Arben Çokaj
Kurti duhet të tregohet taktik e makiavelist, si e ka zakon të tregohet në disa raste. Politika kërkon të jesh elastik e pragmatist për gjëra me rëndësi, sidomos kur ke të bësh me aleatin tonë më të madh, SHBA-të. Nuk e zgjedh Kosova Presidentin e SHBA-ve, ne nuk kemi ndikim aty, e zgjedhin amerikanët, e ashtu si Kamala e pranoi humbjen, edhe të tjerët, në këtë rast edhe Albini, duhet ta pranojë këtë fakt, dhe ta urojë Trumpin për fitoren e tij të madhe, nëse nuk e ka bërë ende. Ne si shqiptarë jemi miq të mirë me amerikanët, dhe jemi me fat për këtë. Amerika na ka ndihmuar gjithmonë, kur problemet madhore kanë rrezikuar ekzistencën tonë si komb.
Kështu, që t’i shesësh ‘nofulla’ Amerikës e Presidentit Trump me fuqi absolute sot, siç bënte Fatmir Syla në një postim në FB, të cilin e kritikova ashpër, është marrëzi e madhe, është sikur ‘po kërkon sherr nga frika’, për një shtet të vogël, të varur në fijen e perit, që ia atribuon Amerikës lirinë e saj, është pra, marrëzi e madhe.
Sepse po mundohen suflerët e largët të serbëve ta paraqesin fitoren e Trump si rrezik për Albinin e për Kosovën. Pse të jetë rrezik? Një koalicion VV me LDK-në psh., që mund të fitojë zgjedhjet, e neutralizon plotësisht këtë ndikim “negativ”, për Kosovën, që mund të ketë zgjedhja e Trump si President. Ishte Trump ai që në prezencë të kryeministrit të LDK-së, Avdulla Hoti, e thirri në telefon Netayahun, dhe siguroi njohjen e Izraelit për Kosovën. Nga ana tjetër, Grenell është shprehur se shkëmbimi i territoreve me Serbinë nuk ka qenë kurrë opsion i diskutuar në Shtëpinë Bardhë.
Një mik i imi gazetar, që e njeh personalisht Grenellin, më tregoi se kur Albini shkoi në Michigan në Konventen e Demokratëve, Grenelli i kishte thënë:
“Nuk kam armiqësi me me z. Kurti, mirë bën që shkon në Michigan, por të thonë ndonjë fjalë të mirë edhe për ne…”
I thashë se Kurti në fakt e ka përmendë Trumpin për mirë kur shkoi në SHBA, duke thënë se “Presidenti Trump ka kërkuar që 2% e brutos nacionale të përdoret për ushtrinë dhe ne e kemi bërë.” Për më tepër që Kurti ka takuar edhe senatorin e njohur republikan Ted Cruz.
Senatori Ted Cruz me Albin Kurtin
Atëherë pra, pse të krijojmë skenare të tilla? Pse po kërkojmë sherr nga frika?! A duhet të bjerë Albini pré e këtij kurthi të rrezikshëm?! Sepse disa suflerë të largët serbë, kanë shkuar në Uashington e po lobojnë për lirimin e Hashimit, duke sulmuar në të njëjtën kohë edhe Albinin. Të mos harrojmë se jemi në prag-fushate në Kosovë dhe opozita shet e blen me çfarëdo skenaresh, që ta trembë Albinin e elektoratin kosovar, për të mos e votuar atë.
Por sa i përket sjelljes së Kurtit, ai duhet të tregohet në lartësinë e detyrës, e detyra e tij e kërkon, që ai të bashkëpunojë me secilin lider në botë, aq më tepër me SHBA-të, për të mirën e interesat e Kosovës. Nuk ka kapacitet Kosova të sfidojë SHBA-të. Kuptohet kjo.
SHBA-të nuk guxon t’i sfidojë asnjë shtet i botës, as Kina e as Rusia. Gjatë fushatës, Putin tha se mbështeste Kamalën, dhe kur fitoi Trump, ai tha se nuk do ta uronte fare, por më pas u tërhoq. Ai sot e uroi Trumpin për fitoren dhe u shpreh se kishte synim marrëdhëniet e mira e bashkëpunimi me secilin lider, që zgjedhin në krye SHBA-të. Në këtë kontekst, hapet rruga edhe për diskutimin e luftës në Ukrainë, e ndoshta edhe ndalimin e kësaj lufte të marrë. Por se si do ndahen punët tani, do e shohim në vazhdim.
Ajo që është me rëndësi, për ne, e që ishte shtysa ime për këtë reagim të shkurtër, është se ne shqiptarët, e sidomos Kosova, duhet të mos kërkojnë armiq të paqenë, dhe Albini të mos bjerë pré e marrisë së disa suflerëve serbë, që po synojnë ta paraqesin Trumpin si rrezik për Kosovën. Ardhja e Trump si President, fitorja e tij, ishin të domosdoshme për ekonominë dhe politikën amerikanë. Ne duhet ta respektojmë këtë, vullnetin e popullit amerikan, pa diskutim. Kur Amerika është mirë, ne jemi mirë – kështu duhet ta shohim ne shqiptarët këtë punë dhe të shmangim çdo fërkim të mundshëm politik me Amerikën. Ata duhet të binden, me përpjejkjen tonë, që të përkrahin interesat tona shqiptare në Ballkan, e të mos i kthejmë kundër vetes pa arsye.