
Jeffrey Masson ishte drejtor Drejtor Projektesh të Arkivit të Frojdit dhe aty ai pa vepra të pabotuara të tij, si dhe letrat e tij që ua kishte dërguar bashkëpunëtorëve dhe nuk ishin publikuar ende. Vendosi të publikonte një libër me letrat e Frojdit dhe me komente. Por ndeshi në një reagim të ashpër të Shoqatës Amerikane të Psikoanalizës, të cilët e përjashguan menjëherë atë nga shoqata. Libri i tij i titulluar “Sulmi ndaj të Vërtetës: Mohimi dhe Pranimi i Abuzimit Seksual në Fëmijëri” ka të bëjë kryesisht me heqjen dorë të Frojdit – sipas tij – nga ideja e tij fillestare se neurozat krijohen nga abuzimi seksual i fëmijëve. Nisur nga presioni i establishmentit mjekësor vjenez, Masson pretendon se Frojdi hoqi dorë nga kjo ide dhe e kaloi këtë te Kopleksi i Edipit.
Një gjë e tillë nuk vihet re në Veprën e plotë në anglisht, nga e cila kemi përkthyer mbi 3000 faqe në shqip, por Dr. amerikan i psikologjisë Tyger Latham e sqaron kështu pretendimin e Masson në librin e tij. Në shkrimin e mëposhtëm rreth librit të Masson, do e gjeni të sqaruar këtë pretendim, i cili ngjalli polemika, pasi ishte i pari Frojdi me Brojerin, që shkruan për këtë problem të neurozave tek fëmijët, që abuzohen seksualisht.
Me librin e Masson u abuzua shumë më pas nga ata që e sulmojnë Frojdin, për arsye të ndryshme, pasi libri mund të blihet online, por nuk mund ta gjesh falas, si i gjen veprat e Frojdit në anglisht e gjermanisht, unë gjeta vetëm një pjesë të tij, por nuk mund ta gjeja të plotë – nëse dikush e ka, ju lutem të ma dërgojë, që ta përkthej të plotë. Edhe Candace Owens si anti-semite, në një bisedë të saj e quante Frojdin pervers, nisur pikërisht nga ky libër i Masson, por sqarimi i mëposhtëm i librit, nuk e tregon këtë gjë. Shkrimi në vijim fokusohet vetënm te kjo gjetje e Masson, heqja dorë e Frojdit për idenë e krijimit të neurozave nga abuzimi seksual në fëmijëri, gjë që në realitet, nuk vihet re nga vepra e plotë e Frojdit.
Arben Çokaj, përkthyes i veprës së Fojdt në shqip.
“Sulmi ndaj të Vërtetës:
Mohimi dhe Pranimi i Abuzimit Seksual në Fëmijëri”
nga Jeffrey Masson
Një Rishikim, Perspektivat Bashkëkohore mbi Teorinë e Joshjes dhe Psikoterapinë e Frojdit, redaktuar nga Warwick Middleton dhe Martin J. Dorahy. Nju Jork: Routledge, 2024. 248 faqe.
Tyger Latham
Për të cituar këtë artikull: Tyger Latham (02 Qershor 2025): “Sulmi mbi të Vërtetën: Mohimi dhe Pranimi i Abuzimit Seksual në Fëmijëri” nga Jeffrey Masson, Psikoanaliza Bashkëkohore, DOI: 10.1080/00107530.2025.2504798
Për t’u lidhur me këtë artikull:
https://doi.org/10.1080/00107530.2025.2504798
Psikoanaliza Bashkëkohore, 2025, Vëll. 0, Nr. 0: 1-6.
© Instituti i Psikiatrisë, Psikoanalizës dhe Psikologjisë William Alanson White dhe Shoqata Psikoanalitike William Alanson White
ISSN: 0010-7530 print / 2330-9091 online
DOI: 10_1080/00107530.20252504798
ESE PËR LIBRIN
’SULMI NDAJ TË VËRTETËS:
MOHIMI DHE PRANIMI I ABUZIMIT SEKSUAL NË FËMIJËRI’
NGA JEFFREY MASSON
Një Rishikim, Perspektivat Bashkëkohore mbi Teorinë e Joshjes dhe Psikoterapinë e Frojdit, redaktuar nga Warwick Middleton dhe Martin J. Dorahy. Nju Jork: Routledge, 2024. 248 fq.
TYGER LATHAM, Dr. i Psikologjisë
Të thuash se “Sulmi ndaj të Vërtetës” i Jeffrey Masson shkaktoi një sensacion kur u botua për herë të parë në vitin 1984, do të ishte një nënvlerësim. Shumë e panë atë në atë kohë si një akt herezie, duke kontribuar më vonë në dëbimin e Masson nga komuniteti psikoanalitik, që vetëm pak vite më parë e përqafoi atë si një yll në ngritje. Ndikimi i tezës së tij, në të cilën ai akuzoi e Frojdin për mungesë “guximi” (Masson, 1984, f. 189) pas tërheqjes së “teorisë së tij të joshjes” për Kompleksin e Edipit më të pëlqyeshëm, ishte sizmik, jehona e të cilit mund të ndihet në çdo faqe te Perspektiva Bashkëkohore mbi Teorinë dhe Psikoterapinë e Joshjes së Frojdit, redaktuar nga Warwick Middleton dhe Martin J. Dorahy. Ky koleksion esesh, i shkruar nga disa nga ekspertët kryesorë në fushën e studimeve të traumës (përfshirë disa psikoanalistë), synon të hedhë dritë mbi polemikat, që rrethojnë studimet e Masson, ndërkohë që eksploron edhe dinamikën e ndërlikuar rreth abuzimit seksual në fëmijëri (CSA – shqip ASF).
Ata që janë të njohur me historinë e librit të Masson mund të habiten se sa pak dinë në të vërtetë për autorin e tij. Masson ishte në kohën e botimit të tij një profesor i sapodiplomuar në Sanskrit, interesat e gjera intelektuale të të cilit e çuan atë të ndiqte trajnimin psikoanalitik. Hyrja e tij në këtë fushë përkoi me zbehjen e dominimit të psikiatrisë amerikane, duke bërë të mundur që jo-psikiatër si Masson të sfidonin idetë frojdiane të mbajtura prej kohësh. Ai u konsiderua nga shumë njerëz si një individ i shkëlqyer dhe karizmatik, duke tërhequr vëmendjen e Anna Freud dhe bashkëpunëtorit të saj të ngushtë, Kurt Eissler, të cilët së bashku shërbyen si kujdestarë të dokumenteve personale të Frojdit. Eissler u impresionua veçanërisht nga bujaria e Massonit dhe, me bekimin e Anna Frojdit, e emëroi atë Drejtor Projektesh të Arkivit të Frojdit, një pozicion që i dha Massonit akses të pakufizuar në punimet e pabotuara të Frojdit. Disa prej të cilave shërbyen si bazë e punës së tij revizioniste.
Perspektiva Bashkëkohore mbi Teorinë e Joshjes dhe Psikoterapinë e Frojdit fillon me një kapitull të shkruar nga vetë Masson, i cili kronikon qëndrimin e tij si mbikëqyrës i Arkivit të Frojdit dhe ofron informacione të rëndësishme për të kontekstualizuar polemikat që libri i tij ndezi në shumë qarqe psikoanalitike. Pjesa më e madhe e asaj, që ai shkruan e ndjek nga afër historinë, që ai tregon në “Sulmi ndaj të Vërtetës”. Leximi i këtij versioni të redaktuar më kujtoi takimin tim të parë me librin e Massonit, të cilin e lexova si student i diplomuar, që isha i interesuar për shkrimet e hershme të Frojdit, veçanërisht “Etiologjia e Histerisë” (1896/1961), një tekst themelor që pohonte se sëmundjet psikiatrike, si histeria, rrjedhin nga përvojat e hershme të fëmijërisë me joshje reale. Më kujtohet që mendoja se theksi i Massonit mbi ndikimin psikologjik të abuzimit seksual në fëmijëri, dukej i vetëkuptueshëm, duke pasqyruar nga afër atë që po dëshmoja vetë, ndërsa punoja me një grua të re, që kishte një histori të konsiderueshme sjelljesh vetëlënduese, pasi ishte abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur nga i dashuri i nënës së saj.
