. Punëtorët shqiptarë që jetonin jashtë Jugosllavisë mund të ruanin lidhje të vazhdueshme me familjet dhe vendlindjen, por njëkohësisht mund të takoheshin me bashkatdhetarë që kishin përvoja dhe orientime të ndryshme politike.

Në këtë kuptim, emigracioni ekonomik dhe mërgata politike përfaqësonin dy dukuri të dallueshme, por që mund të ndërthureshin në hapësirat e përbashkëta të jetës së shqiptarëve jashtë vendit. Qendrat e emigracionit, shoqatat kulturore, aktivitetet kombëtare dhe takimet ndërmjet bashkatdhetarëve krijonin mundësi për shkëmbim informacionesh dhe idesh, pa nënkuptuar domosdoshmërisht angazhim të organizuar politik.

Nga këndvështrimi i historisë së shqiptarëve në Jugosllavi, këto dy njoftime hapin një fushë të rëndësishme studimi mbi ndikimin e emigracionit në jetën politike dhe shoqërore të vendlindjes. Ato sugjerojnë se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve jugosllavë mund të kenë qenë objekt i një vëmendjeje të veçantë nga autoritetet, sidomos në rastet kur kontaktet lidheshin me individë ose organizata që konsideroheshin politikisht kundërshtare.

Njëkohësisht, raportimet dëshmojnë se gazeta “Besa” përpiqej ta paraqiste çështjen e shqiptarëve në Jugosllavi në një dimension ndërkombëtar. Përmes përmendjes së Gjermanisë, Austrisë, Danimarkës dhe kontakteve me mërgatën politike, ajo e lidhte gjendjen e shqiptarëve në vendlindje me zhvillimet dhe marrëdhëniet që krijoheshin në hapësirën evropiane.

Vlera dokumentare dhe rëndësia historiografike e dy njoftimeve

Nga pikëpamja e studimit të burimeve historike, rastet e shtatë dhe të tetë kanë rëndësi për dy arsye kryesore. Së pari, ato ofrojnë të dhëna mbi forma të ndryshme të kufizimit të lirive individuale që zbatoheshin ndaj shqiptarëve. Së dyti, ato pasqyrojnë mënyrën se si shtypi shqiptar në mërgatë i interpretonte marrëdhëniet ndërmjet emigracionit ekonomik, veprimtarisë politike dhe institucioneve të sigurisë jugosllave.

Për këtë arsye, të dyja njoftimet konsiderohen burime të rëndësishme publicistike. Vlera e tyre qëndron në evidentimin e rasteve dhe të shqetësimeve që qarkullonin në opinionin shqiptar të mërgatës, duke krijuar mundësi për hulumtime të mëtejshme në arkivat gjyqësore, administrative dhe policore të periudhës.

Në përfundim, rastet e shtatë dhe të tetë të artikullit “Persekutohen shqiptaret ne Jugosllavi” përbëjnë dy dëshmi me interes të veçantë për studimin e pozitës së shqiptarëve në federatën jugosllave gjatë fillimit të viteve shtatëdhjetë. Përmes raportimit mbi marrjen e pasaportave të punëtorëve shqiptarë të punësuar në Gjermani, Austri dhe Danimarkë, gazeta “Besa” synonte të evidentonte kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe pasojat e mundshme ekonomike e familjare të këtyre veprimeve.

Ndërkaq, përmes njoftimit mbi dënimin me burg të Nevzat Jonuzit, Fikret Salihit dhe Mustafa Loqit në Tetovë, gazeta tërhiqte vëmendjen ndaj marrëdhënies ndërmjet kontakteve me mërgatën politike dhe mekanizmave të ndëshkimit penal. Pohimi se takimi me ndonjë “ballist” në “botën e lirë” përbënte një nga arsyet e ndëshkimit pasqyronte shqetësimin e informatorit për kufizimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi dhe bashkatdhetarëve të tyre jashtë vendit.

Të analizuara së bashku, këto dy ngjarje dëshmojnë se gazeta “Besa” e konceptonte çështjen e të drejtave të shqiptarëve në një kuptim të gjerë, duke përfshirë jo vetëm sigurinë personale dhe mbrojtjen nga dhuna, por edhe lirinë e lëvizjes, të drejtën për punë, komunikimin me mërgatën dhe lirinë e kontakteve shoqërore e politike.

