Përse Kadaresë dhe Koelho nuk iu dha nobeli!?
Xhelal Zejneli
Gjatë historisë, ka ndodhur që Akademia Suedeze t’i anashkalojë edhe gjigantët e letërsisë botërore.
Paulo Koelho është një prej shkrimtarëve më të lexuar në botë. Veprat e tij janë botuar në dhjetëra vende të botës dhe janë shitur në miliona kopje. Megjithëkëtë, ai nuk është vlerësuar me çmimin “Nobel”. Përse vallë?! Braziliani nuk është fitues i çmimit prestigjioz për arsye se ai përdor një stil popullor dhe krijon vepra për masat. Veprat e tij shiten në miliona kopje dhe kjo shkakton komercializim. Me fjalë të tjera, stili i tij nuk përputhet me kriteret letrare artistike të përcaktuara nga Akademia Suedeze. Kritikët dhe studiuesit letrarë veprën e tij e konsiderojnë si prozë popullore, prozë shpirti dhe jo si art i nivelit të lartë.
Arti i madh është elitist. Çmimi “Nobel” në letërsi jepet me kritere të caktuara. Vepra e vlerësuar duhet të posedojë vlerë të madhe estetike dhe vlerë letrare të qëndrueshme.
Nuk duhet harruar se shumë pjesë të krijimeve të Koelhos janë të pakapshme për lexuesin e rëndomtë. Edhe mesazhet e veprave të tij, jo gjithmonë deshifrohen lehtë.
* * *
Me rastin e marrjes së çmimit “Nobel”, tregimtari dhe liriku gjerman Herman Hese (pseudonim Emil Sinclair; Hermann Hesse; Calw, Gjermani, 1877 – Montagnola, Zvicër, 1962) thotë:
“Nuk ka shumë kuptim që çmimi “Nobel” t’i jepet ndonjë shkrimtari plotësisht të afirmuar, e që është në moshë të shtyrë, në një kohë kur e njeh dhe e çmon e gjithë bota.”
Nobeli në duart e Bob Dilanit ngjalli tema dhe debate të shumta. Poeti amerikan Bob Dylani (1941- ) është këngëtar dhe kompozitor, një nga më të mëdhenj e të gjitha kohërave. Gjatë karrierës së tij, ka qenë figurë e rëndësishme e kulturës popullore. U vlerësua me çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 2013, përkatësisht më 13 tetor 2016. Çmimin e mori prej Akademisë Suedeze “për krijimin e shprehjeve poetike të reja në kuadër të traditës së madhe poetike amerikane.”
Edhe Herman Hesi edhe Bob Dilani janë vlerësuar me çmimin e sipërthënë atëherë kur betejat më të mëdha qëmoti i kishin lënë pas vetes, beteja që duhej t’i bënin vetë dhe që i fituan vetë.
Kur çmimi “Nobel” vjen në duart e autorit i cili është në perëndim të karrierës, atëherë kjo ndarje e çmimit më tepër i shërben komitetit të Nobelit sesa autorit të lauruar. Kjo i mundëson Komitetit të ndarjes së çmimit “Nobel” që të mbrohet nga ndonjë akuzë eventuale se ka bërë gabim.
* * *
Komiteti i ndarjes së çmimit “Nobel” ka bërë edhe gabime, ndaj shpesh ka qenë shënjestër e sulmeve. Në mesin e shkrimtarëve që nuk janë vlerësuar me Nobel, çdokush e ka ndonjë që e admiron. Ka raste kur shkaqet e anashkalimit nuk kanë pasur të bëjnë me letërsinë.
* * *
Shkrimtarë të mëdhenj që nuk janë vlerësuar me çmimin “Nobel” – Akademia Suedeze historikisht ka anashkaluar shumë figura të mëdha të letërsisë botërore. Nuk janë fitues të Nobelit shkrimtarët si: prozatori, dramaturgu dhe publicisti rus Leon Nikolajeviç Tolstoj (1828-1910), tregimtari, poeti dhe eseisti argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, Buenos-Aires, 1899 – Gjenevë, 1986); prozatori dhe poeti irlandez Xheimz Xhojs (James Joyce; Dublin, 1882 – Cyrih, 1941).
Çmimi “Nobel” filloi të ndahet në vitin 1901. Atëherë Leon Tolstoi ka qenë gjallë dhe ka qenë i nominuar disa herë. Akademia Suedeze e ka refuzuar punën e tij për shkak të pikëpamjeve religjioze dhe politike të tij.