Megjithatë, si student i diplomuar me vetëm një kuptim rudimentar të historisë dhe teorisë psikoanalitike, nuk arrita ta vlerësoja plotësisht se sa të nderuar ishin Frojdi dhe idetë e tij për shumë psikoanalistë. Vetëm pasi lexova librin e Massonit fillova të vlerësoja se sa teorikisht dogmatikë mund të ishin analistët e një lloji tjetër, si dhe dinamikën e ndërlikuar të grupit, që luan rol në kaq shumë institute psikoanalitike në të gjithë vendin. Pavarësisht kuptimit tim të kufizuar të psikoanalizës, mbaj mend që u godita nga forca – ndonjëherë, madje edhe me vetë-drejtësi – të pozicionit të Massonit. Duke lexuar kapitullin që ai kontribuon në këtë libër, nuk munda t’i shpëtoja ndjesisë se Massoni është shumë më i zgjuar dhe i vetëdijshëm nga sa lë të kuptohet.
E gjeta veten dyshues për pohimin e tij, se ishte “naiv” që nuk parashikoi “përroin e abuzimit që do të binte mbi kokën [e tij]” me botimin e librit të tij (f. 32). Është e vështirë ta përputhësh këtë pohim me atë që dimë për nderimin e fushës për Frojdin dhe historinë e saj të sulmimit të atyre, që guxonin të sfidonin autoritetin e tij. Pasazhe në të cilat Masson pretendon se është keqkuptuar nga njerëz si Eissler – i cili, në një moment u ndje i detyruar të mbronte “nderin e Frojdit”, në përgjigje të akuzës së Masson, se Frojdit i mungonte “guximi” intelektual, – më duken si të pasinqerta. Ai shkruan se Eissler mendoi:
… Unë po sulmoja [nderin e Frojdit], por nuk po e bëja, po përpiqesha thjesht të gjeja dokumente historike, që mund të sqaronin se çfarë ndodhi midis viteve 1896 dhe 1903, që e shtynë Frojdin të hiqte dorë nga teoria e tij fillestare për abuzimin. Po, personalisht besoja se ai bëri një gabim serioz, por po përpiqesha ta mbaja veten jashtë këtij debati (f. 23).
Vërtetë? E kam të vështirë të besoj se Masson nuk e parashikoi goditjen, që libri i tij do të shkaktonte në establishmentin psikoanalitik. Ai mund ta ketë mirëpritur ndonjë pjesë e tij, ndryshe nga ajo që shkruan, një “debat” të tillë? Në fund të fundit, nëse Masson donte vërtet t’i shmangej polemikave të tilla, ai mund të kishte zgjedhur të botonte letrat e Frojdit pa komente, duke i lënë lexuesit të vendosnin vetë, se çfarë mund ta ketë motivuar Frojdin të tërhiqte teorinë e tij të joshjes në favor të Kompleksit të Edipit. Në vend të kësaj, Masson duket se i është drejtuar, jo larg, polemikave të tilla. Edhe titulli i librit, “Sulmi ndaj së Vërtetës: Shtypja e Teorisë së Joshjes nga Frojdi”, është larg të qenit delikate, duke sugjeruar që Frojdi e shtypi “të vërtetën”, për arsye që nuk ishin tërësisht të mira.
Ndërsa Masson mund të mos ketë qenë kritiku ideal i veprës së Frojdit, përpjekjet e tij për të ringjallur teorinë e joshjes ishin të lavdërueshme dhe përgjegjëse për tërheqjen e vëmendjes ndaj mbizotërimit të abuzimit seksual në fëmijëri dhe ndikimit të saj tek të mbijetuarit. Që nga botimi i saj dyzet vjet më parë, studime të tjera kanë ndjekur dhe kanë arritur në përfundime, se abuzimi seksual në fëmijëri, përfshirë incestin brenda familjeve, është shumë më i zakonshëm nga sa dyshojnë ose madje duan ta pranojnë shumë njerëz. Libri i Masson u pasua shpejt nga disa studime të mbështetura empirikisht, që vërtetuan tezën e tij qendrore dhe hodhën më shumë dritë mbi përhapjen dhe ndikimin psikologjik të abuzimit seksual në fëmijëri tek të mbijetuarit dhe familjet, si dhe shoqërinë në përgjithësi, në të cilën ndodh një abuzim i tillë, por që shpesh fshihet nën qilim për të mbrojtur kryesit e këtyre veprave dhe ato institucione të fuqishme që i mbrojnë ata (Briere, 1992; Courtois, 1988; Herman, 1984/ 2000, 1992; Russell, 1987).
Shumë nga kontribuesit e Perspektivave Bashkëkohore mbi Teorinë e Joshjes dhe Psikoterapinë e Frojdit shkruajnë pikërisht për këto lloj të vërtetash të pakëndshme, si dhe për shumë mbrojtje, më së shumti mohimi i përdorur në përgjigje. Kapitujt që përbëjnë këtë libër mund të ndahen përafërsisht në pesë tema mbizotëruese: (1) historia e teorisë së joshjes së Frojdit dhe theksimi i tij i mëvonshëm i abuzimit real seksual në fëmijëri; (2) bashkëfajësia dhe pandjeshmëria historike e psikoanalizës ndaj realitetit të abuzimit seksual në fëmijëri; (3) reagimi i psikoanalizës ndaj botimit të librit të Jeffrey Masson-it; (4) ndikimi i punës së Masson-it në të gjithë shoqërinë dhe të ashtuquajturat “luftëra të kujtesës”; dhe (5) trashëgimia bashkëkohore e studimeve të Masson-it.
Historia e teorisë së joshjes së Frojdit është shkruar gjerësisht diku tjetër (Ahbel Rappe, 2006; Davies & Frawley, 1994; Eissler, 2001; Cleaves & Hernandez, 1999; Kupfersmid, 1993; Schimek, 1987; Wolf & Alpert, 1991), por disa kontribues të këtij libri ofrojnë njohuri që janë ndriçuese, nëse jo vetë të diskutueshme. Si Warwick Middelton ashtu edhe Arnold Rachman eksplorojnë historinë personale të Zigmund Frojdit të joshjes seksuale nga një dado, një përvojë që ata argumentojnë se në mënyrë të pavetëdijshme ndikoi në kuptimin e vetë Frojdit për zhvillimin seksual dhe traumën e fëmijërisë. Është një pohim për të cilin të dy kanë shkruar diku tjetër (Middleton, 2018; Rachman & Mucci, 2024) dhe që fillimisht më erdhi si surprizë. Megjithatë, pasi e kam shqyrtuar më tej kërkimin, kam arritur në përfundimin se provat mbi të cilat Middleton dhe Rachman i bazojnë pretendimet e tyre janë të dobëta dhe në fund të fundit jo bindëse (Latham, 2024).
Rachman ka kohë që pohon se Frojdi e ka shtypur traumën e tij të fëmijërisë, gjë që ia ka penguar aftësinë për të qenë plotësisht objektiv, ndërsa shqyrtonte dhe shkruante për pacientët e tij, që ishin abuzuar seksualisht si fëmijë. Prova e tij për këtë pretendim është një letër e cituar shpesh, që Frojdi i shkroi Wilhelm Fliess më 4 tetor 1897, pak pas botimit të Etiologjisë së Histerisë. Në mënyrë specifike, Frojdi i referohet një dadoje, e cila:
… ishte instruktorja ime në çështjet seksuale dhe më qortoi se isha i ngathët dhe nuk isha në gjendje të bëja asgjë … Gjithashtu, ajo më lau në ujin e kuqërremtë, që ishte larë vetë më parë (nuk është e vështirë për t’u interpretuar; nuk gjej asgjë të tillë në zinxhirin tim të kujtimeve, dhe kështu e marr si një rizbulim të vërtetë) (Freud. 1985, f. 269).
Ndryshe nga komenti i Frojdit në kllapa, se incidenti nuk ishte “i vështirë për t’u interpretuar”, unë kurrë nuk kam qenë plotësisht i qartë se çfarë po përpiqej të nënkuptonte Frojdi, në lidhje me këtë kujtim të hershëm të fëmijërisë. Frojdi e bën komentin kalimthi duke ofruar pak kontekst, megjithatë Rachman është i bindur se është “viktimë e traumës së fëmijërisë”. (Rachman & Mucci, 2024, f. 24). Unë, nga ana tjetër, jam më pak i qartë dhe më i prirur të pajtohem me Harold Blum, ish-Drejtorin e Arkivit të Frojdit, i cili gjithashtu shqyrtoi materialin e kufizuar arkivor në dispozicion të studiuesve dhe në fund arriti në përfundimin, se ndërsa provat mund të jenë “fascinuese”, ato janë gjithashtu “kontradiktore dhe enigmatike, si zbuluese ashtu edhe fshehëse” (Blum, 2015, f. 50).
Në fakt, kjo letër, për aq sa di unë, është e vetmja referencë, që Frojdi bën për të qenë i joshur seksualisht në të gjitha shkrimet e tij voluminoze, duke më bërë të konkludoj se provat për pretendimin e Rachmanit janë spekulative në rastin më të mirë. Pavarësisht motivimeve të tij të sakta, Frojdi arriti të besonte se gabohej duke menduar se Kompleksi i Edipit ishte një faktor kryesor etiologjik në simptomat e pacientëve të tij. Më vonë argumentoi se ngjarje të tilla nuk kishin ndodhur kurrë dhe pacientët krijonin shpesh fantazi joshjeje në mendjet e tyre, atë që ai e quante “kujtesa e mbuluar”, si një mjet për të mbrojtur veten nga dëshirat e tyre incestuoze. Kjo ide e çoi atë në formulimin e Kompleksit të Edipit, i cili, sigurisht, kishte implikime të thella për mënyrën se si psikoanalistët e mëvonshëm e konceptuan seksualitetin dhe kujtesën infantile. Në praktikë, nuk ishte e pazakontë, që psikoanalistët të vinin në dyshim realitetin e historive të abuzimit të pacientëve të tyre, duke argumentuar se pacientë të tillë imagjinonin shpesh përvoja të hershme të joshjes, për t’u mbrojtur nga dëshirat e tyre të patolerueshme incestuoze.
Nuk do ta dimë kurrë se sa të mbijetuar, që kërkonin lehtësim për simptomat, që rrjedhin nga Kompleksi i Edipit u pyetën dhe u thanë nga psikoanalistët, se i ashtuquajturi “abuzim” i tyre nuk ndodhi kurrë, por ishte thjesht “gjithçka në kokat e tyre”. Implikimet e një zhvlerësimi të tillë, siç e dimë tani, mund të jenë më të këqija se trauma e jetuar në të vërtetë. Christine Courtois, autorja e librit “Shërimi i Plagës së Incestit” (1988), një nga studimet e para të thelluara mbi incestin dhe trajtimin e tij, ofron një kapitull informues, që mbulon zhvillimet sociologjike dhe historike që nga botimi i librit të Masson. Ajo shqyrton në mënyrë metodike atë që është bërë një model i përsëritur i zbulimit, mohimit dhe rizbulimit të abuzimit seksual në fëmijëri, që daton që nga besimi fillestar i Frojdit se incesti dhe format e tjera të traumës së fëmijërisë, ishin çelësi për të kuptuar simptomat psikologjike si histeria.
