Harresa, apo heshtja e qëllimshme ndaj atyre që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës nga pushtimi shekullor serb, është një nga mëkatet më të rënda që mund t’i bëhet kujtesës sonë kombëtare.
Historia nuk ndërtohet vetëm me emrat që përmenden shpesh në tubime, libra, akademi përkujtimore apo pllaka memoriale.
Ajo ndërtohet edhe me emrat e heshtur, me njerëzit që u gjendën në çastet më të vështira, që nuk matën rrezikun, që nuk pyetën se cilës parti, fisi apo krahu i përkisnin viktimat, por vepruan sipas ndërgjegjes njerëzore dhe atdhetare.
Një ndër këta emra është Isak Hajdini – Xhaka nga Shtedimi i Podujevës, i cili përmendet rrallë, për të mos thënë fare, ndonëse akti i tij meriton respekt, dritë dhe vend të denjë në kujtesën historike të Llapit dhe të Kosovës.
Më 30 maj 1989, në Shtedim të Podujevës, në një përballje të rëndë me forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, u plagos rëndë Ali Ajeti, i cili ra për të mos vdekur kurrë. Në atë çast të rrezikshëm, kur frika mund ta stepte secilin njeri, Isak Hajdini – Xhaka shkoi në vendngjarje dhe u përpoq t’i dilte në ndihmë Aliut.
Ky ishte një veprim i jashtëzakonshëm njerëzor dhe burrëror. Isaku nuk u largua nga rreziku. Nuk zgjodhi heshtjen. Nuk qëndroi mënjanë si spektator i tragjedisë. Ai iu afrua vendit ku gjaku i një shqiptari po derdhej nga plumbat e pushtuesit. Pikërisht aty, duke u përpjekur të ndihmonte Aliun, ai u kap nga policët serbë dhe u rrah egërsisht.
Si pasojë e plagëve të marra nga ajo dhunë çnjerëzore, Isak Hajdini – Xhaka, atëherë rreth 50-vjeçar, ndërroi jetë më 4 qershor 1989 në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.
Kjo vdekje nuk ishte vdekje e zakonshme. Ajo ishte pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës së pushtetit serb ndaj një njeriu që kishte guxuar të tregonte solidaritet, trimëri dhe ndjenjë të lartë njerëzore në një moment dramatik.
Familja Ajeti, me të drejtë dhe me nder, vazhdimisht e ka kujtuar dhe e kujton aktin heroik të Isak Hajdinit – Xhakës. Ky kujtim nuk është vetëm mirënjohje familjare. Është dëshmi se ndërgjegjja popullore shpesh di të ruajë të vërteta që institucionet, botimet e mangëta apo kronikat selektive i lënë në harresë.
Prandaj, ngjarje të tilla nuk duhet të mbeten vetëm në kujtesën gojore, as vetëm në rrëfimet familjare. Ato duhet të trajtohen me seriozitet, me dokumente, me dëshmi dhe me përgjegjësi shkencore.
Historia e Kosovës ka nevojë për historianë që shkruajnë drejt, pa emocione të tepruara, pa anime partiake, pa interesa klanore dhe pa përzgjedhje të qëllimshme të figurave.
Vetëm kështu thuhet e vërteta. Ka ardhur koha që për periudhat e rënda të rezistencës shqiptare të shkruhen botime cilësore, të mbështetura në fakte dhe dëshmi të verifikueshme.
Nuk na duhen më pirgje librash që mjegullojnë realitetin, që lartësojnë disa duke harruar të tjerët, apo që shërbejnë për interesa individësh, grupesh e klanesh të caktuara.
E vërteta historike nuk duhet të ketë pronarë. Ajo u takon të gjithë atyre që vuajtën, rezistuan, ranë, u plagosën, u torturuan dhe u flijuan për lirinë e Kosovës.
Në këtë kuptim, emri i Isak Hajdinit – Xhakës meriton të përmendet me respekt të veçantë.
Ai nuk ishte vetëm dëshmitar i një ngjarjeje të rëndë. Ai ishte pjesë e saj. Ai ishte njeriu që, në vend se të largohej nga rreziku, iu afrua plagës së atdheut.
Një popull që harron njerëz të tillë, rrezikon të varfërojë jo vetëm historinë, por edhe ndërgjegjen e vet.
Lavdi martirit të demokracisë, Ali Ajeti!
Nderim i përjetshëm aktit heroik të Isak Hajdinit – Xhakës!
ARIF EJUPI