Horhe Luis Borhesi (Jorge Luis Borges) është konsideruar si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX. Ka qenë i nominuar disa herë. Çmimin s’e ka fituar asnjëherë kinse “për shkak të qëndrimeve politike kontradiktore të tij”.
* * *
Çmimi “Nobel” nuk jepet postume, pas vdekjes. Mirëpo, Tolstoi ka vdekur në vitin 1910, kurse Nobeli ka filluar të jepet qysh në vitin 1901. Kur “Nobeli” i parë shkoi në duart e poetit dhe eseistit francez Syli Prydom (“Sully” Prudhomme, i lindur si René François Armand Prudhomme, Paris, 1839 – Châtenay-Malabry, 1907), 42 intelektualë suedez, midis tyre edhe shkrimtari August Strindberg (Stokholm, 1849 – Stokholm, 1912), i dërguan letër Tolstoit. Aty shprehnin pakënaqësinë për vendimin e Akademisë së tyre. Tolstoi u përgjigjet: “Më vjen mirë që s’ma kanë dhënë Nobelin. Nuk di se ç’do kisha bërë me paratë. Me siguri, ato do të më sillnin diç të keqe në jetë.”
* * *
Sipas studiuesve të caktuar, çmimi “Nobel” në duart e një muzikanti rokënrol (rock and roll), qoftë ky edhe më i madhi ndër më të mëdhenjtë, është pasqyrë e një dekadence të madhe të kulturës perëndimore. Bob Dilani, pa kurrfarë faji të vet, u shndërrua në mollë sherri midis adhuruesve konservatorë dhe liberalë të fjalës së shkruar dhe të kënduar.
Ka pasur që kanë pyetur: “A thua vallë, këngëtari Dilan, në fushën e letrave, është më i merituar se shkrimtari Paulo Koelho, i përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës dhe i shitur në miliona kopje. Shtrohet pyetja: “Fiton apo humb Bob Dilani, me këtë çmim?!”
* * *
Me çmimin “Nobel” nuk është vlerësuar as romancieri francez Marsel Prust (Marcel Proust; Parsi, 1871 – Paris, 1922). Ky nuk është nobelist, ndonëse krijoi gjatë shekullit XX. Prusti kurrë s’ka qenë shkrimtar bestseller. Megjithëkëtë, kudo në botë dhe në çdo katedër të letërsisë, ai është pjesë e programit mësimor. Letërsia moderne as që mund të paramendohet, po qe se i shmangim të gjitha ndikimet që ka ushtruar mbi të autori i ciklit prej tetë romaneve me titull të përbashkët “Në kërkim të kohës së humbur” (À la rëcherche du temps perdu, 1913-1927).
S’është lehtë të supozohet se kush do ta fitojë Nobelin e ardhshëm, ngase edhe procesi i nominimit nuk është i thjeshtë. Kandidatët për çmimin “Nobel” mund të propozohen prej anëtarëve të Akademisë Suedeze, prej ish-laureatëve, prej kryetarëve të shoqatave kombëtare të shkrimtarëve dhe nga disa profesorë të zgjedhur të letërsisë. Si duket, të këta, Prustin e kanë përjetuar si një autor tepër eksperimental. S’ka qenë as i propozuar për ta marrë çmimin.
* * *
Një shkrimtar i madh që nuk është vlerësuar me Nobelin është edhe prozatori dhe poeti irlandez Xheimz Xhojs (James Joyce, Dublin, 1882 – Cyrih, 1941). Është autor i romanit legjendar, një nga më të rëndësishmit e shekullit XX, “Ulksi” (Ulysses, 1922). Popullariteti i autorit është rritur nga viti në vit, edhe pas vdekjes së tij. Por në të gjallë, shkruante në kundërshti të plotë me kriteret e akademikëve të veshur me rroba të zeza.
Sipas anëtarëve të Komitetit të Nobelit, letërsia e nivelit të lartë shkruhet ndryshe. Në fillim, Xhojsi dëshironte ta shkatërrojë narrativin (rrëfimin), fabulën, shtyllën kurrizore (subjektin e veprës që nga fillimi i saj. Për t’u pranuar një risi e tillë përmasash të këtilla, nevojitet kohë. Më vonë, nga shumëkush, “Uliksi” i tij u konsiderua si romani më i rëndësishëm i shekullit XX.
Sipas arkivave, Xhojsi s’ka qenë as i nominuar për çmimin e sipërthënë.
Shënim: Legjendari Semjuel Beket (Samuel Beckett; Dublin, 1906 – Paris, 1989), laureat i çmimit “Nobel” (1969), autor i antidramës mitike “Duke pritur Godonë” (En attendant Godot, 1952), ka qenë sekretar i Xhojsit.