Ky “zbulim” origjinal, siç është dokumentuar, u prit ftohtë nga establishmenti mjekësor vjenez, i cili i hodhi poshtë pretendime të tilla si asgjë më shumë se një “përrallë shkencore”. Duke pasur frikë për reputacionin e tij profesional dhe perspektivat e karrierës në të ardhmen, argumenton Masson, Frojdi ndryshoi kursin dhe më vonë pohoi se në fakt ishte fantazia e fëmijës për joshje dhe jo realiteti i saj, që çon në psikopatologji. Mohimi i abuzimit real seksual në fëmijëri, siç është shqyrtuar në të gjithë librin, u përhap gjerësisht jo vetëm në qarqet psikoanalitike, por në përgjithësi në të gjithë shoqërinë, duke çuar në stigmatizimin e të mbijetuarve dhe shpesh duke i mbrojtur ata, që në fakt ishin përgjegjës për një abuzim të tillë.
Gjatë disa dekadave të ardhshme, siç shkruan në kronikë Courtois, studimi i traumës dhe disociimit (mos-shoqërimit) u vendos si një disiplinë serioze me një numër gjithnjë e në rritje kërkimesh empirike, që mbështesin prevalencën e abuzimit seksual në fëmijëri, pasojat e saj psikologjike dhe praktikat më të mira të hartuara për ta trajtuar atë. Kjo periudhë “rizbulimi”, që çoi në rritjen e vëmendjes mediatike, që përfshiu vitet 1980, përfundimisht do të çonte në një reagim të ashpër, që pasqyronte shumë skepticizmin, që Frojdi hasi nga establishmenti mjekësor një shekull më parë.
Pas veprës “Sulmi ndaj të Vërtetës” i Massonit, studime të tjera inovative si “Trauma dhe Rimëkëmbja” (1992) i Judith Heitnanit pasuan shpejt dhe i dhanë më shumë besim prevalencës së abuzimit seksual në fëmijëri, në të gjithë shoqërinë. Ishte vetëm çështje kohe. megjithatë, përpara se mohuesit të rishfaqeshin, këtë herë duke përkuar me lëvizjen e “kujtesës së rreme” të fillimit të viteve 1990, e cila fajësoi – jo viktimat – por terapistët me ndikim, që verbërisht dhe në disa raste me qëllim të keq, përdorën teknika sugjestive, që shpesh quhen “terapi për rikthimin e kujtesës”, – për t’i inkurajuar pacientët që të rikthejnë kujtime të rreme të abuzimit të supozuar. Këto “luftëra kujtese” e formuan shpesh debatin rreth abuzimit seksual në fëmijëri dhe kontribuan në pyetjen dhe përjashtimin e të mbijetuarve, si shumë të ndikueshëm dhe lehtësisht të manipulueshëm nga terapistët, që thjesht donin të përfitonin nga akuzat e rreme për abuzim.
Pjesërisht falë lëvizjes #MeToo të dekadës së fundit, së bashku me disa raste shumë të publikuara në të cilat burra të fuqishëm janë akuzuar dhe janë shpallur fajtorë për dhunë seksuale, duke përfshirë figura të larta politike, mogulë të Hollivudit dhe titanë të financave, shoqëria duket më e gatshme t’u besojë të mbijetuarve, që kanë dalë përpara për të treguar historitë e tyre. Sidoqoftë, nëse historia është ndonjë parashikues i së ardhmes, mund të supozojmë se është vetëm çështje kohe, para se faji për dhunën seksuale të drejtohet diku tjetër.
Disa kontribues të këtij libri i paralajmërojnë lexuesit që të mos nxitohen në gjykimin e volte-face[1] të Frojdit. Ata na inkurajojnë të qëndrojmë të kujdesshëm kur vlerësojmë të dhënat historike, duke na kujtuar se Frojdi po përpiqej të ndërtonte, shpesh i vetëm, një teori gjithëpërfshirëse të mendjes, që mund të shpjegonte jo vetëm histerinë, por edhe psikopatologjinë në përgjithësi. Është e qartë, duke parë nga perspektiva e të menduarit në retrospektivë, se Frojdi nuk i kishte kuptuar të gjitha gjërat siç duhet. Ai ndonjëherë i anashkaloi, ndoshta edhe i injoroi, provat e abuzimit real seksual në fëmijëri. Kontributi i Jeffrey Masson në këtë debat ishte të hidhte dritë mbi mangësi të tilla, duke sfiduar një komunitet psikoanalitik shpesh indiferent dhe skeptik, që t’i kushtojë më shumë vëmendje rasteve të abuzimit seksual në fëmijëri.
