11.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Frang Bardhei (1606-1643)

Frang Bardhei (1606-1643)

0
Frang Bardhi - Pulla shqiptare

Fatbardha Fishta Hoxha Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha

Nga cikli “ Humaniste te shquar shqiptare shek XV-XVIII”

Personalitet nga më të rëndësishmit në kulturën shqiptare të shekullit XVII, ndonëse jetoi pak, la emër me veprat e tij të veçanta nga pikëpamja e llojit.

Frang Bardhi lindi në Nënshat të Zadrimës në një familje të njohur nga gjiri i të cilës kishin dalë intelektualë dhe prelatë të dëgjuar. Ai u edukua dhe u formua në vendlindje. Përgatitjen e parë e mori nga të afërmit, aty mësoi edhe turqishten që ishte gjuhë e administratës së asaj kohe. Familja e Bardhajve do të dallohej për rrethin e klerikëve, që do të shquheshin si njerëz të penës dhe të pushkës. Meqenëse, tek Frangu dalluan të dhëna të veçanta, familja dhe sidomos ungji i tij Gjeç Bardhi, ipeshkëv e më pas arqipeshkëv i njohur e dërgon për studime në fillim në Kolegjin Ilirian të Loretos, ku studionin studentë të ardhur nga Ballkani, mes tyre edhe shqiptarë.

Kështu më 1628 e gjejmë në Kolegjin e Loretos e më pas në Kolegjin Urban të Propagandës Fide. Studimet jashtë zgjatën 7 vjet. Vetëm në kaq pak vite ai arrin në sajë të prirjeve dhe vullnetit të tij jo të zakontë të mbarojë studimet e larta, të bëhet prift dhe të ndërmarrë hartimin dhe botimin e dy veprave, që i japin një vend të nderuar në historinë e letërsisë dhe të kulturës kombëtare.

Njohja e mirë e latinishtes por edhe e italishtes qenë premisat që i dhanë guximin për të ndërmarrë hartimin e një fjalori, në një nga fushat e palëvruara më parë. Në punën e tij, ndonëse i ri, pa përvojë, do ta trimëronin dy motive, që të nxisë të tjerët për përkthime të librave të shenjtë dhe të jetë një libër, që t’i ndihmojë ata klerikë që nuk e zotërojnë sa duhet latinishten. Ai dëshiron dhe fton të tjerët të shkruajnë libra në gjuhën shqipe dhe t’i bëjnë shërbesat e tyre fetare në gjuhën amtare.

Por krahas tyre në të gjithë veprën e Bardhit lexohet dashuria për vendin dhe gjuhën e tij, që që dhe arsyeja më e madhe e hartimit të kësaj vepre që në kohët e studimeve. Vepra u botua në Romë më 1635 me miratimin e Kongregacionit në Vatikan. Por gjatë viteve të studimit ai, me sa duket, ka punuar edhe për Apologjinë e Skënderbeut, një ndër veprat e para të llojit në historinë e kulturës shqiptare.

Punën e filluar në arkivat dhe bibliotekat e Romës, përmes gjuhëve që zotëronte, ai do ta përfundonte mbas një qëndrimi disa ditor në Venedik, ku edhe e boton këtë vepër, që dëshmon shumë për autorin, situatën që e nxiti dhe qëllimin e lartë patriotik e shkencor që e frymëzoi këtë dijetar të shquar.

Në mars të vitit 1636 emërohet nga Papa Urbani VIII ipeshkëv i Sapës dhe i Sardës. Për Sapën Bardhi thotë se Sapa quhet popullorçe Zadrima, e Sarda ështe nje nga gjymtyret e Sapes. U kthye në Shqipëri në maj 1636 për të marrë detyrën e rëndësishme, që deri atëherë e kishte pasur i ungji që u gradua arqipeshkëv i Tivarit.

Ai vjen në atdhe me arsim të plotësuar për kohën dhe me dy veprat e botuara, Fjalorin dhe Apologjinë. Në detyrën e ngarkuar ai luan një rol të rëndësishëm, që është pasqyruar në relacionet dhe letrat që i dërgon Vatikanit, shumë prej të cilave ruhen në arkivat dhe janë botuar. Veprimtaria e gjallë fetare e patriotike, vizitat baritore në krahinat ku gjendeshin 20 kishat e ipeshkvisë së tij i japin lëndë të bollshme dhe shumë informacion për situatën në të cilat ndodhen. Në letrat që dërgon Papës mësojmë se, nisur nga fakti “se priftëri shqiptarë nuk e kuptojnë gjuhën latine”, ka përkthyer në shqip dy vepra “Profesionin e besimit të shenjtë” dhe “Urdhërin e Sinodit”.

