Besnik Fishta
Pullat postare nuk përbëjnë thjesht mjete administrative për pagesën e dërgesave postare; ato funksionojnë si mikro-monumente të kujtesës kolektive, historiografisë zyrtare dhe identitetit shtetëror të një kombi. Nëpërmjet emetimeve të saj ndër vite (2006-2026), Posta e Malit të Zi ka ndërtuar një narrativë të pasur vizuale që synon të kristalizojë themelet e shtetësisë, trashëgiminë kulturore dhe vazhdimësinë historike të vendit.
Megjithatë, një vëzhgim i kujdesshëm dhe i paanshëm i kësaj pasurie filatelike zbulon një fenomen të dukshëm dhe domethënës: në asnjë rast, në tematikat, mbishkrimet apo imazhet e pullave të Malit të Zi, nuk përmenden drejtpërdrejt apo te nenkuptuar termat “Ilir” apo “Arbër”, edhe atëherë kur motivet e paraqitura i përkasin pikërisht këtyre periudhave apo figurave të lidhura ngushtë me to.
Një qasje e tillë, që anashkalon emërtimin e substratit të lashtë ilir dhe të trashëgimisë arbërore, nuk është shkencërisht e ndershme. Në hapësirën e Ballkanit Perëndimor, ku historia e popujve është e ndërthurur prej mijëvjeçarësh, egoizmi historiografik nuk i shërben së vërtetës; përkundrazi, njohja dhe nderimi i fqinjit , në këtë rast të Shqipërisë dhe të trashëgimisë shqiptare, është një akt pjekurie kulturore dhe shkencore.
Ky vështrim analitik, i ndërmarrë për herë të parë nga një perspektivë hulumtuese shqiptare, nuk synon të bjerë në grackën e një fryme nacionaliste apo ekskluziviste. Përkundrazi, qëllimi i tij është t’i japë publikut dhe studiuesve të filatelisë sqarimet e nevojshme historike, duke vënë në dukje me argumente të ftohta shkencore se pas shumë imazheve të emetuara nga Mali i Zi qëndrojnë pikërisht shqiptarët dhe paraardhësit e tyre iliro-arbërorë.
1. Nga Duklja te Kalaja e Medunit
Narrativa filatelike e Malit të Zi e ka mbështetur shpesh ndërtimin e identitetit të saj historik te shtresimet e lashta të qytetërimit, duke u përpjekur të lidhë antikitetin me themelet e shtetësisë moderne malazeze, por duke lënë në hije përkatësinë etnike ilire të këtyre qendrave.

Qyteti antik i Duklës (Doclea) – Emetimi i vitit 2010
Në këtë seri kushtuar trashëgimisë, paraqitet një reliev arkeologjik nga qyteti i lashtë i Duklës, i vendosur në bashkimin e lumenjve Zeta dhe Morača, pranë Podgoricës së sotme. Historiografia zyrtare e përdor Duklën, e cila në antikitetin e vonë ishte si pikënisje të gjenezës shtetërore të Zetas mesjetare. Megjithatë, publikut duhet sqaruar se vetë emri Doclea buron nga fisi i lashtë ilir i docletëve, të cilët e themeluan dhe e banuan këtë trevë shekuj përpara ardhjes së sllavëve. Të flasësh për Duklën duke fshirë emrin e ilirëve do të thotë të paraqesësh një godinë pa themelet e saj reale.

Kalaja e Medunit; Emetimi i 14 Nëntorit 2019
Në kuadër të serisë “Trashëgimia Historike”, pulla paraqet kalanë e Medunit në rajonin e Kuçit. Ky monument ka një rëndësi kapitale për historinë e ilirëve dhe shqiptarëve: në antikitet ai njihej si qyteti ilir Meteon, një nga qendrat kryesore të fisit ilir të Labeateve dhe vendstrehim mbretëror i mbretit të fundit ilir, Genci. Edhe pse në pullë paraqitet thjesht si “trashëgimi historike”, rrënjët e tij janë tërësisht ilire. Për më tepër, vetë Meduni është i lidhur me figurën e Marko Miljanovit, i cili në veprat e tij dokumentoi me respekt besën, zakonet dhe virtytet e fiseve fqinje shqiptare të Malësisë (Kuçit, Kelmendit, Hotit), duke dëshmuar bashkëjetesën e ngushtë në këtë hapësirë.

