22.6 C
Tirana
E premte, 14 Mars 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

URIME PAVARËSINË, KOSOVA IME!

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

KOSOVA, SERBIA DHE ILUZIONI I NDRYSHIMIT

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Dhjetë vjet kanë rrjedhur si ujërat e një lumi të pafund që gërryen brigjet e shpresës dhe zhgënjimit. Dhjetë vjet që nga ajo ditë kur në letër u skalit një marrëveshje për drejtësi, mes Kosovës dhe Serbisë—një dokument që në radhë të parë duhej të ishte urë e pajtimit, por që mbeti një hije e pashpirt mbi rrugëtimin e një populli që kërkon të drejtën e tij.

Atëherë, shumë sy u kthyen drejt horizontit me një grimë besimi, si dikur udhëtarët që presin agimin pas një nate të gjatë. Por ata që njohin historinë, ata që kanë ndjerë peshën e tradhtive të përsëritura, e dinin se kjo ishte një lojë e vjetër me fjalë të reja. Serbia nuk kishte ndryshuar, as nuk kishte hapur një faqe të re në librin e historisë së saj. Ajo vazhdoi të shkruajë me të njëjtën dorë të ftohtë, me të njëjtën ngjyrë të errët, duke e mbajtur nën hije të ardhmen e një drejtësie që kurrë nuk u bë realitet.

Ishte e qeshura e hidhur e atyre që nuk u mashtruan. Ishte ironia e një bote që ende beson në premtime boshe. Një dekadë më vonë, realiteti dëshmoi atë që ishte e parashikueshme: drejtësia mbeti një emër i zbrazët, një ëndërr e rrëmbyer në mes të rrugës, një fjalë që u tha, por që nuk u jetua kurrë.

A mund të besohet me të vërtetë se Serbia kishte ndryshuar thelbin e saj në qasjen ndaj zgjidhjes së problemeve? A kishte ndërruar ajo lëkurën e vjetër të historisë së saj, duke lënë pas hijet e së shkuarës? Apo ishte ende e njëjta dorë që shkruante me të njëjtën bojë, vetëm se përpiqej të fshehte trajtat e shkrimit?

Nëse dikush atëherë besonte se Serbia dhe politika e saj kishin ndryshuar, e le të jetë i bindur se ai ishte duke u mashtruar nga një iluzion i brishtë. Serbia nuk kishte ndryshuar, as nuk do të ndryshojë, sepse ajo nuk e njeh rrugën e metamorfozës. Ajo ecën në një rrugë të vetën, një rrugë të mbuluar nga hija e historisë së saj, e skalitur me një filozofi që nuk pranon as pendesë, as përshtatje ndaj frymës së kohës.

Në damarët e politikës së saj rrjedhte ende një mendësi e pandryshuar, një këmbëngulje e verbër që e shndërronte çdo marrëdhënie me të tjerët në një lojë force dhe dominimi. Serbia nuk e koncepton ekzistencën e saj jashtë kësaj skeme të vjetër, ku fqinjët nuk janë miq, por sfida për t’u tejkaluar, ku bashkëjetesa nuk është një qëllim, por një mjet për të pritur momentin e duhur për të vepruar sërish.

Nuk është çështje rastësore, as thjesht politike, por një mënyrë tjetër e të jetuarit dhe e të ndërtuarit histori. Serbia nuk sheh në pasqyrë për të reflektuar, por për të siguruar që imazhi i saj mbetet po ai i vjetëri – i palëkundur, sfidues, dhe i paprekshëm nga valët e kohërave. Ndaj, kushdo që ushqen iluzionin e një ndryshimi të saj, të dijë se po ëndërron një mëngjes që nuk do të agojë kurrë.

Nëse e shohim përmes dritës së historisë, ajo nuk ka qenë thjesht një çështje e politikave ditore, por një filozofi e ndërtuar mbi qëndrime që rrënjët i kanë thellë në kujtesën e popullit. Dhe ndaj Kosovës, bëhet pyetja, a ka ndodhur ndonjë kthesë e sinqertë, apo është thjesht një rrugë e mbuluar me mjegullën e diplomacisë, që fsheh të njëjtin udhëtim të kahershëm?

A mundet një lumë të ndryshojë drejtimin e tij pa u përplasur me brigjet që e kanë formuar? A mundet një erë të ndalojë të fryjë në drejtimin e zakontë, pa e kundërshtuar ligjin e natyrës? Nëse ndryshimi nuk vjen nga thelbi, atëherë ai nuk është ndryshim, por vetëm një maskë e re mbi të njëjtën fytyrë.