Në këtë mënyrë, artikulli përfaqëson një burim me rëndësi për historinë e shtypit shqiptar në mërgatë, për studimin e emigracionit ekonomik të shqiptarëve dhe për shqyrtimin e marrëdhënieve ndërmjet popullsisë shqiptare dhe autoriteteve jugosllave. Njëkohësisht, ai dëshmon rolin që gazeta “Besa” synonte të luante në sensibilizimin e opinionit mbi gjendjen e shqiptarëve, duke i paraqitur ngjarjet e veçanta si pjesë të një problematike më të gjerë të lirive, të drejtave dhe të pozitës së tyre politike e kombëtare.

Shumëllojshmëria tematike dhe dimensioni ndërkombëtar i gazetës “Besa”

Përveç trajtimit të çështjeve që lidheshin drejtpërdrejt me historinë, identitetin dhe pozitën politike të shqiptarëve, gazeta “Besa” shquhej edhe për shumëllojshmërinë e përmbajtjes së saj publicistike, duke përfshirë në faqet e veta shkrime me karakter kombëtar, politik, historik dhe ndërkombëtar. Një vështrim më i gjerë mbi përmbajtjen e këtij numri të gazetës dëshmon se interesimi i redaksisë nuk kufizohej vetëm në zhvillimet brenda hapësirës shqiptare, por shtrihej edhe drejt ngjarjeve, personaliteteve dhe proceseve politike që zhvilloheshin në arenën ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, gazeta synonte të ndërtonte një horizont më të gjerë informimi dhe reflektimi, duke e vendosur çështjen shqiptare në marrëdhënie me zhvillimet politike dhe ideologjike të kohës.

Një nga veçoritë më domethënëse të këtij botimi ishte përdorimi i më shumë se një gjuhe në komunikimin publicistik. Ndonëse gjuha shqipe përbënte mjetin kryesor të shprehjes dhe të komunikimit me lexuesit shqiptarë, në faqet e gazetës gjenin vend edhe artikuj të shkruar në gjuhën frënge. Kjo karakteristikë përfaqëson një element me interes të veçantë për studimin e shtypit shqiptar në mërgatë, pasi dëshmon përpjekjen e botimit për të dalë përtej kufijve të një komunikimi tërësisht kombëtar dhe për t’u përfshirë në një hapësirë më të gjerë të shkëmbimit të informacioneve dhe të ideve politike.

Në mesin e këtyre materialeve të botuara në gjuhën frënge, vëmendje të veçantë tërheq shkrimi me titull: “Le patriote croate Dr. Branimir Jeliq est decede”. Përfshirja e një artikulli të tillë, kushtuar një personaliteti politik kroat, është domethënëse për të kuptuar interesimin e gazetës “Besa” ndaj zhvillimeve dhe figurave politike të popujve të tjerë, veçanërisht atyre që kishin lidhje me historinë dhe marrëdhëniet politike brenda hapësirës jugosllave. Vetë titulli i shkrimit, i cili njoftonte vdekjen e një personaliteti patriot kroat, tregon se gazeta i kushtonte vëmendje edhe figurave që nuk i përkisnin drejtpërdrejt historisë shqiptare, por që mund të kishin rëndësi për kontekstin më të gjerë politik të rajonit.

Përmendja e Branimir Jeliqit në faqet e një gazete shqiptare të botuar në Stamboll përbën një tregues të interesimit të redaksisë për zhvillimet politike të popujve të tjerë të Evropës Juglindore. Dhe, prania e një shkrimi të tillë dëshmon se gazeta “Besa” nuk e konceptonte informimin e lexuesve vetëm si përcjellje të ngjarjeve shqiptare. Përkundrazi, ajo krijonte hapësirë edhe për tema që lidheshin me personalitete dhe zhvillime ndërkombëtare, duke u ofruar lexuesve mundësinë për t’i ndjekur çështjet kombëtare në një kontekst më të gjerë politik.

Një dimension tjetër me rëndësi është përdorimi i gjuhës frënge si mjet komunikimi. Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, frëngjishtja kishte një traditë të gjatë si gjuhë e diplomacisë, e komunikimit politik dhe e shkëmbimeve intelektuale. Në këtë kontekst, botimi i materialeve në gjuhën frënge mund të interpretohet si një përpjekje për ta bërë përmbajtjen e gazetës të kuptueshme edhe për lexues jashtë bashkësisë shqipfolëse.