* * *
Virxhinia Ulf (Virginia Voolw, Londër, 1882 – Rodmell/Sussex, 1941) ka qenë prozatore dhe eseiste angleze. Nuk është laureatë e çmimit prestigjioz. Qëkur ka filluar të jepet çmimi, për letërsi atë e kanë marrë deri tani vetëm 18 femra. Kjo përbën 15% të numrit të përgjithshëm të laureatëve në këtë kategori. Numri i laureatëve femra për paqe është më i madh se ato të fushave të tjera.
Laureatë femra janë: Selma Lagerlef (1909), Gracija Deleda (1926), Sigrid Unset (1928), Perl Bak (1938), Gabriela Mistral (1945), Neli Zaks (1966), Nadin Gordimer (1991), Toni Morison (1993), Vislava Shimborska (1966), Elfride Jelinek (2004), Doris Lesing (2007), Herta Myler (2009), Alis Manro (2013), Svetlana Aleksijeviç (2015), Olga Tokarçuk (2018), Luiz Glik (2020), Ani Erno (2022, Han Kang (2024).
Shënim: Në shtëpinë e Virxhinia Ulfit, në lagjen Bloomsbury, në qendër të Londrës, tuboheshin personalitete me renome profesionesh të ndryshme – historiani Liton Strashej (Lytton Strachey, 188- 1932); filozofi dhe prozatori anglez Bertrand Rasel (Bertrand Russell, 1872 – 1970), laureat i Nobelit më 1950; ekonomisti anglez, njëri nga më me ndikim i shekullit XX, themelues i makroekonomisë moderne, Xhon Mejnard Kejnis (John Maynard Keynes (1883–1946); poeti, kritiku dhe dramaturgu anglo-amerikan Tomas Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888 – Londër, 1965), laureat i Nobelit më 1948; dhe E. Sitwell, romancieri, eseisti dhe kritiku anglez Eduard Morgan Forster (Edward Morgan Forster, 1879 – 1970); esteti Roxher Fraj (Roger Fry, 1866 – 1934), historiani i artit, anglez, Kliv Bel (Arthur Clive Heward Bell; Great Shefford, Mbretëri e Bashkuar, 1881 – Londër, 1964) me të shoqen Vanessa e cila ishte motër e Virxhinia Ulfit.
Shoqërimi i tyre njihet si Grupi Blumsberi (The Bloomsbury Group).
Shënim: Përkundër prirjes erotike ndaj grave, Virxhinua Ulf ka pasur raporte të afërta me bashkëshortin i cili i gjendej pranë në çastet kur ajo manifestonte probleme mentale.
* * *
Horhe Luis Borhes – Tregimtari, poeti dhe eseisti argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, Buenos-Aires, 1899 – Gjenevë, 1986) ishte disi në moshë të shtyrë kur deklaroi: “Çmimin Nobel nuk e kam fituar për arsye se zotërinjtë në Stokholm mbase mendojnë se tashmë ma kanë dhënë një herë..”
Shënim: Gjyshja e Borhesit nga vija e babait ka qenë angleze.
Komiteti për ndarjen e çmimit gjithmonë i ka marrë parasysh edhe zhvillimet politike, momentin historik dhe qëndrimet joletrare të shkrimtarëve. Këtë e dëshmon shembulli i Borhesit. Me fjalë të tjera, shkrimtari argjentinas ka qenë i lidhur me disa diktatorë të shekullit të kaluar. Midis tyre është edhe Pinoçe (Augusto Pinochet Ugarte, 1915-2006).
* * *
Vladimir Vladimiroviç Nabokov (Shën Peterburg, 1899 – Montreux, Zvicër, 1977) është prozator dhe poet ruso-amerikan. Deri në vitin 1940 mbante pseudonimin Vladimir Sirin. Është autor i romanit kontradiktor “Lolita” (1955). Në fillim vepra u ndalua për përmbajtjen “pornografike”, Flitet për dashurinë e mashkullit të moshës së pjekur ndaj “nimfetës” Lolita.
Nabokovi dhe Borhesi janë themelues të prozës postmoderne. Që të dy bëjnë pjesë në grupin e krijuesve që nuk janë vlerësuar me çmimin “Nobel”. Nabokov ka qenë i nominuar disa herë. Në vitin 1974, për çmimin “Nobel” kanë qenë të nominuar edhe Naokovi, edhe Borhesi, edhe prozatori anglez, një prej më të rëndësishmëve të shekullit XX, Graham Grin (Graham Greene, 1904 – 1991), edhe prozatori kanadezo-amerikan, bir i hebreut të ardhur në Kanada prej Rusie, Sol Belou (Saul Bellow; Lachine, Quebec, 1915 – Brookline, Massachusetts, ShBA, 2005). Atë vit, çmimi nuk iu dha asnjërit prej tyre. Atë e ndanë prozatorët dhe poetët suedezë Eivind Junson (Eyvind Johnswon, 1900-1976) dhe Hari Martinson (Harry Edmund Martinson, 1904 – 1978), që të dy anëtarë të jurisë për ndarjen e çmimit “Nobel”.
