Mehmetali REXHEPI
IGBALLE NOVOSELLA-MEHMETI: “KUJTIME: PLAGË QË KOHA NUK I SHËROI”
Në hyrjen e shkurtë të librit të vëllimshëm “PLAGË QË KOHA NUK I SHËROI” autorja Agballe Novosella-Mehmeti shpreh një dozë dyshimi për mospërfshirje të ndonjë ngjarjeje nga kujtimet e saj, persona, ndodhi, ngjarje e bëma, ngase kujtesa e moshës vende-vende mund ta kishte lajthitur. Por, dyshimi i tillë përtrollitet në pohimin “ndonëse jam përpjekur të tregoj gjithçka me sinqeritet dhe kujdes.” Ndonjë lëshim të mundshëm pa dyshim ia mbulon arsyeja e sinqeritetit të saj.
“Libri është shkruar në formë kujtimesh dhe jo domosdoshmërisht ndjek një rrjedh të saktë kronologjike”, pohon autorja.
Konstatoj se një sqarim i këtillë për mënyrën e shkrimit të kujtimeve dhe, mbivendosje ngjarjesh në mënyrë të shkëputur, nuk i shpërqendron periudhat as rrjedhën kronologjike të rrëfimit në plan të gjerë.
Në varganin e gjatë të rrëfimit të dëshmive autorja është në rolin e dyfishtë: si subjekt dhe si personazh i drejtpërdrejtë, që kap periudhat e fëmijërisë, të vajzërisë dhe të pjekurisë. Përballja me ngjarjet e trishtueshme, që nga arrestimi i parë i vëllait të madh Sabriut, veprimtar kombëtar në Organizatën “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, duke përfshirë rrjedhat e mëtejme deri në rrethanat epokale të ndryshimit me Luftën Çlirimtare të statusit dhe të pozitës politike, në një pjesë e Dardanisë të quajtur Kosovë. T`ia shtrosh lexuesit të përmbledhur gamën e vuajtjeve, të peripecive dhe përjetimeve, dhimbjen dhe përpjekjet mbinjerëzore, guximin dhe rrjedhojat e pasojave, pa dyshim autores tekstshkruese i është dashur të ketë akumuluar vullnet dhe energji të pashtershme.
Përmes këtij vëllimi kujtimesh, asgjë e sajuar, porse gjithçka e trajtësuar me vërtetësi, drejtpërdrejtësh, por nga një largësi, aq sa mund t`i rrokte kujtesa e jetësuar e autores Igballe Novosella-Mehmeti. Lënda e shtruar e këtij libri sjell të dhëna të mjaftueshme për brezat e lexuesve. Kjo gamë e gjerë llojesh të ndryshme ndodhish, ngjarjesh, të priturash dhe të papriturash shkundi mendësinë e vjetër e akumuluar në kokat e parakëve tanë. Mëtimet e qëllimeve po përplaseshin në relievin e kundërthënieve, të paragjykimeve, të koncepteve të ngulitura në dogma. E vjetra me vështirësi i lëshonte udhë së resë. Mirëpo, autorja personazh, me një vullnet të paepur, gjeti vet udhën drejt cakut të emancipimit.
Lënda e dëshmive të rrëfyera të përqendruara në një familje, në familjen e gjallë të Ismajl Maxhunit dhe Naile Shala – Novosella e për-degëzuar me djem, vajza, nuse nipa e mbesa, pasqyrohet nga trungu si shtrirje koncentrike valësh ngjashëm me fatin e familjeve shqiptare të Kosovës, nën pushtimin mbi njëqind e pesëdhjetë vjetarë të Serbisë.
Me gjithë trysnitë, padrejtësitë dhe mbylljen e shtigjeve për jetesë nga pushtuesi i egër shekullor i politikës dhe i shtetit serb, i shpirtëzuar prej kishës ortodokse serbe, paragjykues dhe mohues i qenësisë shqiptare, familjet, sikurse kjo e Novosellëve, falë lidhjes së fortë për faktorin punë, unitetin familjar dhe dashurinë për atdheun hapën shtigjet ekzistenciale.
Familjarët, si dhe vetë personazhi rrëfimtar i familjes përkatëse, trashëguan përkushtimin për çfarëdo lloji të punës së ndershme. Këtë përkushtim ua rrënjosi të gjithë familjarëve babai Ismajl; përderisa nëna Naile u përkushtua për vatrën familjare duke e mbajtur kurdoherë të ndezur dashurinë përbashkuese, kultivimin e durimit në çdo situatë të rreziqeve dhe, stoicizmin karakteristik të një nëne të mirëfilltë shqiptare, e pagjunjëzuar në sprova të një pas njëshme që i ranë mbi kokë… Si e tillë nëna Naile e mbajti të paepur familjen: djemtë, vajzat, nuset, nipat mbesat. E rrallë për rrethanat e mendësisë zotëruese, Ajo ishte e hapur për kahet e reja të qytetërimit.
Pra, autorja përshkruan mënyrën e përballimit të skamjes, mbetjen e barrës në njërin djalë, Bedriun, herë te ndihmesat e dhëndrit Fadilit e të vëllezërve tjerë jashtë burgjeve; mëtimet vetjake për t`i ndihmuar në një mënyrë ose në tjera pjesëtarët e familjes kur lypej edhe prej saj, përballimi i gjendjes pas burgosjeve politike… Gjatë gjithë shtjellimit të kësaj lënde dëshmish, qoftë për rrjedhën kronologjike të dramës familjare apo në përballjet politike të zhbërjes nga pushtuesit, tri koncepte e bënë të panënshtruar familjen Novosella: vullneti i fortë për punën për ta mbajtur të gjallë qenien materiale, shpirti i sakrificës i përçuar te të gjithë pjesëtarët nga nëna Naile dhe, dashuria për njëri-tjetrin pa sedrën e egos, por e brumosur në parimin e guximit dhe të vlerave etike jetike. Mbi këto konceptime u karakterizua parimi (j)etik i “faqe bardhësisë”, i kthimit “faqe bardhë,” që ishin fjalët porosi të nënës Naile për të birin Sabriun kur u arrestua nga UDB-ja! E këtillë ishte ana e dinjitetshme e të jetuarit, që ngrehu një karakter mbresëlënës të denjë për respekt.
Duke lexuar këto dëshmi të sinqerta, herë-herë rrëqethëse, që autorja Igballe pëlqen t`i emërtojë si kujtime, shohim e admirojmë modelin e një karakteri vetëmohues, i ngjizur në idealin për mbajtje të drejtpeshimit nga goditjet e burgosjeve të herë pas hershme në vatrën e saj familjare, që nga vëlla Sabriu pastaj Selatini, Bedriu, Iliri, bir i Sabriut, i burgosur dhe dënuar në moshën e miturisë! Të paharrueshme si përjetime janë rropatjet e pritjeve molisëse, të ankthshme, të vrazhda, së paku për t`i parë përciptas më të dashurit në burgjet namkëqija të ish Federatës Jugosllave, si: në Goli Otok, Pozharevac, CZ të Beogradit, në Nish e gjetiu në Kosovë. Nuk mund të mos i ndjesh sakrificat e dhimbjes njerëzore, të cilat, jashtë brendisë shpirtërore të rrëfimtares së drejtpërdrejtë, nuk i prekin dot thellësitë e ndjeshmërisë të paprovuarit.
Dëshmitë e renditura në këtë trajtë rrëfimi dalin nga vatra e të ndodhurave, nëse ndonjëherë na paraqiten të tërthorta nga rrëfimtarja, megjithatë, autorja nuk shpëton pa u spërkatur nga valët përvëluese të burimit përkatës.
Çka solli në librin “KUJTIME: PLAGË QË KOHA NUK I SHËROI” Igballe Novosella-Mehmeti? Dëshmi autentike dhimbjesh e sprovash të bartura mbi qenien biologjike e shpirtërore të një familjeje, mbi veprimtarët e saj kombëtarë, por dëshmitë e këtilla reflektojnë përmasa më të gjera të identitet të shqiptarëve. Veçantia e familjes Novosella tipizon të përgjithshmen e familjeve shqiptare të kësaj hapësire të Dardanisë.
Mendoj se përqendrimi i autores për t`i kapur dhe renditur ngjarjet, ndodhitë dhe përjetimet për dhe vetëm rreth familjes së vet, rrëfimin e saj nuk e vë nën korniza të izoluara të vetvetes. Përkundrazi. Çdo lëvizje është e kushtëzuar nga rrethana dhe marrëdhënie të përgjithshme shoqërore zotëruese të asaj periudhe në Kosovë.
Autorja rrëfen dhe përshkruan duke vënë në pah jo veçse, vështrimet nga këndi i saj i dukurive dhe ngjarjeve në dukjen e jashtme të tyre. Ajo rrëfimit i vë në veprim gjendjen shpirtërore në situata dramatike kundruall dhunës shtetërore serbe, situatat e tendosura të personazheve të dashura, përballjet me ndjekësit e shtetit gjakatar, gjithnjë me qartësinë e dialogëve për mbrojtje të së drejtës legjitime të vendit të punës, deri në mundësinë shteruese të qëndresës.
Dialogët me palën armiqësore për të drejtën dhe përkatësinë së vërtetës, pavarësisht nga pasojat fundore, shpërfaqin logjikën e një admirimi kërkues e veprues që pohohet si karakter dhe shpirt i papajtueshëm, madje kryengritës. Pothuajse në të gjithë shtrirjen e rrëfimit në gjerësi dhe gjatësi, spikatet vlugu i ngjarjeve, i dukurive dhe ndodhive dramatike i personazheve, te të cilët askund nuk haset rënia në apati, në dëshpërime për jetën, në nënshtrimin apo dilemat e vetë-fajësisë, zvetënimin shpirtëror, dorëzimin apo kapitullimin moral.
Një sedër e tillë etike ngërthehet në karakteret e personazheve të zonjës Igballe, mbase edhe te gjinia femërore, ngaqë vëllezërit dëshmonin përcaktimin e tyre të palëkundur për vlerat e idealeve atdhetare. Të gjithë personalitetet janë real, të dukshëm, të prekshëm, veprues, të ndjekur, të kapur e të burgosur, të rrëzuar dhe të mëkëmbur, sipas dëshmive të radhitura në rrjedhën e gjithë prekshme, ku duken e preken nga dramatikja e sferave të ndryshme të qenies shqiptare. Është kjo një dramë e vazhdueshme, jo një sajesë e një jete të shpifur për qëllime të shpifura. Mendësisë së kësaj natyre rrëfimtare e Igballe Novosella-Mehmeti i shkon për shtati, ngjashëm personazhit konkret të romanit “Dashuria kuantike e Filanit”të Adem Demaçit, në kontekstin e shkëputur të pohimit se “shpirti i Maliqit kishte hyrë në mua.” Çfarë ishte ai shpirt që kishte hyrë në formësimin e bindjeve të luhatshme të krye-personazhit? Ishte fryma guximtare e një sypatremburi të çiltër dhe të ndershëm për betejat e vijueshme…
Kapitull më vete që pasqyron rropatjet dramatike, në këtë vëllim dëshmish për ecejaket njerëzore dhe kombëtare, për ruajtjen me sakrifica të trashëgimisë atdhetare dhe familjare, është drama tjetër e dhimbjes, e dashurisë së pakufishme të nënës për birin e saj Kushtrimin, së cilës fare të ri ia rrëmbeu pamëshirshëm sëmundja e pashërueshme e quajtur kancer! Këtu e më tej tërësia e shkrimit vishet me intonacion të dhimbjes, të një dhimbjeje dërmuese, të përjetimit të thellë që merr ngjyrë të hirtë të pikëllimit rrënimtar për rrëfimtaren. Kushtrimi simpatik dhe i paepur, përmes një trajte pohuese të shkallës së një eufemizmi të tejdukshëm, i shpalos gjendjen e vërtetë të jetës pashmangshëm drejt fikjes dhe, nëna si qenia më e ndjeshme për të birin e vë në spikamë reflektimin e trimit të saj:
“Oj, nana ime, kanceri është aksident!”
Ky pohim i zgjon gjëmën së ëmës për djalin, shkuarja e të cilit asaj do t`i ndryshojë mënyrën e të jetuarit, duke e ngarkuar me dhimbjen e pashuar të jetës:
“-Qysh mori nanë, na dënoi Zoti kështu?!”
Kësaj shkalle të skajshme shpirtërore që përshkoi nënën, përgjigja e djalit jepet si një sprovë e pashmangshme e pranimit të kushteve që i shtron jeta njeriut:
“-Nanë, ky nuk është dënim i Zotit, kjo është sprovë e Tij!”
Nga kjo urtësi e dhimbjes njerëzore për humbjen e më të dashurit në pranverën e rinisë së tij, u rrumbullakua kësisoj si përkufizim për ta pranuar të domosdoshmen që solli jeta. Ndryshe mund të nxjerrim një mori përkufizimesh për filozofinë e jetës, për jetën si një ëndërr e bukur dhe e trishtuar.
Hise e këtillë e mërzisë së pashuar i takoi nënë Igballes dhe, ritmin e një pikëllimi të përhershëm asaj do t`ia ngadalësojnë dhe mëkojnë dy faktorë: koha dhe trashëgimia te nipi i ri, me po të njëjtin emër të dashur, me emrin e të ndjerit Kushtrimit. Megjithatë, njërin nga nëntitujt e vazhdimësisë së rrëfimit autorja e titulloi “Në këmbë, përkundër gjithçkaje.”
Pa dyshim në disa copa rrëfimesh të përshkuara nga doza dhimbjesh e mërzie të theksuar, teksti rrëfimor merr ngjyrime të lirizmit të mirëfilltë poetik. Këtu kemi edhe pasazhe poetike për dhimbjen që zgjojnë ndjeshmërinë e lexuesit.
Duke ndjekur me kujdes rrjedhojën e rrëfimit për përjetime ngjarjesh e ndodhish, autorja përmbush qëllimin e hedhjes në letër, si një amanet, testament për brezat.
Rrëfimtarja Igballe Novosella – Mehmeti pashmangshëm ndjek dhe përfillë realitetin pajtues, dialektikën e lidhjes mes brezash. Prandaj, e dhimbshmja e pakthyeshme njomet me dhuratat nga jeta: nipër e mbesa.
Përgëzime për autoren dhe për mbështetësit e saj!
Gjilan, mes maji 2025