Diskursi politik
Reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse është një nder prioritetet e pushtetit, por për realizimin e saj duhet vullnet politik e konsenzus nga partitë parlamentare për realizimin e saj sipas standardëve bashkëkohore, duke vendosur listat e hapura si e drejtë legjitime të qytetarëve si kudo në botën demokratike
Dr. Nail Draga
Opinioni i gjerë në Mal të Zi është i njoftuar se nismat për ndryshimet në reformën zgjedhore kanë dështuar, ndërsa përfundimi i pasuksesshëm i punës së tre grupeve punuese pas vitit 2014, është dëshmi e mungesës së vullnetit politik që zgjedhjet dhe ligjet përcjellëse të përshtatën sipas standardëve demokratike.
Pikërisht në lidhje me këtë çështje, në fund të dhjetorit të vitit 2020, Kuvendi ka miratuar Vendimin për formimin e Këshillit për reformën gjithëpërfshirëse, ku me punë ka filluar 7 muaj pas konstituimit të parlamentit. Një trup i tillë punues ka mbajtur gjithsej 6 mbledhje, por në sajë të fërkimeve politike, partitë politike nuk kanë treguar gadishmëri për të kriuar një kornizë të re zgjedhore, e cila do të ishte në favor të avancimit të procesit zgjedhor në Mal të Zi.
Partitë, pengesa te reformës
Nuk ka dilemë se pengesë për ndryshime në ligjin zgjedhor janë vet partitë politike sepse ata nuk janë në gjendje qe të iu shmangën përfitimeve qe ligji zgjedhor aktual iu mundëson gjatë procesit zgjedhor. Madje edhe nëse kanë tentuar për ndryshime, ata kanë qenë vetem kozmetike, pa ndonjë peshë të veçantë. Ky është realiteti në skenën politike në Mal të Zi ku të gjithë janë të vetëdijshëm se duhen ndryshime në ligjin zgjedhor nëse duan të shkojnë në drejtim të anëtarësimit në BE.
Iniciativa nga Presidenti i vendit
Duke parë neglizhencën e partive politike për reformën zgjedhore, presidenti i vendit Jakov Millatoviqi me 12 dhjetor të vitit të kaluar i ka dërguar Kuvendit të Malit të Zi inicijativeën për reformën e sistemit zgjedhor duke vendosur listat e hapura zgjedhore.
Ai ka vlerësuar se nevoja për këtë reformë paraqitet nga deklarimi i ndjenjës së paknaqësisë të qytetarëve me gjendjen momentale të sistemit politik, i cili veçohet me mundësi të kufizuara të votuesve që drejtpërdrejt të ndikojnë në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.
Me vendosjen e listave të hapura Mali i Zi do të bashkangjitej vendeve të shumta evropiane të cilët me sukses kanë implementuar sisteme të ngjajshme, duke siguruar pjesëmarrje me të madhe të qytetarëve në vendosje dhe demokratizimin e proceseve politike. Sistemi i listave të hapura do të ishte reforma e cila do të mundësonte që vota e çdo qytetari të vlerësohet – ka deklaruar Millatoviqi.
Siç ka vlerësuar, ky ndryshim do të ofronte transparencë më të madhe në procesin politik, do të mundësonte në ndikimin e drejpërdrejt të qytetarëve në zgjedhjen e përfaqësuesve dhe harmonizimin e sistemit zgjedhor me standardet demokratike bashkëkohore.
Mbetet të shohim se iniciativa e tillë a do të mbeshtetet nga partitë parlamentare në lidhje me reformën zgjedhore në Mal të Zi.
