5.5 C
Tirana
E hënë, 11 Nëntor 2024
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

Historiku i shënimit të 2 Korrikut në Bokshiq!

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Uebdizajner & Grafikdizajner

Shkruan: Florim Zeqa, 02.07.2024

Nuk jam lokalist, por kësaj radhe përmes këtij rrëfimi personal dëshiroj, që të gjithë qytetarëve të vendit t’ju urojë nga zemra, gëzuar 2 Korriku 1990-Dita e Lindjes së Republikës së Kosovës, gurëthemelit të shtetit tonë.

Organizim spontan i 2 Korrikut në Bokshiq

Sot e 34 vite më parë, me të marrur lajmin për shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës nga delegatët shqiptarë dhe jo serbë para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës, ne banorët e fshatit Bokshiq u tubuam spontanisht në shitoren e fshatit “Blini”, me ç’rast e festuam Pavarësinë e Kosovës deri në orët e vona të pasditës. Ishin ato çastet më të gëzueshme që i përjetuam në një festim të përbashkët me vëllazni, fqinj dhe kusherinj.

Në fytyrën e secilit prej nesh vërehej gëzimi i papërshkruar më fjalë, ku dominonin emocionet plot shpresa për ardhmëri. Cakërrimi i gotave përcjellej me urimin, “E gëzofshim për jetë e mot pavarësinë e Republikës së Kosovës”.

Ky ishte momenti më madhështorë i një festimi të përbashkët në një lokalitet të vogël, por me ndjenjë të madhe të atdhetdashurisë, të respektit të ndërsjellë dhe fqinjësisë së mirë, i trashëguar brez pas brezi nga të parët tonë në fshatin Bokshiq, të fshatit simbol dhe bastion i rezistencës kundër pushtuesve serb në komunën e Klinës.

Organizimi i turnirit tradicional për 2 Korrikun

Që nga përvjetori i parë i 2 Korrikut, në fshatin Bokshiq për çdo vit kemi organizuar turnir në futboll të vogël. E filluam turnirin e parë me 2 korrik 1991 me vetëm 6 ekipe pjesëmarrëse, të dytin me radhë me 14 ekipe, ndërsa në turnirin e tretë të radhës me 2 Korrik 1993 i kishim 36 ekipe pjesëmarrëse nga komuna e Klinës, por edhe nga komunat tjera si; Gjakova, Deçani dhe Istogu.

Ishte ky njëri nga turniret më të mëdha deri atëherë të organizuara në komunën e Klinës, ishte ky turniri më mirë i organizuar ndonjëherë në këto anë.

Çdo gjë kishte shkuar mirë sipas planit të organizatorit, filluar nga shpërndarja e njoftimeve për turnir, pritjen dhe regjistrimin e ekipeve, organizimi i mirë i ndeshjeve me gjyqtarë (refer) profesional e deri të ndarja e shpërblimeve simbolike për ekipet fituese dhe lojtarët më të mirë të turnirit.

Pas përfundimit të turnirit, organizatori kishte marrë falenderime dhe përgëzime të sinqerta nga ekipet pjesëmarrëse, tek të cilat, mënyra e organizimit dhe pritja vëllazërore kishin lënë mbresa të veçanta tek secili pjesëmarrës në këtë turnir tradicional të futbollit të vogël.

Vlenë për të theksuar se, ky turnir i futbollit ishte bërë halë në sytë e pushtuesve serb. Pas shpërndarjes së njoftimeve për mbajtjen e turnirit nëpër lokalet shqiptare në komunën e Klinës, në Stacionin Policor në Klinë u ftuan për “biseda informative” disa nga pronarët e lokaleve shqiptare, të cilët ishin pyetur se kush qëndron pas këtij organizimi!?

Nisur nga ky fakt, nga organizatori ishte përgatitur plani rezervë në rast të pengimit të turnirit nga policia pushtuese serbe. Kur jemi në këtë segment, ishte një mobilizim i jashtëzakonshëm i aktivit FR të LDK së dhe fshatit në përgjithësi.

Nuk është e tepërt të thuhet, se për mbarëvajtjen e këtij turniri, kontribut të çmuar kishin dhënë të gjithë të rinjët e Bashkësisë Lokale të Grabanicës, pa e anashkaluar as nëndegën e LDK-së, e cila ishte e gatshme të ndihmojë në të gjitha aspektet për mbrojtjen e turnirit nga ndonjë sulm eventual i pushtuesve serb.

Meqenëse isha iniciator i parë për organizimin e turnirit për 2 Korrik, unë Florim Zeqa e mora edhe përgjegjësinë morale dhe juridike dhe isha i gatshëm që të ballafaqohem me të gjitha konseguencat që mund të vinin nga pushteti okupues i asaj kohe.

Nga distanca kohore ndjehem krenarë për organizimin e tre turnireve radhazi të Futbollit të Vogël në fshatin e lindjes për nder të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, por edhe i zhgënjyer njëkohësisht që kjo nismë e mbarë nuk vazhdoj tutje në shtetin e lirë, të pavarur dhe sovran!

Florim Zeqa, 2 Korrik 2024, Orsago (Itali)

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.

Shkrimet e fundit