XHAVIT HALITI – VIRTUAL DHE REAL

0
Kosova - territor i Serbisë - gazeta

Ibrahim-Miran Kelmendi

Qysh në vitin 1978, kur u njoha me preshevarin Hasan Kadria (nipin e veprimtarit veteran Ali Alia), e dëgjova ta përdorte një proverb: “mos u bë pushkë kur nuk je as pushkallë”. Ua thoshte atyre që krekoseshin pa pasur mbulesë. Këtë këshillë po ia jap edhe ish-bashkëveprimtarit Xhavit Haliti, i cili në këtë intervistë ngjau shumë me krekosjet arrogante të kryeUDBashit pejan Mehmet Loci.

Pjesëtarët e bandës komplotiste – Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi & Co – të penetruar në UÇK (ZPS-ja i ka akuzuar si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”), kishin përvijuar si praktikë: takimet gjatë luftës me diplomatë operativë dhe me kuadro të agjenturave të huaja i quanin vlera ekstra, duke spekuluar e gënjyer se ato kishin rëndësi të madhe pozitive për UÇK-në dhe për Kosovën. Njësoj shpërdorojnë edhe “krahu pacifist”, i cili krekoset me “turizmin politik” të Ibrahim Rugovës & Co (që bënin “vizita” në shtete të ndryshme, duke u shërbyer me pasaporta të Serbisë).

Për ata që nuk e dinë: deri më 23 mars 1999, krejt qeveritë e botës ishin pozicionuar kundër Luftës Çlirimtare të UÇK-së, dhe asnjëra nuk ishte për çlirim e pavarësim të Kosovës. Pra, as qeveritë e shteteve të Aleancës NATO. Të gjitha ishin të përcaktuara se Lufta Çlirimtare e UÇK-së duhej të ndërpritej – qoftë edhe me ndërhyrje ushtarake nga jashtë – dhe Kosova duhej të vazhdonte të mbetej nën Serbi, gjegjësisht në Jugosllavi (siç e quanin zyrtarisht Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Vojvodinën).

Xhavit Haliti Në kuadër të këtij përcaktimi, kuadrot operativë të qeverive të huaja, diplomatë e agjenturistë, ishin angazhuar, kush më shumë e kush më pak, për të shtypur kryengritjen e UÇK-së. Për këtë angazhim ata patjetër bashkëpunonin me kolegët e tyre serbë. Pikërisht aty ka zanafillën protagonizmi “ndërkombëtar” i Xhavit Halitit & Co, sepse kolegët serbë duhet t’i kishin udhëzuar kolegët e shteteve të interesuara për ta shtypur Kryengritjen që të komunikonin me pjesëtarët e asaj bande komplotiste, të cilën e kishin kompiluar (kombinuar) agjenturat serbe.

Besoj se ndokujt i intereson e vërteta se si ka ndodhur konkretisht penetrimi i Xhavitit & Co në UÇK, prandaj po ofroj informacion telegrafik.

Më 4 dhjetor 1993 kemi formuar Fondin Vendlindja Thërret (FVTH) dhe Sektorin e Rëndësisë së Veçantë (SRV). Ishte Këshilli i Përgjithshëm (KP) i LPK-së që kishte detyrim zbatimin e vendimeve të Mbledhjes së katërt të përgjithshme të LPK-së, e mbajtur në Prishtinë më 26–27 korrik 1993. FVTH obligohej të grumbullonte ndihma financiare për UÇK-në (të cilës ende nuk ia kishim konkretizuar emrin), ndërsa SRV duhej t’ia përcillte ndihmat financiare UÇK-së, por gjithashtu duhej të krijonte kontakte mes grupeve guerile që ishin formuar sidomos pas Mbledhjes së tretë (Ujmirë, 4 tetor 1991), sepse edhe ajo mbledhje kishte vendosur formimin e guerilës çlirimtare.

Për udhëheqës të FVTH patëm zgjedhur Musa Xhaferrin, ndërsa për SRV u vendos që Kryesia e KP të caktonte tre veta, për shkak të ndjeshmërisë (konspiracionit). Kryesia caktoi Ali Ahmetin, Azem Sylën dhe Xhavit Halitin. KP vendosi që secili anëtar i LPK-së në emigracion ta kishte detyrim të paguante 1000 SFr / 1000 DM në vit (përveç anëtarësisë nga 50 DM në muaj), që do t’i dërgoheshin UÇK-së.

Në mbledhjen e 17 nëntorit 1994, Kryesia e KP vendosi për emërtimin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe miratoi formimin e Shtabit Qendror (SHQ) me koordinator Nait Hasanin dhe anëtarë Xheladin Gashin, Rexhep Selimin dhe Sokol Bashotën. Po në atë mbledhje u vendos të publikoheshin komunikatat për të informuar publikun se aksionet i kishte kryer UÇK-ja; publikimi nisi nga nr. 11, për të lënë të kuptohej se 10 komunikatat e para (interne) i përmbanin aksionet e guerilës deri atëherë.

Në vitin 1996 u informuam se UÇK-së në Kosovë nuk i dërgoheshin pothuajse asnjë qindarkë nga FVTH për nevoja elementare, armë e municion. Fatkeqësisht Kryesia e KP e LPK-së vazhdonte t’i besonte SRV-së, meqë ata tre veta ishin njëherësh edhe anëtarë të Kryesisë.