Që nga botimi i veprës së re të Jeffrey Masson, “Sulmi ndaj të Vërtetës”, dyzet vjet më parë, tani ekziston një literaturë e fuqishme dhe interesante, që dokumenton ndikimet afatgjata të abuzimit seksual në fëmijëri. Ndërsa përvoja e të qenit i abuzuar seksualisht nuk parashikon në mënyrë të besueshme asnjë gjendje ose sëmundje psikologjike (Barnes & Josefowitz, 2014), ajo njihet gjerësisht si një faktor rreziku jo-specifik, për një mori rezultatesh negative (Cashmore & Shackel, 2014). Për më tepër, ndërsa rreziku i psikopatologjisë rritet shpesh në rastet e abuzimit, hulumtimi sugjeron gjithashtu se ndikimi është rezultat i përvojave subjektive, duke sugjeruar që ndërhyrjet e hershme terapeutike kanë potencialin për të zbutur efektet afatgjata dhe negative psikologjike të abuzimit seksual në fëmijëri (Danese & Widom. 2024).
Redaktorët e këtij vëllimi na inkurajojnë të qëndrojmë modestë në vlerësimin tonë për Frojdin dhe të mos “projektojmë kuptimin tonë aktual të çështjeve shoqërore dhe historike mbi [të]” (f. 18). Richard Kluft i bën jehonë këtij mendimi dhe ka shkruar një kritikë të shkëlqyer, por dënuese, të dyfishimit historik të psikoanalizës në mohimin e abuzimit seksual në fëmijëri. Ai shkruan se fusha jonë ka pasur kohë të mjaftueshme për të bërë një “rivlerësim të menduar mirë” të provave, dhe tani duhet të përpiqemi të bëjmë një punë më të mirë për integrimin e kërkimit empirik mbi traumën në literaturën dhe praktikat tona. Ai arrin në përfundimin se, ndërsa mund të jetë e padrejtë të mbajmë psikoanalistët e sotëm përgjegjës për neglizhencën e kaluar të profesionit tonë ndaj abuzimit seksual në fëmijëri (CSA, shqip ASF), na takon të gjithëve të dëshmojmë realitetin e abuzimit seksual në fëmijëri, duke mbetur të hapur ndaj asaj, që pacientët po përpiqen të na tregojnë për traumat e tyre.
Deklaratë përmbyllëse
Autori/ët nuk raporton/uan konflikt të mundshëm interesi.
Referencat
- Athel-Rappe, K. (2006). “Nuk besoj më”: A e braktisi Frojdi teorinë e joshjes? Revista e Shoqatës Amerikane të Psikoanalizës, 54(1), 171-199. https://doi.org/10.1177/00030651060540010101
- Barnes, R., & Josefowitz, N. (2014). Vlerësimi mjeko-ligjor i të rriturve, që raportojnë sulmin seksual në fëmijëri: Rreziku, qëndrueshmëria dhe ndikimet. Lëndimi Psikologjik dhe Ligji, 7(1), 34 46. haps://doi.org/10.1007/s12207-014-9184-0
- Blum, H. P. (2015). Rindërtimi i rindërtimeve prototip të Frojdit. Forumi Ndërkombëtar i Psikoanalizës, 24(1), 47-56. https://doi.org/10.1080/0803706X.2014.893394
- Briere, J. (1992). Trauma e abuzimit me fëmijët: Teoria dhe trajtimi i efekteve afatgjata. Publikimet SAGE, Inc.
- Cashmore, J., & Shackel, R. (2014). Dallimet gjinore në kontekst dhe pasojat e abuzimit seksual të fëmijëve. Çështjet Cuireni në Drejtësinë Penale, 26(1), 75-104.
haps://doi.orW10.1080/10345329.2014.12036008 - Courtois, C. A. (1988). Shërimi i plagës së incestit: Të mbijetuarit e rritur në terapi. W. W. Norton.
