Shkruan: Florim Zeqa, 08.09.2023
Në 24 vjetorin e themelimit, liderët shtetërorë dhe ata partiakë e uruan në mënyrën e tyre Policinë e Kosovës. Për dallim nga liderët partiakë që ishin më afër realitetit, liderët institucionalë (shtetërorë) u ekzagjeruan në urimet e tyre, duke devijuar nga kompetencat dhe obligimet kushtetuese të gardianëve të rendit dhe ligjit në Kosovë.
Katër urime, dy të vërteta e dy imagjinare
Qëllimisht i përzgjedha katër urime, dy nga ana e pushtetarëve dhe dy nga ana e opozitarëve për të ballafaquar të vërtetën me gënjeshtrën, realen me imagjinaren. Por ja që imagjinata nuk ekziston në kohë reale dhe se nuk ekzistojnë dy të vërteta, por vetëm një.
Kryeministri Albin Kurti
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se “motoja e këtij përvjetori “24 vite në shërbim dhe në mbrojtje” e përfaqëson më së miri Policinë e Kosovës. Që nga gjenerata e parë policore kur filloi trajnimin me 6 shtator 1999, Policia jonë shërbeu për të gjithë qytetarët tanë duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre e duke ruajtur sovranitetin e vendit tonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Presidentja Vjosa Osmani
Urime për Policinë e Kosovës ka shprehur edhe presidentja Vjosa Osmani. Sipas saj, “Policia e Kosovës është shndërruar në simbol të përkushtimit, guximit dhe profesionalizmit të palëkundur për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve, pa dallim. Ata janë gardianë të sigurisë sonë, të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës”.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi
E kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur “mirënjohje dhe nderim për secilin zyrtar policor. 24 vite më parë, u themelua Shërbimi Policor i Kosovës, që më pas u shndërrua në Polici të Kosovës, për t’i hapur rrugë mbrojtjes së qytetarëve, rendit dhe ligjit në vendin tone”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë, “Policia e Kosovës është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit dhe ky institucion konsiderohet model edhe për vendet e rajonit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ja çka thotë Neni 128 i Kushtetutës për Policinë e Kosovës
1. Policia e Republikës së Kosovës mban përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
2. Policia e Republikës së Kosovës është profesioniste dhe pasqyron shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës.
3. Kryeministri emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Republikës së Kosovës me
rekomandimin e Qeverisë dhe në pajtim me ligjin. Organizimi i brendshëm i Policisë së
Kosovës, rregullohet me ligj.
4. Policia e Republikës së Kosovës ka zinxhir të unifikuar komandues në tërë Republikën e
Kosovës, me stacione policore të cilat korrespondojnë me kufijtë komunalë. Policia e
Kosovës lehtëson bashkëpunimin me autoritetet komunale dhe udhëheqësit e bashkësive
përmes themelimit të Këshillave Lokale, sikur është rregulluar me ligj. Përbërja etnike e
policisë brenda një komune duhet të pasqyron, deri në shkallën më lartë të mundshme,
përbërjen etnike të popullsisë brenda komunës përkatëse.
5. Policia e Republikës së Kosovës mban përgjegjësinë për kontrollin e kufirit në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.
Në pamundësi të shtrirjes së FSK-së në veri, liderët shtetërorë, përkatësisht kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, kompetencat kushtetuese të Ushtrisë së Kosovës ia atribuan padrejtësisht Policisë së Kosovës, anipse e dinë mirë që mbrojtëse faktike e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit tonë është NATO, gjegjësisht trupat e KFOR-it të vendosura në Kosovë 24 vite më parë dhe do të vazhdojnë të jenë këtu deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.