Kritikë për ekspozitën personale të artistit Ardian Tragaj

0
Ardian Tragaj - ekspozitë

“Plutokratët në panikë” nga vetja e tyre 

Tridhjetë piktura me portete dhe një intalacion u ekspozuan të shtunën në Galerinë “Nikolet Vasia”, në Durrës

Ilir Muharremi, kritik i artit

Ai po heshtë, heshtja e tij është si një urdhër ushtarak, diktatorial, pushtetar, nxitës, përbrenda ruan një zhurmë, një pështjellim të ndjejave. Qëndron në qendër të kompozcionit, me këmbë të kryqëzuara dhe një heshtje në fytyrë. Është prijësi kryesor  i vargan plutokratëve të cilët janë të habitur, në panikë, sy të përçudnuar, gojë të hapur, duken si kafka të humbura, të shtypura nga fjala dhe gjesti, nga realiteti e fantazia. Shihet se janë të dirigjuar si marioneta dhe mendimet e thella individuale në këtë rast kanë humbur sensin e tyre, sepse urdhëri për të frymuar jepet nga një trup portokalli me duar të zgjatura të cilat zgjaten nga marrja e mos ngopja.

Bëhet fjalë për pikturën “Plutokratët në panikë” të artistit Ardian Tragaj e cila u pagëzua edhe me titull të ekspozitës personale të hapur të shtunën në Galerinë “Nikolet Vasia”, në Durrës. Trupi i kësaj figura duket sikur i mbështetur në karrige prej ari, derisa gjymtyrët i shungullojnë nga spazma e të qarit shpirtëror sikur përshkohet nga ndonjë rrymë elektrike dhe rrënqethje të ftohta i rridhnin nëpër trupin e tij hollak.

Artisti Tragaj frymëzimin e gjen në jetën reale, sociale, ekonomike, juridike, në çaste aktuale nga pushtetet që tashmë abuzojnë individin, e këtë abuzim ai e shpërfaq në kompozicione mbi ndjenjat e portreteve dhe anatomisë njerëzore, ashtu nga prizmi i tij personal, nga pavetëdija, nënvetëdija, nga një urdhër shpirtëror enigmatik për historinë e artit. Portetet herë më duken si siluetë, e herë si figura prej eshtrave, mishit dhe tulit, përballje me stuhitë e jetës, ekzistencës, qëndresës, mbijetesës, që pleks shpirtin e vetë ekzaltues.

Ata janë në vetmi, por me një britmë, ata na shikojnë, por edhe na çortojnë, ata na buzëqeshin, por edhe vajtojnë, ata janë të revoltuar, revolten e bëjnë në emrin tonë, japin gjithçka për pak drejtësi të munguar. Zhurmojnë në portat e pushtetit të shurdhër dhe të pistë, peshojnë në një hapësirë pa ndonjë rëndesë (fjala për prapavinë e punimeve), qëllimi i theksimit të figurave psikologjike në plan të parë. Koloriti krijohet me reflekse të ngjyrave si e kuqe, portokalli, e verdhë, kafe, blu e ftohtë, blu e fortë me nuanca të ndritshme.

Gjuha e trupit, fragmentet prapa perdes së syve, lëvizjet, gjymtyrë të ekzagjëruara të anatomisë trupore, shprehin një liri artistike, liri nga çdo akademizëm, përtej zinxhirëve zyrtar, të projektuar në sferën e artit, Tragaj projekton unin e tij dhe krijon peshën e një stili vetanak, individual të artit. Ja tek sodisë një punim tjetër, në qendër një portret me veshin e tij të majtë të ekzagjëruar.

Artisti ngre pyetjen drejt thashethemeve me të cilat çdo shqiptar është rritur, çdo Ballkanas është kultivuar, dhe vazhdojmë të ujitim këtë fenomen shterpë e të çoroditur nëpër shtëpitë tona, nëpër kafenetë, në punë, insitucione gjithkund ku jemi të rrethuar me njerëz të kulturës sonë, andaj figura qeshet dhe duket e vetëknaqur nga ajo çfarë dëgjon në afërsi, në sfond, përreth, ose atë çfarë e ka dëgjuar. Goja i rri hapur  dhe e tërhequr shumë, dy dhëmbë zgërdhihen brenda faqeve të thithura.

Një intaslacion i punuar me tube plastike në formë njeriu, ky njeri është pushtetar i cili përpara ka një guacë të mbushur me fekale, kjo fekale është e tij dhe simbolizon kuroren e tij, e cila sipër kokës merr formën e një grade të krijuar nga vetë ai, pra fekale. Tragaj njeriun e sotëm pushtetar e vë përpara një beteje, një krize me veten, një refleksion i brendshëm i zakonshëm drejt formës së një ironie të vërtetë brenda shpirti, trupit dhe mendjes. Atëherë, si duhet të duket ky njeri me doreza?

Elegantë, i veshur firmato, i buzëqeshur natyrshëm, fytyrë plot rrudha nga kërkesat dhe pyetjet e njerëzve të vuajtur. Natyrisht që e vërteta e dhimbshme ka më shumë vlera se e vërteta e luksoze dhe e shfrytëzuar nga djersa dhe gjaku i njeriut të vuajtur. Ky intalacion ngritët mbi idenë dhe theksohet përballë konceptit, pra vepra reduktohet në ide e pastaj në koncept, bëhet si një lule të cilen lakmojmë e më pastaj e urrejmë sepse është plot therra.

Ardian Tragaj në këtë ekspozitë shprehë një energji eruptive vullkanike dhe që në mënyrë të paprajshme e ka vazhduar dhe e vazhdon krijimtarinë artistike, duke na sjellë shumë e shumë vepra të veçanta, njëmenda,  të skalitura me shpirt dhe mend, të projektuara ditë e natë, të menduara brenda fragmenteve, të stërholluara nga magma e mendimeve, të bëra bojë, formë, njeri dhe mesazh.

“Gjithkush dëshiron ta kuptojë pikturën. Pse nuk përpiqen të kuptojnë këndimin e zogjve? Ata pëlqejnë natën, një lule, kaq shumë gjëra rreth tyre, pa i kuptuar ato”, shkruan Pablo Picasso.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.