Kosova ka parë shumë stinë, ka kaluar nëpër furtuna, ka përballuar breshër të rëndë e ka qëndruar nën qiell të trazuar. Ajo i njeh mirë retë që grumbullohen në horizont dhe nuk mashtrohet lehtë nga ndonjë rreze dielli që duket mes tyre. Për të besuar në një ndryshim të vërtetë, duhen hapa të ndershëm, jo fjalë të stisura për botën siç bënë Serbia.

Në fund, historia nuk shkruhet me iluzione, por me veprime. E veprimet e së shkuarës janë ende të freskëta në kujtesën e popullit që ka parë shumë, ka duruar shumë dhe di të lexojë qartë realitetin.

Nëse i hedhim një vështrim retorikës së kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, na paraqitet një tablo ku fjala e ligjit ndërkombëtar shndërrohet në një strehë ku mbështetet pretendimi se Serbia do ta çojë deri në fund çështjen e Kosovës. Por, çfarë do të thotë kjo në të vërtetë? A është ligji ndërkombëtar një busull që udhëzon Serbinë drejt një zgjidhjeje të drejtë, apo një mjet i përdorur për të vonuar, për të ndërlikuar dhe për të shtyrë zgjidhjen e kësaj çështjeje në një të ardhme të papërcaktuar?

Historia na ka treguar se ligji shpesh nuk ka qenë thjesht një instrument neutral, por një fushë beteje ku e drejta interpretohet sipas interesave dhe forcës së atyre që e përdorin. A ishte Serbia e gatshme të respektojë vërtetë këtë rend ndërkombëtar, apo thjesht kërkonte ta instrumentalizojë atë për të mbajtur peng të ardhmen e Kosovës? Kur Vuçiq flet për ligjet ndërkombëtare, a flet për të si një parim të pandryshueshëm apo si një mekanizëm që mund të shtyhet dhe zgjatet sipas dëshirës politike?

Nëse shikojmë prapa në kohë, e dimë se ligjet ndërkombëtare shpesh janë përdorur si perde për të fshehur synime të tjera. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur ato janë shkelur nga vetë ata që i predikojnë. A mund ta besonte Kosova këtë premtim të ri, kur rrënjët e politikave të Serbisë vazhdojnë të mbeten të ngulitura në mendësinë e mohimit dhe të refuzimit? Ligjet ndërkombëtare nuk mund të jenë monedha që këmbehen sipas interesave të momentit, por një princip që kërkon respekt dhe ndershmëri.

Kosova, e cila ka kaluar përmes labirinteve të vuajtjeve dhe sakrificave, nuk mund të pranojë të bëhet peng i një loje fjalësh, ku ligjet përmenden, por drejtësia mungon. E ardhmja nuk mund të ndërtohet mbi një argument të përsëritur pafundësisht, por mbi pranimin e realitetit dhe vullnetin për të ecur përpara. Ajo që vlen nuk është sa herë përmendet ligji ndërkombëtar në një fjalim politik, por sa herë ai zbatohet me vërtetësi dhe paanësi.

A duhet ta shihnim këtë ndryshim të Serbisë si një metamorfozë të vërtetë politike apo thjesht si një përshtatje taktike, një tjetër maskë në skenën e madhe të diplomacisë? A ishte ky një transformim i sinqertë, një kapërcim nga hija e së shkuarës në dritën e një të ardhmeje më të drejtë, apo ishte vetëm një tjetër lëvizje e lojës së vjetër, ku aktori ndryshon veshjen, por jo thelbin?

Historia ka njohur shumë raste kur pushtetet kanë ndryshuar gjuhën, por jo mendësinë; kur kanë adoptuar fjalorin e diplomacisë, por kanë ruajtur qëllimet e tyre të vjetra. A ishte Serbia një shembull i kësaj? A kishte ndryshuar ajo vërtet bindjet dhe qëllimet, apo po luante rolin e ujkut të mbështjellë me lëkurë të qengjit, duke kërkuar të dukej e pafajshme ndërsa ruan dhëmbët e mprehtë nën buzëqeshje të kuruara?

Nëse e shikojmë me sy kritik, ndryshimi i vërtetë nuk matet me fjalë, por me vepra. Një shtet që ka mohuar të drejtën e tjetrit për të ekzistuar, një pushtet që për dekada ka ndërtuar narrativa të mohimit dhe përçarjes, nuk mund të pretendojë një metamorfozë të papritur, për sa kohë që rrënjët e tij mbeten të ngulitura në të njëjtin tokëz të së kaluarës.

