Në foto: Hajdin e Arbesa Morina
Arbesa Morina
RRUGË ME BABAIN
Akujt se shkrijnë gëzimin
Skuqjen e gërvishtjeve
Shtegut ku sajat s’janë më
Poshtë Kodrës më prisje
Me sajë tek zbrisja në jetë
Me pallton tënde të ftohtit mes i rash
Në duar tua rash
Më the
Pëllumbat kanë besim te fija e kashtës
Vetës besoj, mbi tokë të thatë mos u luhat
Derën si ta hapja më mësove
Edhe pa dry a çels
Me zemër të çiltër si Danubi
Palltoja duhet veshur Dimrit
Drunjt duhet prerë herët
që të ndizen më së miri në oxhakun e vet
Për Malin kujdesu
Që Dimri të zgjasë më pak
Pëllumbat vijnë sërish
Nëse kashta thahet pa u djegë
Mbaj sytë nga horizonti
Me gjithë retë e tij
Ka thellësi në përroje t’cekura
Urë ngrit mbi to
Në rëniet e gjetheve merr pjesë
Por rëniet s’duhet qarë
Në perëndim ka mjaft vend për lindje
KUR FLUTUROJ NËPËR QIELLIN TIM
Sa më lart ngjitem,
sytë mezi zhbirojnë pak qiell të Prishtinës.
Sipas të gjithë armiqve
s’u duhej as ky qiell shqiptarëve.
Prishtinës sime
Dardanisë e Kosovës ilire
s’i duhej as ky qiell pak
sipas pashallarëve shqipfolës anadollakë.
Por në pafundësinë e kësaj bote të vogël
rritet në çdo çast
ky qiell larë me diell
e larë me gjak
amanet nga stërgjyshërit e stërgjyshit tim pellazg.
As syri as zemra ime
nuk sheh halldupë
por një qiell që nuk ka fund
veshur me tonin Flamur
Kuqezi Jug e Veri.
VEÇ ËSHTË BA FRYMË E SHQIPNI
N’ia ndiefshi frymën erës,
tek mbi ballë ju përshkon,
asht Zana që zbret prej bjeshkëve,
e n’gji t’verës prapë këndon.
Kur t’merr shqipja fluturim
mbi kreshta t’arta e n’agim t’ri,
dijeni, Zana kurrë nuk tretet,
veç është ba frymë e Shqipni.
VEÇ SHIU MBI GURË
Të thirra një natë, kur shiu binte lumë,
te dera të erdha, i lagur, pa gjumë,
ti darkën shtroje, me miq ishe plot,
unë mbeta te pragu e të prisja kot.
Të thirra sërish, kur era i shkundi plepat,
e gjethet i shpuri te rruga matanë,
qentë më njohën, më lehnin nga larg,
veç ti, miku im, më le jashtë në prag.
Të erdha një ditë, e mbaj mend mirë,
kur kallinjtë e rrëzonin floririn në shi,
qentë më njohën, m’u hodhën në gji,
po ti, miku im, s’më njohe më ti.
Tani kam një dhomë, një shtrat e një orë,
një dritare ku dita perëndon e shkon,
mbrëmjeve ulem dhe pres si përherë,
po miku s’vjen më, as sot, asnjëherë.
Kur shiu troket sërish mbi çati,
te xhami më mbetet vështrimi në shi,
çohem te dera, siç ngrihesha dikur,
por jashtë s’ka njeri, veç shiu mbi gurë.
QIEJT M’I RUANTE NËNA
Kur të rritem, me shtërgun e mbrëmjes do nisem,
pas yllit të zjarrtë, në qiellin e paanë,
do t’i bie kësaj bote, do lodhem, do ligshem,
po dritën e syve, s’ma shuan asnjë natë.
Kur të rritem, moj hënë, do të vij nëpër natë,
se sot pafundësia më vjen aq pranë,
e në sytë e mi më çel ngadalë,
një det i pafund, pa brigje pa skaj.
Dhe hëna, që nesër do ta kërkoj larg,
sot fle mbi qerpikët e mi, e argjendtë,
në lumin e jetës, kjo varkë e bardhë,
më sjell një dritë, të butë, të qetë.
Por qiejt që kërkova në shtigje të largëta,
yjet që ndoqa në netët pa gjumë,
nuk paskëshin qenë pas maleve të botës,
as matanë deteve, në brigje pa fund.
I paskam lënë dikur ne duart e nënës,
kur ajo më mbulonte e unë flija gjumë.











