5.5 C
Tirana
E premte, 7 Shkurt 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

LLOGARIDHËNIA: ÇELËSI I BESIMIT

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-BASHA 

Një natë, në ekranin e televizorit, duke kaluar spontanisht nga një stacion në tjetrin, pashë sa e sa tubime elektorale që kishin përfshirë të gjitha qendrat e Kosovës. Një panoramë e zakonshme zhurmash, ku fjalët përplaseshin si dallgë të paqeta, kritikë pas kritike, premtim pas premtimi. Ishte një lojë e njohur, një rit i përsëritur që dukej sikur nuk kishte fund. Dhe, teksa i shikoja, më kaploi një ndjenjë e çuditshme, një frymëzim i njohur nga e shkuara, dhe nuk mund të mos mendoja: e gjithë kjo zhurmë dhe kjo shfaqje për disa parti ishte thjesht një dejavu.

Fjalët, të përshkuara me një energji teatrale, tingëllonin si përsëritje të asaj që është dëgjuar shumë herë më parë. Premtimet, të përthurrura me kujdes, ngjanin si një pëlhurë që kishte humbur shkëlqimin e saj nga përdorimi i tepërt. Dhe kritikat, të drejtuara me forcë, më ngjanin si goditje që nuk synonin përmirësim, por thjesht rrëzim. Ishte një cikël që kthehej dhe rikthehej, një rrotë e madhe që nuk lëvizte përpara, por vetëm përsëritej në vend.

Në atë moment, më dukej sikur koha kishte ngrirë dhe ne ishim dënuar të jetonim në një përsëritje të pafundme të së njëjtës skenë. Një dejavu kolektive, ku premtimet bëheshin si retë në horizont, të bukura për syrin, por të largëta dhe të paprekshme. Dhe ne, si dëshmitar të heshtur, ndjejmë një trishtim të lehtë, një përzierje mes lodhjes dhe shpresës së venitur.

Por mund të ndodhë, ndoshta kjo dejavu është një thirrje për t’u zgjuar. Një kujtesë që na fton të mos jemi më vetëm spektatorë të një skene që përsëritet pa fund. Sepse cikli mund të thyhet, dhe e ardhmja nuk ka pse të jetë thjesht një përsëritje e së shkuarës. Në këtë natë të zakonshme, nën zhurmën e fjalëve elektorale, ndoshta fshihet një mundësi për të kërkuar më shumë, për të kërkuar ndryshimin e vërtetë. Dhe kjo shpresë, sado e zbehtë, është ajo që mund të thyejë dejavu-në dhe ta shndërrojë në diçka të re.

Shumë vite më parë, më kishte ngacmua mendimi të hedh në letër një analizë mbi konceptin e llogaridhënies. Si një reflektim mbi atë që duhej të ishte thelbi i qeverisjes dhe drejtimit të shëndetshëm, pyeta veten dhe të tjerët se çfarë përfaqëson fjalë- Llogaridhënie, në realitetin tonë të trazuar. Çfarë do të thotë të jesh përgjegjës për veprimet dhe vendimet e tua, kur je në një pozitë udhëheqëse? A është thjesht një koncept teorik, apo një urë që lidh popullin me ata që i drejtojnë?

Kur e ndava këtë analizë, reagimet ishin të ndara si një udhëkryq ku secili zgjidhte rrugën e vet. Disa më mbështetën, duke parë në të një thirrje për ndryshim, një përpjekje për të ndërtuar një kulturë të re, ku drejtuesit tanë të mbanin përgjegjësi për veprimet e tyre. Por kishte edhe nga ata që e shikuan me rezervë, sikur fjala “llogaridhënie” të ishte një guxim i tepruar, një sfidë ndaj status quo-së që kishte filluar të forcohej si një kala e pakapërcyeshme.

Në këtë realitet të ri, pyetja ime për llogaridhënie nuk ishte thjesht një kritikë. Ishte një lutje për përgjegjësi, një kërkesë për transparencë, dhe një shpresë që udhëheqësit tanë të kuptonin se fuqia që u jepet nga populli duhet të shërbejë për të mirën e tij. E megjithatë, kjo thirrje shpesh binte në vesh të shurdhër, sepse kërkimi i llogaridhënies për dikë ishte parë si një akt rebelimi dhe jo si një akt qytetar.

Koha ka kaluar, por ajo analizë më ka mbetur në mendje si një monument i një periudhe kur besova se fjalët mund të krijonin një ndryshim. Dhe ndoshta mund të krijonin. Sepse në fund të fundit, llogaridhënia nuk është thjesht një akt. Është një marrëdhënie, një kontratë e pashkruar midis atyre që drejtojnë dhe atyre që besojnë, midis atyre që premtuan dhe atyre që pritën. Dhe ne ende po mësojmë si ta mbajmë këtë kontratë të gjallë, nëpër udhëtimin tonë drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të përgjegjshme.

Llogaridhënia, mendoj, nuk është thjesht një term i ftohtë, i mbyllur brenda kuadrit të sociologjisë apo psikologjisë. Ajo është një urë që lidh mendimin me veprimin, ndërgjegjen me realitetin, dhe në kohët e fundit, në mënyrë të pandalshme, ka nisur të ngulë rrënjët e saj edhe më thellë në politikë. Si një rrjedhë e natyrshme në botën e qytetëruar, ky koncept ka hyrë edhe në mendësinë tonë, shpesh si një stuhi e heshtur që kërkon të ndryshojë mënyrën se si e kuptojmë drejtësinë dhe përgjegjësinë.

Por ajo që dikur mund të ishte thjesht një ideal, tani është bërë një fjalë që na ndjek në çdo hap – në diskutime, në debate, madje edhe në përditshmërinë më të zakonshme. Herë shfaqet si një kërkesë e ligjshme, një thirrje për përgjegjësi, dhe herë të tjera si një refren i përsëritur, ndoshta edhe i pavend, që i drejtohet kujtdo që ka një përgjegjësi në shoqëri. Në këtë mënyrë, llogaridhënia ka marrë një jetë të dyfishtë – ajo përfaqëson një nevojë të ngutshme për drejtësi dhe të vërtetë, por njëkohësisht, shpesh keqpërdoret si një armë për të goditur ose për të fajësuar.

Sot, ajo ka kaluar kufijtë e mendimit personal dhe është bërë një pjesë e pandashme e diskursit tonë publik. Politika e ka përqafuar, por ndonjëherë me qëllime të errëta – për ta bërë një mjet pushteti dhe jo një mjet përgjegjësie. Dhe në këtë proces, llogaridhënia ka filluar të humbasë peshën e saj morale dhe të marrë një ngjyrë të turbullt, ku e drejta dhe e gabuara përzihen, dhe fjalët shpesh i drejtohen dikujt pa një qëllim të qartë.

Por, pavarësisht nga ky kaos i dukshëm, llogaridhënia mbetet një gur themeli për shoqërinë. Ajo është një pasqyrë që secili prej nesh duhet ta përdorë për të parë veten dhe botën përreth. Është një akt i guximshëm dhe i domosdoshëm, një thirrje për të mos harruar se çdo veprim mbart pas vetes përgjegjësinë për një të nesërme më të mirë. Dhe në këtë udhëtim të gjatë të qytetërimit, mbetet një dritë që na kujton se pa të, nuk mund të ketë as drejtësi, as ecje përpara, as shpresë.

Të mësohesh me këtë koncept është si të hapësh një derë të re në mendësi, një derë që na çon përtej justifikimeve dhe shmangieve, përtej zakonit të zakonshëm të hedhjes së fajit tek tjetri. Ajo kërkon që të ndalemi për një moment, të reflektojmë dhe të pranojmë se çdo veprim ka një peshë, çdo zgjedhje ka një ndikim dhe çdo mosveprim ka pasojat e veta. Është një akt i thjeshtë në dukje, por mbart brenda një fuqi transformuese.

Besoj me bindje të thellë se shumë nga të çarat që i shohim sot në botën përreth – konfliktet, padrejtësitë, mungesa e përgjegjësisë – nuk do të ekzistonin, ose të paktën nuk do të ishin kaq të theksuara, nëse secili prej nesh do të merrte hapin e parë për të dhënë llogari për veten. Llogaridhënia nuk është vetëm një fjalë, është një proces që kërkon kurajo. Ajo është një mënyrë për t’i dhënë kuptim veprimeve tona, një mënyrë për të orientuar jetën tonë në një drejtim më të drejtë, më të ndershëm, më njerëzor.