Shënim: Nimfetë – vajzë tejet e re, lolitë, tinejxhere.
Shënim: Sol Belou u vlerësua me Nobelin në vitin 1976.
* * *
Autorë të caktuar si prozatori anglez Xhorxh Oruell (George Orwell, 1903-1950), tregimtari austriak me prejardhje hebraike, Franc Kafka (Pragë, 1883 – Kierling, Vjenë, 1924), prozatori amerikan Fransis Skot Fixhërald (Francis Scott Fitzgerald, 1896-1940) nuk u kurorëzuan me Nobelin ngase vdiqën para kohe.
Franc Kafka është kryeidhull i modernizmit. Në veprën e tij flitet për individin të përndjekur prej forcave të padukshme të territ, të tmerrit, të ferrit. Individi i ndjekur nga shteti, nga pushteti, nga të fortët, nga tiranët, despotët, autoritarët, autokratët, sundimtarët, diktatorët, totalitarët, nga langonjtë e pushtetarëve siç janë gjyqtarët, dëshmitarët e rrejshëm, hetuesit, policët, milicët, xhandarët, gardianët, spiunët, agjentët, proceset gjyqësore të montuara, dënimet drakoniane.
Kafka tha: “Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji.”
Më pas ai shtoi: “E gjithë jeta ime ka qenë një histori e mbylljes së syve.”
* * *
Midis atyre që kanë lënë gjurmë të mëdha në letërsi dhe që kanë gëzuar popullaritet në radhët e publikut të gjerë, kanë qenë shkrimtari amerikan Xherom Dejvid Selinxher (Jerome David Salinger, 1919 – 2010); poeti, romancieri dhe autori i tregimeve të shkurtra, amerikani Çarls Bukovski* (Charles Bukowski, Andernach, Gjermani, 1920 – San Pedro, Kaliforni, 1994). Asnjëri prej tyre nuk e ka fituar vërtetimin zyrtar të Akademisë Suedeze për vlerat që i kanë poseduar.
Shënim: Selinxheri njihet për romanin “Gjuetari në thekër” (The Catcher in the Rye, 1951).
Shënim: Çarls Bukovski nënën e ka pasur gjermane, ndërsa babanë ushtar amerikan. Qysh i vogël vjen në Los Anxhelos.
* * *
Krijues të mëdhenj kanë qenë edhe dramaturgu norvegjez Henrik Ipsen (Henrik Ibsen, pseudonim Brynjolf Bjarme, 1828-1906) dhe novelisti e dramaturgu rus Anton Pavloviç Çehov.(1860-1904). Krijimtaria e tyre ndërlidhte me shekullin XIX, por ata kanë jetuar edhe në shekullin XX, kur Nobeli ndahej.
* * *
Ismail Kadareja (Gjirokastër, 28 janar 1936 – Tiranë, 1 korrik 2024) është një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të botës. I përkthyer në 47 gjuhë, i botuar në dhjetëra shtete të pesë kontinenteve. Shumë shkrimtarë që janë vlerësuar me çmimin “Nobel” nuk mund të krahasohen me penën e gjigantit të letrave. Kadareja është nominuar për çmimin “Nobel” të paktën 15 herë, që prej viteve ’90 e deri në vitet e fundit të jetës së tij. Gjithmonë ka qenë favorit. Krijimtaria e tij është vlerësuar me shumë çmime prestigjioze të botës. Akademia Suedeze e la pa çmim shkrimtarin i cili gjatë gjithë jetës së tij, me penën dhe shpirtin e vet, e luftoi tiraninë dhe diktaturën, si asnjë krijues tjetër i lindjes evropiane.
Madhështia e Kadaresë qëndron në faktin se ky kolos i artit të fjalës ia zbuloi Perëndimit një botë të re, mitet dhe legjendat e gadishullit, të vjetra sa poemat homerike, ia zbuloi labirintet kafkiane të një perandori që u shemb si dhe tiraninë antinjerëzore në lindje të kontinentit. Te Kadareja, si te Kafka, kemi qëndresën e individit përballë të fortit.











