5.5 C
Tirana
E mërkurë, 4 Mars 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi – Rreth librit “Njeriu që vinte dhe ikte natën”

– Rreth librit “Njeriu që vinte dhe ikte natën”

0
Gjon Marku - Njeriu që vinte natën

Prof. Dr. Tefta Topalli

NJERIU I NATËS
(Tregime, 1999)

Nuk mund të thuhet me siguri se shkrimtari Gjon Marku nisi të bëjë letërsi në vargje, siç ndodh më shpesh midis krijuesve të njohur, apo zuri fill në udhë të tregimtarisë, duke u ndalur herë-herë edhe në poetikë. Sidoqoftë, ne e nisëm këtë portretizim nga numri dy i vëllimeve poetike, për të kaluar te përmbledhja me tregime që mban titullin më lart; madje na u desh ta njohim atë nëpërmjet leximit elektronik në PDF, shoqëruar me shënimet e duhura… “nuk kam kopje”, thotë autori, “se libri u prit mirë, si fillim i vështirë në udhë të krijimit…”.

Përmbledhja e parë e autorit tonë përmban 14 tregime, të cilat hapen me një kallëzim prekës dhe tragjik, në mënyrë të veçantë për moshën e adoleshencës, nxënës në fund të shkollës së mesme, në muajin e përgatitjes ushtarake, sipas sloganit “Gjithë populli ushtar!”, që e kërkonte (1) koha… një thirrje që moshat e reja, shpesh, edhe e merrnin si lojë luftërash – në shembëllim të dy skuadrave që gjuanin njëra-tjetrën me topa lastiku apo edhe volejbolli…

Fabula e tregimit me titull “Etleva”, emri i një vajze të respektuar, ndoshta më e bukura e klasës, tregohet nga i riu Mark, i cili edhe përjetonte shkëndija ndjenjash për të, siç janë simpatitë shoqërore në moshën e pjekurisë. Është një rrëfim me digresion, në raport me ngjarjen, si koha e saj dhe tregimi i personazhit kryesor; ai nis e rrëfen një ngjarje nga jeta shkollore, kur mes moshatarësh po stërviteshin me pushkën karabinë “Simonova”… mbush e shpraz, pa plumba ose me plumba manovre (siç quheshin), pa kontrolluar se në folenë e fishekut ishte një plumb i vërtetë… ai, brenda lojës së tij, merr e shënjestron vajzën e mirë Etleva dhe e qëllon tejpërtej në trup; shkon në hetuesi e tregon gjithçka. Për habi, i thonë të shkonte në mësim. Ndërkohë, pranë së plagosurës kanë mbërritur i ati i Markut dhe i Etlevës. Vajza po përmendej dhe nuk e fajëson fare, por mjeku kishte konstatuar se ajo nuk do të mund të bëhej kurrë nënë, për shkak të dëmtimit të organeve…

Autori ka treguar botën e ndjenjave të të riut, përgjegjësinë e tij sikur kishte vrarë dy vetë! Ndërkohë, oficeri i zborit qe arrestuar dhe drejtorin e shkollës e kaluan në prodhim, për mosorganizim e kontroll të stërvitjes ushtarake…… Një të mbaruar shkollën, i ati e marton Markun me një vajzë nga anët e tij, që nuk mendonte se do ta donte ndonjëherë. Pas dy vjetësh bëhet baba i dy binjakëve djem; ishte 24 vjeç, kur i vdes aksidentalisht edhe nëna e fëmijëve dhe nis të mendojë për Etlevën, t’i kërkonte dorën asaj, por vajza nuk pranoi; ajo u martua me një mjek dhe ishte bërë nënë.

Një ditë, Marku u bë dëshmitar i një ngjarjeje në rrugë: një i ri, shofer i pirë xurxull, rrëzoi përdhe një vajzë trevjeçare dhe Marku e dërgon menjëherë në spital, në gjendje të rëndë; kërkohej gjak brenda grupit të saj dhe Marku del i gatshëm të japë. E vogla po shkonte drejt vdekjes dhe Marku, me gjithë rrezikun që mund të pësonte, dhuron përsëri gjak dhe fëmija shpëton… Personazhi shfaqet në mbyllje të tregimit sikur ai kishte shpëtuar nga vdekja vajzën e Etlevës, e cila edhe iu fanit në kllapinë e gjumit të thellë…

Fragment

“Po nejse, sot ma rizgjoi atë histori një fëmijë, një vajzë e vogël tre vjeçe, të cilën e përplasi një adoleshent me makinë, pasi kishte pirë konjak sa ishte bërë xurxull. Unë e transportova gjer në spital, ishte rëndë. Dhuroi për të gjak një mjek, i vetmi njeri me të cilin korrespondonte grupi i gjakut. Gjaku po i mbaronte.

Ajo nuk merrte e as nuk jepte. Kërkova të dhuroj unë gjak. Fatmirësisht kisha të njëjtin grup. Koha nuk priste, kështu që tubat e hollë i lidhën direkt me të. Nëpër kokë më vinte dhe më ikte skena e tmerrshme e përplasjes, fytyra e djaloshit adoleshent, që kishte pirë e më pas kishte shpënë në buzë të varrit fëmijën engjëll, duke e përplasur me makinë.” (2)

Tregimi II, që mban titullin enigmatik “Njeriu që vinte dhe ikte natën”, (3), është një gjetje shumë origjinale e autorit, një motiv i papritur gjatë gjithë leximit, deri sa arrin në fund dhe narratori ynë, në hapat e parë, na surprizon dukshëm, sidomos me strukturën e fabulës që ka gërshetuar që nga faqja e parë. Aq më tepër e shton të papriturën shkrimtari i ri Gjon Marku, sa e ndërton ngjarjen pa dhënë asnjë emër personazhi… Lexojmë me kërshëri dhe para sysh na dalin ngjarjet e kohës së asaj që u quajt “Luftë e klasave”, gjatë gati gjysmë shekulli, kur edhe shpalleshin armiq vëllai me vëlla; përveç kësaj, autori i mëshon idesë se jo të gjithë i kanë qëndruar kësaj lufte klasore. Mjaft prej njerëzve kanë ditur të qëndrojnë njerëz, kanë mundur të ruajnë edhe miqësitë e vlefshme, pa u hetuar prej vëzhguesve informatorë, siç është qytetari i urtë dhe i zgjuar, madje edhe i veshur me një post drejtuesi! …

Është natë e zakonshme, një shtëpi e zakonshme dhe një familje e qetë… kur, papritmas, dikush troket në xhamat e dritares dhe babai i dy djemve në moshën shkollore – kryefamiljari – ngrihet dhe hap derën, pa treguar kush ishte burri që hyri; vetëm se me të kaluan të dy në dhomën e pritjes, pinin nga një gotë raki dhe njeriu i natës (pa emër për djemtë) fillonte të lyente shtëpinë: ishte njeri i thjeshtë, punëtor krahu, bojaxhi; mbaronte punën dhe ikte në ato orë të vona, kur niste të këndonte edhe qoku në selvinë e oborrit aty pranë. Kështu edhe të nesërmen, të pasnesërmen, derisa kryente punë me gjithë shtëpinë… e nuk dukej më. Në pranverë vinte përsëri vonë, pinin me babain nga një gotë raki dhe lyenin shtëpinë. Pyetjes që bënin djemtë, ai u përgjigjej se ishte një kushëri i afërt; ashtu e kishte punën, ju s’ka pse pyesni më tepër…

Një vit, kur edhe fëmijët u rritën, njëri kreu edhe Universitetin, babai ndërroi jetë, por njeriu i natës as që erdhi në ceremoninë e varrimit, megjithëse babai e drejtonte atë ndërmarrje. Djali u bë inxhinier dhe, për habi, e pa se ai njeri enigmë ishte punëtor bojatisjeje në varësi të tij, i cili as i afrohej dhe as e përshëndeste. Enigma shtohej edhe kur ai bisedoi me nënën, e cila i ktheu përgjigje që të mos kishte merak, le t’i qëndronte larg, siç vepronte i panjohuri… Por inxhinieri nuk priti; takoi brigadierin, i tha t’ia sillte në zyrë, që ta njihte për së afërmi, një veprim që nuk zbuloi asgjë… Kur ndërruan pushtetet, në vitet 1990, dera trokiti dhe njeriu enigmë hyri: ishte e dielë dhe ai nisi të lyente shtëpinë, por kësaj radhe duke zbuluar të fshehtën e tij… të frikshme për kohën e kaluar: ishte lufta e tmerrshme e klasave, që pat ndarë edhe vëllain me vëlla…!

Fragment

“Unë s’pata forcë ta ndalja. Të dielën u shfaq te xhami i dritares me trokitjen e tij të zakonshme. U ngrit im vëlla dhe hapi derën. Hyri brenda, la çantën e madhe dhe hyri në dhomën me oxhak. Unë u ngrita dhe zgjata dorën drejt tij. Po ashtu bëri edhe ai, duke më përqafuar. Para pseve të mia nisi të tregonte atë enigmën e gjatë. Kushëriri i afërm i tim eti ishte i persekutuar politik, ndërsa im atë drejtor në atë ndërmarrje. Të dy e donin dhe e respektonin njëri-tjetrin, por ja, ashtu fshehurazi. Në fund të fundit s’kishin ç’të bënin; të dy ruanin vetveten dhe njëri-tjetrin nëpërmjet të vetmes mënyrë. Ndryshuan kohët… Edhe pse nuk kishte më të persekutuar, ai sërish s’e la zakonin e vjetër: tek ne vinte natën. Gjithmonë trokiste në xham. Ikte po natën. Në fakt, unë tani, sa herë dëgjoj këngën e qokut, më duket se është ai njeri që ikën natën.”

Tregimin III, “Zana”, (4), autori e sjell në vetën e parë; ai anon më tepër nga vështrimi psikologjik i veprimeve që bën një i ri, në moshën e pjekurisë dhe student në Universitet. Përmban përjetimet e një fëmije që shkon për pushime në fshatin e lindjes së babait, një katund me pamje tërheqëse: me lumin pranë, shpate mali të veshura, guva e shpella; sigurisht edhe vend legjendash, sidomos për lumin që rridhte qetë-qetë, por kërshëria e një të riu lidhet me pyetjen: ku e ka burimin ky lumë? Verë për verë vjen djaloshi me tundimin e kësaj pyetjeje dhe një ditë vendos të ndjekë burimin: ec e ec e sheh një vashë gjysmë të zhveshur tek dilte nga uji; dilte e zhytej përsëri; kështu zhytej e dilte, dilte e humbte në kaltërsinë e lumit. E ndjek djaloshi dhe ajo ikën derisa i humbet nga syri, fshihet ajo diku mes shelgjesh… dhe enigma shtohet më tepër: mos është Zanë lumi, Floçkë, Kshetëz, me të cilat e kishin trembur që në vegjëli! Ia tregon ngjarjen edhe Gjergjit, djalë i xhaxhait, dhe ky i bashkohet “zbulimit”, por pa mundur ta arrijnë Floçkën e bukur me flokë të gjatë…

Edhe kur shkon në Universitet, në mendje i mbetet vajza e bukur e lumit… Shkrimtari arrin të përshkruajë vetëdijen frojdiane të një të riu, që pjekuria seksuale është në fazën e subkoshiencës… megjithatë, në mjedisin universitar, mes vajzave të vërteta (jo Zana mali a Floçka lumi), ai vjen në realitetin e jetës së tij, kur vetëdija nuk ka nevojë të krijojë Zana e Floçka, pasi i ka në auditore e salla leximi, dhe mbyllet ky tregim psikologjik me fragmentin në vijim:

Fragment

“U ktheva në qytetin tim të lindjes për të vijuar studimet. Falë pamjes dhe emrit tim të mirë, me mua shoqëroheshin jo pak vajza. Por unë isha marrosur pas zanës që fshihej në mes shelgjeve e gurëve në brigjet e lumit legjendar shumë.
Lakuriqësia e saj më bënte për vete, më bënte të përjetoja gjithçka që më mungonte. Bile ajo lakuriqësi më bënte të urreja të gjitha lakuriqësitë e tjera. Pëlqeja të rendja sërish brigjeve të atij lumi legjendar, nëpër gurë e shelgje ku fshihej ajo… Edhe pse e kam fshehur kaq gjatë, s’mund të rri pa e thënë se gjithë jetën unë kam dashur fshehurazi një zanë.

Një zanë që kurrë s’e ndoqa prapa gurëve, po auditoreve; një zanë që nuk më fshihet, por që i fshihem unë, sepse unë kurrësesi nuk mund të doja një zanë.” (5)

Tregimi IV, “Djepi”, përcjell temën e tmerrshme të hakmarrjes, bile të gjakut të derdhur midis vëllazërive (kushërinjve). Dy kulla, njëra më fort se tjetra, kishin vite që korrnin jetë djemsh të rinj, pa mundur të ndalnin pushkët vrastare… Dy degë vëllazërie: Gjinajt dhe Gjokajt, me kullat fare pranë njëra-tjetrës (ku ngujoheshin gra e fëmijë), aq sa mund edhe të flisnin nga qoshku në qoshk, qenë mbërthyer helm e vrer për të zhbi meshkujt nga njëra-tjetra! Nuk po ndalej kjo gjakderdhje, se pushka, thonë, sa ka grykën e hollë, aq edhe ka nafakën. Dy pleqtë e dy kullave të njohura nuk po mundnin të gjenin besë… kur një ditë Plaku i Gjokajve sheh papritur që e shoqja hynte e dilte te kulla e Gjinajve, ashtu si edhe një grua e asaj kulle vinte te kjo, sepse kishin lidhje gjaku…

Atëherë Plaku, që ndiqte me dhimbje e plagë në zemër këto vrasje, e pyet:

– Ku ishe dhe çfarë kishe në dorë: pushkë apo furkë?
– Pushkë, dhe bile të fortë! – ia kthen gruaja fisnike.
– Por ju, mblidhni mendjen se çfarë po bëhet! …

Është hapi i guximshëm për shuarjen e hakmarrjes që bën një femër, një nënë, që lind jetën dhe lufton të mos ia marrë askush e askujt!

Mblidhet në vetvete i pari i Gjokajve, duke ofsharë: “Eh tokë eshkë, unur e strall!”. Del në qoshkun e kullës dhe i thërret Plakut të Gjinajve që të shohë e të mos e vrasë kush, sepse do t’i shkonte në konak! Ai e pret dhe merr t’i pjekë kafe, veç ky nuk pranon, por, në mënyrë të çuditshme, i kërkon një djep; po, po, t’i japë një djep, për një foshnjë të sapolindur! Ia japin djepin dhe brenda vënë djalin… për t’u bashkuar më vonë, të kuvendonin dy familjet…

Gjithë kjo ngjet vetëm nga guximi i gruas që bisedon me kushërirën përballë dhe Plaku i Gjokajve i thërret mendjes të gjejë një zgjidhje. Është një e dhënë e vërtetë se gratë e zgjuara kanë qenë pjesëtare kuvendi në odat e burrave dhe u është dëgjuar edhe fjala…

Fragment

“…Foshnja flinte e heshtur. Në vesh i erdhi një si jehonë krismash të largëta, që shurdhoheshin. Dhe iu përfytyrua një si përrua gjaku që sa vinte e thahej. E kishte gdhendur vetë atë djep, nën një trysni mendimesh të errëta që i përngjanin me një arkivol të zbehtë, brenda të cilit rrinte e fshehur vdekja, e gatshme për të kositur jetën, sapo fëmija që kishte përkundur të bëhej gjashtëmbëdhjetë vjeç.

Në atë moshë, jeta fillonte të numërohej me ditë, me javë…

Tani… u ndie krejt i turbullt. Këso dobësie s’kishte ndjerë as kur kishte vrarë djemtë e plakut që kishte përballë, as kur ishte ngujuar në kullë dhe kishte nxjerrë të gjithë djemtë prej saj për të marrë gjak dhe për të rënë në gjak. Tani gjaksi, kumbarë, të cilit i kishte borxh një gjak, e ftonte të ngrinte gotën e rakisë, si të mos kishte ngjarë asgjë. Plaku i Gjokajve vështronte thellë brenda syve të tjetrit, si për të zhbiruar atë që fshihej në heshtjen e Plakut të Gjinajve. Plaku i Gjinajve u ngrit me kujdes, duke u mbështetur në shkopin e tij të gdhendur; futi dorën midis dy kokave të gjarpërinjve në dorezën e shkopit.

Djemtë piketuan njëri-tjetrin, gati për t’u mbërthyer fyt më fyt, por Plaku i Gjokajve vuri buzën në gaz, si t’u thoshte djemve të bënin kujdes. Plaku i Gjinajve erdhi me djepin në dorë. E vendosi atë afër Plakut të Gjokajve. Tjetri e zbuloi foshnjën dhe uroi për të jetë të gjatë. Pastaj Plaku i Gjinajve mori gotën e rakisë në dorën që i dridhej dhe, pa e kuptuar as vetë, përsëriti fjalët e Plakut të Gjokajve, i cili kishte mallkuar këdo që qiste pushkë tash e mbrapa. Plaku i Gjokajve e nisi rakinë me urimin për foshnjën e sapolindur. Askush nuk e përmendi gjakun e derdhur. U fol atë natë vetëm për foshnjën e vogël që ishte djalë. Ai s’duhej të dinte që ishte derdhur gjak…

Të nesërmen, kur princi priste “burrë për shtëpi” të niseshin për luftë kundër të huajit, në qendër të fshatit kishin shkuar së bashku edhe djemtë e Gjokajve dhe Gjinajve.” (6)

Tregimi V, “Gjaku i pafalur”, ka të njëjtën temë si tregimi i mësipërm, por vjen i kundërt me protagonistët; ndërsa më lart janë dy pleqtë e kullave – i Gjokajve dhe ai i Gjinajve – të nxitur nga gratë e tyre, që bëhen mbështetje për të falur një gjak e për të shuar hakmarrjen tragjike mes dy konakëve të njohur, këtu janë të rinjtë që luftojnë me të vjetrën dhe Kanunin për të marrë gjak; është studenti i Universitetit…të Prishtinës, Martini, ish-pjesëmarrës i demonstratave të përgjakshme të Prishtinës kundër tiranisë serbe. Ai është edhe nip i xhaxhait të tij, që e kundërshtoi të njohurin dhe të respektuarin e gjithë Kosovës për veprën e madhe të pajtimit të shqiptarëve, intelektualin Anton Çeta. Por Martini, si një universitar i viteve të zjarrta të ngritjes shpirtërore dhe bashkimit të Kosovës, filloi të ndjente barrën e madhe, pothuajse fajtor, që nuk po realizohej në fisin dhe gjakun e tij pajtimi – kusht i qëndresës dhe vazhdimësisë së shtetit të ri, që u konstitucionalizua me ndihmën e Perëndimit.

Ai po vuante dhe bënte çdo përpjekje ta bindte xhaxhain se askush nuk e kishte kthyer mbrapsht Anton Çetën në këtë veprimtari të shenjtë. Nga ana tjetër, çfarë do të thoshin shokët e Fakultetit të Prishtinës, kur të kujtonin me të demonstratat e studentëve që u përballën me vdekjen… Ai gjak duhej falur! Ai kishte qenë moshatar me të vrarin, kushëri i parë, dhe prej tij pritej të bënte më tepër! Ai gjak duhej falur! Përsëriste ai me vete dhe nuk gjente qetësi… Mendoi të gjente një mënyrë: faljen nga fisi! Prandaj u mblodhën me xhaxha Gjergjin që ta pleqënonin çështjen, por prapë xhaxhai i Martinit nuk mori pjesë; atëherë, me xhaxhanë tjetër, Gjergjin, i shkuan në shtëpi… Ndërkohë që në oborrin e shtëpisë u duk profesor Anton Çeta, të cilin e presin të gjithë me zemër e shpresë…! Ishte shpresa që u kthye në realitet: gjaku u fal dhe familjet në hasmëri u pajtuan për jetë!

“Heshtjen e kishte thyer trokitja e shkopit të Gjergjit, që lakadredhas mundohej të ngjiste shkallët e kullës së të vëllait. Të gjithë i ngulën sytë në fytyrën e rreshkur të tij, i cili mbante mbi supe tetëdhjetë e tetë vjet, tetëmbëdhjetë prej të cilave i kishte kaluar në burgjet serbe. Martinit desh iu ndal fryma. Burrat brofën në këmbë. Xhaxhai i Martinit u spostua nga ana e oxhakut që t’i lëshonte vendin të vëllait të tij më të madh. Gjergji po u uronte mirëseardhjen burrave të fisit, kur në oborrin e kullës u ndal një makinë dhe prej andej doli Anton Çeta. Martini dhe djali i xhaxhait të tij, edhe ai student në Prishtinë, u turrën të dilnin përjashta. Xhaxhai i Martinit ofshani thellë.

– Mirë se erdhe, Anton Çeta, – uroi i ati i Martinit, sapo e pa në fundin e shkallëve të kullës, i cili vinte me ecje të kristaltë. Dhe, pa u menduar mirë, i bëri me dorë djalit të të vëllait dhe i tha ta ndihmonte. Pasi u ngrit nga vendi dhe, duke u mbajtur në shkopin e tij të vjetër, e mori fjalën:

– E falim sot gjakun. Në emër të të gjithë fisit e falim sot gjaksin. Ashtu siç u ka hije burrave që e duan Kosovën.

Xhaxhai i Martinit donte të fliste diçka, por i vëllai i tij, Gjergji, vazhdoi:

– Tani gjakun e fali fisi; peng janë im bir e im nip. Peng je edhe ti, të pastë axha, – iu drejtua djalit të të vëllait. – Gjithë djemtë e fisit janë peng! Gjithë rinia e Kosovës.

Anton Çeta, me një buzëqeshje të qelibartë, u ngrit dhe zgjati dorën drejt të atit të Martinit. Pastaj i zgjati dorën xhaxhait të Martinit, i cili ishte bërë dyll i verdhë në fytyrë.

– Jo, jo, – tha ai, – unë nuk e meritoj. Ai e meriton t’ia japësh dorën si burri burrit, – dhe drejtoi dorën nga Martini, i cili, sypërlotur, u përqafua me Anton Çetën.”

Gjon Markut, veç të tjerash, ka një logjikë të dukshme: kushdo që do të kujtohet t’i hyjë një hulumtimi – si ka nisur, si është ngritur dhe konsoliduar përvoja letrare e autorit përgjatë viteve dhe veprave – sipas këtij rendi do të sprovojë veten, për të konkluduar edhe në lidhje me evoluimin e gjuhës krijuese, stilit dhe pasurisë gjuhësore që sjell shkrimtaria e tij, krahasuar edhe me bashkëkohës të tjerë…

Literatura

Gjon Marku, Njeriu që vinte dhe ikte natën (Tregime), Shtëpia Botuese “Geer”, Shtypshkronja “Mirgeeralb”, Tiranë, 2020. (200 faqe)
Po ai, po aty, f. 13.
Po ai, po aty, f. 21.
Po ai, po aty, f. 20.
Po ai, po aty, f. 25.
Po ai, po aty, f. 33–34.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.