Poezi:
Safet Sadiku
Filozofia politike!
Në sheshin e mendjes
ngrihet si statujë e padukshme
me duar që masin peshën e drejtësisë
dhe sy që shohin përtej kufijve të ligjit
Ajo flet në gjuhë të dyfishta:
njëra palë e ndërtuar nga ëndrra!
tjetra nga hekur i ftohtë i pushtetit!
Në tryezën e saj
urdhrat dhe idealet
ndeshen si shahu
ku mbreti ecën ngadalë
por këmbët e ushtarit
ndezin kryengritje
Në zemrën e saj
ka gjithmonë një pyetje
që asnjë kuvend nuk e voton
por pyetjen e shtron:
“Cila është liria që nuk blihet
dhe kush e ruan në heshtje
kur të gjithë flasin me zë të lartë?”
Oborri i pushteteve!
Në oborrin e pushtetit
ku llambadarët digjen
vetëm për salltanet
me politikën e pushtetit
ajo drejtësia endet
si hije e harruar
me libra të pluhurosur
nën sqetull…
Pushtetarët kalojnë
andej e lëndej koridoreve
me xhepat të mbushur
plot premtime të rreme
dhe nuk e shohin
as dritën diellore
sepse sytë e tyre
janë ngjitur
me arin e tavolinës…
Madhështia e injorancës!
Në karriget e larta
pushtetarët bëjnë prova
për role të mëdha
njëri mban kurorë kartoni
tjetri flet me zë
që nuk dëgjon askush
të tretit i ikën fjala nga goja
si pulë që s’di nga fluturon.
Përsëri qytetarët janë
publiku i harruar
bileta nuk iu jep askush
vetëm faturat e dritës dhe ujit.
Në mes shfaqjes
filozofia politike hyn
si argat i bezdisshëm
pyet për drejtësi
pyet për liri
por aktorët e mëdhenj
mbyllin veshët,
sepse nuk ka vend
në skenar për pyetje
Dhe kështu mbaron drama
me duartrokitje të regjistruara
ku pushtetarët i përkulen vetes
ndërsa populli del nga salla
pa asnjë fjalë
veç me një të qeshur
të hidhur që s’harrohet lehtë.
Ende po rrinë!
Qytetarët rrinë…
Ata po presin ende
pas portave të mbyllura
si tinguj që nuk dëgjohen
në orkestrën e shtetit
Ata presin
një fjalë të thjeshtë
dhe dëgjojnë
vetëm zhurmën
e duarve që numërojnë
vota e monedha…
Filozofia politike
pyet me zë të hollë
që përshkon muret:
“Ç’është një qeveri
nëse jo shërbim?
Dhe kush është
mbretëror nëse nuk e njeh
fytyrën e popullit?”
Por përgjigjja humbet
si shigjetë në mjegull
sepse pushteti kur
verbohet i kthen
qytetarët në hije,
e cila mbjell heshtjen
dhe heshtja bëhet ligj…