35.2 C
Tirana
E premte, 7 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Monolog me veten, kur nuk kam një partnere për të biseduar

Monolog me veten, kur nuk kam një partnere për të biseduar

0
Meritan Spahija - Monolog me veten
Rozafa Shpuza
Rozafa Shpuza

Rozafa Shpuza

Krejt prajshëm kupton se ka njerëz që kalojnë pranë teje për dekada. I takon në rrugët e qytetit, ndan me ta të njajtat stinë, të njajtat shpresa e zhgënjime, ke qenë student në të njajtin universitet, ke ba xhiron e mbramjes në të njajtën pjacë, ke jetue fatin e nji brezi që u rrit ndërmjet dy epokash: komunizmit që po theqafej dhe demokracisë që ende nuk dinte me ecë. E megjithatë, njohja mbetet sipërfaqësore.

Nuk mjafton me ecë në të njajtat rrugë për me e njohë njeriun. Ndonjëherë duhet me lexue atë që ai ka lanë mbi letër.

Kështu më ndodhi këtë verë me Meritan Spahinë. Ishte libri jem i ri ai që më çoi ma pranë tij. Botimi në shtëpinë botuese “Fiorentia“, që ai drejton prej vitesh më dha mundësinë me e pa nga afër. E gjeta ashtu të zhytun në kompjuterin e tij: i qetë, i përmbajtun, i kursyem në fjalë… por kur flet, fjala i ka peshën e gurit që bie në ujë. Nuk ban valë të mëdha, por krijon rrathë që zgjasin.

E mandej njoha shkrimtarin. E pyeta veten: si ka mundësi që nji penë kaq e mirë ka zgjedhë me jetue larg zhurmës? Aq pak intervista. Aq pak kronika. Aq pak bujë rreth librave të tij. Në nji kohë kur shumëkush shpenzon ma tepër energji me reklamue librin sesa me e shkrue, ai duket sikur e ka zgjedhë rrugën e kundërt. Ndoshta sepse e din se letërsia nuk ka nevojë me bërtitë. Ajo ka nevojë vetëm me qenë e vërtetë.

Kam në dorë librin “Monolog me veten, kur nuk kam një partnere për të biseduar”. Qysh prej faqeve të para e kupton se nuk je tue lexue nji autor që shkruen për me të mahnitë. Ai shkruen për me e ndriçue njeriun prej mbrenda. E kjo asht shumë ma e vështirë. Në secilën faqe ndien se autori nuk të flet prej nji piedestali. Ulet pranë teje, si nji mik i vjetër në nji kafene të Shkodrës, e fillon nji bisedë pa ngut. Të flet për jetën, për vetminë, për kohën, për dashninë, për humbjet e vogla që na formojnë pa e kuptue. Nuk të imponon mendime. T’i len në dorë si gurë lumi, që secili i prek e u jep kuptimin e vet.

Jashtë, vapës i ka humbë durimi. Dielli djeg. Por unë nuk po arrij me e heqë librin prej dore. E atëherë kupton se ka shkrimtarë që nuk kanë nevojë me qenë kudo. Nuk kanë nevojë me u pa çdo ditë në ekran. Nuk kanë nevojë me i kujtue botës se ekzistojnë. Librat e tyne e bajnë këtë punë në heshtje.

Meritan Spahija asht njeni prej atyne autorëve që nuk kërkojnë duartrokitje, por kërkojnë fjalën e saktë. E ndoshta kjo asht arsyeja pse fjala e tij mbetet. Sepse zhurma harrohet shpejt.

Heshtja, kur mbushet me letërsi të mirë, vazhdon me kumbue gjatë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.