Spartak Lalaj në FB
1. Gjithmonë më janë dukur shumë të ashpra fjalët e Niçes kur cakton se fillimi i vdekjes së tragjedisë nis me faktin se Euripidi kërkonte të kënaqte shijet e një individi të vetëm në audiencën athinjote, Sokratit.
Përpara thellësive të jashtëzakonshme të tragjedisë, që lidhen me thellësitë e ritualit, mistikës, vuajtjes, gëzimit dhe vdekjes njerëzore, Sokrati vërtet, sado interesant, ngjan si një gazetar që ngre pyetje të jashtëzakonshme, por megjithatë sipëfaqësor përpara këtij honi të madh të eksperiencës njerëzore, që të imponon një respekt gati mortor.
Por sot, teksa shoh një revoltë të madhe në njërën anë, më qytetarja në historinë e Shqipërisë, një revoltë që buron nga dhimbja, dhe në anën tjetër, në ekran, shoh dishpeujt e sofistëve që i cilësojnë protestuesit si fashistë, nazistë dhe me lloj-lloj fjalësh që nuk janë gjë tjetër veçse mbeturinash ideologjike që nuk kanë asnjë vend në shoqërinë shqiptare, fjalë që nuk i kanë përdorur ndaj vandalëve që kanë hedhur molotovë në çdo protestë dhe që vite më parë, kanë dalë dhe me tank në rrugë, mendoj se ndoshta Niçja ka patur të drejtë.
Mentaliteti sofist i debateve televizive është mjeti më i ulët i mundshëm i instrumentalizimit politik të gjithçkaje civilizuese që ka arritur të krijojë njeriu, i dhimbjes, i revoltës, i fjalës, i ritualit, moralit, logjikës, dhe humanizmit.
2. Marksizmi e ndan shoqërinë në dy klasa: në ata që zotërojnë dhe skllavërojnë, dhe në ata që nuk zotërojnë dhe skllavërohen. Mirëpo ka dhe një klasë të tretë, plot me dritëhije, që nuk janë as skllavërues por as skllevër, as nuk zotërojnë sa pronarët e tyre dhe as nuk janë pa gjë. Kjo klasë menaxherësh politikë sot përfaqësohet në Shqipëri pikërisht nga sofistët e ekraneve, që kanë vetëm një detyrë: të përdorin të gjitha mjetet mendore dhe emocionale për të maskuar, përthyer dhe paketuar realitetin në një formë që u shërben pronarëve të tyre dhe atyre vetë.
Sofizmat e tyre janë nga më krijueset. Këto ditë kam dëgjuar gjëra të pabesueshme: cilësime agjenturash si në kohën e komunizmit, njerëz që thonë se tremben nga mentaliteti fashisto-nazist i protestuesve, që protestuesit janë rrugeçër dhe pisa, që kjo revoltë ka vetëm meme dhe është krejt e kotë pasi njerëzit nuk e dinë se për çfarë protestojnë, që kapen si fëmijë pas numrave, pas pankartave, pas influencerave dhe flokëve të vajzave, pas flamurit dhe pas gjërave krejt anësore.
Përpara këtij zgjimi dhe respekti për veten, a do të mbijetojnë dot këto pezhishka merimange që po përpiqen të na lidhin akoma më fort për herë të fundit?
Duke parë këtë reagim fyes, injorues dhe krejt të padenjë të pushtetarëve dhe opozitarëve tanë ndaj revoltës që ka në thelb mungesën e dinjitetit të shqiptarit në jetën e tij të përditshme, duhet të jetë e qartë për këdo se me këtë shpurë të kalbur politike që bën lojëra të ashpra me fatet tona duhen larë duart një orë e më parë.