A duhet ta besonte bota këtë transformim? A duhet Kosova të mashtrohej nga një lëkurë e butë e qengjit, kur përbrenda ende rri zgjuar instinkti i grabitqarit? Një ndryshim i vërtetë kërkon pendesë, pranim të gabimeve, distancim nga politika e së shkuarës. Një ndryshim i rremë, përkundrazi, është si një lojtar që ndërron rrobat për të hyrë në një skenë të re, por që brenda vetes mbart të njëjtin monolog të vjetër.

E ardhmja nuk mund të ndërtohet mbi iluzione. Për ta besuar një metamorfozë, duhet të shohim jo vetëm fjalët që thuhen, por veprimet që ndërmerren. Dhe deri më tani, historia na ka mësuar se Serbisë duhet ruajtur edhe kur të bënë dhurata.

Edhe pse mes Kosovës dhe Serbisë janë nënshkruar marrëveshje, qofshin ato të ndërtuara mbi gjuhën e diplomacisë apo të imponuara nga rrethanat e kohës, duhet të kemi parasysh se fati i një populli nuk mund të vendoset as në tavolinat e bisedimeve, as në kancelaritë ndërkombëtare, dhe as nga vendime që nuk mbartin fuqinë e detyrimit. Historia ka treguar se, përtej akteve formale, është realiteti ai që përcakton rrjedhën e ngjarjeve.

Bashkësia Ndërkombëtare mund të japë këshilla, të sugjerojë drejtime, të riformulojë të vërtetat që tashmë janë të dukshme për botën, por ajo nuk mund të ndryshojë esencën e një realiteti të pakthyeshëm: Kosova është shtet i pavarur që nga 17 shkurti 2008. Ky nuk është një fakt që mund të negociohet, as një status që mund të vihet në dyshim. Është një e vërtetë e vulosur nga vetë historia, e pagëzuar me sakrifica dhe e mbrojtur me jetën e një populli që nuk pranon më të jetojë në hije.

A mundet një këshillë, sado e mençur qoftë ajo, të ndryshojë natyrën e një realiteti të pranuar ndërkombëtarisht? A mundet që fjalët e shkruara në raportet juridike të bëjnë që Serbia të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga Kosova, kur ajo ende ngurron ta pranojë të pakthyeshmen? Çdo vendim, çdo analizë, çdo sugjerim që vjen nga një gjykatë ndërkombëtare, sado i rëndësishëm të jetë, nuk mund të vendosë për diçka që është tashmë një e dhënë e pandryshueshme.

Shtetet nuk bëhen e as nuk zhduken përmes parashtrimeve ligjore apo interpretimeve diplomatike. Ato marrin jetë nga vullneti i popullit, nga përpjekja për liri dhe nga vetëdija e botës për të drejtën e tyre për të ekzistuar. Kosova, me shpalljen e pavarësisë së saj, e ka mbyllur kapitullin e varësisë dhe ka nisur rrugën e saj si një shtet i lirë, i njohur nga shumë kombe e shtetet, e ankoruar në identitetin e vet dhe në aspiratat e saja për të qenë pjesë e familjes së kombeve demokratike.

Prandaj, çdo sugjerim që Serbia duhet të heqë dorë nga Kosova nuk është as më shumë e as më pak sesa një përsëritje e një të vërtete që veçse është shpallur. Pyetja nuk është më nëse Serbia do ta pranojë këtë, por kur dhe si do ta bëjë. Koha nuk ecën prapa, historia nuk përsëritet në të njëjtën mënyrë, dhe Kosova nuk është më një çështje e hapur – ajo është një realitet që qëndron e palëkundur në hartën e botës.

Si studiuese e këtyre çështjeve, e thelluar në rrënjët e historisë dhe në nuancat e së drejtës ndërkombëtare, më duket se ka ardhur koha që Serbia ta shohë të vërtetën në sy – jo si një perspektivë e imponuar nga të tjerët, por si një realitet i pashmangshëm, i cili nuk mund të ndryshohet me vonesa, as me iluzione të së shkuarës.

Nëse historia është një lumë që rrjedh pandalshëm drejt së ardhmes, atëherë Serbia duhet të kuptojë se ky lumë e ka lënë pas epokën kur Kosova ishte në duart e saj. Që nga viti 1999, me një çlirim të fituar me gjak dhe sakrificë, me një të drejtë të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar dhe e vulosur nga vetë populli i saj, Kosova ka dalë nga hija e çdo pretendimi serb. Në aspektin politik, ajo nuk është më një çështje që mund të negociohet; në aspektin juridik, nuk është më një territor mbi të cilin Serbia mund të vendosë; dhe në aspektin territorial, kufijtë janë vendosur, jo si një kufizim i imponuar, por si një përkufizim i qartë i një shteti të lirë.

