Autore:
Elife LUZHA
Ditëve të fundit, përmes shkrimeve dhe deklaratave të ndryshme, opinionistë e aktorë politikë po e paraqesin situatën në Kosovë si mjaft kritike. Ndër të tjera, flitet edhe për një kërcënim ekzistencial ndaj shtetësisë së Kosovës, madje edhe për nevojën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Pa specifikuar se cili është mekanizmi juridik që e ka rrezikuar shtetësinë e Kosovës, apo cili shtet ose institucion ndërkombëtar e ka vënë atë në pikëpyetje, aktorë të ndryshëm, madje edhe disa të vetëquajtur studiues të shkencave politike, duket se harrojnë se vënia në pikëpyetje e ekzistencës apo funksionalitetit të një shteti lidhet me disa kritere dhe rregulla të qarta, për të cilat ata nuk flasin, ose nuk duan të flasin.
Si pikë e parë:
Në diskutimet ndërkombëtare, një nga faktorët themelorë për qëndrueshmërinë e një shteti është aftësia e tij për të ushtruar autoritet mbi territorin e vet.
Dhe, siç e dimë, të dashur miq, që nga ekzistenca e Qeverisë Kurti, institucionet e Kosovës kanë ushtruar autoritetin në tërë territorin e vendit.
Funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit, qëndrueshmëria ekonomike dhe një sërë faktorësh të tjerë janë ndër elementet që kontribuojnë në funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e një shteti.
Prandaj shtrohet pyetja: me deklarata pompoze dhe alarmuese, mos vallë, me vetëdije apo pa të, po e dëmtojmë pikërisht atë që do të duhej ta mbronim?
Pas çdo zhvillimi politik apo juridik, pavarësisht sa serioz mund të jetë ai, askush nuk do të duhej të fliste lehtësisht për “zhbërjen e shtetësisë” së Kosovës.
Pavarësisht të gjitha zhvillimeve, të cilat, sigurisht, duhet të diskutohen me seriozitet dhe pa e minimizuar asnjë problem, çdo individ që mendon për të mirën e këtij vendi, në vend të deklaratave se “shteti po zhbëhet”, do të duhej të kontribuonte në forcimin e bindjes se shteti do të vazhdojë të ekzistojë.
Sepse, për sa kohë të ketë jetë mbi këtë dhe, rreziqet do t’i luftojmë, padrejtësitë do t’i kundërshtojmë dhe Kosovën do ta mbrojmë.
Kosova ka nevojë për qetësi, jo për terrorizim përmes pasigurisë.
Kosova ka nevojë për shkolla që funksionojnë e institucione që punojnë, jo për parti që qëndrojnë me ankesa në duar, duke pritur vendime nga Gjykata Kushtetuese.
Kosova ka nevojë për vigjilencë, por edhe për qetësi.
Kosova ka nevojë për patriotizëm, por edhe për zgjuarsi.
E qytetari ka nevojë për jetë normale në shtetin e tij.
Dhe, siç thoshte Ali Podrimja:
“Unë, biri yt, Kosovë” –
Kam nevojë për ty