Nëse kjo praktikë do të rrënjosej te secili individ, shoqëria do të transformohej në mënyrë të thellë. Sepse, si çdo gjë e mirë, edhe llogaridhënia fillon nga individi dhe shpërndahet si një valë që prek gjithçka përreth. Në këtë mënyrë, shumë gjëra do të kishin një kuptim më të qartë, një drejtim më të sigurt. Dhe bota do të bëhej një vend ku drejtësia dhe përgjegjësia nuk do të ishin vetëm ideale të larta, por përvoja të përditshme, të jetuara dhe të ndjera.

Në shumicën e rasteve, termi llogaridhënie vuan nga një pakuptimësi e thellë dhe shpesh herë nga një keqinterpretim që e shtrembëron thelbin e saj. Si një fjalë që duhej të ngrihej mbi interesat personale dhe të vepronte si një princip universal, ajo shpesh bie në grackën e interpretimit të njëanshëm. Në mënyrë të padukshme, llogaridhënia bëhet pronë e një individi të vetëm, e një grupi apo komuniteti të caktuar, që e shohin atë si një armë privilegji për t’ua kërkuar të tjerëve, por jo për ta aplikuar mbi veten.

Ky përvetësim i heshtur është një akt i fshehtë, një deformim që fsheh brenda vetes një padrejtësi të thellë. Është si një pasqyrë që reflekton vetëm në njërën anë, duke lënë tjetrën në errësirë. Dhe në këtë dritë të njëanshme, llogaridhënia nuk është më një urë drejt drejtësisë, por një mjet që përdoret sipas interesave të kujt ka forcën për ta zaptuar.

Dhe ky keqpërdorim sjell me vete një efekt të dëmshëm. Ai krijon ndasi në vend që të ndërtojë ura, krijon pabarazi në vend që të forcojë ndjenjën e përbashkët të përgjegjësisë. Sepse kur dikush guxon të kërkojë llogaridhënie vetëm nga të tjerët, pa e zbatuar këtë parim mbi veten, llogaridhënia humbet esencën e saj. Nuk është më një akt drejtësie, por një justifikim për pushtet, një maskë që fsheh dobësitë dhe pasiguritë e atyre që pretendojnë të jenë mbi të tjerët.

Por llogaridhënia nuk mund të jetë pronë e askujt. Ajo është e të gjithëve dhe për të gjithë. Është një fjalë që nuk duhet të qëndrojë në duart e privilegjit, por të zërë vend në ndërgjegjen e përbashkët. Nëse ne, si shoqëri, do ta kuptonim dhe praktikonim llogaridhënien si një akt universal, atëherë ajo nuk do të ishte më një vegël për të ndarë, por një forcë për të bashkuar. Dhe vetëm atëherë, kuptimi i saj do të përmbushte vërtet qëllimin – të sjellë drejtësi, barazi dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie që buron nga secili prej nesh.

Sot, shpeshherë ndodh që llogaridhënia të perceptohet si një barrë që u takon të tjerëve – një detyrë që duhet përmbushur gjithmonë nga pala tjetër, ndërsa ne qëndrojmë mënjanë, duke treguar me gisht dhe duke kërkuar sqarime. Është bërë thuajse një zakon i heshtur, një refleks i zakonshëm: të kërkojmë llogari nga të tjerët, por të shmangim shikimin drejt vetes. Në botën e sotme, ku politika është kthyer në një arenë të përhershme diskutimesh dhe kritikash, llogaridhënia është bërë temë kryesore. Kemi filluar ta shohim atë si një fushëbetejë mes politikanëve dhe elektoratit – një marrëdhënie që shpesh mbetet e njëanshme. Të gjithë jemi të shpejtë të themi se politikanët duhet të japin llogari para popullit kur diçka nuk shkon siç është premtuar. Fjalët “përgjegjësi” dhe “llogaridhënie” fluturojnë në çdo debat, në çdo fjalim, duke u bërë një modë e re që përdoret me lehtësi, por shpesh pa thellësi.

