38.5 C
Tirana
E mërkurë, 12 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj POSTA E VATIKANIT SHËNON 27 VJETORIN E PULLËS POSTARE PËR KRIZEN E...

POSTA E VATIKANIT SHËNON 27 VJETORIN E PULLËS POSTARE PËR KRIZEN E KOSOVËS TË VITIT 1999

0
Pulla e Vatikanit

Nga: Hysen Dizdari

Viti 1999 mbetet një nga momentet më të dhimbshme në historinë e Kosovës. Në kushtet e represionit të ushtruar nga forcat serbe, qindra mijëra banorë të Kosovës u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre dhe të kërkonin strehim në vendet fqinje. Kolonat e refugjatëve, familjet e ndara, fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit që largoheshin me gjithçka që mund të mbanin me vete, u bënë një nga pamjet më tronditëse të Evropës së fundit të shekullit XX.

Në vitin 1999, Posta e Vatikanit, në një akt solidariteti me popullin shqiptar të Kosovës, emetoi një pullë postare me tematikë të lidhur me krizën humanitare në Kosovë. Ky emision përbëhet nga një pullë postare, e cila në sfond paraqet vargun e pafund të shqiptarëve të Kosovës duke u shpërngulur nga shtëpitë dhe trojet e tyre, të detyruar nga dhuna dhe represioni i forcave serbe. Në pjesën e majtë të pullës shkruhet me germa kapitale: “KOSOVO 1999”. Në pjesën e poshtme paraqitet një thënie e firmosur nga Papa

Gjon Pali II:
Papa qëndron me njerëzit që vuajnë
dhe u bën thirrje të gjithëve:
Është gjithmonë koha për paqe.” Papa Gjon Pali II

Zgjedhja e Kosovës si temë në një emision të Postës së Vatikanit kishte një domethënie të veçantë. Shteti i Vatikanit, përmes traditës së tij diplomatike dhe humanitare, e kishte vendosur vazhdimisht në qendër të vëmendjes mbrojtjen e jetës njerëzore, të familjes dhe të njerëzve të pambrojtur. Në vitin 1999, drama e refugjatëve kosovarë ishte pikërisht një nga ato tragjedi që kërkonte solidaritet dhe vëmendje ndërkombëtare. Në këtë kontekst, edhe filatelia e Postës së Vatikanit dha një kontribut të veçantë. Emetimi me tematikë të lidhur me Kosovën, i realizuar në vitin 1999, nuk duhet parë vetëm si një objekt postar ose si pjesë e një koleksioni filatelik. Ai përfaqëson një mënyrë për të regjistruar në kujtesën publike një dramë njerëzore që, në atë kohë, tronditi opinionin ndërkombëtar.

Nga këndvështrimi filatelik, ky emetim është veçanërisht interesant, sepse dokumenton një ngjarje ende të freskët. Pulla postare, ndonëse e vogël në përmasa, e vendos një ngjarje të madhe historike në qarkullim ndërkombëtar. Ajo udhëton derë më derë, nga një qytet në tjetrin, nga një shtet në tjetrin dhe, së bashku me letrën ose zarfin ku vendoset, bëhet bartëse e kujtesës historike të një kombi. Në rastin e Kosovës, kjo kujtesë lidhet me një prej krizave më të mëdha humanitare të Evropës në shekullin XX. Në këtë kuptim, emetimi i Postës së Vatikanit për Kosovën në vitin 1999 mund të lexohet si një dokument filatelik i ndërgjegjes humanitare. Ai dëshmon se filatelia nuk është gjithmonë vetëm pasqyrë e shtetit, institucioneve apo përvjetorëve. Në raste të veçanta, ajo bëhet zë për njerëzit që përjetojnë tragjedi dhe një mënyrë për të ruajtur kujtesën e tyre.

Sot, më shumë se një çerek shekulli pas ngjarjeve të vitit 1999, ky emetim merr një vlerë të shtuar. Koha e ka shndërruar atë nga një reagim i menjëhershëm ndaj një krize humanitare në një dëshmi të qëndrueshme të një kapitulli të rëndësishëm të historisë së Kosovës. Për filatelistin, ajo nuk është thjesht një pullë për t’u vendosur në album; është një fragment i një historie të shkruar në letër, që na kujton se pas çdo ngjarjeje politike qëndrojnë jetë njerëzore, familje dhe fate individuale. Kështu, Kosova e vitit 1999, e përfshirë në emetimin e Postës së Vatikanit, dëshmon edhe një herë se pulla postare mund të bëhet dëshmi e historisë dhe zë i kujtesës njerëzore. Në një hapësirë të vogël grafike, ajo ruan kujtimin e një viti të vështirë, të eksodit të kosovarëve dhe të solidaritetit ndërkombëtar ndaj një popullsie të goditur nga lufta dhe nga një krizë e rëndë humanitare.

Prandaj, ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës, në mënyrë të veçantë, Postës dhe Shtetit të Vatikanit për ndihmën, solidaritetin dhe kujdesin e treguar ndaj shqiptarëve të Kosovës, sidomos gjatë krizës humanitare të vitit 1999.

MIRËNJOHJE PËR JETË POSTËS SË VATIKANIT!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.