Serbia mund të vazhdojë të sillet sikur ende mban ndonjë të drejtë mbi Kosovën, sikur historia mund të zhbëhet me retorikë apo me pengesa diplomatike, por e vërteta mbetet e patundur. Nuk është më çështje e kompromisit, as e interpretimeve të ligjit, por e një realiteti që ekziston pavarësisht se kush e pranon dhe kush e mohon. Dhe ndoshta është pikërisht ky momenti kur Serbia duhet ta dëgjojë me qartësi mesazhin e kohës: Kosova nuk është më një ëndërr e saj e humbur, por një shtet i lirë, i pavarur dhe i pandashëm.

Prandaj, nuk bëhet fjalë për një “zgjidhje” që duhet gjetur, por për një të vërtetë që duhet pranuar. Kosova nuk është një problem që kërkon ndërhyrje, por një realitet që kërkon respektim. Serbia mund të zgjedhë të ecë përpara, ta pranojë këtë fakt dhe të ndërtojë marrëdhënie të reja mbi bazën e një realiteti të ri, ose mund të mbetet peng i ëndrrave të saj të së shkuarës, duke luftuar me hije që tashmë nuk kanë më as fuqi, as kuptim. Historia ka treguar se përpjekjet për të mbajtur të gjallë një të kaluar të vdekur janë gjithmonë të kota. Dhe për Serbinë, ka ardhur koha të kuptojë se e kaluara nuk mund të rikthehet, ndërsa e ardhmja mund të ndërtohet vetëm mbi pranimin e të vërtetës.

A thua vallë politikanët serbë kanë harruar se Kosova nuk ka qenë kurrë dhuratë e tyre, as trashëgimi e fituar me të drejtë, por një tokë e përvetësuar me dhunë, një plagë e hapur mbi trupin e saj? Apo ndoshta nuk e kanë harruar, por thjesht zgjedhin ta fshijnë nga kujtesa, ta mbulojnë me mjegullën e narrativave të rreme, duke e paraqitur historinë jo siç ndodhi, por siç do të donin ata të kishte ndodhur?

Vitet mund të kalojnë, por gjurmët e tankeve dhe plagët e dhunës nuk zhduken nga kujtesa e popullit. Në vitin 1945, kur Kosova u aneksua me forcë, nuk pati as vullnet, as konsensus, as të drejtë – pati vetëm heshtjen e armëve që detyruan një popull të gjunjëzohej përkohësisht. Por a mund të mbahet një tokë në pranga përgjithmonë? A mund të mbetet një popull i lidhur pas një zinxhiri të dhunshëm, kur zemra e tij rrah për liri?

Historia nuk është një pëlhurë që mund të ripikturohet sipas dëshirës. E vërteta është e gdhendur në gurët e rrugëve të Kosovës, në zemrat e njerëzve të saj, në dhimbjen dhe në rezistencën që kurrë nuk u shua. Nuk ishte zgjedhja e Kosovës të bëhej pjesë e Serbisë në 1945, as më parë e as më vonë – ishte një imponim, një pushtim i maskuar nën petkun e një federate që nuk ishte tjetër veçse një burg për ata që nuk pranonin të asimiloheshin.

Sot, edhe pas sa e sa viteve, kur Serbia ende endet në hijet e iluzioneve të saj, politikanët e saj duhet të dinë se historia nuk harrohet, as nuk fshihet me propagandë. Kosova ka kaluar nëpër kohë të errëta, por asnjëherë nuk ka humbur dritën e lirisë. Dhe kjo dritë është ajo që i dha forcë të çlirohej, të ringrihej, të shpallte pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke i dhënë fund një kapitulli të errët dhe të padrejtë.

Vuqiqi e politikan të tjerë serbë edhe sot flasin për Kosovën sikur të ishte ende një çështje e hapur, duhet të kujtojnë se historia nuk përsëritet sipas dëshirave të tyre. Kosova nuk u dorëzua as atëherë dhe nuk do të dorëzohet kurrë. Politikanët serbë mund të vazhdojnë të harrojnë, por Kosova kujton. Dhe kujtesa e saj është më e fortë se çdo gënjeshtër, më e qëndrueshme se çdo tentativë për ta mohuar realitetin.

Kanë kaluar ato vite të errëta, kur Serbia besonte se me dhunë, me frikë, me zinxhirë të imponuar mbi një popull liridashës, mund ta mbante Kosovën të nënshtruar. Koha e perandorive të ndërtuara mbi forcën ka perënduar, dhe me të, ka rënë edhe iluzioni se një komb mund të mposhtet përgjithmonë. Historia nuk njeh skllavëri të përjetshme për ata që mbajnë në zemër zjarrin e lirisë.

Ishte një kohë kur Serbia e shihte pushtetin e saj si të pandryshueshëm, duke besuar se me tanke dhe ligje të imponuara mund të sundonte një popull që nuk pranonte të jetonte pa dinjitet. Por harroi një të vërtetë të thjeshtë: toka mund të shkelet, por shpirti nuk mund të robërohet; shtëpitë mund të rrënohen, por shpresa nuk mund të vritet; kufijtë mund të vizatohen me forcë, por liria gjithmonë e gjen rrugën e saj për t’u ringjallur.

Sot, ajo kohë e dhimbjes dhe e nënshtrimit është veçse një kapitull i kapërcyer. Ata që dikur mendonin se mund të mbajnë Kosovën me pranga, tani shohin se liria nuk mund të kthehet pas. Ato vite kur mendonin se dominimi ishte i pashmangshëm, kanë shkuar njëherë e mirë, dhe me to është shuar edhe miti i tyre se një komb mund të heshtet me forcë. Kosova sot nuk është më skllavja e askujt, por zonja e fatit të saj, e rrugës së saj, e ëndrrës së saj.

Dhe historia ka dhënë gjykimin e saj: popujt që duan lirinë, e fitojnë atë. Ato vite të dhunës mund të jenë kujtesë, por nuk janë më realitet. Kosova ka lindur për të qenë e lirë, dhe këtë nuk mund ta ndryshojë më askush.

Në vitet ‘80 dhe ‘90 të shekullit të kaluar, Serbia nuk i kishte në mendje as traktatet ndërkombëtare, as rezolutat që rregullojnë fatin e kombeve dhe drejtësinë mes popujve. Për të, e drejta nuk shkruhej në fletët e konventave diplomatike, por në barutin e armëve; drejtësia nuk përcaktohej nga ligji, por nga fuqia e topit dhe zhurma e plumbit. Ishte një mendësi e rrënjosur thellë, një besim i verbër se liria mund të shtypej me grushtin e hekurt, se popujt mund të nënshtroheshin vetëm duke u mbushur qiellin me tym e tokën me gjak.

Ajo nuk e pranonte se bota kishte ndryshuar, se epoka e pushtimeve me dhunë ishte një fantazmë e së shkuarës. Nuk e shihte se ndërkohë që ajo fshikullonte popullin e Kosovës me represion e terror, diku në korridoret e botës po shkruheshin ligjet që do ta dënonin atë qasje, që do ta shpallnin të pavlefshëm çdo përpjekje për të sunduar mbi shpatullat e dhimbjes së tjetrit.

Por historia është e pamëshirshme për ata që refuzojnë të mësojnë prej saj. Kosova nuk u gjunjëzua. Aty ku mendonte Serbia se do të shuhej një popull, u ndez një flakë që nuk u shua kurrë. Dhe kur ajo besonte se armët do të vendosnin fatin e saj, u ngrit bota dhe i tregoi se bota e qytetëruar nuk i njeh më ato ligje primitive të forcës. Në fund, as traktatet nuk e shpëtuan, as rezolutat nuk mundën t’i justifikonin dhunën – e vërteta u kthye kundër saj dhe Kosova doli nga errësira si një komb i lirë, një histori e shkruar me gjak, por e vulosur me dinjitet.

Nëse Serbia kishte besuar se e ardhmja mund të ndërtohej mbi grykën e pushkës, e ardhmja i tregoi se liria nuk shuhet me tanke dhe se popujt që nuk dorëzohen nuk mund të mbahen të lidhur pas zinxhirëve të së shkuarës. Dhe kështu, ajo që nuk e kishte menduar kurrë, ndodhi: Kosova mori frymën e saj të lirë, ndërsa Serbia mbeti peng i fantazmave të saja, duke kërkuar rrugë për të dalë nga hija e së kaluarës që e kishte krijuar vetë.

Vitet e luftës së fundit në Kosovë, nga 1989 deri në 1999, ishin një periudhë e tmerrshme, një fazë e historisë që shënoi një plagë të thellë në trupin e kombit shqiptar dhe një moment kritik për rajonin, por, në një kuptim më të gjerë, ato mund të shihen edhe si një mësim, një mundësi që iu dha Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare. Ishte një leksion që nuk kishte nevojë për fjalë, por që fliste fuqishëm me çdo akt dhune, me çdo vuajtje të pafajshme, me çdo shkatërrim që mbylli kapituj të pafund të pafajësisë.

Në atë kohë, kur plumbat dhe zjarri i luftës digjnin shpresën dhe mundësinë për paqe, Serbia ende besonte se mund të impononte vullnetin e saj me forcën e armatosur. Ajo mendonte se mund të sundonte Kosovën, duke i mohuar popullit të saj çdo të drejtë për të vendosur mbi fatin e vet. Por ndërsa lufta vazhdonte dhe shkatërrimi përhapej, ndodhi ajo që nuk pritej: një ndërhyrje e botës, një mesazh i qartë që shpalli se forca e armëve, pavarësisht sa e madhe të ishte, nuk mund të ishte më mjeti për të zgjidhur çështje të tilla të thella njerëzore. Ishte një ndërhyrje që, për Serbinë, ishte një goditje, një ndëshkim që vinte si pasojë e një mendësie që nuk mund të shpëtonte më.

Ky mësim nuk ishte i thjeshtë për ta kuptuar. Ishte një përplasje e dy botëve: njëra e vjetër, e mbushur me diktat dhe shtrëngim, dhe tjetra, ajo e re, e ndërtuar mbi parime të drejtësisë dhe paqes, ku nuk kishte vend për dhunë dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Mësimi që iu dha Serbisë ishte i qartë, por gjithashtu i dhimbshëm: forca nuk mund të triumfojë mbi vullnetin e një populli për liri dhe dinjitet. Dhe, siç ndodh shpesh në histori, pas çdo periudhe të errët, vjen një shpresë që mund të ngrihet mbi gërmadhat e saj, një mundësi për të mësuar nga gabimet dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë.

Kosova, e cila kaloi përmes një vuajtjeje të paimagjinueshme, shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008, një akt që bëri të qartë se asnjë dhunë, asnjë politikë e shtypjes, nuk mund të ndalë një komb që kërkon të jetë i lirë. Për Serbinë, ky ishte një tjetër mësim i dhënë nga e kaluara, një mësim që mund të reflektohet më vonë, por që kurrë nuk do të harrohet. Pas çdo periudhe të dhimbshme, pas çdo lufte, vjen mundësia për t’u ngritur, për të kuptuar se e vërteta dhe drejtësia janë ato që udhëhoqën dhe do të udhëheqin gjithmonë pas luftës.

Është koha që Serbia, një herë e mirë, ta shohë të vërtetën në sy dhe ta pranojë atë pa mëdyshje: Kosova është e lirë, e pavarur dhe një shtet demokratik, i vendosur fort mbi themelet e vullnetit të popullit të saj. Nuk është më një çështje për t’u diskutuar, as një ëndërr që mund të ndryshohet sipas dëshirave apo iluzioneve të së shkuarës. Është një realitet i pandryshueshëm, një faqe e re në historinë e Ballkanit, e shkruar me sakrificë dhe e vulosur me vendosmëri.

Serbia duhet të kuptojë se koha kur Kosova trajtohej si një territor i nënshtruar ka përfunduar përgjithmonë. Nuk ka më vend për pretendime, për retorikë boshe apo për ëndrra të shtuara mbi hije të së kaluarës. Liria e Kosovës nuk është e negociueshme, as e kthyeshme; është një rrjedhë e natyrshme e historisë, një përmbyllje e një periudhe të gjatë padrejtësie dhe një hap drejt një të ardhmeje ku popujt jetojnë si të barabartë.

Njohja e kësaj të vërtete nuk është thjesht një detyrim moral apo politik, por një nevojë për vetë Serbinë. Të qëndrojë e kapur pas së shkuarës, do të thotë të mbetet peng i saj, të refuzojë të ecë përpara, të qëndrojë në vendnumëro ndërkohë që bota ndryshon dhe e ardhmja kërkon progres. Kosova është tashmë një pjesë e pandashme e botës demokratike, një shtet i njohur nga shumë kombe dhe i vendosur në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit ndërkombëtar.

Prandaj, është mirë që Serbia ta kuptojë këtë sa më parë. Të pranojë realitetin dhe të shtrijë dorën e bashkëpunimit, e jo të mbetet peng i narrativave të vjetra që koha i ka përmbysur. Sepse historia nuk pret, dhe Kosova tashmë ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes së saj, pa pasur nevojë për lejen e askujt për të qenë ajo që është – një shtet i lirë, demokratik dhe i pandalshëm në rrugëtimin e vet.