Por a mendojmë ndonjëherë për llogaridhënien që i detyrohemi vetes dhe njëri-tjetrit, përtej politikës? A kemi guximin të pyesim veten: “A kemi bërë gjithçka që duhej? A kemi përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet tona?” Llogaridhënia nuk është thjesht një kërkesë për politikanët, një slogan që ne përdorim për t’i kujtuar atyre premtimet e tyre. Ajo është një parim universal, një akt i brendshëm, një reflektim që duhet të fillojë nga zemra e çdo njeriu.

Nëse do ta shikonim llogaridhënien si një proces që fillon nga individi dhe përhapet si një valë drejt shoqërisë, ndoshta shumë gjëra do të ndryshonin. Politikanët do të ndjenin peshën e vërtetë të përgjegjësisë, por edhe ne do të ndjenim detyrimin moral për të kontribuar në këtë marrëdhënie të përbashkët. Sepse llogaridhënia nuk është një akt që i përket vetëm një grupi apo një klase, por një proces që kërkon ndershmëri, guxim dhe përkushtim nga të gjithë ne. Vetëm atëherë, ajo do të shndërrohej nga një “modë” në një vlerë të përhershme që na udhëheq drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të ndërgjegjshme.

Shpesh, në debatet televizive që zhurmojnë ekranet tona, apo në faqet e portaleve që përshkojnë jetën e përditshme, hasim emra që përmenden me zë të lartë: ky politikan, ky drejtor, apo ky profesor, kjo parti e ky koalicion duhet të japin llogari për dështimet në këtë apo atë sektor, në këtë apo atë dikaster. Kritikat bien si shigjeta mbi ta, shpesh me një zell të admirueshëm për të kërkuar përgjegjësi. Por në këtë vorbull kritikash, një gjë e rëndësishme mbetet në hije – harrojmë se të gjithë ne, pa përjashtim, jemi pjesë e këtij kolektiviteti dhe se llogaridhënia nuk është një barrë që u përket vetëm të tjerëve.

Është lehtë të tregosh me gisht, të thërrasësh për drejtësi e transparencë kur flitet për të tjerët. Por sa shpesh ndalemi të pyesim veten: “Çfarë kam bërë ne? Çfarë llogarie duhet të japim për atë që kemi thënë apo për atë që nuk kem bërë?” Kjo pyetje, e thjeshtë në dukje, ka një peshë që rrallë e marrin mbi vete. As kritikuesit më të zëshëm, ata që flasin me pasion e bindje, nuk fillojnë nga vetja, sepse llogaridhënia personale kërkon guxim – një guxim që shkon përtej fjalëve dhe shfaqet në heshtjen e ndërgjegjes, në pranimet e sinqerta, në veprat që pasojnë.

Në fund të fundit, nuk duhet harruar se ne të gjithë jemi pjesë e të njëjtit mozaik shoqëror. Askush nuk është jashtë kësaj përgjegjësie, askush nuk mund të fshihet pas petkut të kritikës pa u përfshirë vetë në të. Llogaridhënia nuk njeh tituj, pozita apo autoritet – ajo është një ligj i pashkruar që mbështjell gjithçka, që nuk i kursen as njerëzit, as perënditë. Dhe kjo e vërtetë është një thirrje për të parë më thellë, për të kuptuar se ndryshimi fillon me atë që secili prej nesh është i gatshëm të japë, të pranojë dhe të përmirësojë.

Prandaj, në vend që të shohim vetëm jashtë vetes, ndoshta është koha të kthejmë vështrimin brenda. Sepse llogaridhënia nuk është vetëm një kërkesë për të tjerët; është një reflektim i të gjithëve, një urë që na lidh jo vetëm me shoqërinë, por edhe me ndërgjegjen tonë. Dhe vetëm kur ta përqafojmë këtë parim, do të mund të ndërtojmë një botë ku përgjegjësia dhe drejtësia nuk janë thjesht fjalë, por mënyra jonë e jetës.

Sa të zëshëm dhe të guximshëm jemi kur bëhet fjalë për të akuzuar të tjerët! Sa shpejt i drejtojmë gishtat, me fjalë të mprehta që thumbojnë, ndërsa brenda vetes fshihemi si qyqarë, të paaftë për të pranuar as më të voglin faj. Është një dinamikë e çuditshme, një valle hipokrizie që luhet pa pushim. Një grup e sheh veten gjithmonë të pafajshëm, të pastër si bora, duke marrë të drejtën për të fshikulluar të tjerët me kritika të pamëshirshme. Ndërkohë, një grup tjetër mbetet në shënjestër, gjithmonë i goditur, gjithmonë nën barrën e fajit, qoftë të drejtë apo të padrejtë.

Por a nuk harrojmë shpesh se medalja ka dy anë? Se çdo e vërtetë ka një tjetër fytyrë që na fton ta shohim, ta pranojmë, ta kuptojmë? Ky guxim për të parë të dyja anët, për të pranuar se edhe ne jemi pjesë e një mozaiku ku nuk mungojnë gabimet, shpesh na mungon. Në vend të tij, ne ndërtojmë mjegulla në ndërgjegjen tonë, nebuloza të qëllimshme, për të mos u përballur me atë që është e qartë, por e vështirë për t’u pranuar – të vërtetën.

Në këtë lojë të heshtur mashtrimesh, ne shpesh shmangim përgjegjësinë tonë. Është më lehtë të tregosh fajtorin jashtë vetes, të ndërtosh narrativa ku ne jemi gjithmonë të drejtë, ndërsa të tjerët mbajnë barrën e gabimeve. Por ky iluzion na pengon të rritemi si individë dhe si shoqëri. Sepse e vërteta, sado e pakëndshme, është e vetmja rrugë drejt ndershmërisë dhe përmirësimit.

Guximi qytetar për të pranuar anën tjetër të medaljes nuk është një akt dobësie; është një shenjë force. Është një ftesë për të dalë nga mjegullat që krijojmë për të fshehur gabimet dhe për të parë botën ashtu siç është – komplekse, e papërsosur, por gjithmonë e hapur për ndryshim. Dhe nëse do ta përqafojmë këtë guxim, ndoshta do të mësojmë se forca e vërtetë nuk qëndron në fshikullimin e të tjerëve, por në pranim, reflektim dhe ndreqje – një rrugë që na çon drejt një të vërtete më të drejtë dhe më të thellë.

Në Antikën greke, logos-i dhe ethos-i – dija dhe virtyti – nuk ndaheshin. Ishin si dy faqe të së njëjtës medalje, të pandashme dhe të bashkuara në një harmoni të thellë. Praxis-i, veprimi, ishte gjithmonë i shoqëruar nga theorisis-i, reflektimi. Veprimi dhe mendimi bashkëjetonin si një bashkëbisedim i vazhdueshëm, duke ndërtuar themelet e qytetërimit dhe të drejtësisë. Ishte një kohë kur të kuptoje do të thoshte të veproje me përgjegjësi, kur virtyti dhe mençuria ishin udhërrëfyes të përbashkët.

Por ajo ishte Antika, një kohë e largët, një ideal që sot duket si një hijeshi e harruar në mjegullën e historisë. Në ditët tona, sidomos në vokabularin politik, medalja ka marrë faqe të reja, anë që shpesh i shmangemi ose i refuzojmë të pranojmë. Për ne, kjo ndarje midis logos-it dhe ethos-it duket sikur është bërë normë, ndërsa praxis-i shpesh ecën përpara i zbrazur nga thellësia e theorisis-it. Një ndarje që, në vend të drejtësisë, na ka sjellë konfuzion dhe një boshllëk të ndjeshëm në fjalët dhe veprat tona.

Dhe atëherë vjen justifikimi, një zë që flet në emër të të gjithëve: “Nuk kemi faj ne.” Këto fjalë të përsëritura, të buta dhe të lehta për t’u shqiptuar, janë bërë një mburojë që na fsheh nga e vërteta. Ishte gjithmonë dikush tjetër ai që mbante fajin, një figurë e largët që ne ia ngarkonim barrën e dështimeve tona. Dhe kështu, llogaridhënia mbeti një koncept i panjohur, një fjalë pa peshë në ndërgjegjen kolektive, një term që qëndronte jashtë horizonteve tona të zakonshme.

Por koha ndryshon dhe sjell me vete sfida të reja. Tani, më shumë se kurrë, duhet të shohim medaljen në të gjithë plotëninë e saj. Duhet të rikthejmë lidhjen midis logos-it dhe ethos-it, midis mendimit dhe virtytit. Sepse pa këtë harmoni, veprimet tona mbeten të zbrazura, ndërsa fjalët tona humbasin forcën për të frymëzuar dhe për të ndërtuar. Dhe vetëm atëherë kur të përqafojmë llogaridhënien – si një proces të brendshëm dhe të jashtëm – do të mund të gjejmë rrugën drejt një shoqërie që i rikthen vlerat e thella të së kaluarës në një të ardhme më të drejtë dhe më të ndershme.

Është koha të ndalemi dhe të mendojmë me kthjelltësi, të shohim përreth dhe të pyesim veten se çfarë po ndodh me ne. Pse fëmijët tanë po humbasin pasionin për dijen dhe po mbeten të dobët në mësime? Pse ndërmarrjet tona po mbyllen njëra pas tjetrës, si gjurmë të shlyera nga një histori që nuk di të ruajë veten? Pse shkollat tona, dikur vende të shenjta të dijes, tani janë kthyer në skena rrugaçërie? Pse punëtorët e pensionistët ndihen të harruar, të paçmuar, dhe të zhveshur nga dinjiteti që u përket?

Pse korrupsioni ka zënë rrënjë, duke e helmuar drejtësinë dhe shpresën? Pse e vërteta shkencore, ndërtuar mbi vite përkushtimi dhe përpjekjeje, mohohet me një lehtësi të pakuptimtë? Pse martesat shtyhen gjithnjë e më shumë, duke sjellë një ndjenjë të vonuar të përkushtimit dhe përkatësisë? Pse nënat hezitojnë të sjellin në jetë më shumë fëmijë, si një reflektim i pasigurisë për të ardhmen? Dhe pse politikanët, që duhet të jenë udhërrëfyes, japin premtime të thata e të kota, që thyhen si valët mbi shkëmbinj?

“Pse”-të tona janë të pafundme, një radhitje e pambarimtë pyetjesh që përplasen me heshtjen. Dhe kjo heshtje është më shqetësuese se çdo përgjigje. Ajo na bën të kuptojmë se kemi ndërtuar një shoqëri ku pyetjet lindin më shpejt se përgjigjet, ku problemet shumohen, ndërsa zgjidhjet ngelen në horizont, të paarritshme.

Por ndoshta kjo është një thirrje për të ndryshuar. Ndoshta pikërisht këto “pse”-het janë ato që na detyrojnë të shohim përtej sipërfaqes, përtej shkaqeve të dukshme, për të kërkuar rrënjët e së keqes. Ndoshta është koha për të pranuar se përgjigjet nuk do të vijnë nga jashtë, por nga ne. Nga guximi ynë për të parë me sy të hapur, për të ndryshuar atë që duhet ndryshuar, për të ndërtuar mbi një themel të ri – një themel të ndershmërisë, përgjegjësisë dhe të vërtetës.

Sepse pyetjet, sado të dhimbshme, janë gjithmonë fillimi i ndryshimit. Ato janë ftesa për të mos pranuar më të zakonshmen, për të mos heshtur më para padrejtësisë dhe apatisë. Dhe nëse jemi gati të përballemi me to, ndoshta mund të gjejmë përgjigjet që kërkojmë, jo në heshtjen e zakonshme, por në zërin e ndërgjegjes sonë të përbashkët.

Më ndjek një frikë e heshtur, një mendim i rëndë që më ngacmon shpirtin: mos vallë po shndërrohemi në një popull që di vetëm të kritikojë, një popull që ka mësuar të fshehë mangësitë e veta pas hijes së fajësimit të të tjerëve? Mos ndoshta kjo kritikë e pashtershme është një perde që mbulon dobësitë tona, një mekanizëm mbrojtës që na ndihmon të shmangim përballjen me vetveten?

Llogaridhënia, mendoj, është një akt i lartë, një veprim që kërkon guxim dhe ndershmëri. Është një proces që nuk kursen askënd dhe që të gjithë ne duhet ta përqafojmë, pavarësisht nëse duam apo jo. Sepse vetëm kur të mësojmë të jemi vetëkritikë, kur të kemi kurajon të shohim veten në pasqyrën e së vërtetës, do të mund të çlirohemi nga iluzionet tona dhe të vlerësojmë drejtësisht edhe anët më të mira të të tjerëve.

Nuk është turp të pranojmë fajin, të pranojmë se kemi gabuar, se kemi bërë më pak sesa duhej. Përkundrazi, të pranosh fajin është një shenjë e pjekurisë, një hap drejt përmirësimit. Por të përsërisësh gabimin, të vazhdosh me kokëfortësi në rrugën e gabuar, kjo është vërtet një tragjedi – një cikël që mban të lidhur një shoqëri në vendnumëro.

Të jesh vetëkritik është një akt i shenjtë, një thirrje për të hapur zemrën dhe mendjen ndaj ndryshimit. Dhe në këtë udhëtim, llogaridhënia nuk është thjesht një detyrim, por një mundësi për rritje. Nëse e përqafojmë këtë parim, nëse mësojmë të shohim thellë brenda vetes, ndoshta frika ime do të jetë e pabazë. Ndoshta atëherë, ne do të shndërrohemi në një popull që nuk fsheh dobësitë, por i përballon ato, duke ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të sinqertë dhe më të guximshme për t’u përballur me të vërtetën.

Dhe, në përfundim të kësaj analize, do të shtoja me një zë që buron nga zemra e popullit: politikanët tanë, veçanërisht tani, në këtë kohë fushate, duhet ta kenë të qartë një gjë – ne nuk harrojmë. Fjalët që thuhen sot, premtimet që hidhen lehtësisht në erë, nuk treten në harresë, sepse kujtesa jonë është më e fortë se fjalimet kalimtare. Pas gjithë kësaj zhurme dhe etheje elektorale, kur dritat e fushatës të fiken, ne do të jemi ende këtu.

Ne do të mbajmë mend çdo premtim të dhënë dhe të parealizuar, çdo fjalë që tingëlloi si shpresë, por mbeti bosh. Sepse llogaridhënia nuk është vetëm një e drejtë, është një detyrë që buron nga zemra e një shoqërie që kërkon drejtësi dhe përmbushje të fjalëve të dhëna. Dhe ne, si popull, do të qëndrojmë këtu – vigjilentë dhe të vendosur – për të kërkuar llogaridhënie, për të kërkuar përmbushjen e premtimeve, për të mbajtur gjallë atë lidhje mes fjalës dhe veprës që është themeli i çdo shoqërie të ndershme.

Kjo është thirrja jonë, një thirrje që nuk mund të shuhet: fjala ka peshë dhe ajo peshë duhet të mbajë brenda vetes përgjegjësinë. Dhe ne nuk do të ndalemi së kërkuari këtë përgjegjësi, sepse vetëm kështu mund të ndërtojmë një të ardhme që reflekton shpresat dhe nevojat e vërteta të popullit tonë.

Më shumë shkrime

1 KOMENT

  1. E respektuara prof. dr. Sabile!

    Arben Çokaj – moderator në “FJALA e lirë”, me shkrimet që i publikon, na zgjon kërsherinë t’i lexojmë patjetër.
    Shkrimi juaj më bëri përshtypje, të cilin e lexova me kujdes, ndaj vendosa te jap koment.
    Nga shkrimi i gjatë, veçova këtë pjesë – po citoj:

    “Në këtë realitet të ri, pyetja ime për llogaridhënie nuk ishte thjesht një kritikë. Ishte një lutje për përgjegjësi, një kërkesë për transparencë, dhe një shpresë që udhëheqësit tanë të kuptonin se fuqia që u jepet nga populli duhet të shërbejë për të mirën e tij.”
    Ju lumtë!
    *
    Plotësisht me vend: Llogaridhënia, çelësi i besimit.
    Ai që nuk jep llogari, është papërgjegjës, ose i ka humbur çelësi i besimit!?
    Njerëzit e papërgjegjëshëm janë edhe mosmirënjohës.
    Unë mendoj se:
    Forca e ndërgjegjës është aq e madhe saqë të pafajshmin e liron nga frika, ndërkaq të fajshmin (fajtorin) e gjykon dhe e dënon rëndë.

    Respekt,
    Ismet M. Hasani, Suedi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit