SHKRIM – HOMAZH PËR PROF. JAKUP JAHIRIN – NJË ILUMINIST I KOHËS

0
435
Jakup Jahiri - Drormca jete

Shkruan: Isak A H M E T I

I. Me Profin Jakup më lidhin shumë kujtime…

Që në fillim të shkrimit tim: HOMAZH PËR PROF. JAKUP JAHIRIN dëshiroj të theksoj se atë e kisha jo vetëm koleg, shumë të afërt, në gjimnazin e Vitisë, por edhe mik të mirë, bashkëpunues për shumë dekada, madje deri në grahmat e fundit të jetës së tij, me të cilin me lidhin shumë kujtime që nuk harrohen edhe për faktin se me te kam pasur, jo rrallë dhe jo rastësisht, madje edhe pak para kalimit të tij në amshim, jo vetëm biseda të gjata në mesengjer dhe drejtpërdrejt, por edhe diskutime dhe shqyrtime konstruktive, shumë të frytshme dhe të rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe shqiptarinë por edhe për shkencën ,për Krijuesin (për të cilin Profi Jakup është shprehur edhe te libri i tij: Dromca jete), por edhe për Kur’anin dhe Biblën, për jetën shoqërore-politike, kulturore etj., në hapësirat shqiptare dhe më gjerë. Për të gjitha këto tema dhe çështje kemi pasur, gjatë gjithë kohës, pikëpamje dhe vlerësime jo vetëm të afërta por edhe të njëjta.

Prandaj shi kjo ka ndikuar që të mbajmë jo vetëm raporte të mira njerëzore, kolegiale, miqësore dhe bashkëpunimi por edhe biseda ( kontakte ) të vazhdueshme, me dekada, si kolegë dhe miq, deri kur ai, pasi u kthye nga SHBA ku ishte për një shërim, kaloi në amshim duke na lënë të merzitur dhe të pikëlluar. Mirëpo ai jeton dhe do jetojë gjatë në kujtesën tonë si personalitet i veçantë, me shumë vlera njerëzore, intelektuale dhe kombëtare.Ishte nga intelektualët e dalluar jo vetëm në Komunën e Vitisë.

Kishte një bagazh kulturor solid, kishte njohuri për njerëzit, për fushat e ndryshme të jetës shoqërore, kulturore, politike etj. Vetëm ata që e kanë njohur nga afër si dhe ata që ia kanë lexuar veprën: Dromca jete, (të cilën ia kam recensuar unë, me shumë kënaqësi dhe përkushtim), mund ta kuptojnë madhësinë dhe vlerën e tij!…

II. PAK BIOGRAFI

Biografia e Profit Jakup Jahirit është shumë e pasur dhe interesante. Jeta dhe vepra e tij është dëshmi e gjallë e një njeriu dhe intelektuali, e një veprimtari të dëvotshëm dhe luftëtari të guximshëm e të rrallë jo vetëm për kauzën shqiptare por edhe për të VËRTETËN… Ai, madje guximshëm do kërkojë, citoj: “Pas insistimit këmbëngulës të tyre(sigurimcave shqiptarë – vër. ime, Dromca jete, fq.22), unë fillova të flas për të drejtat dhe barazinë e njerëzve sipas Kushtetutës dhe ligjeve aktuale të Kosovës dhe ato jugosllave dhe se kam dëshirë që ato edhe të zbatohën drejt edhe në praktikë…”.

Jakup Jahiri u lind më 8 mars 1951 në Sadovinë të Jerlive, Komuna e Vitisë. Pas tetëvjeçares, gjimnazin e ka kryer në Gjilan.

Studimet, fizikën, e ka kryer në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Prishtinë.
Ka punuar në Gjimnazin e Vitisë në vitet 1975-1995.Përjashtohet nga puna për shkaqe politike.

Nga viti 1991 ka punuar:
– Përgjegjës i Arsimit për Komunën e Vitisë,
– Deputet i Parlamentit të Kosovës,
– Anëtar i Komisionit për Bujqësi 1992-1998,
– Kryetar i Grupit Koordknues në kuadër të Këshillit Koordinues të Partive Politike për Komunën e Vitisë (1997-1999),
– Deputet i Parlamentit të Kosovës 1998-2000,
– Inspektor i Arsimit për Komunën e Vitisë,
– Sekretar gjeneral për Komunën e Vitisë (2000-2001),
– Kryeshef Ekzekutiv për Komunën e Vitisë (2001-2002),
– Zëvëndës kryetar i Komunës dhe Kuvendit Komunal (2002-2007),
– Delegat i Kuvendit Komunal 2002-2007,
– Profesor i fizikës në SHM “Hoxhë Jonuzi” në Viti,
– Delegat i Asociacionit të Komunave të Kosovës (2002-2009),
– Delegat i Kuvendit Komunal (2007-2009),
– Kryesues i Kuvendit Komunal (2008-2009),
– Përgjegjës për Rini dhe Sport (2010-2011),
– Përgjegjës i Sektorit për Demokratizim (2012-2013).

Jakupi është shquar edhe si veprimtar dhe anëtar i LDK-së që nga themelimi, ka kontribuar deri në vitin 2008 kur me vetëdëshirë largohet nga LDK-ja ashtu siç kishte vepruar edhe shkrimtari elitar Ramadan Musliu!…

III. DROMCA JETE (1980-1999)

Me insistimin tim, mbasi e kisha lexuar në dorëshkrim librin e tij: DROMCA JETE, Profi Jakup Jahiri, duke e përfillë inzistimin dhe rekomandimin tim, atë e botoi edhe si libër, Prishtinë, 2021, fq. 335.
(Redaktor: Dr. Samet Dalipi, recenzentë:
Prof. as. dr. Nijazi Halili
Isak Ahmeti.

Libri në fjalë, që është një rrëfim dhe histori e gjallë e dokumentuar dhe përjetuar jo vetëm nga kryepersonazhi, Jakup Jahiri, do mbetet një dëshmi, shumë reale, e një KOHE TË PAKOHË dhe paraqitje, ndonëse jo e plotë, e jetës dhe veprës së ktyepersonazhit, roli i të cilit, jo vetëm në kohën e trazirave të vitit 2004, ka qenë vendimtar për shumëçka. Ai në shumë raste dhe momente të vështira është dëshmuar parimor, real, i patrembur, i pathyeshëm dhe i guximshëm edhe në vlerësimin e ngjarjeve, madje edhe të demostratës së 3 prillit në Viti (v.1981), kur kishte thënë troç dhe publikisht, citoj: “Kërkesat i përkrahë, por mënyrën e demonstrimit jo…“(Dromca jete, fq 28).

Edhe pse i vezhguar nga sigurimi shtetëror serbo-sllav ku kishte edhe sigurimca”, shqiptarë nga Komuna e Vitisë ( që dihen me emër e mbiemër(?), ka qenë i përndjekur, i burgosur, i izoluar, brutalisht i keqtrajtuar, ai ka qëndruar burrërisht ndonëse fizikisht i lodhur dhe dërmuar por moralisht i pathyeshëm dhe kurrë nuk iu ka shmangur idealit të jetës për Atdheun, për Lirinë e Kosovës. Të gjitha vuajtjet dhe sfidat i ka përballuar me stoicizëm, sepse, siç e ka thënë edhe ai vetë në dsh që ia kam recensuar, ka pasur mbështetje dhe frymëzim nga Krijuesi.

Prandaj e ka thënë troç: Lavdia dhe falënderimi i takon Krijuesit!
Ky libër, që lexohet me një frymë, ngërthen në vete plot të dhëna e informacione, opinione dhe vlerësime reale në lidhje me ngjarjet dramatike në Kosovë, në lidhje me keqtrajtimet, në lidhje me izolimet e intelektualëve shqiptarë në mesin e të cilëve ishte edhe kryrpersonazhi i librit, Jakup Jshiri e ku kishin gisht edhe “sigurimcat” shqiptarë të Komunës dhe të Kosovës… Janë dhënë edhe shënime për të vrarët në Kosovë në periudhën mars-prill 1989.

Të gjitha këto dhe të tjera që janë përfshirë në këtë libër të bëjnë ta lexosh atë me përkushtim dhe me një frymë.

IV. EDHE DIÇKA KREJT NË FUND

Është me shumë rëndësi të theksohet se Prof. Jakup Jahiri, për aq sa e kam njohur nga afër, ka jetuar gjithmonë me idenë e bashkëpunimit me njerëzit dhe do mbahet gjatë në kujtesë si shembull që duhet ndjekur brez pas brezi. Me shembullin e tij, me jetën e tij, me veptimtarinë e tij të përgjithshme, me angazhimin e tij, mbetet shembull se si jetohet ndershëm, si të jesh i i pathyeshëm, si të jesh i guximshëm dhe si duhet ta duash atdheun dhe t’i çmosh njerëzit…

Ai e ka çmuar fort Rugovën (edhe mua), madje në një rast do shkruajë, citoj: “I kam përcjellë me interesim të madh këto paraqitje (është fjala për paraqitjen e Rugovës në LSHS dhe timen në Kuvendin e Serbisë në Beograd – vër. ime), sepse ishin kohë shumë delikate dhe vendimtare për ndarjen definitive të rrugëve me serbët. Kjo ka bërë që të bashkëpunoj për herë me ju të dy. Ju lumtë“!.

Prandaj, jo rastësisht dhe me të drejtë Prof Jakup Jahiri, është cilësuar, nga Dr. Samet Dalipi, si NJË ILUMINIST I KOHËS (Dromca jete, fq. 27).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.