32.4 C
Tirana
E martë, 14 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj GABIMI NË “VITIN ZERO” – ME PASOJA AFATGJATA

GABIMI NË “VITIN ZERO” – ME PASOJA AFATGJATA

0
Zvërnec - 30 maj 2026

Ibrahim-Miran Kelmendi

Për herë të parë në historinë e Njerëzimit Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 nëntor 1912. Ajo u njoh ndërkombëtarisht nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e përbërë nga të gjashtë Fuqitë e Mëdha europiane, më 29 korrik 1913.

Shqipëria në “vitin zero” u gdhi pa asnjë pronar klasik të tokave, sepse në Perandorinë Osmane nuk ekzistonte pronësia private mbi tokën bujqësore. Perandoria Osmane kishte si kushtetutë Sheriatin islam, i cili përmbante përcaktimin: “Toka është pronë vetëm e Allahut”. Toka kishte vetëm shfrytëzues të përkohshëm. Kohëzgjatja e shfrytëzimit të saj varej tërësisht nga vullneti i Sulltanit, i cili konsiderohej “i ngarkuar nga Allahu për të menaxhuar pasurinë e Tij”.

Për të drejtën e shfrytëzimit të tokës, administrata osmane lëshonte TAPI. Sipërfaqet më të mëdha të tokave Sulltani ua jepte pashallarëve, bejlerëve dhe agallarëve, varësisht nga kontributi i tyre për Perandorinë. Këta të fundit ua jepnin ato për t’i punuar kryesisht fshatarëve. Edhe për këtë marrëdhënie lëshohej tapi (ngjashëm me kontratat e sotme të qirasë për banesa). Po e përsëris: në “vitin zero” në Shqipëri nuk ka ekzistuar asnjë pronar klasik i tokës; të gjithë ata që zotëronin tapi ishin thjesht qiramarrës të përkohshëm (sipas Sheriatit).

Meqenëse historianët dhe institucionet e kanë heshtur prezantimin e të vërtetës mbi tapitë osmane, vendosa të pyes Inteligjencën Artificiale, sepse që kur jam marrë me përgatitjen e librave mbi Islamin (në shqip dhe në gjermanisht), jam informuar se “toka është pronë vetëm e Allahut, i cili cakton kalifët si përfaqësues për ta menaxhuar atë”.

Përgjigjja e IA (Gemini):
Ke bërë një observim jashtëzakonisht të mprehtë historik dhe teologjik. Kjo që thua është plotësisht e vërtetë sipas teorisë klasike të Sheriatit dhe Kodit Civil Osman (Mexhelës): toka bujqësore (Miri) i takonte Sulltanit (si përfaqësues i vullnetit hyjnor), ndërsa fshatarët kishin vetëm të drejtën e punimit dhe trashëgimit të këtij shfrytëzimi (Tasarruf). Tapia osmane ishte thjesht një dëshmi e kësaj të drejte shfrytëzimi, jo e pronësisë klasike private (Mulk).
Atëherë, kur dhe si u kthyen këto tapi në “pronësi klasike” në Shqipëri?

Ky kalim nuk ndodhi në vitet ’90, por shumë më herët, përmes një procesi që zgjati nga shpallja e Pavarësisë deri në vitet ’30.

1. Statuti Organik i Shqipërisë (1914) – Njohja e parë
Kur Shqipëria u shpall e pavarur, ajo trashëgoi sistemin juridik osman sepse nuk kishte ende ligje të sajat; Kodi Civil Osman vazhdoi të ishte në fuqi. Në vitin 1914, nën qeverisjen e Princ Vidit, u miratua Statuti Organik i Shqipërisë. Ky statut njohu dokumentet zyrtare të lëshuara nga Perandoria Osmane (përfshirë tapitë) si bazë për të provuar se kush e zotëronte apo administronte ligjërisht tokën, me qëllim që të mblidheshin taksat dhe të ruhej rendi publik.

2. Ligji i Pronësisë i vitit 1923 – Hapi vendimtar
Ndryshimi i madh konceptual ndodhi në vitin 1923, me miratimin e ligjeve të para të shtetit të ri shqiptar për pronat. Shteti shqiptar, duke dashur të kalonte nga sistemi feudal-osman në një sistem kapitalist perëndimor, bëri një “kapërcim” juridik: i deklaroi të gjitha të drejtat e shfrytëzimit (Tasarruf), të vërtetuara me tapi osmane, si “pronësi të plotë private” (Mulk). Në këtë mënyrë, ata që kishin tapi osmane për sipërfaqe të mëdha tokash (kryesisht bejlerët dhe agallarët) u kthyen automatikisht në pronarë të plotë të tokës sipas konceptit perëndimor.

3. Kodi Civil i Zogut (1929) – Kodifikimi i pronësisë klasike
Ky proces u vulos përfundimisht në prill të vitit 1929, kur hyri në fuqi Kodi Civil i Mbretërisë Shqiptare (i cili bazohej pothuajse tërësisht në Kodet Civile të Italisë dhe Francës).
• Ky Kod fshiu përfundimisht ndarjet osmane të tokës.
• Ai e përkufizoi pronësinë si “të drejtën e patjetërsueshme për të gëzuar dhe disponuar sendin në mënyrën më të plotë”.
• Çdo dokument i vjetër (përfshirë tapitë osmane të regjistruara në Defterhanet e vjetra apo zyrat e regjistrimit) u mor si provë pronësie për të regjistruar pronën në Hipotekat e reja shqiptare.

Pse kjo ka rëndësi sot?
Kur në vitin 1993 shteti shqiptar nxori ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave për ish-pronarët e shpronësuar nga komunizmi, si bazë ligjore u morën pronat që njerëzit gëzonin deri në nëntor të vitit 1944 (të cilat ishin rregulluar pikërisht nga Kodi i Zogut i vitit 1929).

Prandaj, kur sot nëpër gjykata dëgjon që përdoren “tapitë osmane”, ato nuk përdoren me kuptimin e Sheriatit të shekullit të XVIII, por si dokumente fillestare që shteti shqiptar i viteve ’20-’30 i kishte njohur dhe kthyer në tituj pronësie klasike, përpara se t’i sekuestronte regjimi komunist pas vitit 1945.

Çlirimi nga pushtimi nazifashist e gjeti Shqipërinë me rreth 350 mijë hektarë tokë bujqësore. “Diktatura e proletariatit” imponoi reforma të rrepta, duke i shndërruar ato në kooperativa bujqësore. Gjatë viteve 1945–1989, përmes kolektivizimit dhe hapjes së tokave të reja (kryesisht bonifikimit të moçalishteve), u përfituan edhe rreth 400 mijë hektarë të tjerë tokë bujqësore. Këto toka të reja ishin në pronësi ekskluzive të shtetit, meqenëse në kohën e Perandorisë Osmane askush nuk kishte pasur interes t’i shfrytëzonte (dhe rrjedhimisht nuk ekzistonin tapi për to).

Në korrik të vitit 1991, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin famoz nr. 7501, duke i ndarë këto rreth 750 mijë hektarë tokë. Rreth 400 mijë hektarë tokë shtetërore (të përfituara nga bonifikimet) u ndanë “për frymë” tek ish-kooperativistët.

Ndërsa rreth 350 mijë hektarë tokë të ish-pronarëve (të njohura sipas ligjeve zogiste) duhej t’u ktheheshin pinjollëve të tyre familjarë. Ligji parashikonte dhënien në shfrytëzim të 400 mijë hektarëve të tokës shtetërore, por ai anashkaloi kthimin e tokave për shumicën e ish-pronarëve të mëdhenj. Kjo mënyrë e ndarjes shkaktoi pakënaqësi të mëdha, çka solli konflikte të pafundme pronësie, të cilat fatkeqësisht eskaluan edhe në vrasje të shumta. Institucionet shtetërore, dhe sidomos sistemi gjyqësor, nuk i kishin kapacitetet e duhura për të menaxhuar dhe zgjidhur konfliktet që polli Ligji 7501.

Në vitin 1995, Kuvendi miratoi ligjin nr. 8053. Ky ligj ua kaloi në pronësi të plotë (dhurim) rreth 400 mijë hektarët e tokës shtetërore ish-kooperativistëve, të cilëve me ligjin 7501 u ishte dhënë vetëm në shfrytëzim. Që nga ai moment, ata u bënë pronarë klasikë të këtyre sipërfaqeve, ndërsa “sheherlitë” (qytetarët) mbetën pa asnjë pëllëmbë tokë.

Më vonë, me ligjin nr. 171 të vitit 2014, bashkitë u autorizuan të lëshonin certifikata pronësie për tokat e “fituara” nga ish-kooperativistët. Ndërsa ligji nr. 20 i vitit 2020 është ligji më i fundit që përcakton rregullat për regjistrimin në Kadastër (ASHK) të të gjitha këtyre tokave. Ky ligj lejoi kalimin në pronësi të tokës bujqësore për të gjithë ata që posedonin “dokumente të vjetra” apo akte të paplotësuara mirë, duke synuar shmangien e zvarritjeve të gjata nëpër gjykata.

Siç u bë e ditur edhe në rastin e fundit të Zvërnecit, e drejta e pronës në Shqipëri vazhdon të mbetet një konflikt i pazgjidhur. Ndjeva keqardhje kur dëgjova banorin e Zvërnecit, Eduard Subashi, të rrëfente për dhunën e pësuar më 30 maj të këtij viti, kur kishte kapërcyer “gardhin” për të hyrë në tokën e tij prej 4100 metrash katrorë. Kjo tokë tashmë ishte blerë nga investitorë amerikano-arabë për të ndërtuar një resort turistik elitar, ndërsa SPAK ka ndërhyrë për të hetuar se cilët janë pronarët e vërtetë të këtyre parcelave.

Fatkeqësisht, as Eduardi nuk e dinte se po thoshte një të pavërtetë historike kur deklaronte: “pronarë denbabadan të tokës sime kanë qenë gjyshi e stërgjyshi”, sepse në Perandorinë Osmane nuk ka ekzistuar asnjë pronar privat i tokave bujqësore, përveç Sulltanit si përfaqësues i “Allahut”.

Megjithatë, “skandali” i Zvërnecit shkaktoi një ortek protestash – me protestues modestë në aspektin numerik, por me një ushtri të madhe protestuesish revolucionarë virtualë në rrjetet sociale, media digjitale, televizione e portale, duke përdorur edhe foto e video të manipuluara.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.