Në mars 1998, pas Epopesë së Jasharëve në Prekaz, edhe anëtarët më skeptikë të Kryesisë u bindën se UÇK-në ajo epope e kishte gjetur të përtokur, pa asnjë lloj komande qendrore. Kryesia vendos ta shpërbën SRV-në dhe rolin e Shtabit Qendror ta ushtronte vetë Kryesia, sepse nga janari 1997 ishte shpërbërë (edhe pse edhe më parë kishte qenë vetëm improvizim). Kryesia, tashmë e vendosur në Tiranë (në Selinë e Lidhjes së Shkrimtarëve), vendosi që financat e FVTH të dorëzoheshin vetëm në Kryesi, e jo vetëm te Xhavit Haliti si më parë.

Ky vendim bëri që Xhavitit t’i “thyenin arrat” edhe me shokët e tij të ngushtë (Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Gafurr Elshani; Fazli Veliu, kryetar, dhe Muhamet Kelmendi, nënkryetar ishin vetë dekor i “celulës” konspirative të Xahvitit, Emrushit, Aliut, Gafurrit). Ai i kërcënoi se do t’i dëbonte apo arrestonte Policia Shqiptare, nëse nuk largoheshin vetë nga Shqipëria. Kjo ndodhi në javën e dytë të prillit 1998 (ku rastisi të isha edhe i pranishëm). Pas këtij kërcënimi, anëtarët e asaj Kryesie ikën nga Shqipëria.

Për shkak të atyre komploteve u detyruam të mbanim Mbledhjen e 6-të të LPK-së më 2 maj 1998. Në Kryesinë e re nuk u zgjodh asnjë pjesëtar i bandës së Xhavitit & Co, por u zgjodhën tre marioneta të tyre: Agush Buja, Bardhyl Mahmuti, Jashar Salihu. Kundër asaj bande ishim Ali Ahmeti, Sejdi Gega dhe unë, ndërsa kryetari Bedri Islami simulonte neutralitetin. Kështu, Kryesia e re nuk arriti të zbatonte vendimet as të Mbledhjes së 6-të, as të Komisionit hetimor për akuzat që Hashim Thaçi ngriti në Mbledhje të 6-të (edhe pse ishte futur kontrabandë si pjesëmarrës, pa të drejtë statutore).

Që nga ajo kohë Xhaviti nuk kishte funksione operative as në LPK, as në UÇK, sepse nuk ishte më anëtar i Kryesisë, as në SRV e SHQ (të dyja të shpërbëra). Ai nuk kishte funksion “zyrtar” deri në nëntor 1998, kur u improvizua Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së (edhe pse Jakup Krasniqi kishte plasuar dezinformatë publike se SHP e kishin formuar me 10 qershor 1998. Atëherë banda e komplotistëve futi njerëzit e vet në SHP, sepse i kishin ndihmën e agjenturave armiqësore – nga Shqipëria deri në SHBA – që po koordinonin shtypjen e Kryengritjes së vegjëlisë çlirimtare, e cila ishte vetorganizuar në Kosovë nën akronimin UÇK. Prandaj më neverit kur Xhaviti thotë se i ka “autorizuar” Bardhyl Mahmutin, Jashar Salihun e Ramadan Avdinë të takonin Gelbardin e SHBA-ve në Gjenevë, ose kur Bardhyli thotë se “më autorizoi Xhaviti”. Në verën e vitit 1998 Xhaviti nuk kishte asnjë përgjegjësi zyrtare!

Po ua rikujtoj edhe atyre që simulojnë sikur nuk e dinë:

Departamenti i Shtetit i SHBA-ve qysh në shtator 1998 ishte përcaktuar konkretisht për ta shtypur Kryengritjen Çlirimtare në Kosovë. Këtë e bëri përmes Christopher R. Hill-it, atëherë ambasador në Shkup. Ai e publikoi platformën e DASH-it në gazetën Koha Ditore, më 17 shtator 1998. Teksti ishte konceptuar si projekt-statut që përcaktonte nivelin e autonomisë së Kosovës në kuadër të Serbisë, i sistemuar në 10 kapituj me pika të detajuara. Pra, ai ishte qëndrimi zyrtar i SHBA-ve, jo “bisedat” në “takime” që kishin pjesëtarët e bandës komplotiste duke “përfaqësuar” UÇK-në.

Qysh pas publikimit të kësaj platforme, diplomacia operative dhe agjenturat u angazhuan konkretisht për shtypjen e Kryengritjes së UÇK-së, duke shpërdoruar edhe marionetat e infiltruar në “kreun” e saj. Në janar 1999, konkretizimi u ngrit në nivel ministrash në konferencë në Londër, duke përfunduar në organizimin e Konferencës “ndërkombëtare” të Rambujesë në Francë (6–23 shkurt 1999), me përfshirjen edhe të Rusisë si bashkë-koordinatore.

Agjenturat dhe diplomatët operativë të SHBA-ve, BE-së dhe Rusisë e kompiluan delegacionin e shqiptarëve të Kosovës për “përfaqësim” në atë konferencë. Në fillim të saj, RDB-ja dhe DGSE-ja serbofile franceze imponuan Hashim Thaçin kryetar të delegacionit shqiptar. Po ato dy agjentura e urdhëruan Thaçin të mos nënshkruante marrëveshjen më 23 shkurt 1999, meqë Millosheviqi ishte kundër, prandaj faji duhej të barazohej mes Kosova shqiptare dhe Serbisë serbe.

Fatmirësisht, me 23 mars 1999, pozicionimi i “ndërkombëtarëve” ndryshoi për 180 shkallë, sepse fashistoidi Millosheviq e refuzoi përkrahjen e organizuesve të Konferencës së Rambujesë!

Kujt i interesojnë informata plotësuese, përgjigjem nëse i di.

* * *

Si ilustrim po paraqes faksimilet e platformës amerikane, të publikuar edhe në shqip në Koha Ditore, më 17 shtator 1998.

Për ata që duan ta ndjekin intervistën e djeshme të Xhavit Halitit (nga minuta 17 e videos):

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.