POEZI QË SHQIPTON VETËDIJEN E PËRGJUMUR DHE GJAKIMIN E PËRMBYSUR TË NJERIUT

0
1508
Erjon Muça - Apologji marrëzive

ANTON NIKË BERISHA

Në vend të parathënies

Nëse lexohet me vëmendje poezia e (Hamdi) Erjon Muçës, përfshirë në përmbledhjen “Apologji e marrëzisë”, vërehet shpejt se ajo nuk të shkakton atë kënaqësinë që rëndom e pret dhe e përjeton lexuesi kur komunikon me tekste të kësaj natyre, sidomos të poezisë tradicionale. Në qenësinë e vet kjo poezi shqipton vetëdijen e përgjumur dhe gjakimin e përmbysur të njeriut të sotëm, absurdin e veprimeve e të sjelljeve të tij; ngrihet kundër rrënimit shpirtëror të krijesës njerëzore, e cila nuk mësoi nga pësimet që i ndodhën në të kaluarën.

Ajo njëherit përligj dallgëzimin e brendshëm të poetit, po edhe tundimin e tjetrit, qoftë atij të botës sonë, qoftë të botës së fqinjit ose edhe  të atij më të largët; shqipton ligësinë dhe shprishjen mendore; të keqen dhe djallëzinë, që njeriu i ka brenda dhe nuk mundi të lirohet prej tyre si dje si sot; këmbimin e virtyteve me vese, të mirën të ngjizur me indet e së keqes; ndershmërinë të këmbyer me dredhinë, me mashtrimin, me shpifjen e me smirën; gërmon në lakminë e pafre, në mburrjen e shpifur, në pafytyrësinë e fshehur, në tragjiken e mospërfilljes, të padurimin etj.

Gjithë kjo t’i kujton vargjet e poetit arbëresh, Vorea Ujkos (Domeniko Bellicit) për pësimet që njeriu ia sjell vetes sa edhe sorrat kanë marrë sëmurjen e njeriut, gjë që e bën atë të klithë thuajse papërmbajtshëm: Ju lutem ta mbroni vdekjen (Situatë e dytë).

“Apologji e marrëzisë” nuk është poezi e ndjenjësimit dhe e fjalëve të mëdha, retorikë e zbrazët; është shtjellim i menduar i tekstit, i përftuar me përkushtim, po në një gjendje “akulli” (siç do të thoshte shkrimtari i shquar rus, Çehovi). Pikërisht si e tillë ajo bëhet e vlefshme, si kundërvënie dh prapësim, dhe të depërton pashmangshëm në mendje dhe pastaj në damarë dhe në thellësinë e palcës. Pra, në vend të kënaqësisë që do të duhej të nxiste poezia, autori i jep jetë kumtit dhe pamjeve rrëqethëse, mendimit shpesh tronditës, që del nga teksti, synon që rrëfimi i tij poetik të jetë sa më bindës dhe ndikues.

Poeti i kundërvihet thellësisht absurdit që e cilëson veprimin e njeriut nga se “Mbi tokë gjithçka trishtërisht vyshkohet”, nga se “Lotët e virgjër të qiellit / mbushin pellgjet me llum!” (Fatësi) ose “Mes heroit dhe tradhtarit / qëndron ngrehur si apostrof, / një detaj fare i rëndomtë […] / ka të bëjë me fatin, / me fitimtarin dhe me humbësin” (Apologji e marrëzisë).

Poezia me këto tipare, përkatësisht shqiptimi i këtillë poetik të kujton mendimin e Th. Elioti: “Kritika është po aq e pashmangshme sa edhe frymëmarrja…” dhe “Unë jam i mendimit se kritika e përdorur nga një shkrimtar i ushtruar e i shkathët në veprën e vet është më qenësorja, është lloji më i lartë i kritikës dhe disa shkrimtarë kreativë janë superiorë ndaj të tjerëve, vetëm ngase aftësia e tyre kritike është superiore”.

Edhe ndërtimi – shtjellimi i tekstit të poezive të kësaj përmbledhje të Erjonit është i mëvetësishëm; autori synon t’u shmanget rregullsive të ndërtimit të vargut të zakonshëm në mënyrë që ta shqiptojë, sa natyrshëm, aq dhe thellësisht të keqen dhe kaosin e veprimit të njeriut në kohën tonë.

Poezia e (Hamdi) Erjon Muçës në “Apologji e marrëzisë” të godet në vetëdije dhe vetvetiu të kujton atë që thoshte Bajroni (Byron), që Fishta e pati sjellë në fillim të veprës së tij të njohur “Anzat e parnasit” (botimi i tretë Shkodër 1942): “Qeshem me punë të njerzvet veç pse s’mûj me kjá”.

Prishtinë, mes mars 2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.