IDRIZ ZEQIRAJ
Afati i zgjedhjes të presidentit/es, është reduktuar në 4 ditëshin e fundit. Pozita që duhet ta udhëheq këtë proces zgjedhor, deri më tani, nuk ka treguar gatishmëri për ta mbështetur kandidaturën e Vjosë Osmanit, për një mandat të dytë presidencial. Arsyeja e rebelimit të mirëfilltë të presidentes Osmani, karshi Kurtit, asnjëherë nuk është mësuar, në masën e duhur. Dhe, kjo heshtje, ky rezervim është i bazuar në pjekurinë e palëve në mospajtim, për ndonjë apo ndoca çështje në proceset politike të kohës. Kjo dëshmon edhe për konsideratën dhe respektin reciprok që kanë palët mes tyre.
Përfolje ka se qëndrimi i Kurtit ndaj Amerikës, ishte shpërfillës. Ai vazhdon të jetë i dyzuar, flirton me socialistët e majtë të Evropës dhe të botës. Dikur mendonte se “Amerika ishte partner i luftës, i të kaluares, por jo partner i së tashmes dhe të ardhmes”! Kjo, jo vetëm që nuk ishte dhe nuk është reale, por është blasfemi. Ai deklarim i Kurtit mund të përligjej, nëse Kosova do të kishte një partner më të fuqishëm ekonomikisht, ushtarakisht, dhe miqësisht, se sa Amerika.
Absolutisht, Kosovës i ka munguar dhe i mungon edhe sot një partner i nivelit amerikan. Fatmirësisht, kryeministri Albin Kurti ka reflektuar dhe, aktualisht, referenca e parë e tij është Amerika. Dhe, kjo i ngushëllon dhe i gëzon shqiptarët atdhetarë të kudondodhur. Përjashtim bëjnë soji racor të enveristëve-stalinistë, të cilët, mjerisht, i kanë shkaktuar Shqiptarisë vuajtje dhe gjakderdhje brenda shqiptare!
Një marrëveshje e përfolur se është biseduar në Bruksel dhe Ohër, por nuk është nënshkruar nga palët. përkatësisht, Kurti-Vuçiq, konsiderohet më e egër, më e keqe, se sa ajo e vitit 2013, e bërë nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, ku ai lloj “menaxhimi”, ka elemente të autonomisë. Sidoqoftë, një shpjegim, transparencë, duhet ta kishte bërë Kurti, qoftë brenda koalicionit dhe, pse jo, edhe në Kuvend. Dhe, mbi të gjitha, presidentja duhej të ishte informuar për rrjedhën e bisedimeve. Thonë se Kurti është inatçi i madh dhe nuk e falë Vjosën, për atë shprehjen publike se “po luan bixhoz me ndërkombëtarët” dhe plus diçka tjetër, që tejkalonte standardin presidencial.
Një tjetër arsye përmendet se Kurti kërkon kuadro inferiorë, të cilët i bindën urdhrit të shefit, pa e kërkuar arsyen e urdhrit të dhënë. Por, Vjosë Osmani ka integritet dhe personalitet që nuk i bindet askujt verbërisht, qoftë edhe kryeministrit Kurti. Ai mendon edhe më larg. Forcimi politik që mund t`i japë Vjosës posti i dytë presidencial, do të mund ta konkurronte Kurtin në të ardhmen, qoftë edhe paksa të largët.
“Siguro 30 firmat, për ta fituar të drejtën e konkurrimit për postin e presidentes”, – të thëna Vjosës, tingëllon si cinike, ndërkohë që ajo në 5 (pesë) vitet si presidente, është jashtë organizimit partiak. Indiferenca e Albin Kurtit ndaj kandidaturës të Vjoses, nuk duket edhe aq fisnike, bazuar në suksesin dhe shërbimin e madh që i dhuruan ky binom Kosovës dhe shqiptarëve të kudondodhur. Të presim, ndoshta, Albini është në agjendën, në përputhje me dëshirën dhe vullnetin e shumicës absolute të shqiptarëve vendorë dhe botërorë, për vazhdimin e mandatit të dytë të Vjosë Osmanit në Presidencë?
Së bashku me partneret Guxo dhe Alternativa, bënë ndryshimin sa të madh, aq edhe cilësor. Bënë mirë që afruan në koalicion PSHDK, si subjekt i hershëm me orientim të djathtë dhe atdhetar. Bandat politike në shtet, janë të rrezikshme. Por, kur këto banda janë në pushtet, janë agresive. Dhe, banditizmin politik, e konvertojnë në ordinier, duke i përgjakur kundërshtarët politikë, siç veproi Qeveria e Përkohshme e Hashim Thaçit, për ta ruajtur pushtetin, njëjtë siç kanë vepruar fashistët dhe komunistët, përgjatë shekullit të kaluar.
Një kapitull i veçantë është LDK-ja dhe kryetari i saj Lumir Abdixhiku, i cili duket se ka mësuar nga humbja, pothuaj se, e imponuar nga intrigimet brenda dhe jashtë Kuvendit të fundit zgjedhor. Rrëfimi i tij, në një emision televiziv, ishte i sinqertë dhe bindës. Klani Mustafa gjithnjë në veprim. Realisht, ata e zbuluan veten se ishin partizan të PDK-së dhe donin humbjen e kryetar Lumirit. Këtë e kemi parë me shqetësim e dhimbje të thellë, sepse po e përjetonim rëndë shkërmoqjen e partisë, LDK-së, dikur krenare, shtet formuese dhe shtet ndërtuese, e cila e bëri paqen dhe luftën.
Bëmë shumë për ta ruajtur partinë, duke kërkuar lejimin e debatit brenda partiak dhe zgjedhjet e fshehta demokratike. U keqkuptuam, madje edhe nga disa miq e bashkëpunëtorë, dikur të përkushtuar në frymën rugoviane. Ata prisnin mrekullira, por korrën marrëzira!
Për 16 vjet radhazi isha delegat i Kuvendit të LDK, nga Gjermania. Edhe pse nuk kam heshtur në këto Kuvende maskaradë, pas amshimit të Presidentit Rugova, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, me klanin e tij uzurpator të partisë, vazhdonin ta trajtonin partinë e Rugovës si pronë të tyre. Asnjë debat, asnjë fjalë në Kuvend. me praninë e 359 delegatëve kukulla. Dhe, votimi aklamativ, i hapur, me ngritje dore dhe “duartrokitje frenetike”, i mbulonte pisllëqet politike, që kundërmonin autokraci tipike komuniste. Në këto rrethana mjerane, e gjeti LDK-në, Vjosë Osmani.
Në përpjekje për ta kthyer LDK-në në binaret e rugovizmit, tashmë, të çmontuar, Vjosë Osmani, me guximin unik që e karakterizon, në Kuvendin e 8-të “Zgjedhor”, shpalli kandidaturën për kryetare të LDK-së. Ajo kërkoi rikthimin e votimit të fshehtë, i cili ishte harruar, në të gjitha nivelet e strukturave të partisë. Por hasi në kundërshtinë kriminale të klanit të Isa Mustafës. E përlotur nga fyerja dhe zemrata e ligjshme, Vjosa lëshoi sallën e Kuvendit “Zgjedhor”. Delegatët heshtën si mumje, duke vazhduar qëndrimin në sallë turpërueshëm. Dhe, tani, për turpin e tyre, shpifin për rebelimin e saj të natyrshëm. Në mesin e atyre pak vetave që reaguan, ishin Fatmir Sejdiu, Hafiz Gagiga, Rexhep Gjergji, Petrit Bicaj e ndonjë tjetër.
Ke dera e jashtme e Kuvendit, ishin pykuar kryetarja e Degës të LDK-së, veprimtarja më e shquar e Mërgatës shqiptare, së bashku me degatët nga Gjermania dhe Zvicra. “Arsyeja” ishte cinike: “Njëra nga Nëndegët e juaja, nuk ka bërë zgjedhje të rregullta”! Ndërkohë që, pikërisht. këto dy Degë ishin më aktivet në të gjithë Mërgatën shqiptare dhe kishin bërë zgjedhje të fshehta dhe demokratike, që nga Aktivat, Nëndegët e deri në Degët e tyre. Thjeshtë, nuk e donin praninë në sallën kuvendore të Donikë Gëvallës me shokë. Sepse, paraprakisht, kishin kundërshtuar maskaradën e kuvendeve zgjedhore të LDK-së dhe devijimin e tërësishëm të uzurpatorëve partiakë nga rruga rugoviane. Ata ndërhynë edhe në Mërgatë, sidomos në Degën shumë aktive dhe simpatike të Zvicrës, të cilën me intrigime nga Qendra, e ndanë, për t`u mos u bashkuar asnjëherë, deri me tani.
Megjithatë, disfatizmi, aq shumë i proklamuar për LDK-në, duhet marrë me rezerva. LDK-ja ka qenë dhe duhet të mbetet faktor në spektrin politik të Kosovës, pavarësisht baticave dhe zbaticave, në të cilat vazhdon të përplaset, me ndërhyrjet intriguese dhe përçarëse të PDK-së. Premtimi publik i kryetarit Abdixhiku, se do t`i kthehet rrugës rugoviane, duke i lënë rrugicat qorre, ku e futën klanorët, për ta ngritur serishmi subjektin e parë pluralist në rajon dhe më gjerë.
Kurani islam i këshillon besimtarët, se “sharti i parë është me ia ditë hallin vetës”. Megallomania e opozitës, duke dëgjuar përrallëzimët e lukunisë mediatike, horra e zuzarë mercenarë, analistë e opinonistë, në Prishtinë dhe Tiranë, se “Kurti njëherë i ka mashtruar shqiptarët dhe nuk e votojnë më”, u korracuan në bllokadën e formimit të Institucioneve kuvendore dhe qeveritare. Për rrjedhojë, vendi shkoi në zgjedhje, duke i kushtuar miliona euro humbëse buxhetit të shtetit.
Opozita destruktive, e rrëmujshme e humbi torruan, “rrugën në oborr” dhe e pësoi keqas në tri palë zgjedhje radhazi. Përgjatë qeverisjes Kurti 2, opozita e bashkuar u bë palë me Serbinë, në opozitarizmin e saj ideotesk dhe tërësisht kundra-kombëtar. Në të gjitha matematikat zgjedhore, Albin Kurti përsëri do të jetë i parë, do të jetë kryeministër i Kosovës. Atëherë, pse duhet shkuar serishmi në zgjedhje opozita, për ta shënuar humbjen dhe tupërimin e radhës?!
Presidentja Vjosë Osmani vazhdon ta paguajë rebelimin e saj parimor demokratik. Siç e pati parashikuar pejani, njëri nga anëtarët e Kryesisë të LDK-së, se “Vjosë Osmani është një gjeneral, të cilën e presin beteja të reja”. Dhe, ashtu ndodhi. E ardhmja u përket reformatorëve. Dhe, Vjosë Omsani është njëra nga reformatoret e suksesshme.