- Danese, A., & Widom, C. S. (2024). Përvojat objektive dhe subjektive të keqtrajtimit në fëmijëri dhe marrëdhëniet e tyre me deficitet njohëse: Një studim kohorte në SHBA. The Lancet. Psikiatri, 11(9), 720-730. https://doi. org/10.1016/S2215-0366(24)00224-4
- Davies, M. D., & Frawley, M. G. (1994). Trajtimi i të mbijetuarit të abuzimit seksual në fëmijëri: Një perspektivë psikoanalitike. Librat Bazë.
- Eissler, K. (2001). Frojdi dhe teoria e joshjes: Një histori e shkurtër dashurie. International Universities Press.
- Freud, S. (1961). Etiologjia e histerisë. In J. Strachey (Ed. dhe Përkth.), botimi në stendë i veprave të plota psikologjike të Zigmund Frojd (Vol. 3, pp. 189-221). Hogarth Press. (Puna origjinale e botuar 1896).
- Freud. S. (1985). Letrat e plota të Zigmund Frojd për Wilhelm Mess, 1887-1904 0. M. Masson, Ed ). Harvard University Press.
- Gleaves. D. H., & Hernandez, E. (1999). Riformulimet e fundit të zhvillimit të Frojdit dhe braktisja e teorisë së tij të joshjes. Historia e Psikologjisë, 2(4), 324-354. https://doi.org/10.1037/1093-4510.2.4.324
- Herman. J. (2000). Incesti baba-vajzë. Harvard University Press. (Puna origjinale e botuar 1984).
- Herman, J. (1992). Trauma dhe rikuperimi. Libra bazë.
- Kuptersmid, J. (1993). Arsyetimi i Frojdit për braktisjen e teorisë së joshjes. Psikologjia psikoanalitike, 10(2), 275-290. https://doi.org/10.1037/0736-9735.10.2.275
- Latham, T. (2024). Rishikimi i teorisë së traumës së konfuzionit të gjuhëve të Ferenczit: Një perspektivë neurobiologjike relacionale, nga A. Rachman & C. Mucci. Psychoanalytic Quarterly, 93, 529-536.
- Masson, J. (1984). Sulmi ndaj së vërtetës: Shtypja e teorisë së joshjes nga Frojdi. Faber dhe Faber.
- Middleton. W. (201$). Robert Fliess, Wilhelm Fliess, Ernest Jones, Sandor Ferenczi and Sigmund Freud – ISSTD editoriali i presidentit. In W. Middleton, A. Sachs, & M. J. florally (Eds.), I abuzuari dhe abuzuesi: Dinamika Tuthill-popairaior (pp. 234 250). Routledge.
- Rachman, A., & Mucci. C. (2024). Teoria e traumës e konfuzionit të gjuhëve nga Ferenczi: Një perspektivë neumbiologjike relacionale. Routledge.
- Russell, D. (1987). Trauma sekrete: Incesti në jetën e vajzave dhe grave. Librat Bazë.
- Schimek, J. G. (1987). Fakti dhe fantazia në teorinë e joshjes: Një përmbledhje historike. Revista e Shoqatës Amerikane të Psikoanalizës, 35(4), 937-965. https://doi.org/10.1177/000306518703500407
- Wolf, F. K., & Alpert, J. L. (1991). Psikoanaliza dhe abuzimi seksual i fëmijëve: Një përmbledhje e literaturës post-frojdiane. Psikologjia psikoanalitike, 8(3), 305-327. https://doi.org/10.1037/0736-9735.8.3.305
Tyger Latham, Psy.D., është në praktikë private në Uashington, DC dhe Analist Mësimdhënieje në Institutin Psikoanalitik Uashington-Baltimore.
1147 20th Street, NW
Suite 300
Washington, DC 20026
Dr.TygerLatham@gmail.com
[1] volte-face është një përmbysje e papritur dhe e plotë e qëndrimit, politikës, opinionit ose planit të veprimit.