Kandidati preferencial
Përmes listave të hapura, qytetarët me votën e tyre të drejtëpërdrejt zgjedhin kandidatin e tyre e jo si deri më tash që iu ka imponuar partia. Në këtë aspekt në Mal të Zi ekziston përvoja, vetëm me rastin e zgjedhjes së presidentit, ku qytetarët kanë votuar të preferuarin e tyre, andaj në analogji duhet të ndodhë edhe me zgjedhjet parlamentare e ato lokale. Përvoja e vendeve të ndryshme është e mjaftueshme për realizimin e demokracisë direkte të elektorati votues. Andaj fillimisht Këshilli për reformën zgjedhore duhet të debatoj me përfaqësues të partive politike por edhe nga shoqëria civile, për të arritur konsenzuesin e nevojshëm për ndryshime cilësore.
Partitë frikohen nga listat e hapura
Në Mal të Zi nga miratimi i pluralizmit vazhdohet me praktikën e listave partiake, ku liderët e partive, vendosin renditjen definitive të listave zgjedhore, ku fillimisht vendosin vetën, e më pas bashkëpunëtorët më të afërt. Është pikërisht renditja e tillë e cila iu pamundëson qytetarëve të vendosin sipas vullnetit të tyre.
Ndonëse deri më tash në këtë aspekt ka pasur deklarime të rastit, e ate si zakonisht në fushatat zgjedhore, por, konkretisht nuk është bërë asgjë, sepse si pozita dhe opozita në këtë aspekt kanë pasur konsenzus të plotë. Nga një hezitim të tillë del qartë se ata i frikohen listave të hapura, duke manipuluar elektoratin votues për qellime të tyre personale, apo klanëve të ndryshme duke iu servirur listen partiake e cila nuk shpreh vullnetin e qytetarëve por të partive politike.
Qytetari, jo vetëm votues formal
Nuk ka dilemë së tretmani i tillë ndaj qytetarëve, dëshmon nënçmimin e tyre duke i trajtuar si të pa dënjë, përkatësisht vetëm si votues apo shërbëtorë. Andaj ka ardhur koha që të punohet për ndryshime, duke iu mundësuar qytetarëve të drejten e tyre të mohuar, si kudo në botën demokratike. Nëse do të ketë vullnet politik për të miratuar ndryshimet në ligjin zgjedhor, atëherë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ekzistojnë të gjitha gjasat që të votohet me lista të hapura që do të jetë në favor të demokracisë parlamentare sipas standardëve evropiane.
Opinioni i gjerë e ka të qartë se nëse dëshirohet që premtimi për reformën zgjedhore të realizohet në praktikë, duhet të eliminohen interesat politike, të cilat deri me tash kanë qenë pengesa kryesore në mos miratimin e një ligji të tillë.
Andaj i mbetet shumicës aktuale parlamentare që në fokusin e veprimtarisë së tyre në këtë drejtim të angazhohën seriozisht për një kornizë të re zgjedhore, e jo për interesa të tyre politike, duke eliminuar paragjykimet, dukuri kjo e njohur vite me radhë në Mal të Zi si nga pozita dhe opozita, që është në kundërshtimin me interesat e qytetarëve.
Njësi e veçantë zgjedhore për shqiptarët
Në lidhje me këtë çështje shqiptarët në Mal të Zi duhet të përpiqen për të gjetur formulen më të pranueshme duke u bazuar në standardët ndërkombëtare. Andaj është e udhës të konsultohen ekpert të sistemeve zgjedhore nga vendi apo bota e jashtme.
Pasi deri më tash në Mal të Zi kanë qenë në veprim disa modele zgjedhore, për shqiptarët ma i pranueshëm është njësia e veçantë zgjedhore, e cila ka dhënë pesë mandate të deputetëve, sikurse ka qenë deri në vitin 2011, e jo si është tash qe më së shumti mund të jap tre deputet.
Në këtë aspekt përfaqësuesit politik të shqiptarëve duhet të eliminojnë animozitetet personale, sepse reforma zgjedhore nuk është përfaqësim i një partie politike, por ka të bëjë me shqiptarët në tërësi që është në favor të ruajtjës e mbrojtjës së identitetit politik e kombëtar të shqiptarëve në këtë mjedis.
(Janar 2025)