OPINION
– Çirrjet e turmave e duartrokitjet ndaj pushtetarëve pjellin diktatorë e diktatura –
Nga Llesh NDOJ
Ka tash dhjetë ditë që udhët e sheshet e Shqipërisë gumëzhijnë nga grumbullime jo të zakonshme njerëzish, që sfidojnë kohën e veten për të demostruar, secili sipas mendjes së tij, kush është shpëtimtari e kush është tradhëtari. Dhe jo për diçka dosido, apo dytësore, por për Shqipërinë. Që këtu të neveritet vetja nga ato që dëgjon e sheh. A thua Shqipëria lindi me vullnetin e njërës palë (tashmë tradhëtare!) dhe pala tjetër është e vetmja mbrojtëse e sigurtë e saj (sipas të parëve, kërkon të kundërtën: destabilizimin e vendit!). Në të dy krahët, spektakli mbetet i njëjti: ngjyra kuq e zi, flamuj, thirrje, parulla e duartrokitje, por jo dialogje, programe dhe vullnete për zhvillim.
Ndonjëherë shfaqet edhe histeri, fatkeqësisht nga të dy krahët. Për fat deri tani nuk kemi parë konfrontim. Pala që akuzohet për tradhëtare, nuk po e përdor forcën e pushtetit (policinë) e kjo është pozitive, por as pala që kërkon “vdekje tradhëtarëve” deri këtu nuk ka kryer akte vandalizmi e shkatërrimi, duke manifestuar një kulturë evropiane në mënyrën e të protestuarit. Pala fuqiplotë, sigurisht e demostron forcën duke qëndruar ulur në karrige e ndjekur kreun – artist që performon në skenë, si në ndonjë teatër veror. Po kush janë më konkretisht palët, dhe ku takohen ato?
Pala në pushtet, ose Rilindja aspak socialiste, kremton 35 vjetorin e lindjes së asaj partie që e ka vra me duart e veta, Partisë Socialiste, me lule e fjalime kortezie, si për t’i treguar palës tjetër se “ne nuk jemi si ata socialistët e Pëllumbit, Nanos, Dades, Meksit, Dokles e deri diku Majkos e ndonjë tjetri, që për hir të shtetit lëshojnë pushtet, por ngjajmë deri diku me Metën, më shumë me Berishën, që i venë zjarrin gjithçkaje për pushtet, ndaj mos shpresoni kot! Aty, festimi është kthyer prej kohësh në one – man show, dialogu ka mbaruar e është varrosur që përpara ardhjes në pushtet, institucionet apo strukturat partiake janë përqëndruar e njëjtësuar me monologjet e kreut të shtetit, krimi e pushteti janë bërë familjarë me njëri – tjetrin dhe me korrupsionin gjenerik, duke marrë tiparet e një familjeje tipike mafioze.
Si e tillë kjo familje ka vetëm gojë për të gëlltitur miliardat, e (me nder lexuesit) by…, për t’ia futur por… e mpirë mendt tona pafundësisht nëpër spektakle të organizuara bukur, aq sa kur t’na dalë gjumi, sigurt do të ndjehemi se paskemi qenë në ëndërr, në mos në koma, pas një aksidenti historik ku toleruam ngritjen e kësaj klase politike në pushtet absolut. Aty ka vetëm duartrokitje frenetike të artistit të cirkut që përformon, duhet thënë si prestidigjiator profesionist, dhe asgjë më shumë. Ne jemi baballarët e Shqipërisë, thonë këta nga goja e njëshit, dhe do të jepnim gjithçka nga vetja që Shqipëria të mbetet e jona. Po kush ua rrezikon këtë?
Pala tjetër, ekzaltohet me protesta popullore laramane që nisën në Zvërnec e mbërritën në New York, që nisën me laraska (ndjesë flamingove bukuroshe!) e përfundoi me “vdekje tradhëtarëve”, që nisi me mbrojtjen e mjedisit dhe vazhdon me “Shqipëria e shqiptarëve”, s’ka shoqe në historinë tonë për nga mosha rinore e protestuesve, qetësia, mosdëmtimi i asgjëje, qëndrueshmëria e përhapja e saj. Por është e pashoqe edhe për një fakt tjetër: Ndërsa thuhet se është spontane, del perfeksionisht e organizuar, me parulla të shkruara e me një skenar për t’a patur zili. Kur lejohet ndonjë dalje nga skenari e shfaqet ndonjë tip “TQR-je”, dikush kujdeset menjëherë të bëj detyrën, sa për të thënë se këta nuk jemi ne!
Por në fakt parullat e tyre pa krye, të tilla janë: vdekje, burg, mu…, tradhëtarë e atdhetarë, miq e zuzarë, komunizëm e kapitalizëm bashkë, antievropë e antiamerikë. Janë si vetë pjesëmarrësit: pak patriot e shumë pseudo patriot, që vijnë në Shqipëri njëherë në vit, shumë shqiptarë të zhgënjyer e inatosur por edhe pak serb, pak grek, pak kosovar shqiptarë që nuk e dinë se çfarë kërkojnë, qeveritarë të maskuar e antiqeveritarë, opozitarë të maskuar e antiopozitarë realë, të gjithë anti kujtdo, por fatkeqësisht jo pro askujt. Njerëz të panjohur që rrëmbejnë mikrofonin dhe thonë ç’të duan para turmës, deri edhe thirrje për revolucion, besoj shumica pa e kuptuar as ç’thonë nën ekzaltimin që të jep podiumi, megafoni e thirrjet e turmës..
Dy ngjashmëri të pështira:
– Mitingje e antimitingje masive të dominuara nga çirrjet e folësve e duartrokitjet frenetike të pjesmarrësve;
– Secila me pretendimin e shpëtimit të Shqipërisë; ok. Po nga kush? Kush e rrezikon ekzistencën e vendit sot, kur ajo ka prestigjin më të lartë ndërkombëtarë, është anëtare e NATO – s e në paradhomën e BE – së!
Ngjashmëria mes të dyja grumbullimeve, njëra “in memoriam” pa ngjyra jete, e tjetra protestë laramane, më thotë se ato kanë të njëjtën regji. Pyetja shtrohet: – Kush është regjizori?
Nuk mund t’a di ekzaktësisht këtë, pasi kjo do të ishte përgjigje milionëshe, por duke qenë artist i regjur në skenat politike, dyshoj sot fort tek Rama, pa përjashtuar ndihmësa të tij të dytë e të tretë, brenda e jashtë vendit. Arrij deri këtu se mënyra e zhvillimit të ngjarjeve aktuale në këtë vend dhe perspektiva e afërt e tyre, i shkon përshtat vetëm Ramës dhe oborrit të pushtetit të tij. Ndoshta edhe Berishës, prej kohësh oborrtar pa pagesë në bahçen e Ramës.
Ja, ndonjë tezë e imja si argument.
– E zëmë se Rama do të detyrohet të japë dorëheqjen, e u zëvendësua nga një tjerër rilindas. Askush atje, as Spiropali e Braçe po të doni, “s’merr dot frymë” pa bekimin e tij. Çfarë fituam ne (edhe protestuesit) përveç Ramës, kur në vend që ai të zbresë “me kokë” nga froni, e ulim poshtë me të butë dhe me ashensor?
– E zëmë se Rilindja shpall zgjedhjet e parakohëshme. Rama e rilindja, aureola zbukuruese e tij, do t’i fitonte ato edhe më thellë se të parat, se partitë e vjetra e kanë dëshmuar prej kohësh tredhjen e tyre, e ndonjë parti të re, në emër të virgjërisë politike protesta po vonon ta sjell në skenë. Prap Rama riciklohet bashkë me enturazhin e vet rilindaso – mafioz, më autoritar se ç’është (diktator është fjalë e madhe!).
E gjitha ngjet me një lojë kukafshehtas, sipas parimit të njohur: Ku ishim – hiçgjëkundi, ça bëmë – hiçasgjë!, apo teorisë së maocedunidesë, “duhet turbulluar që të kjartësohet!”. E kjo sepse historia ka dëshmuar më se njëherë, se çirrjet e turmave pa krye prodhojnë diktatorë, e duartrokitjet pa fre të të qeverisurve ndaj qeveritarëve të vet, pjellin e konsolidojnë diktatura. Ne e kemi provuar këtë gjatë, por s’jemi të vetmit.
Dhe një shënim të fundit rreth temës: Desha t’u drejtoja një thirrje socialistëve të ndershëm brenda rilindjes, si shpresa e vetme që mund t’a sillnin ndryshimin, por shpejt u kujtova se ata nuk i pyet sot më njeri e s’kanë asgja tjetër në dorë përveçse të duartrokasin “vrasësin” e vet, ndaj u them atyre: I gëzofshi medaljet e 35 vjetorit!, duke ju kujtuar edhe ato të “40 vjet PPSH”, që mbeten të fundit e këtij lloji.
Lezhë, më 9 qershor 2026