Një praktikë e tillë mund të ketë shërbyer për zgjerimin e mundësive të komunikimit me qarqe politike, kulturore dhe intelektuale ndërkombëtare. Megjithatë, shumëgjuhësia përbën një karakteristikë të rëndësishme të disa botimeve të mërgatës, të cilat vepronin në mjedise shoqërore dhe kulturore të ndryshme nga vendet e origjinës. Në këto rrethana, përdorimi i gjuhëve të huaja mund të krijonte mundësi për komunikim ndërmjet bashkësive të ndryshme, për shkëmbim informacionesh dhe për paraqitjen e çështjeve kombëtare para një opinioni më të gjerë.

Në rastin e gazetës “Besa”, kjo veçori merr një domethënie të veçantë për shkak të vendit ku botohej. Stambolli, si një qytet me traditë të gjatë të ndërveprimit ndërmjet kulturave, gjuhëve dhe bashkësive të ndryshme, përfaqësonte një mjedis ku veprimtaria e mërgatës shqiptare mund të ndërthurej me zhvillimet politike dhe kulturore të rajonit e më gjerë. Përfshirja e shkrimeve në gjuhën frënge mund të shihet edhe në këtë kontekst të komunikimit ndërkulturor dhe të lidhjeve ndërkombëtare.

Megjithatë, pavarësisht nga shumëllojshmëria gjuhësore dhe tematike, analiza e përmbajtjes së këtij numri tregon se çështja kombëtare shqiptare përbënte boshtin kryesor rreth të cilit organizohej ligjërimi i gazetës. Edhe kur trajtoheshin zhvillime ndërkombëtare apo personalitete të huaja, përzgjedhja e temave mund të lexohet në marrëdhënie me interesat, shqetësimet dhe orientimet politike të mërgatës shqiptare.

Në këtë kuptim, gazeta “Besa” nuk ishte thjesht një mjet për përcjelljen e lajmeve, por edhe një hapësirë për artikulimin e mendimit politik dhe kombëtar. Përmes shkrimeve historike, komenteve politike, njoftimeve mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi dhe materialeve me përmbajtje ndërkombëtare, ajo synonte të ruante interesimin e lexuesve për zhvillimet që lidheshin me fatin e kombit shqiptar.

Një vend të rëndësishëm në këtë përmbajtje zinin përkujtimet e figurave të njohura të historisë shqiptare, të cilat paraqiteshin si shembuj të përkushtimit ndaj atdheut dhe të përpjekjeve për liri e pavarësi. Përmes këtyre shkrimeve, gazeta kontribuonte në ruajtjen dhe riprodhimin e kujtesës historike, duke i lidhur përvojat e brezave të mëparshëm me shqetësimet politike të kohës.

Po ashtu, një hapësirë të konsiderueshme zinin raportimet mbi pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi. Njoftimet për arrestime, keqtrajtime, kufizime të lirisë së lëvizjes, dënime me burg dhe mungesë të përfaqësimit institucional pasqyronin interesimin e gazetës për gjendjen e bashkatdhetarëve që jetonin jashtë kufijve të Shqipërisë. Nëpërmjet këtyre materialeve, redaksia përpiqej të sensibilizonte opinionin shqiptar mbi çështjet që i konsideronte shkelje të të drejtave politike, njerëzore dhe kombëtare.

Njëkohësisht, gazeta i kushtonte rëndësi zhvillimeve politike ndërkombëtare, duke dëshmuar se redaksia e saj e shihte çështjen shqiptare në marrëdhënie me proceset më të gjera të kohës. Në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur marrëdhëniet ndërkombëtare karakterizoheshin nga përplasjet ideologjike dhe nga rivalitetet ndërmjet sistemeve politike, shtypi i mërgatës shqiptare shpesh e interpretonte pozitën e shqiptarëve nëpërmjet këtyre zhvillimeve.

Në këtë kontekst, përfshirja e artikujve në gjuhën frënge dhe trajtimi i personaliteteve të huaja mund të konsiderohen si tregues të një orientimi publicistik që synonte të ndërthurte interesin kombëtar me vëmendjen ndaj arenës ndërkombëtare. Kjo ndërthurje e bënte gazetën një hapësirë ku çështjet e identitetit, të kujtesës historike dhe të përkatësisë kombëtare bashkëjetonin me diskutimet mbi zhvillimet politike të kohës. Një veçori e tillë është domethënëse, pasi dëshmon se bashkësitë shqiptare jashtë atdheut nuk ishin të shkëputura nga zhvillimet politike dhe shoqërore të vendlindjes. Përkundrazi, përmes botimeve periodike, shoqatave dhe formave të tjera të organizimit, ato përpiqeshin të ruanin lidhjet me çështjet kombëtare dhe të kontribuonin në mbajtjen e tyre të pranishme në diskutimin publik.