Edikti i Milanit dhe Kostandini i Madh : Emetimi i 21 Qershorit 2013
Pulla përkujton 1700-vjetorin e Ediktit të Milanit me bustin e Perandorit Kostandin. Edhe këtu kemi të bëjmë me një trashëgimi të përbashkët të hapësirës ilirike-romake të Ballkanit (vetë Kostandini lindi në Nish të Dardanisë antike), e cila solli lirinë e besimit të krishterë në të gjithë provincat ilire, përfshirë Prevalitanën dhe Epirin.
2. Rasti i Balshajve
Një nga pikat më të ndjeshme dhe më të debatueshme në emetimet filatelike të Malit të Zi lidhet me trajtimin e dinastisë mesjetare të Balshajve, të cilëve Posta e Malit të Zi u ka kushtuar disa emetime të rëndësishme:

Emetimi i 15 Korrikut 2010 : Kushtuar 650-vjetorit të Dinastisë së Balshajve.
Emetimi i 27 Shkurtit 2012 : Kushtuar 650-vjetorit të fronëzimit të Gjergj I Balshës, ku spikat stema heraldike me përkrenaren dhe mburojën e kuqe, si dhe emri në cirilikën e vjetër (БАЛШИЋ).
Emetimi i 12 Nëntorit 2012 : Në pullën e serisë “Trashëgimia Historike” kushtuar Betejës së Tuđemilit (viti 1042), në cepin e poshtëm majtas vendoset sërish stema e Balshajve, duke krijuar një lidhje vizuale mes shtetit të hershëm të Duklës dhe sundimit të Balshajve.
Në këtë pikë lind domosdoshmëria për një sqarim të prerë shkencor: Interpretueshmëria e dyanshme e historiografisë: Historiografia shqiptare e ka ndërtuar me baza të shëndosha historikun e Balshajve, duke i konsideruar ata si një derë fisnike me origjinë arbërore. Këtë e vërtetojnë dokumentet e Republikës së Venedikut, zotërimet e tyre kryesore të shtrira në trojet shqiptare (Shkodra, Ulqini, Lezha, Prizreni, Peja, Berati, Vlora), si dhe lidhjet e ngushta të gjakut dhe aleancat martesore me familjet më të mëdha fisnike arbërore si Topiajt, Muzakajt, Dukagjinët dhe Kastriotët. Nga ana tjetër, historiografia malazeze dhe serbe i trajton ata si dinasti vendase të Zetës apo serbe, duke u mbështetur te donacionet e tyre për manastiret ortodokse dhe përdorimi i sllavishtes kishtare në dokumente.
E vërteta mesjetare dhe ndershmëria shkencore: Në shekujt XIV–XV (1360–1421), kombet në kuptimin modern nuk ekzistonin; Balshajt qeverisnin një popullsi të përzier arbërore, sllave dhe vllahe. Përpjekja e historiografisë malazeze për t’i paraqitur Balshajt në pullat postare ekskluzivisht si themelues të shtetësisë së tyre, duke fshirë plotësisht dimensionin e tyre arbëror, nuk është shkencërisht e ndershme.
Faktet historike dhe gjeografia e pushtetit të tyre dëshmojnë se kjo dinasti është pjesë organike e historisë së Arbërisë dhe një urë lidhëse mes dy popujve. E njëjta lidhje dinastike vërehet edhe te pulla e vitit 2015 kushtuar kalasë së Soko Gradit dhe pulla e vitit 2022 kushtuar Manastirit të Praskvicës, i rimëkëmbur nga Balsha III), të cilat lidhen me familjen e Crnojević-ëve, që ishin të lidhur ngushtë me krushqi me familjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
3. Gjurmët e Përbashkëta Kulturore, Fetare dhe Etnografike në Tematikat e tjera
Përtej antikitetit dhe dinastive mesjetare, një vështrim i zgjeruar në katalogun filatelik të Malit të Zi zbulon një sërë tematikash të tjera, nën tituj të përgjithshëm si “Trashëgimia Historike”, “Arti Malazez ndër Shekuj” apo “Mbrojtja e Mjedisit”, ku pas imazheve qëndrojnë drejtpërdrejt shqiptarët, trevat e tyre autoktone dhe kultura e tyre materiale:

Qyteti mesjetar i Shasit : Emetimi i 12 Nëntorit 2014
Në serinë “Trashëgimia Historike”, pulla paraqet rrënojat madhështore të qytetit antik dhe mesjetar të Shasit, pranë Ulqinit. Shasi ndodhet në zemër të rajonit të Anës së Malit, një trevë me popullsi të pastër autoktone shqiptare. Në mesjetë, Shasi ishte një qendër e rëndësishme ipeshkvnore katolike e hapësirës arbërore bregdetare, e cila u shkatërrua nga pushtimet mongole e osmane. Paraqitja e tij në pullë është një dëshmi e gjallë e qytetërimit mesjetar shqiptar në bregdetin e Adriatikut.

Burimet e Ali Pashës : Emetimi i 27 Majit 2016
Nën tematikën “Mbrojtja e Mjedisit”, kjo pullë paraqet peizazhin e mrekullueshëm të Burimeve të Ali Pashës pranë Gucisë, në rrëzë të Alpeve Shqiptare. Këtu lidhja me shqiptarët është e dyfishtë: gjeografikisht, Plava dhe Gucia janë treva historike shqiptare; ndërsa historikisht, vetë emri i burimeve mban emrin e Ali Pashë Gucisë, njërit prej figurave më të shquara të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe udhëheqësit të rezistencës shqiptare për mbrojtjen e trojeve etnike në shekullin XIX.

Xhamia e Mbretit në Plavë : Emetimi i 2 Nëntorit 2022
Në serinë “Arkitektura Historike”, pulla pasqyron Xhaminë e Sulltanit në Plavë, të ndërtuar në vitin 1471 me arkitekturë karakteristike prej druri. Ky monument përfaqëson trashëgiminë shpirtërore dhe arkitekturore të komunitetit autokton shqiptar të krahinës së Plavë-Gucisë.

1000-vjetori i Vladimirit dhe Kosarës : Emetimi i 10 Nëntorit 2016
Kjo pullë përkujton kultin e Shën Gjon Vladimirit dhe Kosarës. Në realitetin historik të rajonit, kulti i këtij shenjtori ka qenë një pikë takimi ndërfetare dhe ndëretnike; eshtrat e tij u ruajtën dhe u nderuan për shekuj në krahinën e Tivarit dhe në Shqipërinë e Mesme (Manastiri i Shën Gjon Vladimirit në Elbasan), duke u mbrojtur nga familje fisnike shqiptare dhe duke dëshmuar një traditë të përbashkët shpirtërore.
Kultura Materiale dhe Etnografia : Qemeri dhe Veshjet Popullore (2013, 2015)
Në serinë “Arti në Malin e Zi ndër Shekuj” (5 Shkurt 2015), pulla paraqet Qemerin, brezin tradicional prej argjendi të punuar me filigran dhe gurë të çmuar. Po ashtu, në serinë e vitit 2013 paraqiten detaje të veshjes popullore. Ndonëse si vende fqinje është e natyrshme të kemi ngjashmëri në veshje dhe stoli, nuk mund të mohohet fakti se mjeshtëria e filigranit dhe e argjendarisë kishte si qendra kryesore qytetet shqiptare si Shkodra, Prizreni, Peja dhe Gjakova, të cilat furnizonin gjithë tregun e Ballkanit Perëndimor, përfshirë oborret dhe tregjet malazeze. Të pranosh këtë ndikim dhe shtrirjen e gjerë të elementit iliro-arbëror në veri nuk e zbeh kulturën fqinje, por e pasuron kuptimin e saj.
Përfundim: Domosdoshmëria e ndërtimit të urave miqësore nëpërmjet filatelisë
Vështrimi i hollësishëm i emetimeve filatelike të Malit të Zi dëshmon se historia e Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndahet me thikë në ndarje sterile e të izoluara. Qoftë te rrënjët antike ilire të Duklës e Medunit, qoftë te dinastia arbërore-rajonalë e Balshajve, e deri te monumentet dhe peizazhet e Shasit, Tivarit, Plavës e Gucisë, prania e shqiptarëve dhe e paraardhësve të tyre iliro-arbërorë është e gdhendur në vetë themelet e kësaj trashëgimie.
Heshtja ose shmangia e qëllimshme e termave “Ilir” dhe “Arbër” në katalogët dhe mbishkrimet e pullave postare është një mangësi që kërkon reflektim. Historiografia dhe institucionet kulturore nuk duhet të veprojnë me egoizëm kombëtar, sepse e vërteta shkencore nuk cenohet duke nderuar fqinjin; përkundrazi, ajo fiton dinjitet dhe besueshmëri.
Në shekullin XXI, filatelia duhet të kapërcejë rolin e saj të vjetër si mjet i monopolizimit historik dhe të shndërrohet në një urë miqësore ndërmjet popujve. Një qasje e hapur, ku tematikat filatelike pasqyrojnë me ndershmëri kontributin e secilit popull, do të krijonte hapësira të reja për mirëkuptim, respekt reciprok dhe bashkëjetesë paqësore midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Emetimet e ardhshme, pse jo edhe emetime të përbashkëta filatelike midis dy administratave postare për figura, monumente apo vlera të përbashkëta, do të ishin dëshmia më e bukur se kultura dhe historia janë pasuri që na bashkojnë dhe jo kufij që na ndajnë.











