23.8 C
Tirana
E mërkurë, 24 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Si një përkthyese e Milan Kunderës, që është simbol i rezistencës intelektuale,...

Si një përkthyese e Milan Kunderës, që është simbol i rezistencës intelektuale, bëhet lëpirëse e Edi Ramës…

0
Ambrozia Meta

Ambrozia Meta

Në vitet kur po bëhej debati për shembjen e Teatrit Kombëtar, po lexoja “Shakanë” e Milan Kunderës. Botimi ishte i vitit 2014 dhe teksa hapja kopertinën, më bëri përshtypje emri i përkthyeses, Mirela Kumbaro, që në atë kohë shërbente si Ministre e Kulturës.

Kur përfundova librin, nuk më linte rehat pyetja se si një përkthyese e Milan Kunderës, që është simbol i rezistencës intelektuale, që shkruante për absurditetin e sistemit komunist, ekspozonte frikën dhe kontrollin mbi individin, kritikonte propagandën dhe lartësonte lirinë, mund të punonte me Edi Ramën. Vendosa ta mbyll aty diskutimin me veten dhe u dakordësova që përkthimi nuk ishte i ministres, por i shqipëruar nga një përkthyes që kishte marrë paratë, ndërsa Mirela Kumbaro kishte marrë meritat.

Kjo e vërtetë për mua vazhdoi edhe për disa vite, derisa një ditë në oborrin e Kuvendit, e pyeta Mirelën Kumbaro nëse e kishte përkthyer ajo Shakanë e Kunderës. Më tha se libri i vitit 2014 ishte një ribotim, i riparë nga ajo, ndërsa përkthimi ishte i viteve ’90, kohë kur kishte jetuar në Francë.

Kontradita e saj filloi të më ngacmonte prapë, derisa duke e diskutuar një natë me një mikeshe botuese, ajo i dha fund kësaj dileme: “Mos u përpiq ta kuptosh, Mirela Kumbaro është tharë si njeri.”

M’u kujtua ky episod sot kur pashë Elisa Spiropalin që kishte gjetur strehë te letërsia dhe ngushëllohej duke u krahasuar me Anna Akhmatovën.

Anna Akhmatova jetoi në mjerim: i vranë burrin, i morën miqtë, i zhdukën poezitë, ndërsa Elisa shëtiste me Xhabaftët e Vorës në qendrat e votimit dhe për çdo skandal që ndodhte në Shqipëri thoshte se këto ndodhin në gjithë botën, madje bëhen edhe filma.

Akhmatova priti 17 muaj me orë të tëra para burgut për fatin e të birit, të cilin ia arrestoi regjimi stalinist, ndërsa Elisa pret në grupin parlamentar të rrëzohet Edi Rama dhe ta shpallin kryetare të re të PS.

Letërsia ekziston pikërisht që të mos na lejojë të bëhemi si ju. Kushdo që i lexon dhe i kupton veprat e autorëve që shkruajnë për lirinë dhe dinjitetin e njeriut nuk do të pranonte kurrë të punonte me Edi Ramën, që mishëron çdo gjë me të cilën letërsia lufton.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.