Si pasqyrë e vizitave të rregullta në kishat e Dioqezës së tij ai i dërgon Kongregacionit të Propagandës Fide relacione për krahinën e Pukës (qershor 1637), për katundet e Iballës (qershor 1638), për Zadrimën (prill 1641) e të tjera. Në këto relacione ka informacion me vlerë për gjeografinë historike, për etnopsikologjinë, për etnografinë, për ekonominë dhe të tjera rrafshe. Në to është fiksuar jo vetëm mospajtimi dhe kundërshtimi i banorëve me pushtimin osman, por edhe qëndresa dhe mbijetesa e tyre nën një trysni të egër konvertimi dhe asimilimi.

Ai flet me admirim për qëndresën e malësorëve të Kelmendit, të Pukës, Dukagjinit, Spaçit, Pulit etj. Më 1641 Bardhi shkon në Romë, ku pati rastin t’i drejtojë Papës një relacion për dioqezën e Sapës që drejton, ku jep të dhëna me shumë interes për krahinën e Zadrimës. Ai i bën një përshkrim gjeografik të krahinës me pasuritë, bukuritë dhe burimet natyrore që e përbëjnë. Jep të dhëna të sakta për popullsinë, shtëpitë dhe besimtarët, por më shumë është i preokupuar për pozitën sociale e politike të banorëve, që ndodhen nën trysninë dhe shfrytëzimin e tyrqve, të cilët nuk arrijnë të gëzojnë begatinë, që u fal natyra e puna e tyre tepër e lodhshme, sepse ato shkojnë për të përmbushur pangopësinë e turqve.

Nuk mungojnë edhe në këtë relacion të dhëna për jetën zakonore të banorëve. Ai çmon urtësinë dhe mençurinë e tyre, që edhe pse “shumica janë skamnorë”, “kanë arsyetimet e gjykimet e tyre të natyrshme dhe i japin përgjigje çdo filozofi”. Është i njohur qëndrimi i Frang Bardhit lidhur me vrasjen misterioze të P. Budit, për të cilin ai është i shqetësuar dhe punon që të dalin në shesh shkaktarët.

Jeta e Frang Bardhit qe e shkurtër por e mbushur plot me veprimtari. Në pranverën e vitit 1643, në moshën 37 vjeçare, Bardhi vdes pas një sëmundjeje të gjatë.
Vepra e tij Dictionarium latino-epiroticum (Fjalor latinisht-shqip) u botua më 1635 në Romë. I rëndësishëm është fakti se kjo vepër është e para në historinë e hartimit të fjalorëve, por edhe në punimet leksikografike dhe se këtë veprim e kryen një shqiptar i kulturuar që njeh mirë veç gjuhës amtare dhe disa gjuhë të huaja.

Fjalori u konceptua si një fjalor dy gjuhësh latinisht dhe shqip. Edhe ky fakt ka rëndësi. Për herë të parë shqipja vihej në një rrafsh krahasues me një gjuhë nga më të përparuara, me një gjuhë të shenjtë, me latinishten, gjuhë e kulturës për shumë shekuj në Evropë nga Antikiteti në Mesjetë. Përballjen e shqipes së papërpunuar me latinishten e kishte marrë përsipër një njeri i arsimuar e me kulturë siç qe Frang Bardhi.

Për ta bërë sa më të qartë kuptimin e fjalëve latine, Bardhi shtiu në punë përveç shqipes, që ka rëndësi të dorës së parë për autorin, edhe italishten, sllavishten dhe turqishten që i zotëronte. Vepra u botua me titull latinisht sipas zakonit të kohës. Titulli i saj i plotë ishte “Dictionarium latino-epiroticum cum una nonnulli usitatoribus loquendi formulis” Par R.D.Franciscum Blanchum Epintam… Romae 1635. (“Fjalor latinisht-shqip bardhikkë me disa mënyra shprehjesh që përdoren më shpesh” hartuar nga Frang Bardhi e pirot… Romë (1635)).

Fjalori latinisht-shqip përmban 5000 fjalë latine dhe 2544 shqipe. Paraprihet nga një parathënie, e cila u drejtohet “Gjithë atyne t’arbneshve qi ta marrne me e zgëdhume e me e xanë”. Bardhi është i vetëdijshëm për vlerën e veprës, për të cilën thotë se është “Porsi kallauzi qi u dëfton udhën luftëtarve dhe shtegtarëve”. Ai është i ndërgjegjshëm jo vetëm i vlerës historike që ka vepra por, edhe i vlerës praktike të saj. Ai i porosit lexuesit “Pra ashtu u lus, të dashunite e të vertytshmite e mi për të mirët tuej, qi t’i vini kryeet e mentë me gjithë zemër e fuqi këij Dictionary e të mos e lëshoni ndoret e mendjet ke tue ta merrni vesh e të xini qe thotë e qe mbeson”.

Vlerat e fjalorit do t’ia venë në dukje edhe bashkëstudentët të Bardhit, në kushtime e vlerësime, të cilët ai i përfshin në fillim të tij. Kështu Mark Skura nga Kruja shkruan “Ai (fjalori) jo vetëm për Arbërit, por edhe për studiuesit e tjerë të gjuhëve është gjithashtu i këndshëm, si dhe i nevojshëm dhe i kuptueshëm”. Ndërsa Francesk Akopardi nga Malta shkruan: “Ai që dëshiron të dijë se çfarë gjuhe flitet në tokat e Epirit, ta lexojë me vemendje këtë libër… Të krenohët Shqipëria, të gëzojë për derën e Bardhajve, e cila i dha Atdheut pinjoj të denjë”.

Fjalori jep një pamje historike të shqipes në shek. XVII, si i tillë ruan një vlerë të pallogaritshme për studimet gjuhësore të shqipes. Ai ka ruajtur të dokumentuar jo vetëm fjalë e togfjalëshe të ndryshme por edhe regjistra konkretë të përdorimit të tyre në atë kohë, çfarë përbën të dhëna me vlerë të shumfishtë për studimet historike dhe aktuale të shqipes.

Siç kanë vënë në dukje me kohë studiuesit ka shumë fjalë të fondit autokton të shqipes. Gjuhëtari Kolë Ashta ka përllogaritur se nga 2544 fjalë shqipe që ka fjalori rreth 1300 janë të brumit vendas, pra më shumë se gjysma. Fjalëve latine që janë më shumë (5000) ai u jep si ekuivalente togfjalësha, fjalë në gjuhë të huaja të tjera ose disa fjalë latine.

Por vlera më e madhe e Fjalorit të Bardhit qëndron në leksikun e shqipes. Kjo vlerë përherë u është imponuar studiuesve. Në këtë vepër u mbështetën leksikografë dhe gjuhëtarë si Franc Bopi, Frank Mikloshiçi, Gustav Majeri, Norbert Jokli, Kostandin Kristoforidhi, Justin Rrota, Eqrem Çabej, Mario Roque etj.

I rëndësishëm është formimi i shumë fjalëve të reja të shqipes, që tashmë është provuar se janë vënë në qarkullim nga ky gjuhëtar si p.sh. fjalët dëgjues, kopshtar, letrar, shitës, tregtar, furrëtar, vjershëtar, shkrues, nxënës, luftëtar etj.

Kjo është vepra e parë më e rëndësishme shqiptare dhe, siç është pohuar, vepra më e rëndësishme ndër njëzet e dy fjalorët shqip që do të botoheshin më pas deri më 1850. Siç thuhet, libri ka patur qarkullim të mirë. Me 1759 në depon e Propagandës Fide në Romë gjendeshin 360 kopje të këtij libri.

Por, jo më pak se fjalori, paraqet interes shtojca prej 33 fjalësh e ndarë në disa kapituj (1. emra; 2. numërorë; 3. qytete dhe kështjella; 4. ndajfolje; 5. parafjalë; 6. pasthirrma; 7. proverba, fjalë të urta, dialogë dhe përshëndetje). Duke e renditur fjalorin e tij të shqipes sipas pjesëve të ligjëratës, Bardhi jep skeletin e një gramatike të shqipes. Vepra e F. Bardhit imponohej jo vetëm si vepër e para e leksikografisë shqiptare, por edhe për regjistrimin e 113 proverba, të cilat ai i kthen edhe në latinisht e më pak në turqisht.

Me këtë regjistrim fillon historia e folkloristikës shqiptare. Autori mblodhi proverba që qarkullonin gjallërisht në të folurën popullore. Përmbajtja e tyre është e larmishme. Ato dokumentojnë urtësinë dhe mençurinë e brezave, filozofinë e tyre kombëtare dhe universale. Në qendër të tyre është atdheu, njeriu, puna dhe morali. Ai çmon lart Atdheun dhe lirinë e tij. Shumë proverba të mbledhura shprehin kontekstin historik në jetën e shqiptarëve si p.sh.:

Luftë pa të dekum s’asht.
Ma mirë dekum njiherë se me rrezikuem gjithherë.
Armiku plak s’bahet kurr mik, e në tu bafë, s’bahet i drejtë.
Ujku qimen e ndërron por vesin s’e harron.
Ma mirë me e pasë armikun e zblueme se mikun e mbuluem…
”, etj.

Proverbat e botuara nga Bardhi kanë kuptim të disafishtë. Me gjuhën e tyre konçize ata mëtojnë të japin njohuri dhe përvojë që buron nga jeta, shprehur jo rrallë me figursmëri. Morali i tyre përcillet qartë e drejtëpërdrejtë si p.sh.:

S’asht marre me mos dijtun, por me mos dashtë me xanë.
Nga fruti i mirë njihet pema.
Me miqt ha e pi e treg mos ban.
Bushtra që ngutet ban klysh të verbët.
Merr penin në don të gjesh lamshin.
Si të nderojsh kanë me të nderue.
Peshku qelbet nga kryet.
Duhet me shtri kambët sa të kesh të mbuluemit.
Qit shigjetën mshef harkun…
”, etj.

Sipas mënyrës së shek. XVII, para fjalorit janë vënë katër vjersha të shkurtra panegjerike latinisht të shkruara nga bashkëstudentët të Bardhit në Kolegjin e Romës nga Stefan Gaspari nga Durrësi, Francesk Akopardi nga Malta dhe Mateo Dudesi nga Dalmacia, në të cilat lavdërohet vepra e Bardhit duke e krahasuar me Ovidin dhe Homerin.

Vepra tjetër e botuar e Bardhit është një traktat 76 faqesh latinisht për Skënderbeun e titulluar “Georgius Castriotius Epirensis Vulgo Scanderbegh Epirotorum Princeps fortissimus ac invictissimus suis et Patriae restitutus”. Venedik 1636. (Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur Skënderbe, vetë Princi i fuqishëm e i pathyeshëm i parë, i kthjellët popullit dhe vendit të tij).

Siç shihet, veprimtaria e njohur e Bardhit nuk përfundon me fjalorin. Vepra e botuar prej tij është një polemikë historike publicistike e tipit të apologjisë ku autori përpiqet të mbrojë përkatësinë shqiptare të Skënderbeut për t’iu kundërvënë dy veprave të botuara të kroatit Ivan Marnaviç, ipeshkëve i Bosnjes, që kishte shfaqur mendimin se Skënderbeu ishte me prejardhje nga familja e tij kroate. Në vështrimin e parë të duket e lehtë për atë kohë edhe sot t’i kundërvihesh tezave të tilla, sado të papranueshme që të tingëllojnë. Për Frang Bardhin ka qenë jashtëzakonisht e vështirë të vihet ballë për ballë, të kundërshtojë, të rrëzojë me argumente e dëshmi historike e të besueshme pretendimet e Marnaviçit, që ishte një autor i ditur, produktiv dhe i njohur.

Prandaj edhe Bardhi, që është në vulgun e punës, i përgatitur në kolegj nuk e konsideron të lehtë dhe nuk bën një punë të nxituar.
Serioziteti me të cilin i përkushtohet kësaj pune të vështirë është shpalosur në të gjithë veprën si dhe në parathënie.

Burimet e shumta të shfrytëzuara por edhe metoda e studimit bëjnë që vepra e tij të konsiderohet ndër veprat e para historiografike shkencore në kulturën shqiptare. Bardhi megjithë zemërimin që i shkakton pretendimi i Marnaviçit, arrin të kontrollojë emocionin duke formuluar një përgjigje jo fort të lehtë që u shpreh në 76 faqe të shkruara, siç thuhet, për një kohë të shkurtër për 15 ditë, sigurisht pas një akumulimi më të gjatë argumentesh e dokumentesh.

Në krye të librit ndodhet kushtimi (f.3–5) pas të cilit vjen pasthënia (f.6–8) dhe pastaj lënda (f.9–76). Në Parathënie ai nuk mungon të vërë në dukje punën e vështirë dhe përgjegjësinë morale që të arrijë “që të qes para syve tu — i drejtohet ai lexuesit studioz — të vërtetën lakuriqë dhe të panjollosur sepse kjo s’ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura e të rreme”. Po në këtë parathënie është bërë edhe premtimi autorial “nuk do të pushoj të ndërmarr punëra edhe më të mëdha”, që ndërprerja e jetës në moshë të re nuk i la kohë t’i realizonte.

Tekstin e apologjisë e ndan në dy pjesë. Në pjesën e parë flitet për origjinën e familjes së Marnaviçëve, ndërsa në të dytën për origjinën e familjes së Kastriotëve. Ai në shqyrtimin e tezave fallso të Marnaviçit ka parasysh ato parime për të cilat është shprehur edhe në parathënie. Për të historia kërkon dhe mbështetet në dy parime themelore: në të vërtetën dhe metodën. Vepra e Bardhit dëshmon se ai i njeh po aq mirë sa të vërtetën e mbështetur në dokumente, po aq edhe metodën e polemikës që e përdor me mjeshtëri në veprën e tij të ngjeshur, jo voluminoze.

Mbështetur në dokumentacionin historik, ai arrin të dëshmojë se sa të paqëndrueshme janë tezat e kundërshtarit, siç janë: se familja e Marnaviçëve ka prejardhje të hershme perandorake, se familja e Marnaviçëve e ka fillin e origjinës së saj më tej se princat e Nisës dhe ajo ka lidhje me familjen e Gjon e Gjergj Kastriotit. Që të tre këto pretendime ai i kundërshton me argumente të nxjerra nga autorë të afirmuar, nga dokumente të gjurmuara në Analet e Venedikut e të Raguzës. Bardhi është shumë i informuar dhe ka një njohje të gjerë të letërsisë historike. Njeh mirë Barletin, historianë dhe kronikanë mesjetarë italianë, njeh mirë letërsinë e shkruar për Skënderbeun. Ai përmend Beçikemin, Volteranon, Kalkondilin, njeh veprat e shkrimtarëve si M. Sarrokit, riprodhon vjershë e një autori bashkëkohës J.J. Ricin botur po atë vit.

Në veprën e tij, siç kanë vënë në dukje edhe studiuesit, ai di të bëjë kritikën e dokumenteve dhe të mbajë qëndrim ndaj tyre. Në vepër përdor një stil e gjuhë të mprehtë, që varion në përputhje me argumentin që ka, duke e dëshmuar veten jo vetëm një historian të zotin, por edhe një shkrimtar të aftë. Ai nuk ka si të mos entuziascet kur vëren pasaktësi të rënda në pohimet e kundërshtarit. Ai shkruan: “Unë nuk mund të mos e admiroj autorin për gabimet e tij, me gjithë se na e heq veten si shumë të rrahur në gjuhën e vet dhe ka botuar edhe disa libra në gjuhën e tij amtare”. Është fjala për pasaktësitë që vëren Bardhi në riprodhimin e gjenealogjisë së familjes së Marnaviçëve.

Në pjesën e dytë Bardhi kërkon të mbrojë origjinën shqiptare të familjes së Kastriotëve. Ai arrin të dëshmojë se një diplomë e paraqitur nga Marnaviçi është fallso. F. Bardhi e hedh poshtë tezën e Marnaviçit se janë quajtur Kastriotë nga qyteti i Kosturit të Ohrit, të cilin ai e provon se nuk e ka pasur asnjëherë në zotërim Gjon Kastrioti. Për këtë sjell dëshmi nga disa historianë, midis tyre edhe nga Barleti. Ndërsa për diplomën shkruan: “mund të dyshohet jo pa arsye se kjo diplomë është shpikur”.

Por mendimi kryesor që kërkon të mbrojë Bardhi është për familjen, atdheun dhe origjinën e Skënderbeut për të cilat ai pohon “se familja e Kastriotëve ka ekzistuar në Shqip apo Arbëri” dhe se “Kastriotët nuk e kanë në asnjë mënyrë fillin e tyre nga i biri i Vukashin Marnaviçit”. Pennebeat Bartolomeo Dionizi që shkruante: “U shqua në kohën e tij Gjergj Kastrioti, arbëror…” ndërsa Joan Baptista Pianger (dijetar italian) shkruan: “Gjergj Kastrioti i mbijquajtur Skenderbe …pas betejës së Nishit (1443)… u tërhoq fshehurazi në atdhe, çliroi Krujën nga duart e turqve”.

Dëshmi e fuqishme për përkatësinë etnike të Skënderbeut janë sidomos vepra e M. Barletit, arkivat e Venedikut dhe të Raguzës, dijetarë e kronikanë si Saracini, Gardini, Kampanja, Orbini, Sabeliko etj., të cilëve Bardhi u referohet. Nga Barleti përmend luftërat e Skënderbeut në Apuli, fjalimin e Ferdinandit, nga Papa Piu II, përmend letrat e Skënderbeut me Princin e Tarantos për të arritur në përfundimin e vet “se me të vërtetë Skënderbeu ynë ka qenë si nga atdheu, si nga origjina epirotas apo arbëror, sepse dihet qartë se ka lindur në Krujë në qytetin më fisnik e më të fortë të Epirit”.

Për luftërat e Skënderbeut flet edhe Sansovini i cili thotë: “Ndërmjet popullit arbëror i cili luftoi me trimëri të rrallë kundër turkut ka qenë njeri, Zoti Skënderbe”. Bardhi citon e të tjerë që e quajnë Skënderbeun arbëror ose epirotas. Por ai mbështetet shumë në vetëdijen dhe kujtesën e kombit, çfarë i mungon J. Marnaviçit. Këtë ai e mbështet siç shprehet tek “mendimi i përgjithshëm i kombit tonë… dashuria e pabesueshme e epirotëve ndaj Skënderbeut sepse me siguri ata nuk do ta kishin dashur tejmasës sikur Skënderbeu të mos kishte qenë epirotas… sepse epirotët nuk luftojnë me qef nën një prijës prej kombësie të huaj… ata këndojnë me zë të lartë trimëritë e tij nëpër gostitë dhe e quajnë me emrin e shquar “Kulshdra e Arbërit”.

Dhe duke e ndjerë epërsinë e fituar në raport me kundërshtarin ai arrin në kulmin e apogesë së tij kur shkruan: “Në gabojnë tërë këta shkrimtarë të rëndësishëm e të dëgjuar, tërë këta princër të shkëlqyer e të shquar dhe gjithë këta mbretër të ndritur e të fuqishëm, në gabon mendimi i përgjithshëm i kombit tonë apo Tomku që punon për qëllimin e vet, këtë s’ka njeri që të mos e shohë”.

Pas argumentimit shkencor nuk e ke të vështirë të dallosh e të lexosh patriotizmin e zjarrtë të Bardhit që është shprehur që në parathënie se “unë nuk do të kisha mundur kurrsesi të shtyp dëshirën për të shkrojtur sepse veç po të doja të tradhëtoj veten time dhe atdheun tim”. Me këtë vepër sadoqë relativisht e vogël nga vëllimi por shumë me vlerë nga interpretimi dhe dokumentimi, ai e radhit veten jo vetëm për gjuhën që përdori, latinishten evropiane në veprën e vet, në vijim të traditës humaniste.

Me kultet e Rilindjes Evropiane që shfaq në vepër si admirimi i Skënderbeut, i antikitetit, me temën laik që lëvron ai me të drejtë meriton të quhet një zgjatje e humanizmit shqiptar në kohë. Frang Bardhi është nga figurat më të shquara të letërsisë së hershme shqiptare. Me fjalorin, gramatikën, me mbledhjen dhe botimin e lëndës folklorike me apologjinë e tij të famshme ai jo vetëm hapi udhë të reja në kulturën shqiptare, por dha modelin e një krijuesi humanist me integritet, identitet që zë një vend të veçantë në kulturën shqiptare.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.