Autore:
Elife LUZHA
“Me zjarr ju flas… me zjarr
Në gjirin tim kam hapur varr…
Që t’i jap shpresë edhe t’ia marr…”
Kështu shprehej poeti ynë i madh, Lasgush Poradeci, në një nga poezitë e tij, duke pasqyruar dhimbjen e thellë për kohët e vështira nëpër të cilat kalonte ai edhe Shqipëria e tij e dashur.
Sot, nëse Lasgushi do të ishte mes nesh, jam e bindur se do të ndiente të njëjtin shqetësim për gjendjen e kombit në të dyja anët e Drinit, përkundër faktit se shqiptarët tashmë kanë hyrë në mileniumin e tretë me dy shtete të pavarura.
Është fakt historik se, pas vuajtjeve të gjata dhe robërisë shekullore, Kosova arriti të fitojë lirinë dhe pavarësinë e saj. Megjithatë, që në hapat e parë, vendi u përball me sfida të mëdha politike dhe institucionale, disa prej të cilave lidhet ngushtë me arkitekturën kushtetuese të shtetit, e cila u ndërtua kryesisht mbi parimet e planit të diplomatit finlandez Martti Ahtisari.
Ky plan, përfshin një sërë kompromisesh politike dhe dispozitash të ndërlikuara institucionale, mbi të cilat u ndërtua edhe Kushtetuta e Kosovës. Pikërisht këto dispozita shpesh e kufizojnë fleksibilitetin dhe efikasitetin e funksionimit institucional të shtetit të ri.
Janë pikërisht këto “kurthe kushtetuese” që i kritikoi dhe kundërshtoi në atë kohë, udhëheqësi i Lëvizjes Vetvendosje, z. Albin Kurti, sot Kryeministër i Kosovës, i cili në atë periudhë ishte një nga kritikët më të zëshëm të këtij modeli politik dhe, për shkak të qëndrimeve të tij, përjetoi edhe burgosjen.
Në këtë kuptim, krizat institucionale dhe përçarjet politike që kanë kulmuar sot, nuk mund t’i atribuohen vetëm klasës politike apo estabilishmentit qeverisës, por edhe vetë arkitekturës kushtetuese, e cila, për shkak të kompromiseve dhe dispozitave të ndërlikuara, ka prodhuar mekanizma që jo rrallë e vështirësojnë vendimmarrjen dhe krijojnë terren për bllokada politike.
Me fjalë të tjera, përmes parimit të diskriminimit pozitiv, Kushtetuta e Kosovës, e quajtur shpesh “kushtetutë kompromisi”, u garanton komuniteteve joshumicë vende të rezervuara në Kuvend, si dhe mekanizma të veçantë, si kërkesa për shumicë të dyfishtë në çështje të rëndësishme ligjore dhe kushtetuese.
Kjo përfshin jo vetëm dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit, por edhe dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.
Sigurisht, këta mekanizma mbi të cilat u mbështet edhe procesi i pavarësisë së Kosovës, kishin për synim të garantonin stabilitet dhe mbrojtje për komunitetet joshumicë. Megjithatë, në praktikë ato shpesh prodhojnë pasoja të padëshiruara politike, ku çdo përpjekje për reformë apo vendimmarrje përballet me kufizime strukturore të vet rendit kushtetues.
Dhe çfarë tani?
Në librin “Ndërtimi i shtetit”, Francis Fukuyama, thekson se ndërtimi i suksesshëm i shtetit dhe reformat institucionale zakonisht ndodhin kur ekziston një kërkesë e fortë e brendshme e shoqërisë për institucione funksionale. (f. 66). Ky vëzhgim është veçanërisht domethënës edhe për realitetin politik në Kosovë, ndaj mendoj se ka ardhur koha që debati publik dhe politika të orientohet më shumë rreth mënyrës se si funksionon shteti dhe institucionet e tij, e jo të mbetet i bllokuar në rivalitet dhe inate personale.
Sa më parë duhen nisur reformat për ndryshime kushtetuese, reforma që, një herë e mirë, do të qartësonin “rregullat e lojës”, në mënyrë që vendimet e institucioneve shtetërore të mos përfundojnë vazhdimisht në Gjykatë Kushtetuese.
Një nismë e tillë duhet të shoqërohet patjetër me kultivimin e kulturës së kompromisit, me rritjen e besimit mes partive politike dhe, mbi të gjitha, me një ndarje më të qartë të kompetencave dhe përgjegjësive. Kjo do të kontribuonte në minimizimin e polarizimit në shoqëri dhe do të rrisë besimin qytetar se politika nuk merret vetëm me inate e rivalitet, por edhe me çështje për të cilat është votuar.
Prandaj, të dashur miq dhe njerëz të vullnetit të mirë, pushoni së shikuari tjetrin si armik dhe, për hire të gjithë atyre që dhanë jetën për shtetin dhe kombin, ndaloni sharjet dhe fyerjet kundër njëri-tjetrit.
Edhe në kushte të tilla, kur Presidentja, me një dekret kokë më vete, ia pamundësoi punën Qeverisë dhe deputetëve të Kuvendit të Republikës, më shumë se gjithçka tjetër duhet të fokusohemi tek dialogu mes njëri-tjetrit, në të mirë të interesit të përbashkët. Gjithnjë e më shumë duhet të përqëndrohemi tek arsimi, shëndetësia dhe siguria – tema që janë në interes të gjithë qytetarëve. Edhe një kompromis, sa do i vogël, hap pas hapi, do krijonte kushte për arritjen e synimeve të përbashkëta për Republikën.
Kampet politike nuk duhet ta ushqejnë polarizimin, por të ndërtojnë një kulturë bashkëpunimi politik dhe të diskutojnë për problematika reale e jo imagjinare.
Duhet të organizohen debate publike me qytetarët, që të stimulohet transparenca dhe llogaridhënia, dhe ku qytetarët të fillonin të kërkonin politikan të përgjegjshëm dhe të aftë që nuk do ta pranojnë lojën e pushtetit si normalitet.
Të dashur miq dhe njerëz të vullnetit të mirë, këto janë vetëm disa nga iniciativat që mendoj se duhen ndërmarrë me urgjencë. Prandaj siç thoshte poeti ynë Lasgush Poradeci:
Me zjarr ju flas… me zjarr
Në gjirin tim kam hapur varr…
Që t’i jap shpresë edhe t’ia marr…
Ju falënderoj për vëmendjen!