Ne, si popull, jemi ngopur me gënjeshtra të përsëritura, me premtime boshe që kurrë nuk u mbajtën, me fjalë të stisura që kurrë nuk u shndërruan në vepra. Jemi lodhur nga loja e pafundme e marrëveshjeve të firmosura në letra, por të grisura në realitet; nga deklaratat e mbushura me fjalë të mëdha, por të zbrazëta nga sinqeriteti. Historia na ka mësuar se nuk mund të mbështetemi në premtime të atyre që nuk i mbajtën kurrë, që shkruan marrëveshje vetëm për t’i shkelur ato, që nënshkruan dokumente vetëm për t’i përdorur si maskë në lojën e diplomacisë. E tillë është Serbia.

Çdo herë kemi parë të njëjtën skenë: një tryezë, një marrëveshje, një nënshkrim, dhe pastaj – harresë, mohime, shkelje të hapura. Ne nuk jemi më ata që presin me besim, që dëgjojnë me shpresë, që gënjehen me fjalë të bukura. E kemi parë të kaluarën, e kemi përjetuar pabesinë, dhe tashmë nuk jemi më të njëjtët. Nuk mund të na kthejnë pas, nuk mund të na bëjnë të besojmë më në një iluzion të përsëritur pafund.

Kosova ka ecur përpara, sepse populli i saj nuk është ndalur së luftuari për të drejtën e vet, për dinjitetin e tij, për një të ardhme që nuk varet nga ata që kurrë nuk e respektuan të shkuarën. Ne nuk mund të harrojmë të gjitha marrëveshjet që u firmosën me dorë, por u shkelën me këmbë. Nuk mund të harrojmë fjalët e thëna, por kurrë të zbatuara. Prandaj, nuk kërkojmë më fjalë, nuk kërkojmë më premtime, por vetëm një të vërtetë të pakthyeshme: Kosova është e lirë dhe do të ecë përpara, pa pritur miratimin e askujt.

Nëse dikush dëshiron të ecë me Kosovën, le të vijë me sinqeritet, me vepra, me respekt. Por ne nuk presim më nga ata që na mashtruan dhjetëra herë. Ne jemi të ngopur me hilet dhe dredhitë e tyre, dhe kemi zgjedhur rrugën tonë – një rrugë që nuk kthehet pas, një rrugë që çon drejt një të ardhmeje të ndërtuar mbi të vërtetën, mbi drejtësinë dhe mbi forcën e popullit tonë që kurrë nuk u përkul, pavarësisht çdo pabesie.

Serbia vazhdon të luajë të njëjtën lojë, të veshë të njëjtën maskë, duke u përpjekur të paraqitet si e transformuar, si një shtet që ka pësuar një metamorfozë politike e morale. Por ne e dimë mirë se kjo nuk është veçse një tjetër akt në dramën e gjatë të mashtrimit të saj, një përpjekje për të ndryshuar formën pa prekur thelbin. Ajo mund të pretendojë se është një aktore e re në skenën ndërkombëtare, por ne njohim mirë skenarin e saj, të shkruar me hile dhe dredhi ndër shekuj.

Ka kohë që koha e iluzioneve ka marrë fund, koha e premtimeve të thyera nuk mund të vazhdojë pafund. Ne, që kemi parë fytyrat e saj të shumta, që kemi përjetuar mashtrimet e saj në të gjitha format e mundshme, nuk mashtrohemi më nga fjalët e saj të stolisura me diplomaci boshe. Serbia mund të flasë për ndryshim, por historia e saj e gjatë e mohimit dhe shkeljeve të marrëveshjeve na mëson se fjalët e saj nuk mbartin peshë.

Ne, por edhe bota, nuk jemi më ata që i besojnë përrallave të saj, sepse e dimë mirë se çdo fjalë e saj është një kalkulim, një strategji, një tentativë për të fituar kohë, për të zvarritur të pashmangshmen. Serbia mund të aktrojë para botës, por ne i njohim rolet e saj, e njohim lojën e saj që nga kohët kur mendonte se fuqia e saj ishte e pakundërshtueshme. Ne e kemi parë këtë lojë të përsëritet dhe e dimë si përfundon.

Por e vërteta është se, përtej çdo skenari që ajo mund të përgatisë, historia nuk mund të shkruhet më nga dora e saj. Kosova nuk është më asnjëherë peng i kalkulimeve të saj, nuk është më një kapitull i hapur në skemat e politikës së saj. Ajo çfarë Serbia ende nuk pranon të kuptojë është se koha e saj për të luajtur këtë lojë ka përfunduar. Nuk ka më truke që mund ta shpëtojnë nga realiteti. Kosova është dhe do të mbetet e lirë, e pavarur dhe e pandalshme në rrugën e saj.

E për këtë arsye, këto janë përpëlitjet e fundit që Serbia mund ti luajë. Jo sepse ne i kemi besuar ndonjëherë dredhive të saj, por sepse tashmë bota e di. E ardhmja nuk ndërtohet mbi hile të vjetra, por mbi të vërteta të reja. Dhe e vërteta është e qartë: Serbia nuk mund të shkruajë më fatin e Kosovës. Ajo mund të vazhdojë të përpiqet të aktrojë, por shfaqja e saj ka humbur publikun. Kosova, me dinjitetin e saj, e ka fituar vendin që i takon, ndërsa Serbia, pavarësisht përpjekjeve të saj, nuk mund të luajë më një rol që historia ia ka mohuar përgjithmonë.

O njerëz, nëse një herë një bari mashtron fshatarët duke klithur se ujku i ka sulmuar delet, ata do të vrapojnë t’i ndihmojnë, sepse besimi mes njerëzve është një lidhje e natyrshme, e gdhendur në shpirtin e tyre. Por kur ai gënjen për herë të dytë, për herë të tretë, kur fjalët e tij nuk janë më klithma të së vërtetës, por hije të mashtrimit, atëherë besimi thyhet si një pasqyrë që nuk mund të riparohen më.

Një fjalë e rreme mund të zgjojë keqardhje herën e parë, por herën e dytë dhe të tretë ajo kthehet në një akord të shurdhët që askush nuk e dëgjon më. Sepse gënjeshtra ka këmbë të shkurtra, por hija e saj është e gjatë dhe e ndjek atë që e ka thënë deri në fund të rrugës. E kështu, kur ujku vërtet të vijë, kur rreziku të jetë i vërtetë dhe i prekshëm, kur delet të jenë nën kthetrat e bishës, askush nuk do të dalë për të ndihmuar. Sepse gënjeshtra e përsëritur ka shuar dhembshurinë, ka zvetënuar besimin, ka vrarë ndjenjën e bashkimit.

Kështu ndodh me ata që e përdorin të pavërtetën si armë për të manipuluar, me ata që e shfrytëzojnë besimin e të tjerëve për përfitime të vogla. Mund të mashtrojnë një herë, mund të bindin një herë, por koha gjithmonë punon kundër gënjeshtrës. Një popull mund të durojë, mund të presë, por në fund ai mëson, dhe kur mëson, nuk kthehet më prapa.

Historia ka qenë gjithmonë një gjykatëse e paanshme, një pasqyrë e qartë ku të gjithë, herët a vonë, shohin fytyrën e tyre të vërtetë. Ata që kanë ndërtuar rrugën e tyre mbi mashtrim, ata që kanë ngritur botën e tyre mbi themele të rreme, do ta gjejnë veten të vetmuar kur vërtet të kenë nevojë. Sepse askush nuk mund të luajë me të vërtetën pafundësisht pa paguar çmimin e saj.

Dhe kështu, bariu mund të klithë prapë, mund të lutet, mund të qajë, por fshatarët nuk do të vrapojnë më. Ata kanë mësuar se besimi është i shenjtë dhe se kush e tradhton atë, mbetet përgjithmonë vetëm, ashtu si ujku mes territ, duke pritur një ndihmë që nuk do të vijë kurrë.

E gëzofsh përjetësisht pavarësinë tënde, Kosovë ime! Ti që e ke mbajtur mbi supe peshën e shekujve, që e ke ruajtur me zemër zjarrin e lirisë, që nuk u përkule as para furtunave më të egra. Sot, je aty ku të takon të jesh, në mesin e kombeve të lira, e nderuar dhe e respektuar, sepse e ke fituar me sakrificë, me qëndresë, me dinjitet.

Kjo nuk është një dhuratë e rastit, as një fletë e shkruar nga dora e të tjerëve. Kjo është pavarësia e lindur nga lotët e gjyshërve tanë, nga betimet e nënave, nga kënga dhe dhimbja e brezave që ëndërruan për këtë ditë. Kjo është liria që ti e mbrojte me shpirt, me gjak, me plagë që ende flasin në rrugët e tua, por që sot nuk janë më shenja dhembjeje, por gurët themelorë të një ardhmërie të ndritur.

E gëzofsh pavarësinë, o tokë e dashurisë dhe e krenarisë! Le të jehojë emri yt në botë, le të njohin të gjithë se ti je e lirë, e drejtë, e pavarur, ashtu siç e meriton të jesh. Se gjaku yt nuk u derdh kot, se mundi yt nuk u harrua, se liria jote nuk është më një ëndërr, por një realitet i pamohueshëm.

Qëndro krenare, Kosovë! Të paçim gjithmonë të lirë, të ndritur e të mbuluar me lavdi!

10 shkurt 2025

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit