BACA PJETȄR

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Në kujtim të parardhësve tanë

– Në shtjellën e fatit të një jetimi –

Llesh Ndoj Nga Llesh NDOJ

Nëse para 40 vitesh në fshatin Domgjon të Mirditës do t’i drejtoheshe ndonjë të rrituri me pyetjen: – A ke pa njeri, si janë ata të Pjetër Gjonit?, para se të merrje një përgjigje prej tij, shumicën e rasteve ai do të kthehej me një pyetje tjetër sqaruese: – Këta të Gjonojt apo të Gjonit Plakut?

Gjon quheshin parardhësit e dy familjeve të nderuara domgjonase, e të dy kishin të paktën nga një pasardhës djalë me emrin Pjetër, por ato nuk kishin, as nuk kanë asnjë lidhje gjaku mes tyre, përveçse janë pjesë e vllaznisë së përjetshme domgjonase, që mendohet se rrjedh nga pesë vllezër të ndarë në pesë fise, sot të shpërndara nga Domgjoni, kudo në Shqipëri, në Kosovë, Europë e deri në Amerikën e largët. Njëra prej këtyre familjeve jetonte në Pla, ajo e Gjon Ndojt, fisi Gjokazaj, pikërisht në rrafshin e një sipërfaqeje toke të punueshme ndër më pjelloret në Domgjon, ndërsa tjetra, ajo e Gjonit të Plakut, jeton në Gjagëz, edhe ajo në rrafshin e epërm, njëra nga tri rrafshinat e tokës së punueshme të kësaj lagjeje, rrafshit të poshtëm, atij të epërm e Fushës së Gjatë.

Gjoni i Plakut, kishte mbërritur aty nga një tjetër fushë e përmendur, edhe ajo hambar i kohës për familjet që e zotëronin, Rrugja e Domgjonit dhe i përket fisit Kolpepaj. Të trija këto fusha pjellore, janë të vendosura si në një trekëndësh imagjinar mbi trupin e Domgjonit, e dikur mbanin me bukë shumë familje, por sot dy prej tyre pak ose aspak gjelbërojnë, ndërsa ajo e Gjakzës po, edhe në saje të pasardhësve të Gjonit të Plakut. Ndoshta pakkush e dinte, atëhere edhe sot, pse – në e këtij mbiemri jozyrtar që mbante kjo familje, pa asnjë shoqe tjetër në Domgjon. Historia e saj është histori jetimësh, jo e vetmja në trungun e saj, as në Domgjon, por është njëra nga më tipiket.

Frrok Ndoci, i ati i Gjonit, kishte mbetur i ve herët, duke patur me bashkëshorten e ndarë nga jeta, tri vajza e një djalë, me emrin Zef, edhe ky me një histori jetimësh që sot duken si trill i mendjes njerëzore kur i dëgjon, e thuajse për brezin e ri janë të pabesueshme. Por nejse… Fokusi im në këtë shkrim është Gjoni, jo Zefi. I ati i tij, Frroku, ende i ri në moshë e me fëmijët jetima, u detyrua të rimartohej. Kur bashkëshortja e tij e dytë ishte shtatzënë, ai u sëmurë rëndë dhe e pa të afërt fundin. Meqë e shoqja ishte edhe fizikisht me kufizime, ai i porositi të tijët që t’i dilnin zot asaj e t’i rrinin gati se ishte shtatzënë dhe priste një djalë. Ishte ky përcaktim parandjenjë, dëshirë apo parashikim fati, veç ai e dinte, se atëherë askush nuk kishte mjete të përcaktonte gjininë e fëmijës përpara se ai të lindte.

Djali lindi dhe e pagëzuan me emrin Gjon. Ishte djali i plakut, e kështu ai nuk u quajt asnjëherë Gjon Frroku, por Gjoni i Plakut. Vitlindja e tij i bie aty nga viti 1895 – 1896. Gjoni martohet në vitin 1916, kur ishte rreth 20 vjeç, e pas dy vitesh martesë, në vitin 1918 ndahet nga Zef Frroku, vllau i vetëm për babë. Pjesa e tokës iu caktua në Gjagëz, por aty nuk kishte as shtëpi e asgjë për jetesë. Në këto rrethana të vështira, Gjoni strehohet tek kushërinjtë e largët, në familjen e nderuar të Gjon Nikoll Bibës, ku nis një jetë të re, në kushte e rrethana më të vështira se koha kur po flasim. Dhe të mos harrojmë, ishte koha e Nemces, njëra nga kohërat më të vështira sa i takon zisë së bukës ndër mirditorë. Aty, në vitin 1919 lindi Pjetri, personazhi i këtij shkrimi modest, i cili do të bëhej me vitet e jetës së tij, jo një personazh dosido domgjonas, por njëri nga burrat më në zë të tij, njeri i respektuar e i nderuar gjithë jetën e vet relativisht të gjatë, derisa u nda nga jeta në vitin 2010.

Pjetrin e Gjonit të Plakut, e ndjek fati i babës. Kur ai ishte vetëm 2 vjeç, i ati Gjoni i Plakut, vritet në vitin 1921, në moshën 25 vjeçare, duke e lënë gruan shtatzënë dhe Pjetrin jetim. Vrasja kishte ndodhur pas disa fjalëve të rënda që kishin lindur në një lojë filxhanash në shtëpinë ku jetonte Gjoni dhe ku vetë ai nuk ishte protagonist. Pala tjetër, jo domgjonas, pasi kishte fituar lojën, e kishte kënduar palën humbëse, si e ka loja, por në këngën – skeç kishin përdorur fjalë të rënda, duke e shitur veten si “triumfatorë”, fjalë që skuadra tjetër nuk i kishin pranuar dot. Të nesërmen, kur po përgatitej që loja të luhej në një tjetër shtëpi, Gjoni ua kishte bërë të ditur palës tjetër, se ata s’mund të luanin më tej filxhanash së bashku, pa e mbyllur çeshtjen e natës së mëparshme me ata që e kishin tepruar me fjalë.

Por pala tjetër, në vend të marrëveshjes, bën të kundërtën. Të nesërmen, kur po ktheheshin të ngarkuar me barrët e dushkut mbi shpinë, u zenë pritë e vrasin Gjonin vetë i dyti. Pas përpjekjeve të panumërta të burrave të urtë vendas dhe një fushate kombëtare të organizuar nga qeveria e Zogut në vitin 1927, gjaku pajt falet dhe palët pajtohen, duke e detyruar fajtorin të paguajë për dy gjaqet 48 napolona ari. Familja ku jetonte Gjoni i llogaritën jetimit 3 napolona ari, për veshje dhe për fajde, në ndihme të rritjes së Pjetrit fëmijë e jetim. Ashtu edhe u bë. Me 3 napolona ari përballuan veshjen e pjesa tjetër, me ndihmën e një shoqi të urtë, u lëshuan me qira (fajde) me të cilat ndihmohej mirërritja e Pjetrit.

Pjetri vazhdoi edhe 2 vite shkollë në Fanë tek shkolla e Latifit në vitin 1925, por të afërmit ku jetonte nuk munden t’a çojnë jetimin në Konviktin e Oroshit, ndonëse Kapedani i Mirditës ua kërkoi. Kur mbushi 15 vite jetë, Pjetri i tërhoqi edhe napolonat prej të cilëve siguronte mjetet e jetesës si qira, dhe bleu me to një armë, ndryshe nga këshillat e të afërmve të vet e të familjes ku vazhdonte të jetonte. Ai asokohe kishte hedhur shtat, ishte inteligjent e me një shikim të qartë nga e ardhmja, ndonëse ishte jetimi i breznisë së dytë në familje, pa shpi e me pak mjete jetese. Vishet xhandar në vitet 1943 – 1945, ku mori hov nga ana fizike e zhvillimore. Viti 1946 e gjen në krye të brigadës së Fanit, që punonin për hapjen e rrugës automobilistike Kukës – Peshkopi, ndërsa në vitin 1948 e mobilizojnë ushtar për të dytën herë. Pjetri ishte i sëmurë, me një ftohje të rëndë, dhe për këtë arësye atë e liruan nga ushtria.

Ishte koha me u nda e me dalë në vete, ndonëse në familjen ku kishte jetuar gjithë ato vite, ishte trajtuar si në shtëpinë e vet. Në vitin 1951 hedh shtat kulla e tij në rrafshin e epërm të Gjakzës, një shtëpi që banohet edhe sot nga pasardhësit. E kishte vendosur të dilte në punën e vet i pavarur, edhe pse hallet nuk iu ndanë. Ishte martuar në vitin 1938, por dy fëmijët e parë, të dy djem, i ishin ndarë nga jeta. Fati i trokiti në truallin e ri, ku lindi e rriti 3 djem dhe një vajzë Nduen, Nikollin e Gjonin dhe Marien. Familja përparoi e u bë një nga më të respektuarat familje domgjonase. Vetë Pjetri, pas një përvoje të shkurtër në sharrat e Shënmërisë së Kukësit, në vitet 1953 – 1967, punoi për shumë vite, si mirëmbajtës i linjës telefonike Fanë – Kukës, bashkë me Pjetër Llesh Dodën (kujtoni filmim “Rrugë të Bardha” e personazhin e luajtur mjeshtërisht nga Rikard Larja – Dedën), dhe prej asaj kohe gjithë jetën punoi si bari delesh, zanat që e kishte ushtruar në shtëpinë e madhe ku jetonte qysh në moshën 9 – vjeçare.

Si bari, Pjetri ishte njëri nga më të përmendurit e këtij zanati, krahas Ndre Markut, Marka Prengës e ndonjë tjetri, duke qenë edhe njëri nga më të respektuarit burra në Domgjon. Të gjithë ndjeheshin të nderuar t’a kishin shoq, shok, koleg pune, këshillues e ndihmues, apo krushk të parë në dasmat e fëmijëve të tyre. Numërohen rreth 70 raste kur ai u ka pri krushqve. Një rast unik mund të kujtohet, sepse nga viti 1944 deri në vitin 1991, ka qenë anëtar i zgjedhur i këshillave vendore. I binte fyellit, zumares e çiftelisë dhe ishte kampion absolut në lojën popullore të njohur si “cic – mic”, varjantin më të ndërlikuar të saj, atë me 9 gurë. Pjetër Gjoni ishte mjeshtër i punimit të enëve prej druri, si buliera, voza, mtana etj. Ishte kampion në qethjen e deleve, kostar i klasit e muhabetçarë i veçantë. I pashëm, fjalë rrallë e i vendosur, si rrallëkush në kohën e tij.

* * *

Koha është e çuditshme. Ajo ka aftësinë e jashtëzakonshme t’i hapë e t’i shërojë plagët e jetës. Pas dy breznive jetimë, pa shtëpi e katandi, rritur tek të afërm, me të cilët i kalonte 4 – 5 brezni, me halle shumë e perspektivë të zymtë, familja e Gjonit të Plakut dhe Pjetër Gjonit, pinjollit të vetëm pasardhës mashkull, ngrihet e shumohet për t’a patur zili. E tash, kur Domgjonit ia kemi kthyer shpinën shumë nga ne domgjonasit, duke e lënë jetim, pasardhësit e bacë Pjetrit, (kështu e kanë thirrur shumica e më të rinjëve Pjetër Gjon Frrok Ndocin ose Pjetër Gjon Plakun), sot jo vetëm s’i ka lëshue trojet e të parëve, por i mban ato si ndër më të mirët domgjonas.

Ndoj, tashmë në moshë, të pret sapo kalon lumin e Fanit e nis udhën drejt Domgjonit. Burrë i urtë si i ati, bujar e mikpritës si ai, ndonëse me fëmijët larg, jeton e punon në shtëpinë e re në rrafshin e poshtëm. Nikolli, po ashtu, ka ngritur shtëpinë e tij dhe jeton në Gjagëz. Gjoni, më i vogli i tyre, ai që vetë ka marr emrin e gjyshit, jeton në kullën e lashtë të të atit. Tashmë pensionist, pasi kontribuoi një jetë si ekonomist e mësues, ka radhën t’ua përcjellë trojet e trashëguara të bijëve. Emrin e babës, me një ngjyrim të lehtë të kohës, ia ka trashëguar të birit. Traditën e babës e kanë pjesë të genit që nuk ua shpëlanë koha, vitet as pasuria.

Respekt për këtë familje të nderuar, e i paharruar kujtimi i këtij njeriu të urtë Pjetër Gjon Plakut, bacë Pjetrit tone të paharruar!

Lezhë, 25 shtator 2025

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit