22.4 C
Tirana
E enjte, 8 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ZOGU I KEQ

ZOGU I KEQ

0
Kalosh Çeliku

Nga KALOSH ÇELIKU

– Huu… Huu… Huuu…
– Është Zogu i Keq mbi çati. E, prishi qetësinë e Natës Madhe. Tha, Vëllai Madh nën hijen e Lisit midis Livadhit të Babait.

– Le të këndojë, po të dojë, deri në mëngjes, nuk dua më për të ta lodh as kokën.
– E di, – tha Vëllai i Madh. Kënga e tij, thonë pleqtë tanë paraardhës, ndjell kob në shtëpi. Me siguri do të vdesë dikush gjatë kësaj nate. E, Babai më nuk është gjallë t’i dalë në lëmë ta trembë me pushkë…

Vërtetë, i atillë ishte im Atë. E shi tani: Vëllai Madh, pas kaq vitesh ma kujtonte Babain me dy nagëntë në brez, duke e ndjekur gjithë natën e gjatë me pushkë Zogun e Keq. Vetëm, një gjë nuk e di dhe nuk jam i sigurt, kur vdiq im Atë. A, e trembi atë dikush?! Fjalën e kam për Zogun e Keq. Apo, na këndoi gjithë natën e gjatë me vite dhe shekuj mbi çati? Sidoqoftë, Zogu i Keq, shpeshëherë na ka kënduar mbi shtëpi. Ende e kam të freskët këngën e tij që natë për natë e trumbetonte vdekjen nëpër errësirë.

Po. Po, fare mirë më kujtohet edhe dëshira për jetë mes atyre mureve me baltë. Nuk e di as vetë, ku fshihej gjithë ai zjarr në ne, që përditë ndizej gjithënjë me flakë?! Sa më shpesh që dëgjohej kënga e Zogut Keq, ne aq më të fortë përballnim jetën. Ose, Vdekjen. Të thuash se, ne më ishim mësuar me këtë këngë… Vdekjet… Lindjet… Ndodhë, se edhe të mirën edhe të keqen ne, e kishim pritur dhe përcjellë ballëlartë matanë maleve…

Ashtu i thelluar në mendime, u ngrita pritueshëm dhe u ula në tavolinën e punës. E hoqa letrën e bardhë, që ia kisha hedhur përsipër makinës së shkrimit ta mbrojë nga pluhuri, dhe i mora dy të tjera duke i vënë në të për të hedhur ndonjë fjalë… Por, e kisha vështirë të përqëndrohem në një pikë, ta kthjelloj trurin nga “mjegullat breza-breza” se, çka të shkruaj – poezi, a prozë. Më dukej se dielli ishte shumë larg, diku pas maleve apo nuk kishte lindur fare mbi “Çelëvjollcë”. Yjet i kisha afër, afër mbi kokë, po ç’e do kur nuk bënin dritë. Megjithatë, pa vetëdije shtypa shkronjat e makinës dhe lindi kjo poezi:

LËVORET E BANANEVE

Zjarrit afër – larg luleve
Këmbët m’turren pas një Fluture.
Keq u shava me Dr. Madhin
Kokën e huaj s’e dua në qafë!

Saçin me shpuzë e putha i marrë
Ëndërr e pashë Trimin me kalë:
Shpatën ma dha në dorë
Egërsirave t’u vë kokë.

Këmbadoras eci një udhe
Vjollca Rrapi m’i çmendi vargjet.
Dr. Madhi m’i lë vetëm lëvoret.
Rrëshqas. Kokën ta thyej në rrugë…

Vargun e fundit e përfundova ashtu si në ethe dhe në fund, siç e shihni edhe vetë, ia rraha plot inat të tri pikat. Nuk e di as vetë, çka desha të them me këtë veprim, vetëm e pashë se, u lehtësova nga një barrë. S’më zihej më besë se, truri im kishte pështjellë diçka të tillë në kokë. E kishte bartur me vete nëpër ato damarë, nëpër gjakun e trupit tim me vite e vite, që një ditë ta hudhte jashtë si një bajgël. Më vinte inat, disa herë desha edhe të pëlcas, pse truri im gjatë gjithë kohës kishte bluar misër e askushi nuk ishte kujtuar t’ia kthejë një pikë ujë në lug.

Kjo më shtyri ta prek me dorë shpinën, por aq tepër u tmerrova kur pashë se, nuk munda ta prek samarin. E, në të vërtetë e dija se, gjatë gjithë kohës dikë e bartja rrugës me gropa në shpinë. Dikushi ma mëshonte sa mundej me thupër këtyre rrugëve të ngushta nëpër Qytetin e qyqeve. Më kishte hipur dhe më shalonte me të katra për dikah, por qysh edhe mua nuk më shkonte kurrsesi për dore ta hudh mu në mes të udhës në kokërr të shpinës. Dikur, kur i ngrita sytë, e pashë se Vëllai më rrinte mbi kokë.

– Hë, e shkrove edhe një vjershë?
– Po. – Mezi iu përgjigja, ashtu i thelluar ende në mendime mbi makinën e shkrimit.
– Vetëm, se: tashti, do ta kesh vështirë t’i gjesh botues, do ta presë gjatë kohë radhën mbi tavolina nëpër redaksi.

– Nuk ka rëndësi kjo, – i thashë. Më kryesorja është që e hodha në letër.
– E di. E di, – më tha Vëllai, por edhe ti nuk do ta kesh aq lehtë me një vjershë të këtillë artistike të punësohesh në Qytetin e qyqeve.
– Edhe kjo s’ka rëndësi, jam mësuar me të keqen, ngase gjithmonë më ka ndjekur si hije, më ka hyrë nën lëkurë, dhe tani e kam vështirë të ndahem nga ajo në këtë moshë. Pastaj, më duket se, edhe krijimet e mia këtu vështirë e kanë të marrin lirisht frymë.

Vëllai më nuk e zgjati bisedën, po vetëm e shkundi kokën. Edhe unë e dita se ç’deshi të thotë me këtë gjest, mu për këtë nuk e lodha më me ndonjë pyetje “artistike”. E pata të qartë se, i kishte lexuar fund e krye vargjet e kësaj poezie. Po, unë për këtë nuk desha t’i lodh trutë në kokë. E kisha kokën time që më shpiente rrugës së drejtë nëpër shkretirë. Ai, pas një kohe, doli jashtë, në lëmë, ndërsa unë deri në këtë moment ku ta di sa herë e kisha lexuar këtë poezi. Ma thoshte mendja se në të, fundi i fundit kishte pak gjak, gurgullonte vrullshëm mes damarëve drejtë zemrës.

Nuk më interesonte çka do të mendonin të tjerët për të, do ta lëvdonin ose do ta shanin pa mëshirë. Kryesorja, unë kisha mendime të mira për ktëo vargje. Mu këto vargje do të ishin ato, që unë një ditë do të ecja krenar nëpër Qytetin e qyqeve. Njerëzit do t’i hiqnin kësulat, dhe do të më nderonin me gjithë zemër, nuk do të ma shanin nënën. Aqmëpak, Babën. Ndërsa, zonjat e rënda do të më buzëqeshnin tinëz burrave të tyre besnikë. Kështu nga etja, që ndieja për këto vargje i lexova edhe një herë, dhe më në fund i lashë mbi tavolinë. U ngrita i kënaqur nga një poezi e këtillë, e vesha gunën e zezë dhe dola ballëlartë në rrugë.

Pas një kohe, u habita kur e pashë veten se, qëndroja sikur të kisha ngulur rrënjë si një rrap qindravjeçar para Shtëpisë së mallrave. Nuk e di as vetë sesi kisha ardhur deri këtu dhe kush më pruri në këtë shesh me lule… U mundova ta kthjelloj trurin, por meqë nuk ia arrita qëllimit, vendosa të hyj në Shtëpinë e mallrave. E hapa derën dhe hyra edhe unë në mesin e kalimtarëve, që disa silleshin në rreth e disa të tjerë hipnin shkallëve. Po gati mbeta pa mend, kur i pashë dy shitëse të bukura në një karrige, nën shkallë sesi e shitnin mallin e patundshëm.

Edhe pse sot këtu nuk hyra me qëllim që të blej gjë, vendosa së paku t’u marrë erë luleve. Harrova t’ju them pak më lartë se dy shitëset e bukura nën shkallë shisnin lule. E unë si adhurues i luleve, nuk doja ta lejoj veten të kaloj atypari pa e kthyer së paku kokën. Njëherit, u gëzova që ja më në fund edhe ne e kemi një “Shtëpi të mallrave”. A ka më gëzim dhe lumturi më të madhe sesa, kur blerësi më së pari takohet me tufat e luleve? Jo, nuk ka. E them këtë se lulet janë ato që na e sjellin Pranverën, na e mbushin me erë dhomën, na e kënaqin zemrën mes katër mureve…

– Zotëri, a keni nevojë për ndihmë, deshët diçka? – më pyeti shitsja e luleve.
– Po, t’u marrë pak erë luleve! Me siguri nuk do të keqkuptohemi, se përveç shkallëve të vogla i kemi edhe disa shkallë të mëdha… E, mua pët t’u ngjitur lartë më duhet energji dhe fuqi Diellore…

Shitësja e bukur mori një lule të kuqe trëndafili në dorë dhe ma afroi para hundëve.
– Urdhëro Zotëri, merri erë!
– Po, bën edhe asaj tjetrës lule t’i marr pak erë? E di si është, unë e kam shprehi në mes të dy lyleve të bukura ta shtie edhe kokën…

Shitësja e bukur, pasi buzëqeshi ëmbël, me dorën e lirë e rroku edhe tjetrën lulekuqe, dhe që të dyja m’ia afroi para hundëve.
– Ja, fute kokën mes luleve!…

E di, nuk do të më besoni, që e kam futur kokën në mes të dy lulekuqeve. Dhe, u kam marrë erë egërsisht, kam bërtitur si i marrë. Dy – tri herë, sa më kujtohet, kam ulëruar edhe si ujk mes maleve. Ju nuk më besoni, as kur ju them se: aroma e tyre disa minuta më ka vënë në gjumë. Dhe, as se: në mes të atyre dy luleve kam parë një ëndërr të bukur. Por, ç’dobi kam unë nga ajo ëndërr e bukur, kur unë më s’e kam kokën në mes të atyre dy luleve! Apo t’ua them më bindshëm, nuk jam i marrë, nuk ulëroj më si ujk…

Aroma e atyre dy luleve te të cilat e futa kokën më dha fuqi, më shtyri ta vazhdoj rrugën mes tryezave me mallëra për në malin “Baba Tomor”. Po, diku thellë në vete e ndieja se, donte të më shpërthejë një energji Diellore, që si duket me siguri ma dhanë fuqi ato Dy lulekuqe. O Imzot! Mos vallë bukuria, dhe aroma e tyre më kishte magjepsur, dhe ndodh në ndonjë kënd të më vënte në gjumë?! Mes asaj rrëmuje të m’i shkilnin këmbët, Trurin… e të m’i mbyllnin sytë, ta vuaj dënimin…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.