Replikë me ish-mikun tim, shkrimtarin e politikanin Ben Blushi

4
Ben Blushi
Adriatik Dosti
Adriatik Dosti

Adriatik Dosti

Më tërhoqi fort vëmendjen sot një shkrim i gjatë i Blushit, postuar në faqen e tij në Facebook me titullin: “E pse qenka i ndershëm Albin Kurti…”.

Të them të drejtën, shkrim më të poshtër të një shqiptari të Shqipërisë ndaj një shqiptari të Kosovës nuk kisha lexuar deri më sot.

Sapo e mbarova së lexuari këtë pacavure, që do të ketë çuar në ekstazë dy armiqtë e betuar të Kosovës – dhe veçmas të Kurtit – Vuçiçin në Beograd dhe Ramën👇


Më tërhoqi fort vëmendjen sot një shkrim i gjatë i Blushit, postuar në faqen e tij në Facebook me titullin: “E pse qenka i ndershëm Albin Kurti…”.

Të them të drejtën, shkrim më të poshtër të një shqiptari të Shqipërisë ndaj një shqiptari të Kosovës nuk kisha lexuar deri më sot.

Sapo e mbarova së lexuari këtë pacavure, që do të ketë çuar në ekstazë dy armiqtë e betuar të Kosovës – dhe veçmas të Kurtit – Vuçiçin në Beograd dhe Ramën në Tiranë, s’më hiqeshin nga mendja fjalët e arta të Konicës: “E keqja më e madhe shqiptarit i vjen pikërisht nga shqiptari”; po ashtu edhe ai pohim tronditës i At Zef Pllumit në librin “Rrno për me tregue”, ku mes dhimbjes pyet: “Si ka mundësi që një vend kaq i vogël sa ky i yni të prodhojë kaq shumë rrugaçë?”

Dhe meqenëse kishe shkruar aq gjatë për të na bindur se Albin Kurti nuk është askund i ndershëm, po të përgjigjem më shkurt – jo si avokat i kryeministrit të Kosovës, por si një shqiptar i ndershëm, patriot, atdhetar, nacionalist, demokrat, antikomunist dhe si një penë që kurrë nuk e ka konceptuar Shqipërinë veçmas pa Kosovë e Çamëri.

Albin Kurti, o Blush, është minimumi më i ndershëm se ti – në të gjitha drejtimet, e veçanërisht si shqiptar dhe si politikan – për 1001 arsye:

Është i ndershëm sepse deri më sot është i vetmi politikan shqiptar që i ka treguar vendin kriminelit serb Vuçiç.
Është i ndershëm sepse i ka vënë kufirin tek thana antishqiptarit Edi Rama, duke mos e lënë të fusë hundët në punët e Kosovës.

Është më i ndershëm se ti e se ju, o Blush, sepse Albini dhe populli i tij e duan bashkimin kombëtar, ndërsa ju vdisni për përçarjen kombëtare. Albini është shërbyes i vendit të tij, ndërsa ju keni lindur dhe do të vdisni këlyshë e shërbëtorë të serbit e grekut.

Është më i ndershëm se ju sepse e do me gjithë zemër vendin dhe popullin e vet, ndërsa ju prej kohësh e keni tradhtuar, shitur dhe vjedhur Shqipërinë, duke i përzënë dita-ditës shqiptarët nga atdheu i tyre.

Është i ndershëm sepse po bën shtet, ndërsa ju e shndërruat Shqipërinë në xhungël.
Jo gjithmonë Amerika ka të drejtë, o Blush. Këtë e pohojnë edhe vetë amerikanët, kur thonë se Amerika nuk ka as miq e as armiq – ka vetëm interesa. Apo kur pranojnë se ta kesh Amerikën mike është e frikshme, por ta kesh armike është e tmerrshme.

Dhe jam i sigurt se edhe ti vetë i di këto, por soji yt është gatuar i tillë që as guxon t’i mendojë e jo më t’i thotë publikisht. Se po linde në frikën e lepurit – lepur do vdesësh.

Albini, o Blush, është i ndershëm sepse nuk ka vilë në Dardhë si puna jote, as llogari bankare të fshehura në emrin e gruas – si rasti yt.
Është më i ndershëm se ti sepse nuk ka ndërruar 100 parti politike, siç ke bërë banalisht ti.
Është i ndershëm sepse nuk është hajdut, si 90% e kolegëve, shokëve e miqve të tu, veçanërisht politikanë.
Është i ndershëm sepse ka zhveshur publikisht, lakuriq, banditët e politikës kosovare: hajnat e të korruptuarit M. Krasniqi, Limajn, Pacollin, Hotin, Thaçin, Mustafën, Abdixhikun, e veçmas injorantin Ramush Haradinaj.

Është i ndershëm sepse u ka hedhur në fytyrë publikisht patriotizmin e tyre fals dhe filo-amerikanizmin qesharak të Isa Mustafës, Thaçit, Ramushit, A. Hotit e plot të tjerëve dhjeramanë të politikës kosovare.

Është i ndershëm sepse që në fillim nuk pranoi atë lloj gjykate që donin t’ia impononin ndërkombëtarët, ku viktima dënohet më shumë se krimineli.

Është i ndershëm sepse kurrë s’ka qenë pjesë e bandave kriminale që gjatë luftës e pas saj nisën të vrasin shokët e tyre – ndaj edhe sot, me të drejtë, janë në Hagë.

Është i ndershëm sepse kurrë nuk ka ndërmend të pranojë Asociacionin që duan aq fort edhe amerikanët, sepse – ta them troç, o Blush – kjo do të thotë krijimi i një “Republika Srpska” të dytë në territorin e Kosovës, dhe rasti i Bosnjë-Hercegovinës nuk ka nevojë për koment.

Është i ndershëm sepse kërkon, si askush tjetër më parë, njohjen e Kosovës nga Serbia si kusht kryesor për vazhdimin e dialogut dypalësh.

Është i ndershëm sepse kërkon barazi të plotë në çdo tryezë e raund bisedimesh me Serbinë dhe ruan me fanatizëm dinjitetin e vendit dhe të popullit të tij – edhe kur kjo nuk u pëlqen BE-istëve e atlantikasve.

Është i ndershëm sepse ktheu normalitetin në Mitrovicë e në krejt Veriun e Kosovës, edhe pse u përplas me lloj-lloj poshtërsish tipike serbe e ndërkombëtare.

Është i ndershëm sepse i nxori lakuriq, me harta e thika në duar, ata që bënin pazare për ndarjen e territoreve të Kosovës: Vuçiçin, Ramën, Macronin e Batonin.

Është i ndershëm sepse po i vë në bankën e të akuzuarve ata që shitën tokat e Kosovës Malit të Zi – me Ramushin në krye.

Është i ndershëm sepse ua plasi bombën në dorë serbëve dhe ndërkombëtarëve në rastin kriminal të Banjskës.

Është i ndershëm sepse, përkundër ndërkombëtarëve dhe fatkeqësisht edhe amerikanëve, kërkon reciprocitet në çdo gjë me Serbinë.

Është i ndershëm sepse denoncoi i pari publikisht marrëveshjen fallco të Washingtonit, imponuar nga presidenti amerikan Trump e firmosur nga Vuçiç e Hoti.

Është i ndershëm sepse e thotë qartë: “Si ka mundësi që Amerika t’i shpallë antiamerikan kombin dhe popullin më pro-amerikan në botë?”

Është i ndershëm sepse është kundër asaj që kërkojnë amerikanët dhe ndërkombëtarët që po i servilosen kaq frikshëm Serbisë – “mirënjohjes së lirisë me litar në grykë”.

Është i ndershëm sepse, kur Rama priste me tapet të kuq në mes të Tiranës kriminelin serb Vuçiç, kryeministrit të Kosovës i mbyllte dyert dhe i thoshte se “bashkë s’kemi më për çfarë të flasim”, pa iu qurravitur e pa u ulur në gjunjë, dhe për burrni nuk e shiti kurrë në pazar – siç Rama e meritonte.

Është i ndershëm sepse palaçove e karagjozëve të BE-së, që prej dekadash luajnë me fatet e kombit dhe popullit tonë, u ka treguar vendin – edhe pse sanksionet e “miqve tanë” ndaj Kosovës dhe ndaj vetë Kurtit janë më të ashpra se ato ndaj Rusisë agresore.
Është, së fundmi, më i ndershëm se çdo soj, lloj e racë juaja, o Blush, sepse e rrëzuan një herë me një grusht shteti tipik amerikan – nga fundërrinat e tipit Grenell – dhe populli i Kosovës e rivotoi sërish, edhe më fort, për ta pasur në krye të qeverisë së vet.

Të duhen arsye të tjera, o Blush, për t’u bindur pse Albin Kurti qenka kaq i ndershëm? Flas në përgjithësi, krahasuar me racën dhe llojin tuaj. Sepse, po ta krahasoja veçmas me ty, ai është – ehuuu, ku e ku – më i ndershëm sesa guxon të mendosh edhe ti vetë, qoftë edhe në ëndrrën tënde me kokë krisur.

A.R.D


Replika e Ben Blushit

Adriatik,

Dikur ishe në krahun tim kur ky vend po digjej dhe natyrisht nuk e harroj dot që, megjithëse merreshe me sport, njësoj si ne të tjerët e konsideroje “sport” antikombëtar qeverisjen e viteve 1996-1997.

Flas për kohën kur ti ishe gazetar te Koha Jonë dhe unë isha kryeredaktor. Që atëherë kam ruajtur një mendim të mirë për karakterin tënd të hapur, të çiltër dhe solidar. Ti ishe gjithmonë i qeshur kur ne ishim të ngrysur; gjithmonë i dashur kur ne ishim të ftohtë.

Prandaj u habita kur më je drejtuar si “ish-mik”. Nuk e di pse mund të jem “ish-mik” i një miku të dikurshëm. Por, kur lexova çfarë ke shkruar më poshtë, e kuptova: mesa duket, për të më fyer rehat, siç edhe ke bërë duhej të krijoje pak distancë. Është si ata që marrin pak hov për të thyer xhamin e dikujt me gurë: duhet të marrësh vrull që ta çosh topin në rrjetë. Këtë ke bërë edhe ti, edhe pse, në portën time, nuk e ke shënuar dot golin. Ke dalë huq. Ja pse.

Ajo që nuk kuptoj nga shkrimi yt janë dy gjëra.

Së pari, ku e gjen këtë vrull për t’u marrë me sojin, sorollopin, familjen, racën time etj.?

Kjo nuk është as burrërore, as e drejtë. Soji, raca dhe familja ime njihen prej katër brezash që i kanë dhënë këtij vendi kulturë, libra, alfabet, shkencë, filma, letërsi, poezi, romane dhe, mbi të gjitha, kurajë e shpresë, siç e ke parë edhe ti, nga afër, tek unë: një djalosh 28-vjeçar që në vitin e tmerrshëm 1997 drejtoja gazetën më të madhe të vendit mes plumbave. Mjafton t’ua tregosh njerëzve çfarë kemi bërë në 1997 dhe nuk ke pse merresh me “rracën” time.

Edhe sikur të ishte ndryshe, rraca dhe soji nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e askujt. T’i përmendësh dikujt sojin është e ulët dhe, si ish-kryeredaktori yt, unë nuk do ta kisha botuar kurrë një shkrim të tillë për arsye etike. Komunistët akuzonin njerëzit nga soji, por ti e konsideron veten antikomunist nuk mund të marrësh veset e tyre.

Së dyti, nuk kuptoj thelbin e shkrimit tënd: më krahason me Albin Kurtin, duke thënë se ai është më i ndershëm se unë.

Adriatik, ti e di që unë nuk kam qeverisur asnjë ditë as Kosovën, as Shqipërinë, ndaj nuk kam pasur mundësi t’i bëj dëm asnjërës. Ndërsa Albini, prej pesë vitesh në pushtet, me kokëfortësi ka shkatërruar marrëdhëniet e Kosovës me krijuesit e saj me BE-në dhe SHBA-në. A të duket normale kjo?

Pra, krahasimet që bën nuk më takojnë. Unë nuk kam takuar kurrë Vuçiçin, nuk kam shitur detin, nuk kam dhënë koncesione apo tendera, nuk kam ndryshuar ligje për miqtë e mi, as kam bërë ndonjë nga gjërat që mund t’i kenë bërë qeveritë shqiptare ku unë nuk kam qenë.

Besoj se e di – siç e di kushdo – që u largova në mënyrë demonstrative nga PS pas 20 vjetësh, kur ajo parti u mbush me banditë dhe rrugaçë, me të cilët jam përballur publikisht.

E di se në Kuvend kam mbajtur mbi 100 fjalime kundër partisë ku bëja pjesë dhe qeverisë së saj. Deri sot nuk kam parë askënd të flasë në atë mënyrë as nga brenda PS-së, as nga opozita, e cila ende sot përdor idetë e mia, edhe pse i artikulon keq. Pikërisht për këtë arsye ika, sepse idetë e mia për vendin nuk përputheshin më me metodën e qeverisjes së asaj kohe.

Për këtë shkak krijova një parti të re, Libra. Për gjashtë muaj ajo mori 20 mijë vota, por sistemi zgjedhor nuk më lejoi të hyja në Kuvend (flasim për vitin 2017). Me ato vota sot do të kisha një mandat e gjysmë. Kur provova me fakte që PS dhe PD më kishin masakruar votat në bashkëpunim, i çova në prokurori; kur pashë që nuk ndodhi asgjë, u tërhoqa nga politika aktive dhe vendosa të shkruaj libra – siç po bëj ende – dhe të punoj për të mbajtur familjen time, si çdo burrë tjetër.

Që atëherë shkruaj herë pas here mendimet e mia, edhe për Kosovën, duke kërkuar me çdo kusht bashkimin e saj me Shqipërinë – projekt që besoj se Albin Kurti e ka dekurajuar.

Ti thua se kam ndërruar shumë parti. Kjo nuk është e vërtetë: kam qenë vetëm në dy. Në PS ku ika kur shkrimtarët u zëvendësuan me banditë (skena publike, të dokumentuara në Elbasan, i gjen në YouTube) dhe në Libra, nga e cila dhashë dorëheqjen si kryetar kur nuk morëm rezultatin e dëshiruar.

Kjo është, pak a shumë, jeta ime politike dhe asnjë nga akuzat që ngre nuk më takon. Në 33 vitet e fundit kam qenë pjesën më të madhe të kohës gazetar, shkrimtar dhe opozitar – siç më ke njohur që në fillim.

Kaq për mua, Adriatik.

Besoj se më detyrohesh një ndjesë për gjërat e pavërteta që ke sajuar. Shiko çfarë ke bërë, që ta kuptosh në gjuhën sportive: ke akuzuar për gabimet e skuadrës një njeri që rri në tribunë e thotë pse skuadra nuk po luan mirë. Edhe sikur unë të kem gabuar, nuk kam faj pse nuk bëhet gol. Prej shumë kohësh, Adriatik, unë nuk jam më në fushë.

Edhe diçka: mos beso shpifjet që mund të kesh dëgjuar për mua. Është njësoj si të komentosh një ndeshje nga shtëpia pa e parë: dikush të thotë se u bë gol, ti e thua në radio, por në fakt nuk ka qenë gol sepse gazetarin e ka mashtruar dikush tjetër. Ti je gazetar i vjetër dhe nuk duhet t’i bësh këto gabime.

Të përshëndes,

Miku yt, Ben Blushi


Replika e dytë e Adriatik Dostit:

Ben Blushi hahaha pas shkrimit ndaj Albinit gjete kohe qe te besh edhe kete koment – shkrim ndaj meje. Ti qofsh. E di pse te them ish mik ? sepse qe kur ti vendose te merreshe me politike dhe fatkeqesisht pro krahut te piset e antishqiptar te saj… rruget tona u ndane perfundimisht. Politikes ti personalisht ja pe hajrin bajagi fort mire kur thone shkodranet.

Mos i harxho baterite kot me mua o Blush se te duhen per shkrime te tjera te tuat me porosi e pagese ok…Une c’ kisha per ti thene ti kam thene publikisht dhe jam mese i sigurte se jo 100 % jam i sakte e korrekt por minimumi mbi 110 %… pa te rene kerkund ne qafe. Ne respekt te lexuesit te rekomandoj qe tu hedhesh nje sy edhe komenteve pa fund poshte shkrimit tim replike me ty…

Te siguroj se shume nga komentuesit nuk jane njerez do si do dhe te njohin ndoshta po aq sa edhe une. Me erdhi mire qe brenda koment – shkrimit tend per mua kishte edhe ”nostalgji” …sport, humor por edhe pak cinizem tipik alla Ben Blushi. Te siguroj se jam e mbetem ai qe kam qene e po ai Tik Dosti qe ke njohur ti nga afer ne vitet 90…nuk kam ndryshuar kerkundi …ok….vecse jam bere edhe me shume patriot dhe me i pergjegjshem per fatet e kombit e te popullit tim…kjo fale ndoshta edhe ndjeshmerise qe shkakton edhe emigracioni i dhimbshem e fatkeqesisht i gjate e i pa deshiruar prej kerkujt.


Për shkrimin e Blushit, Alma Lama tha në FB: Pika mbi i!

PSE QENKA I NDERSHËM ALBIN KURTI?

Nga Ben Blushi, 13-09-2025

Para kosovarëve shumë popuj kanë patur fatkeqësinë të drejtohen nga një njeri i papërshtatshëm.

Ka qëlluar që kryeministrat janë të paaaftë siç është Albini, mund të jenë të dëmshëm siç është Albini, mund të jenë të dhunshëm siç është Albini, mund të jenë pa ide siç është Albini, mund të jenë të mërzitshëm siç është Albini, mund të qëllojnë demagogë siç është Albini, mund të jenë poetë të dështuar siç do donte të ishte Albini, mund të jenë delirantë siç është Albini.

Të gjitha këto kanë ndodhur dhe do ndodhin.
Mirëpo popujt e gjejnë zgjidhjen.
Ata i zbojnë Albinëët nga qielli i tyre njëlloj si korbat.

Kur e kuptojnë se korbat nuk ikin, popujt largojnë ushqimin e tyre kryesor : insektet.
Prandaj them se ikja e Albinit nuk është më diçka që i duhet lënë atij në dorë.
Albin Kurtit i duhet hequr ushqimi.

Ikjen e Albinit e kanë në dorë ata që e krijuan Albinin : qytetarët e Kosovës.
Përveç shumë dëmëve që i ka bërë vendit të vet, Albin Kurti do mbahet mend se krijoi një lidhje fatale mes fjalës sekt dhe insekt.
Ai ka krijuar një albinsekt.

Albinsektet janë ushqimi i Albinit, ata e mbajnë të ndezur zemrën e tij të shuar, ata ia tundin krahët kur nuk fluturon dot, ata ia hapin sqepin kur duhet të kafshojë, ata ia ngarkojnë flatrat e urrejtjes me gurë, ata e shërojnë kur ai plagoset, ata ia pastrojnë kthetrat kur ai nxjerr sytë, ata qeshin kur ai nuk ka cipë, ata ia rrahin rivalët me rrip, ata e quajnë hero meqë flet shqip, ata e çojnë nga rënia në gropë, ata nuk ndahen kur ai bëhet copë.

Por sot është dita që dhe albinsektet të bëjnë një bilanc.

Çfarë ka bërë Albin Kurti për pesë vjet?

Aktualisht në Evropë nuk ka asnjë shoqëri më depresive se Kosova.
Të varfërit po varfërohen, të pasurit po rrallohen.
Mijëra njerëz ikin çdo ditë.
Bizneset po mbyllen.

Ekonomia është rrudhur dhe prodhimi është pakësuar.
Papunësia është më e larta në rajon.
Investime publike nuk ka.
Investimet e huaja janë një koncept i panjohur.

Bizneset e Kosovës po emigrojnë në Shqipëri.
Elita gjithashtu.
Parlamenti ka shtatë muaj jashtë funksionit.

Qeveria nuk formohet dot dhe Albin Kurti është një kryeministër me mandat të skaduar.
Marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën janë në pikën më të ulët.
Me vendimin e djeshëm Amerika e ka shpallur Albin Kurtin de fakto non grata.

Raportet me Evropën janë të bllokuara prej dy vitesh.
Kosova është nën embargo.
Marrëdhëniet me Shqipërinë janë më keq se në kohën e Jugosllavisë.
Kufiri është i hapur, por shpirti është i mbyllur.
Njerëzit takohen, por Albin Kurti i ndalon të duhen.

Administrata albinsekte e shtetit të Kosovës është kthyer në një agjensi anti-Shqipëri.
Ajo ndot plazhet dhe i tremb turistët duke i çuar në Greqi.

Që kur e njoh Kosovën nuk kam parë kurrë një sentiment më të fortë kundër shqiptarëve të Shqipërisë se sa sot.

Nga një parti e themeluar kundër Serbisë, Vetëvendosja e Albin Kurtit është kthyer në një parti kundër Shqipërisë.

E megjithatë kur ia bën këtë bilanc disa njerëzve në Kosovë ata thonë po ke të drejtë, të gjitha janë të vërteta, por Albin Kurti është i ndershëm.

Unë kam një pyetje për të gjithë kosovarët.

E pse qenka Albin Kurti i ndershëm?

Si mund të jetë i ndershëm një njeri që e fut vendin e vet në konflikt me Amerikën?

Si mund të jetë i ndershëm një njeri që ka arritur të fusë vendin në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian njëlloj sikur të ishte Rusia e Putinit?

Si mund të jetë i ndershëm një njeri që kërkon të qeverisë kur nuk ka fituar?

Si mund të jetë i ndershëm dikush që dështoi 50 raude parlamentare duke kërkuar diçka që nuk i takonte?

A mund të jetë i ndershëm dikush që refuzon të dëshmojë në prokurori siç bëjnë sa herë ju kërkohet 2 milion qytetarët e atij vendi?

A mund të jetë i ndershëm një njeri që kundërshton vendimet e gjykatave?

A mund të jetë i ndershëm një njëri i cili, që nga dita që ka ardhur në pushtet nuk i ka shtuar asnjë njohje shtetit të vet?

A mund të jetë i ndershëm dikush që ushqen me dashje akuzat e gjykatës së Hagës për ata që çliruan Kosovën?

A mund të jetë i ndersëhm dikush që përdor fenë për vota?

A mund të jetë i ndershëm një njeri që ka shkatërruar mijëra vende pune?

A mund të jetë i ndershëm një njeri që beson se rritja ekonomike është pasurim i padrejtë?

A mund të jetë i ndershëm dikush që e përdor varfërinë për pushtet?

Ne shqiptarët kemi disa shembuj të ndershmërisë politike.

Po marr një rast klasik.

Një pjesë prej nesh, besojnë se Enver Hoxha ishte i ndershëm.

Ata thonë se ai nuk i vidhte taksat e popullit, nuk kishte prona, nuk kishte vila dhe pasuri, megjithëse i fuste kundërshtarët në burg, megjithëse ia mori të gjithëve pronat,megjithëse kolektivizoi lopët,megjithëse ne hanim një racion mish në muaj dhe megjithëse kur vdiq e la Shqipërinë vendin më të varfër në botë dhe më të izoluar,në konflikt me Evropën, Amerikën Rusinë dhe Kinën.

Pavarësisht të gjithave, thonë disa, Enver Hoxha ishte burrë i ndershëm sepse nuk e vidhte lapsat me të cilët firmoste varjen e njerëzve në litar.

Pra një njeri që i la të gjithë pa gjë, quhet i ndershëm meqë vetë nuk mori asgjë.

Ky është koncepti i disa kosovarëve sot për Albin Kurtin.

Ata besojnë se ky njeri nuk e vjedh printerin e vendimeve të dëmshme që merr.

Unë do preferoja më mirë një njeri që e shpërdoron bojën e printerit, bashkë me printerin, por nuk na fut në sherr me shtypshkronjën e demokracisë : me Amerikën.

Prandaj duke njohur disi Kosovën, them se problemi aty nuk është opozita, problemi është pjesa albinsekte e shoqërisë kosovare që beson se duke e ushqyer korbin me flutura do ta shndërrojnë në shqiponjë.

Albin Kurti e humbi mundësinë të bëhet shqiponjë sepse nuk u ngrit asnjëherë në atë lartësi.

Ai është një korb që do vazhdojë të ushqehet me insekte, duke vrarë fluturat e shpresës.

Shpresoj jo edhe për shumë kohë.

4 KOMENTE

  1. Të lumt Z. Blushi për shkrim mjaft të mirë e faktik. Nga e keqja e Albinit do të vuajm gjat ne shqiptaret në Kosovë. Ati kur ti bëhet boll ik në Norvegji ose Greqi. Në Kosovë asgje nuk është transparente. Shkrimi i Blushit na ka kthjell mendjën kush i ka edhe dy kokrra mend.

    Shënim: Po reagimi i Adriatikut a të pëlqeu?! Se tregon kush është Albini e kush është Beni? /AÇ

    • Milazim miku, pershendetje!

      E lexova e rilexova tere tekstin, reagimin e Adriatikut dhe komentin tend.

      Me vjen keq qe po te them por me e përkrah Ben Blushin eshte si me ia dhene shtagen budalles apo, me shkua pas mizave (ato te çojne ne WC-e)

      Diten e mirë!

  2. Lexova REPLIKAT midis z. Adriatik dhe z. Benit, poashtu edhe komentin e z. Milazim dhe pyetjen që bën z. A. Çokaj dhe po jap këto mendime:

    1. Gabim i madh quhet kur njëni bën një gabim, për të cilin të gjthë thonë se e ke gabim, dikur edhe ky vet e pranon se ka bërë gabimin, por NUK pranon që gabimin ta korrigjojë;

    2. Një grimë drite e zhdukë errësirën, e po të ndezën reflektorët e krejt botës, DITËS nuk ia shtdojne DRITËN!

    Besoj se i kuptoni!?

    P.S: z. Milazim, z. Kryeminstër nuk i ka bëre KURRFARË të keqe asksujt, e as Ty!
    Pse nuk u përgjigje në pyetjen e /AÇ?

  3. Shumë i nderuari Z Arben Çokaj

    Shkrimim e Z. Adriatik nuk e komentova me qëllim, se sa e kuptova ishte ma tëpër një ofendim së përgjegje e shkrimit të Z. Blushi dhe kam mendu se vet Z. Blushi do të reagon.
    Replika e z. Ben Blushit për z. Adriatik Dostit dhe anasjelltas kishte nivel, kur dy ish miq i thej mendimet përmes letrave.
    Unë Z. Blushi e njoh përmes librave e shkrimeve- romaneve të vilst kanë bërë bum tek lexuesit.
    Z. Blushi e ka bërë një rzyme politikës së z. Kurti. Ai nuk ka e ka afendu z. Kurti por nuk ka verejt ndonjë të arritur, që kyeministri im ka bërë gjatë qeverisjës.

    Unë mendoj së politika e qeveris Kurti 1 dhe kjo Kurti 2 ka mossukësese nga mos përvoja e ti në qasje me ndërkomëtar.
    Psh. Marrëveshja e Ohrit, Masat nga EU dhe tani pushimi i dialogut strategjik me SHBA nuk janë të mira për Kosovën.
    Mungojnë rezultatët në qeverisje.
    Unë nuk kam ide si do të dalim nga kjo qasje.
    Përshtypja ime është që Z. Kurti mendon të bëhet lider mbarëkombëtarë, kjo është një ide jo e relizuedhme.
    Ai kartën për tu bërë kryeminister i vendit e ka nese don. Ate mund ta bënë që nëser nëse don, të bënë koalicin më të majtë PAN nga ka dal, ose LDK, me rendësi është kryje punën, mos blloko vendin pa nevojë. Politika është maraton.
    Nëse dikush të jep verejtje ate mos e kupto kritikë.
    Faliminderit për mirëkuptim

    Shumë i ndëruar Z.Sinan Kastrati

    Z. Kurti është një burrë intelegjent Unë përsonalisht kam respekt të mirë për të si një
    përsonalitet politik. Ai dikurë kishte një ekip mjaft të mirë. Partia e tij me largimin e Liburnit është dëmtu rënd.
    Mu përsonalisht kurrë nuk me ka bërë një të keqe, përkundër është i vetmi kryeministë që ka ndëru masakrën e familjës time.
    Unë përsonalisht kam pasur shpresë me marrjën e detyrës në vitin 2021, por masat e EU, Marrëveshja e Ohrit, por verejtja e fundit nga SHBA me ka shqetësu.
    Por prap duhet pritë.
    Faliminderit për mirëkuptim

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.