Zef Noka
Vetëvendosja dhe kryetari i saj, gjithnjë e ma shumë po rrëshqasin drejt një politike dhe një forme të qeverisjes demagogjike. Madje, mund të shtrohet pyetja nëse ata veç kanë mbërritë moti në destinacionin e qujtun demagogji.
Të flasim pak për këtë temë.
Demagogjia nuk fillon veç atëherë kur thuhet haptas një rrenë. Ajo fillon atëherë kur politika gjithnjë e ma pak mundohet me ia shpjegue qytetarit realitetin në krejt ndërlikueshmërinë e tij, e gjithnjë e ma shumë mundohet me e lidhë qytetarin për vete përmes emocioneve, frikës, zemërimit dhe krijimit të një armiku.
Deri këtu jemi të qartë.
Tash të kalojmë te pyetja: Çka do me thanë politikë demagogjike?
Demagogjia politike zakonisht funksionon me një logjikë të thjeshtë:
Na jemi me popullin – ata janë kundër popullit.
Na e përfaqësojmë të vërtetën – ata mashtrojnë, pengojnë apo tradhtojnë.
Problemet e ndërlikueme politike thjeshtohen, përgjegjësia u mveshet disa personave apo grupeve, ndërsa kundërshtari politik nuk paraqitet ma vetëm si dikush që mendon ndryshe, por gjithnjë e ma shumë si “pengesë për të mirën e përgjithshme”.
Pikërisht këtu shtrohet, për mue, pyetja për zhvillimin politik të Vetëvendosjes (VV) në Kosovë dhe, në veçanti, për retorikën politike të kryetarit të saj, Albin Kurti, dhe njerëzve rreth tij.
VV-ja ka lindë si një lëvizje proteste kundër një “sistemi politik” të cilin e ka konsiderue të korruptuem, të padrejtë dhe të sunduem prej strukturave të vjetra të pushtetit, të cilat i ka paraqitë si përfituese, mashtruese e keqpërdoruese.
Një kritikë e tillë, në vetvete, asht krejtësisht legjitime dhe i përket një demokracie të gjallë. Edhe gjuha e ashpër politike nuk e ban automatikisht një parti demagogjike.
Problemi fillon atëherë kur prej kësaj kritike ndërtohet një botëkuptim i përhershëm politik:
Në njanën anë asht populli dhe ata që pretendojnë se e përfaqësojnë “vullnetin e vërtetë” të tij; ndërsa në anën tjetër janë elitat e vjetra, kundërshtarët politikë, kritikët dhe të gjithë ata që paraqiten vazhdimisht si përgjegjës për pengesat dhe dështimet. Të tjerët janë fajtorë pse s’ka progres – por jo na.
Këtu shfaqen elementet karakteristike të demagogjisë politike: ndamja morale e shoqnisë në “na” dhe “ata”, thjeshtimi i problemeve komplekse, personalizimi i përgjegjësisë dhe mobilizimi i përkrahësve përmes emocioneve dhe konfrontimit.
Te Albin Kurti vërehet edhe një lidhje e fortë ndërmjet partisë, mesazhit politik dhe figurës së liderit. Sa ma shumë që besueshmëria e një lëvizjeje politike lidhet me një person të vetëm, aq ma e vështirë bahet me dallue kritikën ndaj atij personi prej kritikës ndaj qeverisë, shtetit apo vetë projektit politik.
Kjo nuk do me thanë se çdo vendim i Kurtit asht demagogjik, apo se çdo përkrahës i VV-së ndjek një politikë demagogjike. Një pohim i tillë do të ishte vetë një thjeshtim i padrejtë.
Çështja kryesore asht metoda politike.
Kur kritika ndaj kundërshtarit moralizohet vazhdimisht, kur kundërshtari delegjitimohet, kur konfliktet shoqnore përkthehen në një betejë “na kundër atyne”, dhe kur besnikëria politike lidhet gjithnjë e ma shumë me bindjen se vetëm njana palë asht në anën e popullit apo të historisë, atëherë politika fillon me e kalue kufinin ndërmjet mobilizimit demokratik dhe demagogjisë.
Pikërisht këtu e shoh zhvillimin shqetësues të VV-së dhe të kryetarit të saj: jo çdo politikë e VV-së asht demagogji, por elementet demagogjike po shfaqen gjithnjë e ma qartë në mënyrën e komunikimit dhe të mobilizimit politik.
Dhe këtu qëndron rreziku – jo vetëm për një parti, por për vetë kulturën demokratike.
Demokracia nuk don me thanë që një parti apo një lider e përfaqëson i vetëm popullin. Demokracia don me thanë me pranue se edhe ai që mendon ndryshe, edhe kritiku, edhe kundërshtari politik, asht pjesë e po atij populli.
Kur një pushtet fillon me e barazue veten me popullin, me e pa kritikën si armiqësi dhe me i përjashtue moralisht kundërshtarët, atëherë konkurrenca demokratike fillon me rrëshqitë drejt demagogjisë.
Prandaj, pyetja vendimtare nuk asht nëse je për apo kundër VV-së dhe Albin Kurtit. Pyetja asht:
A duem një politikë që mundohet me i bindë qytetarët me argumente, apo një politikë që i mobilizon ata përmes frikës, zemërimit, krijimit të armiqve dhe ndjenjës së përhershme “na kundër atyne”?
Sepse demokrati mundohet me e bindë popullin. Demagogu mundohet me i sundue emocionet e popullit.
Dhe pikërisht këtu qëndron kritika jem ndaj VV-së dhe Albin Kurtit. Fakti asht se kjo mënyrë e të bamunit politikë ka kontribue në paralizimin e institucioneve të Kosovës dhe në vështirësimin e përballjes së tyne me shumë probleme të politikës së brendshme e të jashtme. Edhe ma problematike bahet kur një gjendje e tillë nuk trajtohet si përgjegjësi politike, por i paraqitet popullit përmes një narrative ku pushteti del vazhdimisht si viktimë e të tjerëve: e opozitës, e sistemit të vjetër, e kundërshtarëve, e faktorëve të jashtëm apo e kujtdo tjetër që mund të shpallet pengesë.
Kjo mënyrë e të menduemit politik – ku meritat janë gjithmonë tonat, ndërsa fajet gjithmonë të tjerëve – asht një prej shenjave ma të qarta të demagogjisë.
Sepse pushteti nuk votohet me i prodhue arsyetimet për dështimet e veta. Pushteti votohet me i zgjidhë problemet.
Qytetari nuk ta jep votën që ti me ia zgjidhë një problem e me ia krijue dhjetë të tjera. Ta jep votën që me marrë përgjegjësi, me udhëheqë institucionet dhe me kërkue zgjidhje edhe atëherë kur rrethanat janë të vështira.
Prandaj, politika e VV-së nuk mundet me u shpallë automatikisht “politikë e popullit” vetëm pse ajo vetë e përdor popullin si burim të legjitimitetit të saj. Një politikë asht në shërbim të popullit vetëm atëherë kur pushtetin e përdor për qytetarin – jo qytetarin për pushtetin.
Kur në qendër nuk janë ma nevojat e qytetarit, funksionimi i shtetit dhe përgjegjësia institucionale, por ruajtja e pushtetit, vetëkënaqësia politike dhe bindja se vetëm “na” kemi të drejtë, atëherë politika largohet prej shërbimit ndaj qytetarit dhe afrohet me kultin e pushtetit.
Një politikë në shërbim të popullit duket ndryshe. Ajo nuk e pyet qytetarin vetëm për votën e tij. Ajo merret me hallet e tij. Nuk i duhet vazhdimisht një armik për me arsyetue veten. I duhen rezultate për me e arsyetue besimin që ia ka dhanë qytetari.
Dhe mbi të gjitha: nuk e përdor popullin si mburojë për pushtetin, por pushtetin si mjet në shërbim të popullit.