Gazeta “Besa”, në këtë drejtim, mund të analizohet si një ndërmjetëse e komunikimit ndërmjet kujtesës historike, realitetit politik të kohës dhe shqetësimeve të mërgatës shqiptare. Përmbajtja e saj pasqyronte jo vetëm ngjarjet që redaksia i konsideronte të rëndësishme, por edhe mënyrën se si ato përzgjidheshin, interpretoheshin dhe u paraqiteshin lexuesve.

Veçanërisht e rëndësishme është të theksohet se shumëllojshmëria e temave nuk e zbehte orientimin kombëtar të gazetës. Përkundrazi, ajo mund të interpretohet si një përpjekje për ta trajtuar çështjen shqiptare në dimensione të ndryshme: historike, politike, shoqërore, kulturore dhe ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, interesimi për zhvillimet jashtë hapësirës shqiptare nuk përbënte domosdoshmërisht largim nga temat kombëtare, por mund të shërbente për vendosjen e tyre në një kontekst më të gjerë. Kjo karakteristikë e gazetës krijon mundësi për studimin e mënyrës se si shtypi i mërgatës ndërtonte marrëdhënien ndërmjet identitetit kombëtar dhe zhvillimeve ndërkombëtare. Përmes analizës së përmbajtjes, të gjuhës së përdorur, të përzgjedhjes së temave dhe të orientimit redaktorial, mund të kuptohet më qartë roli që këto botime luanin në formësimin e mendimit politik dhe në ruajtjen e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve të shpërndarë në vende të ndryshme.

Në përfundim, përmbajtja e këtij numri të gazetës “Besa” dëshmon një veprimtari publicistike të larmishme, në të cilën ndërthureshin temat kombëtare me zhvillimet politike dhe historike të arenës ndërkombëtare. Prania e shkrimeve në gjuhën shqipe dhe në gjuhën frënge, përfshirë artikullin “Le patriote croate Dr. Branimir Jeliq est decede”, tregon se gazeta krijonte hapësirë për një komunikim që nuk kufizohej vetëm brenda bashkësisë gjuhësore shqiptare.

Megjithatë, pavarësisht nga kjo hapje tematike dhe gjuhësore, në qendër të përmbajtjes së gazetës mbetej kombi shqiptar, historia e tij, të drejtat kombëtare dhe shqetësimet që preknin shqiptarët në atdhe dhe në mërgatë. Çështja kombëtare përbënte fillin lidhës ndërmjet shkrimeve të ndryshme, duke i dhënë botimit një identitet të qartë publicistik dhe politik.

Në këtë mënyrë, gazeta “Besa” përfaqëson një burim me interes për studimin e historisë së shtypit shqiptar jashtë atdheut, të organizimit intelektual dhe politik të mërgatës, si dhe të mënyrës se si shqiptarët e shpërndarë në hapësira të ndryshme gjeografike përpiqeshin të ruanin ndjenjën e përkatësisë dhe të përgjegjësisë ndaj çështjeve kombëtare. Përmes larmisë së shkrimeve dhe interesimit për zhvillimet ndërkombëtare, ajo dëshmon se mërgata shqiptare nuk e shihte çështjen kombëtare si një problem të kufizuar brenda një hapësire të caktuar territoriale, por si një shqetësim të përbashkët që vazhdonte të bashkonte shqiptarët, pavarësisht largësive gjeografike dhe rrethanave të ndryshme politike në të cilat jetonin.

Vijon

[1] “Persekutohen shqiptaret ne Jugosllavi”, gazeta “Besa”, 9 Gusht 1972, Stamboll.
[2] Termi “ballist”, i përdorur në këtë fragment, lidhej historikisht me Ballin Kombëtar, një organizatë politike nacionaliste shqiptare e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas përfundimit të luftës, përfaqësues dhe mbështetës të kësaj rryme politike vazhduan veprimtarinë e tyre në mërgatë, ku u përfshinë në organizime dhe aktivitete të ndryshme politike, me orientim antikomunist.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.